Kategori
Uncategorized

Të ringrihet PD. Pa asnjë kusht.

Të ringrihet PD. Pa asnjë kusht

Nga Alfred Lela/

Firmëtarët e ‘Platformës për Ringritjen e PD’, lëvizin nën disa etiketa, por synimi për të rrëzuar Bashën i bashkon më shumë se çdo gjë. Nuk është grupimi i parë në botë, që qëllimin real e kamuflon me parabola morale; në këtë rastin tonë është gjetur kjo te konstantja shpresëdhënëse e gati religjioze ‘ringritje’. Ata janë një grupim klasik, në kuptimin që përbëhen nga burra të mirë, sharlatanë, apo merhumë politikë.

Targeti që i mban bashkë është ‘koka’ e Bashës. Ajo tjetra, pretendimi se është dashuria për Partinë Demokratike, është pak i ekzagjeruar. Kjo nuk do të thotë se platforma e paraqitur duhet zhvlerësuar, vetëm se impostohet politikisht me anë të një maske.

Maska, jo rrallë, është mjet politik i përdorshëm, i vlefshëm dhe efikas.

Maska, megjithatë, nuk mbulon dot disa fakte.

Më i pari i të cilëve është mungesa e një ideologjie në platformën e paraqitur nga ‘ringritësit’. Fraksionet, një term i përdorur fillimisht nga disa anëtarë të grupit, janë ‘ndarje’ ideologjike, pra pozicione që korente të ndryshme në një parti politike i shohin si zgjidhje të vetme për çështje të cilat konsiderohen si ‘bardh-e-zi (të tilla si p.sh. e shkuara komuniste apo lloji i taksimit). Fare mirë, edhe aleanca ose jo me të majtën (LSI), për të synuar pushtetin do të përbënte një ndarje të tillë.

Dokumenti i paraqitur nuk ka prerje ideologjike.

Së dyti, platforma nuk është as ‘dokument pushteti’ apo synimi drejt tij. Thuajse të gjitha pikat e ofruara si alternativa nga ‘ringritësit’ janë të artikuluara nga kryetari i PD. Respektimi i statutit, tagri i forumeve etj., janë të tejkaluara tashmë, në kuptimin që Basha ka bërë mea culpa dhe ka ofruar apo premtuar premisën e një ndryshimi. Për të saktësur edhe një gjë: është naiv mendimi se një parti me demokraci perfekte, kur kryetari u merr dorën të gjithëve, përfshirë edhe recepsionistin e organizatës, është automatikisht një parti e hapur, fituese etj.

Së treti, dhe ndoshta më e rëndësishmja, një pjesë (jo e vogël) e firmëtarëve ‘e mbysin’ dokumentin që në lindje. Ka aty ish-ministra dhe ish-drejtorë që nuk kanë, as në bazën e PD dhe as në opinion, një profil që ua lejon të strehohen nën sloganin pretencioz e të bujshëm ‘Ringritje’. Do u shkonte ‘riciklim’ apo ‘rivarrim’. Siç ka edhe njerëz që mbajnë aktualisht poste në Partinë Demokratike si emërime të Bashës, dhe jo të zgjedhur me garë. Kryetari i PD i ka ‘stacionuar’ në një zyrë në parti në shkelje të statutit të organizatës. Eshtë të paktën hipokrizi të akuzosh kryetarin si mosrespektues statuti, kur ai e ka shkelur njëherë për ty dhe ti e ke pranuar kundravajtjen.

Dokumenti u shërben hartuesve si një strehimore mediatike dhe zyrë virtuale në Partinë Demokratike, por nuk ka në të ‘tekst politik’, përveç fjalëve me natyrë të përgjithshme që i recitojnë të gjithë eksponentët aktualë të partisë. Nëse jemi në situatën ‘hajt të zëvendësojmë disa recitues me të tjerë’, ky është tjetër debat.

Platforma nuk na njofton mbërritjen e një ere të re në Partinë Demokratike, dhe si e tillë ajo nuk i shpëton firmëtarët e saj prej shtresave të paragjykimit. Nënshkruesve u duhet një mekanizëm dalës prej këtij paragjykimi; i tillë që i bën një shenjë të fortë opinionit demokrat dhe atij të përgjithshëm.

Një shenjë që thotë: ne nuk po lëvizim në lëngun viskoz të zemërimit që na shkaktoi moskandimi si deputetë. Kjo mund të arrihej nëpërmjet dy pikave në dokument:

a-analiza e zgjedhjeve të 25 qershorit të bëhet nga një ‘palë e tretë’; një prej fondacioneve simotra të PD: Konrad Adenaur i kristian-demokratëve gjermanë apo ‘Eduardo Frei’ i kristian-demokratëve holandezë.

b-E njohim Lulzim Bashën si kryetar të partisë, dalë nga vullneti i votuesve demokratë, dhe në bazë të statutit do të provojmë forcat kundër tij pas katër vjetësh. Gjatë kësaj kohe do të bëjmë ‘jetë partie’ dhe do të ofrojmë alternativën dhe ekspertizën tonë, pa dëmtuar interesin opozitar.

Në fund një anekdotë. Pak para Pavarësisë, dy komitë mirditorë pajtohen nga një tregtar krutan për të ruajtur nga rreziku i ndonjë grabitjeje, një karvan që transportonte kripë nga Durrësi në Krujë. Diku nga fundi i rrugës kur e panë se askush nuk po u binte në qafë, njëri i thotë tjetrit: prej kujt po e rujm’ kët’ kryp’ or Llesh?

Prej vedit, ia kthen tjetri.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s