Kategori
Uncategorized

Rritet hendeku social mes qenushëve të pasanikëve dhe shqiptarëve të varfër .

TIRANË, Rolling Hills, Lalz – Pandemia e koronavirusit e ka bërë edhe më të mprehtë problemin e pabarazisë sociale dhe hendekut të madh ekonomik mes qenushëve të pasanikëve shqiptarë dhe shtresës së varfër të qytetarëve të vendit.

Ky konkluzion ka dalë nga raporti i fundit i Institutit të Studimeve Kafshërore “Qën bir Qëni” me qendër në Tiranë, që nxjerr në pah dallimet dramatike mes krijesave shtëpiake të oligarkëve, biznesmenëve dhe koncesionofagëve të vendit, dhe 30 përqind të shqiptarëve që hyjnë në shtresën e varfër.

“Të dhënat tona tregojnë një rritje të shpejtë të pabarazisë mes qytetarëve më vulnerabël të vendit, dhe 1 përqindshit të kafshëve më të pasura,” deklaroi për Gojët e Liga bashkëautori i raportit, Dr. Drenush Dashi.

Sipas Dr. Dashit, studiuesit kanë përpunuar të dhënat e natyrave të ndryshme, nga aksesi në ushqim cilësor dhe strehim komod i një qenushi pasanik normal shqiptar, tek mbulimi shëndetësor dhe cilësia e përgjithshme e jetës, që përfshijnë aksesin në teknologji, argëtim, kulturë, etj, duke i mbivendosur këto me të njëjtat të dhëna të brekëgrisurve.

“Statistikat tregojnë se që nga fillimi i viteve 2000, rritja ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm për popullatën masive shqiptare. Përjashtim bën ai fraksion i vogël pasanik i qenëve, (por edhe maceve, papagallëve, breshkave, zhapikëve bardhezi e peshqve me ngjyra), të akomoduar kryesisht në Tiranë e rrethina, Rivierë, Lalz etj, që janë kthyer në konsumatorët kryesorë të importeve luksoze,”shton specialistja e Institutit “Qën bir Qëni”, Dallëndyshe Cjapi.

Sipas Cjapit, edhe maska anti-Covid e një qeni normal pasanik, kushton sa shpenzimi dyjavor ushqimor i një familjeje të mbaruar 4 anëtarëshe.

Raporti saktëson se edhe pse 65 përqind e kafshëve pasanike të marra në studim përfshijnë qen të racave e kryqëzimeve të ndryshme, si dhe speciet e përmendura më sipër, nuk mungojnë edhe krijesa të rralla si lama e kryqëzuar me socialist të rinovuar, apo e famshmja breshkë mesdhetare e kryqëzuar me demokrat të kavurdisur në salcë Tropoje.

“Përgjithësisht, kafshët pasanike kanë një mesatare konsumi prej 120 dollarë amerikanë në ditë, ndërsa shqiptari i varfër, 1.2 dollarë në ditë,” theksojnë të alarmuar Dashi e Cjapi, “pra, raporti është 1:100, ndërkohë që 10 vjet më parë ka qenë 1:50”.

Në seksionin e konkluzioneve, raporti pohon se kështu si shkojnë punët, opsioni më i mirë i shqiptarëve të varfër për të parë pak prosperitet, është të bëhen kafshë shtëpiake të kafshëve të pasura.

Marrë nga Blogu …VENDLINDJA IME SHQIPËRI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s