Kategori
Uncategorized

Si u vrane ne kufi 13 veta vetem per nje muaj.

KLON I KUFIRIT APO PORTA E FERRIT PER RININE SHQIPTARE…

Si u vrane ne kufi 13 veta vetem per nje muaj.

–Për këtë tendencë nga viti 1984 e deri tani, janë ndjekur afro 2 mijë vetë, janë arrestuar 398 persona, janë këshilluar e demaskuar 11000 persona të tjerë nga organet e Partisë, të pushtetit dhe degët e punëve të brendshme. Me gjithë këto masa nga viti 1984 deri në 6-mujorin e parë të vitit 1988 mundën të realizojnë arratisjen jashtë shtetit 354 persona. Veç këtyre u kapën me tentativë për t’u arratisur në zonat kufitare 495 vetë. Që nga çlirimi e deri në vitin e fundit janë arratisur në moshë madhore nga Shqipëria 11.800 vetë.

Ministri i Punëve të Brendshme

Hekuran Isai

——————————————————————————-

ERSEKA

-Më darë 2.2.1990, rreth orës 24:00, njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, ra në përpjekje të tre shkelësve kufiri nga brenda jashtë. Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirjan Ismail Zari, vjeç 30, banues në Tiranë, roje në depon e armatimit të çetës vullnetare Kinostudio. Dy shkelësit e tjerë u kthyen në thellësi të tokës sonë. Si rezultat i masave në orën 05:00, të datës 3.2.90 u kap Agim Ismail Zari, vëllai i të vrarit. Vazhdon kërkimi për kapjen e të tretit, i cili është Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja dhe banues në Tiranë, martuar me motrën e dy shkelësve të mësipërm.

SHKODRA

Më datën 14.6.1990, në postën kufitare të Hanit të Hotit, nga kontrolli i kryer në pengesën klon, u konstatua një gropë dhe një granatë dore luftarake. U njoftua posta kufitare e cila nisi njësitin e kontrollit së bashku me qenin kërkues, të cilët ranë në përpjekje me shkelësit e kufirit me drejtim nga brenda jashtë. Njësiti bëri paralajmërim duke qëlluar me armë në ajër, për shkak se nuk u ndalën, qëlloi në drejtim të tyre duke vrarë Pëllumb Pëllumbin nga Shkodra, i pa zënë në punë, ndërsa në orën 01:50, të datës 15.6.90 u kap shkelësi tjetër Marjan Zef Ndoja, nga Shkodra. Vazhdon bllokimi i kësaj zone.

ERSEKA

Më datën 10.6.1990 u ndalua Irfan Sali Liçi, vjeç 27, banues në Pojan të Korçës, kooperativist, për arsye se karakteristikat e tij të jashtme janë të njëshme me shkelësin e kufirit që u largua në drejtim të paditur në përpjekje me njësitin kufitar të postës Shelegur. Në përpjekjen e orës 8:00, më 10.6.90 u vra në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Fatmir Ismail Duro, vjeç 25, banues në Orman, Pojan i Korçës.

SHKODRA

Më datën 12.6.1990, në postën kufitare Zogaj u asgjësua në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Nin Rok Hoti, vjeç 25, rrobaqepës, banues në Shkodër.

POGRADECI

Më datën 17.7.1990, në sektorin e postës kufitare Peshkëpi, nga njësiti i kontrollit u kap në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Artan Ahmet Kushi, vjeç 16, banues në Elbasan, nxënës, i cili u ndalua.

GJIROKASTRA

Në datën 17.7.1990, ora 11:45, në sektorin e postës kufitare Radat në tentativë për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, u kapën dy persona dhe u vra një tjetër: Arjanit Ali Vashaj, vjeç 27, shofer, Shkëlqim Avni Deçaj, vjeç 27, banues në Vlorë, punëtor, të cilët u ndaluan, Muharem Fejzo Velaj, vjeç 25, banues në Klos Mallakastër Fier, kooperativist, i cili u vra nga njësiti pas zbatimit të kërkesave të rregullores për kapjen e tij të gjallë.

SHKODRA

Më datën 18.7 1990, realizuan kalimin e paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Reç Frederik Kol Petraqi, vjeç 25, punëtor dhe Mark Noc Çuçia, vjeç 25, punëtor në peshkim.

Më datën 18.7.1990, u kapën në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit në sektorin e postës kufitare Reç Rakip Myftar.

KORÇA

Më datën 18.7.1990, në sektorin e postës kufitare Ponçarë, njësiti i shërbimit në orën 03:05 ra në përpjekje me shkelësit e kufirit Nardi Kujtim Ravolli e Osman Xhakolli, të cilët tentuan t’i merrnin armët njësitit të shërbimit dhe pastaj të realizonin kalimin e kufirit. Njësiti i shërbimit asgjësoi Osmanin dhe plagosi rëndë Nardin.

Viktimat janë të rinj nga Shkodra,Në Sarandë ne vitin1989-90 guxuan të arratiseshin në kufi, ku vranë nga kufitarët dhe u morrën zvarrë nëpër makina midis qyteteve me urdhën të Ramiz Alise gjatë viteve 1989-1990

Si u vranë 13 veta, vetëm për 1 muaj

Si pasojë e urdhrit të Alisë vetëm në periudhën 23 maj 1990 deri në datën 8 korrik 1990 u vranë 13 shtetas.

Kështu, janë vrarë nga forcat e kufirit të rretheve Korçë, Ersekë, Librazhd, Shkodër, Sarandë, Gjirokastër shtetasit Sokol Lika, Sami Daja, Kujtim Xhaja, Bujar Osmani, Fatmir Duro, Nik Hoti, Pëllumb Pëllumbi, Artan Çemi, Muhamet Nurja, Harallamb Papuçiu, Ilia Dalla, Thoma Boda, Enver Duka dhe është plagosur shtetasi Kristaq Lloci.

Raportet se si zbatohej urdhri i Ramiz Alisë për vrasjet në kufi

Tiranë më 20.06.1990

Për kalimin e paligjshëm të kufirit

Rastet e kalimit të paligjshëm të kufirit po rriten si numër. Gjatë këtij viti, nga muaji janar deri më 19 qershor janë kapur në tentativë për të kaluar kufirin 108 persona dhe është evidencuar nga Hetuesia kalimi i paligjshëm i kufirit nga 46 persona të tjerë. Ndërsa, gjatë vitit 1989 kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 54 persona dhe u kapën në tentativë 70 persona të tjerë.

Në 16 raste, kur personat nuk kanë qëndruar nga thirrjet e njësive kufitare ndaj tyre është hapur zjarr. Për pasojë janë vrarë 16 persona. Këto kanë ndodhur në këto rrethe: 5 në Shkodër, 4 në Ersekë, 1 në Sarandë, 1 në Peshkopi, 4 në Korçë dhe 1 në Librazhd. Ka patur edhe disa plagosje.

Vrasjet në kufi janë rritur në mënyrë të dukshme në vitin 1990, që ka edhe intensifikim të kalimit të paligjshëm të kufirit. Në të kaluarën ka patur 3 vrasje. Për herë të parë ka patur një vrasje në vitin 1985 në Librazhd dhe dy vrasje të tjera në Shkodër në vitin 1989.

Personat që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme janë shtuar sidomos gjatë muajit maj 1990 pas ndryshimit të dispozitës së arratisjes në kalim të paligjshëm të kufirit. Pas kësaj periudhe kanë kaluar kufirin 40 persona, janë kapur 66 persona dhe janë vrarë 10 persona.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme

Qemal Lame

Tiranë më 6.10.1990

Lënda: Për ushtar Lauro Vorfin dhe 4 persona të tjerë që kaluan kufirin në Korçë

Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH

Shokut Xhelil Gjoni

Tiranë

Në datën 5.10.1990 në pikën kufitare Vërnik kanë kaluar kufirin Lauro Vorfi, ushtar në Repartin 6555 Kokogllovë dhe 4 persona të tjerë.

Në datën 4.10.1990 në orën 23.15 Lauro Vorfi, duke qenë në shërbim në fjetore ka shkallmuar armaturën e truprojës ku ka marrë 90 fishekë, tre pushkë dhe një automatik. Pas kësaj ka marrë në depon e veshmbathjes, çelësin e të cilës e kishte vetë, një palë rroba të reja ushtarake dhe është larguar në drejtim të paditur.

Në mëngjesin e datës 5.10.1990 njësiti kufitar i postës së Vërnikut ka parë 5 persona, të cilët kishin mundur të prisnin 5 fije të pengesës elektrosinjalizuese. Në momentin e konstatimit, shkelësit kanë qëlluar me armë dhe ushtarët u janë përgjigjur, duke i qëlluar me armë. Njëri perj ushtarëve ka shtirë 10 fishekë, ndërsa tjetri 3 fishekë. Pas këtyre të shtënave të dy ushtarëve ju janë bllokuar armët, pasi fishekët i kishin pa barut dhe kanë ngelur në tytë. Shkelësit, duke përfituar edhe nga mjegulla kanë mndur të kalojnë kufirin. Gjatë kontrollit në vijën e kufirit janë gjetur 2 kapele ushtari dhe një xhaketë ushtarake, e cila kishte edhe pika gjaku.

Nuk janë saktësuar gjeneralitetet e personave që kaluan kufirin dhe po vazhdon hetimi.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme

Qemal Lame

Librazhd më 31.5.1990

Informacion

Mbi kapjen dhe asgjësimin e disa shkelësave, të cilët tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme në sektorin e Repartit 210 Librazhd, gjatë muajit maj 1990.

Komitetit të Partisë Rrethit

(Sekretarit të Parë sh. Zenel Hysa)

Librazhd

Për dijeni Komitetit Qendror të PPSH-së

(Sektorit për Organet e P.Brendshme)

Tiranë

Veprimet e efektivit të postës kufitare:

Në orën 03.32 jepet sinjal në aparaturë në sektorin ku kaluan shkelësit e mësipërm. Komandanti i pikës, Arben Duka, mbasi njoftohet nga posta kufitare Rrajcë për sinjalin e dhënë me shpejtësi merr masa për bllokimin e vijës së kufirit dhe në të njëjtën kohë nis grupin për verifikimin e sinjalit të shkaktuar. Në të njëjtën kohë që grupi i verifikimit konkludoi për kalesë të pengesës nga më shumë se 3-4 persona njoftoi komandën e postës dhe pikës dhe vihet në ndjekje të shkelësve. Nga ana tjetër, njësitet bllokuese bien në përpjekje me shkelësat. Në afërsinë 5-6 metra u bëjnë ndalje dhe u kërkojnë që ata të dorëzohen. Kujtim Xheja, i cili udhëhiqte grupin në këtë veprimtari, thirrjes së ushtarëve për ndalje dhe dorëzim ju përgjigj me fjalë fyese, duke i sharë nga nëna e motra, kërkoi të hapet kufiri dhe tentoi të ikë me forcë e vrap në drejtim të vijës së kufirit, në këtë kohë njësiti hapi zjarr ku dhe e asgjësoi atë.

Sekretari i Komitetit Partisë Dega e Punëve të Brendshme

Xhevit Kullolli

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s