Kategori
Uncategorized

Shumë probleme me fqinjët, zero probleme me Vuçiç.

Shumë probleme me fqinjët, zero probleme me Vuçiç

Nga Çim Peka 19/10/2016

Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 duke kopjuar sloganin e Ahmet Davutoglu, ish-ministër i Jashtëm dhe kryeministër i Turqisë për “Zero Probleme me fqinjët’. Ndërsa sot, si për ironi, avionët turq bombardojnë brenda territorit të dy shteteve fqinje, Irakut dhe Sirisë, ndërkohë që marrëdhëniet e qeverisë socialiste me fqinjët janë në pikën e tyre më të ulët që nga koha e Enver Hoxhës.

Në verën e vitit 2013, kur Edi Rama sapo kishte fituar zgjedhjet, por nuk e kishte marrë akoma detyrën e Kryeministrit, së bashku me disa prej ministrave të ardhshëm filloi një tur ndërkombëtar, ku në sy ranë veçanërisht vizita në Itali, Turqi dhe Greqi. Pritja zyrtare që iu rezervua në këto shtete ishte e paprecedentë dhe sigurisht mbarte me vete shpresat e mëdha se raportet e qeverisë së re me fqinjët do të njihnin një periudhë të artë. Jo se raportet e paraardhësit ishin të këqija, por kishte elementë që në një mënyrë ose tjetër, kishin nevojë për një perspektivë më ndryshe. Prandaj, ardhja e Edi Ramës në pushtet u pa si mundësi e mirë për përmirësimin e tyre, veçanërisht duke pasur parasysh angazhimin e Ramës për “Zero Probleme”.

Që në fillim u pa një retorikë boshe në raport me Greqinë, dhe “armiqësia” midis Partisë Socialiste dhe Greqisë për shkak të kundërshtimit të marrëveshjes së detit, kërkonte një qasje të re nga ana e Ramës. Nuk ndodhi. Jo vetëm kaq, por ai qartazi tregoi se prioritet kishte marrëdhëniet me Italinë, ndoshta edhe për shkak të raporteve të tij personale me Kryeministrin Italian Matteo Renzi.

Rama e rrethoi veten me miq dhe bashkëpunëtorë që ishin vokal kundër Greqisë dhe miqësor me Italianë. Historikisht ka patur një konkurrencë herë të hapur herë të kamufluar midis Italisë dhe Greqisë për influencë në Shqipëri, veçanërisht pas rënies së komunizmit. Qeveri të ndryshme shqiptare janë munduar të notojnë midis këtyre dy ujërave duke ruajtur një balancë në interes të vet. Sot, falë Edi Ramës, kjo balancë është prishur, në kurriz të marrëdhënieve me Greqinë. Nga ana tjetër, nuk është se marrëdhëniet e ngrohta politike me qeverinë italiane kanë sjellë ndonjë rezultat në fushën e ekonomisë, investimeve direkte italiane apo në atë të tregtisë.

Kryeministri italian përballet me dy kriza të brendshme, atë financiare dhe referendumin për ndryshimet kushtetuese me 4 dhjetor. Gjasat janë, që Renzi nuk do të shtyjë më shumë se disa muaj në krye të qeverisë italiane, dhe si rrjedhojë askush nuk është në gjendje të parashikojë kush do të jenë marrëdhëniet me Italinë më pas. I vetmi përfitim deri tani në këto marrëdhënie është mbyllja e syve dhe heshtja e palës italiane në lidhje me lumin e drogës që ka vërshuar nga kjo anë e Adriatikut. Edhe kjo duket se po ndryshon, pasi situata e trafikut të drogës ka arritur në përmasa dramatike, dhe heshtja e mëtejshme do të kthehet në një problem politik edhe për vetë Italinë.

Që me pavarësimin e Maqedonisë nga ish-Jugosllavia, faktori politik shqiptar atje ka patur vetëm dy pika reference: Uashingtonin dhe Tiranën. Që nga pranvera e vitit 2015 Tirana ka rënë si pike reference. Edi Rama është kryeministri i vetëm shqiptar që nuk ka asnjë lloj influence mbi faktorin politik shqiptar në Maqedoni. Kur në pranverë të vitit 2015 ndodhi kriza politike në Maqedoni, dhe incidenti i armatosur në Kumanovë, Edi Rama nën influencën e partive të majta të Europës Juglindore (të njëjtat parti që bekuan marrëveshjen e 1 prillit), zgjodhi të mbështesë liderin e opozitës Zoran Zaev, duke anashkaluar tërësisht faktorin politik shqiptar atje, si dhe dinamikat politike të brendshme në Shkup e Tetovë.

Jo vetëm kaq, por në kundërshtim me linjën politike të mbajtur nga çdo qeveri e mëparshme shqiptare dhe përkundër qëndrimeve amerikane, Edi Rama kërcënoi me veto anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Si pasojë, kur Edi Rama thirri në Pogradec në takim lidershipin politik shqiptar të Maqedonisë, ata e refuzuan. Nga ai moment, Edi Rama e zeroi veten dhe qeverinë e tij në raport me Maqedoninë.

Për shkak të raporteve personale të Edi Ramës me ish-kryeministrin Hashim Thaçi, por edhe raportit negative historik të Partisë Socialiste me Kosovën, pritej që marrëdhëniet e qeverisë socialiste me Kosovën të njihnin një periudhë pranvere. E kundërta ndodhi. Për arsyet që vetëm Edi Rama i di, dhe ne vetëm mund të hamendësojmë, në vend të Prishtinës ai zgjodhi Beogradin.

Marrëdhëniet e mira me Serbinë janë në interes të Shqipërisë, të Kosovës dhe të vetë rajonit. Por jo, kur ato përdoren për axhendë politike individuale të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçic. Aq më tepër në kurriz të Kosovës. Edi Rama i dha vetes një rol që nuk i takonte dhe që shkon në dëm të interesave kombëtare shqiptare në Ballkan. Ai u përpoq ta kthente veten ne interlokutorin e vetëm shqiptar në raport me Serbinë duke anashkaluar autoritetet legjitime të Prishtinës. E që të arrihej koj, Rama duhej të kthehej ne liderin shqiptar mbarë kombëtar, duke përdorur kartën nacionaliste.

Për këtë i erdhi në ndihmë Vuçiç. Në tetor të vitit 2014, u gjet rasti i artë duke përdorur hedhjen e një droni në stadium, me një flamur të zi, qe as sot nuk dihet me saktësi se si u fut në stadium. Mediat e Beogradit caktuan vëllanë e kryeministrit si autorin e lëshimit të dronit.

Vala e nacionalizmit që kaptoi shqiptarët duhej sipas planit të transmetohej tek Rama, si udhëheqësi nacionalist i gjithë shqiptarëve. Terreni ishte përgatitur tashmë për vizitën e Ramës në Beograd, i cili së bashku me Vuçiç luajtën një teatër me mjeshtëri në konferencën për shtyp.

Fatkeqësisht për Ramen, qytetaret e Kosovës nuk e blenë këtë shfaqje, sado të mirëorganizuar. Që këtu filluan problemet e Ramës me Kosovën dhe opinionin e saj publik. Shqiptarët e Kosovës nuk e pranuan, ndërsa ata të Shqipërisë e injoruan.

Vizita e tij e fundit në Beograd është vetëm epilogu i kësaj qasje të pamend. Reagimi i politikës në Prishtinë, mediave dhe opinionit publik ishte brutal, i patakt dhe i dëmshëm për marrëdhëniet midis dy shteteve tona. Sikur politika në Kosovë ta kishte ndaluar Ramën me herët, dëmi nuk do ishte ky. Edi Rama tashmë e ka humbur Kosovën. Por kjo nuk është e keqja më e madhe. Që sot e tutje, raportet politike midis Prishtinës dhe Tiranës nuk janë më të njëjta dhe do të duhet shumë kohë dhe vullnet që pas ikjes së Ramës ato të kthehen në normalitet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s