Cili është gabimi historik që Zogu ia pranoi oficerit nga Kosova – Shefqet Bylykbashi?
Cili është gabimi historik që Zogu ia pranoi oficerit nga Kosova – Shefqet Bylykbashi?
Studiuesi Bajram Mjeku, në profilin e tij në Facebook, ka bërë një postim interesant, në lidhje me një bashkëbisedim mes Shefqet Bylykbashit dhe Ahmet Zogut. Bylykbashi, i njohur në Kosovë si Shefqet Kapetani, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte vënë në mbrojtje të kufirit nga forcat serbe.
“Mbreti shqiptar Ahmet Zogu, nga të katër vilat e tij në Shqipëri, më për qejf e kishte atë të Durrësit. Do ta ketë ndjellë magjia e detit, si kundërshti e ashpërsisë së bjeshkëve nga e kishte origjinën ai. Pak kohë para se Shqipëria të aneksohej nga Italia fashiste, pa e njoftuar Gardën braktis vilën e zbret në plazh. Zogu nuk i shpëtoi syrit të oficerit kosovar, Shefqet Bylykbashi, me origjinë nga një familje fisnike nga Baica e Kolshit të Drenicës, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake drejtimin e Artilerisë në Romë.
Gjatë bisedës, mbreti Zog i tha besnikut të tij:
– Kam ba një gabim historik dhe shqiptarët s’do t’ma falin kurrë. Në vend se të lidheshim me Anglinë, gabuam e u lidhëm me Italinë!
Më shumë se nga lajmësit e tij nga Roma, mbreti Zog kuptoi se ishin çastet e fundit kur Italia fashiste do ta okuponte Shqipërinë. Me një ushtri të armatosur dobët dhe të paorganizuar mirë, okupimi ishte i paevitueshëm.
Mbreti shqiptar sigurisht ishte në dijeni për idenë e Haxhi Zekës, që Shqipëria para se të pavarësohej, për njëzet vjet të mbetej nën protektorat anglez.
Detajin e bisedës midis mbretit Zog dhe Shefqet Bylykbashit e dëshmon djali i tij, Fuat Bylykbashi. Ky i fundit ende është gjallë. Pas pushtimit të Shqipërisë në prill të vitit 1939, Shefqet Bylykbashi u kthye në Kosovë. U emërua komandant i artilerisë në vijën kufitare Prapashticë – Preshevë, në mbrojtje të kufirit nga forcat serbe në kuadër të Regjimentit të Katërt të Ushtrisë Shqiptare, i cili komandohej nga Fuat Bej Dibra. Shefqet Bylykbashi për të nderuar komandantin, e pagëzoi djalin e tij me emrin e Fuat Bej Dibrës.
Në Kosovë, Shefqet Bylykbashi njihet me nofkën Shefqet Kapetani. Një rrugë në Prishtinë mban emrin e tij.
Në vitin 2010, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, Presidenca e Kosovës, dekoroi major Shefqet Bylykbashin me urdhrin Medalja e Artë e Lirisë”, shkruan Mjeku. /Telegrafi/