Kategori
Uncategorized

TURQIA E POETËVE ËSHTË TURQIA E VERTETË *

REXHEP SHAHU

Të nderuar të pranishëm!
Më lejoni t’ju falenderoj përzemërsisht për praninë tuaj. Është shumë emocionuese kjo sallë plot me personalitete dhe për mua ka shumë vlerë prania juaj këtu sot, dyfish vlerë, shumëfish vlerë, njëmijëfish vlerë.
Një shpjegim i vogël i domosdoshëm: Shumëkujt prej jush i ka ardhë ftesa, që ky promovim i një libri të rrallë, të veçantë, të famshëm, “Puthje mbi Bosfor”, do të bëhej nga shtëpia botuese “Klubi i Poezisë”, që jam unë, do të bëhej nga Ambasada Turke dhe nga fondacioni turk “Yonuz Emre”.
Deri dje në orën 11 ka qenë kjo marrëveshje : Ambasada dhe Fondacioni do të paguanin këtë sallë dhe do të paguanin edhe një kokteil këtu. Në orën 12 vjen një irade nga Ambasadori dhe thotë: Anullohet promovimi i librit “Puthje mbi Bosfor”.
Atëherë unë erdha dhe pagova sallën falë mbështetjes së fuqishme, fisnike të z. Flamur Hoxha, i cili është sponsori i Revistës “Illz” dhe botimeve më cilsore të shtëpisë botuese “Klubi i Poezisë”.
Ky sqarim i domosdoshëm vjen për këtë arsye: Me 31 dhjetor të vitit të kaluar 2017, ne patëm shpallë njoftimin për promovimin e këtij libri tek Muzeu Kombëtar, tek biblioteka e Muzeut kombëtar. Më thërret atë ditë drejtori i fondacionit turk dhe më thotë: Të lutem anulloje promovimin sepse duam të të mbështesim ne për promovimin dhe duam ta bëjmë tek 15 katëshi, të bujshëm. Unë pranova. Kaloi një vit, kaluan 13muaj e gjysmë dhe erdhëm për ta bërë sot, pa praninë e Ambasadës, pa praninë e fondacionit.
Ata shkëlqejnë me mungesën e tyre. Unë i falenderoj shumë.
Ky libër “Puthje mbi Bosfor” është përkthyer nga përkthyesja e talentuar Rozana Belli. Ka 101 poetë. Të hysh në lëkurën e 101 poetëve është shumë e vështirë. Unë nuk jam përkthyes, unë nuk di të flas gjuhë të huaj, përveç lumjançe dhe shqip. E falenderoj shumë për këtë kontribut, për ktë punë. 101 poetë është punë shumë e madhe.
Dhe mbrëmë bëra një njoftim tjetër për miqtë: Turqia e poetëve është shumë më e madhe se Turqia e çdokujt tjetër.
Pothuajse në të gjitha numrat e revistës “Illz”, kemi botuar 9 numra, janë në proces shtypi edhe dy numra të tjerë. Në çdo numër të revistës Illz që e financon Flamur Hoxha, ne kemi botuar autorë turq, poetë turq.
Unë jam i bindur, Turqia nuk konkuron me telenovela, nuk konkuron me asgjë, por Turqia në këtë botën tonë mund të konkurojë me poetë dhe kjo është e padiskutueshme.


Një ditë të vonë vjeshte, sivjet, përmes e-mailit më erdhën disa nga këto poezi, dhe një pyetje e brishtë: “A ia vlejnë këto poezi që i kam përkthyer. Ju shkrova ju duke menduar se jeni shtëpi botuese për poezinë.
U përkëdhela nga ky mendim. Humba në këto poezi, më rrëmbeu pafundësia, më theri dhimbja që mbartinin, më ngritën në qiell, ma bënë të madhe botën, të pafundme ëndrrën, më hyjnore, qiellore e toksore njëherësh dashurinë. Më godiste në kokë gjithë kohën një pyetje e brendëshme: si ka mundësi të jenë kaq të bukura poezitë turke, si ka mundësi që të mos dija për to. Lexoja e mrekullohesha sa më shumë që lexoja. Poezitë goditën në mua si rrallë herë. Dija diçka për poezinë e mrekullueshme greke, serbe, kroate, boshnjake, bullgare, por shumë pak dija për poezinë e madhe turke, për këto poetë turq që ishin shumë të njohur në botën turke e shumë më gjërë në Europë e botë. Ishim edukuar gjithë jetën me poezi ruse dhe më vonë poezi në gjuhën angleze. Por rrotull nesh nuk jemi ndalë fort. Urat në Ballkan nuk i kemi ngritë, dashurinë e kemi kërkuar larg, urrejten e kemi mbjellë dhe kërkuar afër.
Një ndjenjë e thellë pendese më skuqi fytyrën, një ndjesi turpi. Përveç dy – tre emrave të mëdhej të poezisë turke si Nazim Hikmet, Aziz Nesin, nuk dija të flisja për kënd tjetër. Nuk dija asgjë për malet e larta të poezisë turke, asgjë. Nuk e njihja atë planet, nuk dija asgjë për të pasi ai ishte në mua i mbuluar me dogmë e fe islame, me çallma, me mijëra e qindramijëra ushtarë turq që vinin të ma pushtonin vendin dhe në filma ne bënim male me eshtra të tyre e tonat.
Shkolla dhe propaganda kishin hisen e asaj që ishte ngulitur dhe edukuar se Perandoria Osmane e pati mbytë vendin me prapambetje, injorancë, s’ka lejuar shkollat shqipe në hapsirat shqiptare, na ka mbushur me xhamia, shamia, çallma e telenovela bajate që zënë kohën më të madhe televizive të televizioneve shqiptare. Mendova, sa eksport bajat bëjnë prej Turqie. Çudi, shumë çudi! Pse nuk eskportohet e nuk është eksportuar në botë e në hapsirën shqiptare ky shpirt i madh turk, ky shpirt i jashtëzakonshëm i poetëve turq, por tallavahane?! Pse nuk eksportohet ky shpirt i popullit turk europian, kjo kulturë që e nderon Europa dhe bota? Jam mburrë e krenuar shpesh që shumë shqiptarë, për sa popull kemi qenë, kanë shkëlqyer në kohën e Perandorisë Osmane, në detyra nga më të lartat atje edhe pse duke harruar rrënjët. Kanë mbetë maja krenarie në mua rektori i parë i universitetit shtetëror turk Hasan Tahsini; babai i gjuhës turke, autori i fjalorit turk dhe enciklopedise turke, Sami Frashëri; Mehmet Akif Ersoj shqiptari që ka shkruar himnin turk; arkitekti i shquar Sinani, që veç tjerave ka ndërtuar pallatin Osman që njihet si Ministria e Urbanizimit atje, përsonalitete këto me të cilët krenohet Turqia e sotme.
Nuk kam ditë më shumë për poetë e shkrimtarë të mëdhej turq, që mund të jetë ndonjë edhe shqiptar i zhvendosur nga hapsirat shqiptare në Turqi, që autoritetet perandorake në shekujt e shkuar ia kanë ndërruar mbiemrin me kohë. E ndërtova me mendje në çast një antologji me poetë turq të vjetër e të rij. Dhe mu fiksua numri 100. E ndjeva detyrim që këto poezi, këto copa të shpirtit turk t’ia sjell lexuesit shqiptar. Në shenjë miqësie ndaj popullit turk. Në shenjë nderimi, sepse mu kujtuan mjaft ngjarje në histori, por si dritë e kuqe më qëndroi ndezur fjala e kryeministres turke Tansu Çiller në 1997 për mbrojtjen e tërësisë teritoriale të Shqipërisë, moment kur unë i jam trembë si kurrë herë tjetër pushtimit të huaj. Më duket se edhe kështu i përcjell asaj dhe popullit turk mirënjohje e falenderim për atë përkrahje e për miqësinë. Iu përgjigja menjeherë përkthyeses së talentuar Rozana Belli se poezitë janë të shkëlqyeshme, se unë marr përsipër t’i botoj në një antologji, por janë pak, duhen më shumë.
Dhe duke fluturuar ngadalë, ajo përktheu nga pak poezi prej 101 poetëve turq. Më rrëmbeu poezia turke, mu ngjit, këndonte hallet e mia, hallet tona, brengat e dhimbjet tona dhe mu bë shumë e dashur kjo poezi, ky libër, kjo antologji e poezisë turke. Gjerësi e thellësi, thjeshtësi, natyrshmëri, frymëmarrje pa fund, shqetësim e ankth, brenga e dhimbje të mëdha që kanë pjellë poezi të madhe turke.
Kjo botë ka shumë verem, kudo ka shumë verem, ka pak dashuri e shumë vdekje ndaj poetët vdesin të rij, se nuk i përballojnë dot kupat e pelinit të jetës. Një e treta e këtyre poetëve që ka kjo antologji kanë vdekë të rij nga 20 deri në 60 vjeç.
Nuk na mbetet vetëm ta lexojmë shpirtin e popullit turk e të mrekullohemi.
*(Fjala e mbajtur në promovimin e Antologjisë turke “Puthje mbi Bosfor”, me 15 shkurt 2018, organizuar nga Klubi i Poezisë)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s