Kategori
Uncategorized

1985/Përpjekja për rekrutim gjatë burgimit dhe qëndresa para presioneve

1985/Përpjekja për rekrutim gjatë burgimit dhe qëndresa para presioneve

Nga Kastriot Dervishi

Më 11 prill 1985 vdekja u prit me gëzim të madh nga shumica e të dënuarve politikë që vuanin dënimet në kampet dhe burgjet e diktaturës. U prit me pezmatim dhe të qara nga të dënuarit ordinerë. Tregues mjaft kuptimplotë ky. Në Repartin nr.303 Spaç, i dënuari Bedri Blloshmi u kallëzua pasi u kish thënë shokëve “gëzuar”. Për këtë arsye, u izolua dhe qëndroi në birucë më 12 prill – 10 maj 1985. Pas kësaj, u mendua të rekrutohej me material shtrëngues. Shihni një rast qëndrese.

Më 4.7.1985, DPB Mirditë kërkoi nga Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit në MPB, miratimin e propozimin për rekrutimit me material shtrëngues të Bedri Blloshmit, miratim i cili erdhi më 19.7.1985 me firmë të zëvendëskryetarit të Degës së 8-të, Agim Zeka. Menjëherë pas kësaj, Bedri Blloshmi u dërgua në birucat e Mirditës. Në relacionin përkatës që shoqëronte propozimin, thuhet se Blloshmi, i cilësuar “në pozita armiqësore” dhe “person me rrezikshmëri shoqërore”, ishte rimarrë në përpunim 2A më 3.5.1985 gjatë vuajtjes së dënimit në Spaç për “tendencë agjitacioni e propagande armiqësore”. Gjatë kësaj kohe ishte përpunuar nga 2 agjentë dhe 4 informatorë. Gjatë kësaj kohe (por edhe para saj, pasi sillen disa raporte), ai midis të tjerash kish thënë:

-Të mëdhenjtë, dalëngadalë po eliminojnë njëri-tjetrin. Tani ka ardhur radha e tij të madhit fare, atij qenit që na mban ne këtu në burg, e kështu t’u shuhet fryma të gjithëve (deklaratë e datës 20.11.1984).

-Enver Hoxha është sëmurë dhe shpejt i lan hesapet në këtë botë. Komunizmi është vjetruar dhe kudo në botë komunizmi ka vdekur. Pas vdekjes së Enverit, këtu do vijë tjetër kush dhe ky do paguajë të gjitha lekët për burgun që kemi bërë. Këtë verë do të bëhet diçka, por siç duket po e shtyjnë fuqitë e mëdha, se sot është shembur komunizmi në Shqipëri.

-Unë dhe familja ime kemi qenë kundër këtij pushteti, ne kemi hak për të marrë kundër qeverisë, sepse na ka vrarë njerëzit dhe na ka plaçkitur. Kjo qeveri do që t’i degjenerojë njerëzit.

-Ah vdiq shpirtqeni. Të vuash 20 vjet burg e mbash zi për këtë, duhet të jesh gomar. Këtë ditë prisnim ne dhe ajo erdhi. Shumë e çoi 40 vjet, nuk e lëshoi që nuk e lëshoi. Dhe këta do t’i rrëzojmë menjëherë. Një të marrë radio Tiranës dhe njoftim grusht shtetit, gjendje alarmi, fillon patrullimi nëpër rrugë, shpallet shtetrrethimi, etj, etj.

-Unë nuk e kam dashur dhe nuk e dua këtë pushtet, se po na thith gjakun si shushunjë. Por nuk është e largët dita që do të hakmerremi. Enveri ndërtoi socializmin me të burgosurit, duke gënjyer popullin dhe mashtruar rininë.

-Këta më kanë marrë shpirtin, më kanë pushkatuar vëllanë padrejtësisht. Unë për këta nuk punoj dhe këtë qeveri nuk e dua. Enver Hoxha ishte i pamëshirshëm, por duhet duruar, se do vijë dita jonë. Këta janë të pabesë, po “tradhtojnë” një nga një.

(në vijim: dështimi i rekrutimit dhe demaskimi në kamp)

Dështimi i rekrutimit dhe demaskimi në kampin e Spaçit

E Enjte, 23 Prill 2020 09:43

Dështimi i rekrutimit dhe demaskimi në kampin e Spaçit

Nga Kastriot Dervishi

Dyjavëshin e dytë të korrikut 1985, Bedri Blloshmi niset në Rrëshen. Atje para kryetarit të DPB Mirditë, Bajram Pelo, 2 oficerëve të drejtimit të Degës së 8-të, i bëhet trysni me “materialet komprometuese” që të pranojë të bëhet bashkëpunëtor Sigurimi.

Pasi nuk pranon, operativi i Spaçit, Gramoz Velçani, me miratimin e kryetarit të DPB Mirditë, sipas rekomandimit të zëvendësministrit Zylyftar Ramizi, vendosi demaskimin e Blloshmit më 30.7.1985 para rreth 100 të dënuarve në Spaç, si dhe dërgimin në Repartin nr.321 Burrel.

Po këtë ditë, në mencën e Spaçit u zhvillua ceremonia e demaskimit të Bedri Blloshmit në kushtet arrestimi (me duar në pranga). Kishin ardhur Bajram Pelo, dy oficerët e drejtimit të Degës së 8-të, komisari i repartit, operativi i të burgosurve politikë Gramoz Velçani dhe operativi i të dënuarve ordinerë. Folën disa të dënuar me moral të dobët, të cilët kërkuan që të pushkatohej sepse po “prishte të dënuarit”.

Komandanti i burgut Qafbari Edmond Caja.

Kryetari i DPB-së lexoi biografinë e Bedriut dhe kërkoi që të gjithë ta dënonin aktin e tij. Pas kësaj, Blloshmi qëndroi 20 ditë në birucën e Spaçit. Vijon vuajtjen për 20 ditë në Degën e Punëve të Brendshme Pukë, në të cilën një hetues e akuzoi“për vendosje dinamiti” në kohën kur vuante dënimin në Repartin 311 Qafë Bari.

Pasi nuk i pranoi as këto akuza, vijoi sërish një javë në Repartin nr.313 Tiranë (kaush), për të përfunduar i shoqëruar nga oficeri i drejtimit të Degës së 8-të, Shyqyri Toska në Repartin nr.321 Burrel. Më 30.7.1985, operativi Gramoz Velçani, lë këtë shënim për procesin e dështuar rekrutues nga Bedri Blloshmit:“Ky i dënuar u studiua dhe u propozua për tërheqje në bashkëpunim pa ndaluar dhe u miratua. Por gjatë procesit të tërheqjes prej datës 25-28 korrik 1985, u punua, por si armik i betuar nuk pranoi asnjë episod të veprimtarisë së tij apo të tjerëve. Ishte kategorikisht mohues dhe kjo edhe pse familje me prejardhje e gjendje armike.

Vëllai i pushkatuar, djali i dajës së babës i pushkatuar, babai ka qenë i dënuar, xhaxhai dhe daja i arratisurit, pra familje e shpallur kulak dhe aktualisht të internuar. Në këto kushte edhe porosia e zëvendësministrit ishte që të demaskohej”.

Ky eshte komandanti i kampit Qafbari Ludovik Cali.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s