Pas publikimit të mesazheve Erjon Veliaj duhet të dorëhiqet

Nga Red Varaku
Mesazhet shantazhuese ndaj Ylli Ndroqit, për bllokimin e lajmeve , të dërguara nga kryeB i Tiranës,nuk janë vetëm skandali më i madh politik shqiptar pas publikimit të përgjimeve, por ato janë edhe prova të pakontestueshme për drejtësinë, të cilat e gozhdojnë kryeB e Tiranës .
Ato zbulojnë një aspekt shumë të hidhur të realitetit politik shqiptar, ku politika e trajton median si instrument dhe gazetarinë si anestezi për të mpirë trutë e njerëzve, me qëllim grabitjen dhe zhvatjen e pasurisë së tyre.
Në rastin konkret me qëllim realizimin e një projekti anti-kushtetues dhe korruptiv, të denoncuar nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, përfitimin e 200 milion eurove nëpërmjet “grabitjes” së truallit të Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës.
Një aspekt i denoncuar fort nga si nga qytetarët ashtu dhe nga opozita , por fatkeqësisht deri para publikimit të këtyre mesazheve ishte thjesht një pretendim, që edhe pse dukej sheshit, gjithsesi mbetej i paprovuar në kuptimin juridik të fjalës.
Por, pas publikimit të këtyre mesazheve nuk besoj se ka njeri në Shqipëri, që nuk e kupton natyrën e krimit ku është përfshirë Erjon Veliaj.
Publikimi i mesazheve është një provë e qartë e përpjekjes mafioze, që bën politika për të manipuluar të vërtetën nëpërmjet presionit dhe shantazhit.
Një provë që vërteton presionet mafioze, që përdor pushteti për të nënshtruar mediat, në mënyrë që ato të kthehen në kurtizane të tij.
Një provë e cila në çdo vend normal nuk do të sillte vetëm dorëheqjen e kryeB, por do të sillte dhe një reagim të menjëhershëm të institucioneve të drejtësisë.
Por, duke qenë se deri tani nuk kemi as dorëheqje dhe asnjë reagim të institucioneve të drejtësisë, ajo po kthehet dhe në një provë, që vërteton që sulmi i SPAK ndaj TV ORA dhe ORA NEWS është një sulm tipik mafioz i pushtetit ndaj fjalës së lirë.