“Mos pyesni se ç’mund të bëjë vendi juaj për ju, por ç’mund të bëni ju për vendin tuaj”, -Kenedi.
Kur e citoi për herë të parë këtë shprehje, Edi Rama kishte deklaruar në ILKDP një pasuri prej 3 mijë euro dhe nje apartament, nuk fliste se çfarë besimi e kishte gruan dhe i pëlqente të theksonte se ai nuk ishte politikan.
Tashmë pas 3 vitesh, Ramës atdheu i ka dhënë (nga ajo çfarë ka deklaruar) një vilë në Surrel, gruan milionere por dhe një angazhim të spikatur fetar.
Kur bëri fjalimin e parë në Parlament, mua personalisht më ngjalli shpresë në një moment. Kur foli për rëndësinë e trajtimit të Gjuhës Shqipe.
Pashko Vasa në periudhën e Rilindjes, nuk deklaroi më kot që ‘feja e shqiptarit është shqiptaria”. Edhe atëherë ka pasur konflikte fetare, politike etj. Por Pashko Vasa duke pasur vetëdije i’u referuar simbolit të bashkimit që është Gjuha Shqipe.
Rama me ardhjen në kryeministri, për çudi i dha një theks shumë të fuqishëm elementit e bashkëjetesës fetare në Shqipëri.
Së pari, duhet theksuar që vendi ynë nuk është i vetmi vend që ka bashëkjetesë fetare, ka dhe shumë vende te tjera, përmend këtu Rusinë, Sirinë apo dhe shtete si Franca dhe Gjermania që kanë integruar komunitete masive fetare të emigrantëve në dekadat e fundit.
Theksimi i feve ka sjellë një rritje ndjeshmërie të publikut ndaj fesë, sepse është normale që kur ‘mendon për gjarprin përditë edhe hunda e elefantit të duket si gjarpër’.
Por ndërkohë Rama nuk e trajton me të njëjtën rëndësi (sidomos ekonomike),kulturën. Në radhë të parë Gjuhën Shqipe.
Sepse feja ndodh që i ndan njerëzit, kurse gjuha i bashkon.
Mjafton të shikoni sesa janë financuar aktivitetet për Papën (500 milionë); aktiviteti San Egidio (800 milionë), financimi i komuniteteve të tjera fetare (rreth 400 milionë) etj.
Të mos harrojmë që institucionet tona fetare nuk treguan të njejtën devotshmëri për viktimat e ’21 Janarit’ siç treguan për ‘Charli Hebdo’. Pa harruar këtu bashkëpunimin e shumë klerikëve gjatë pushtimit nazi-fashist. Bashkëpunim ky që përpiqet të me komunizmin që erdhi më pas.
Në tre vjet sa fonde janë dhënë për Gjuhën Shqipe? Shpesh gjuhëtarët shqiptarë kur marrin pjesë në konferenca ndërkombëtare shkojnë me financat e tyre.
Sa janë financuar Insitituti i Gjuhësisë, Arkivat, Arkivi i Filmit?
Sa janë financuar botimet letrare për gjuhën shqipe, dramat në gjuhën shqipe, pjesët muzikore në gjuhën shqipe (klasike apo bashkëkohore).
Shumë me pak sesa kryeministria ka shpenzuar për koncertin e ‘Jessie-J’ për një natë.
Edhe i vetmi aktivitet kombëtar si Festivali Folklorik (i cili është një mundesi për të zhvilluar kulturën vendase, në veçanti gjuha), u degradua në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, duke u shndërruar në një skenë alla FRESSH-Voice, ku nuk dëgjohej asgjë përveç Kryeministrit.
E ftoj lexuesin të mendojë.
Sa kisha dhe xhami ke në periferitë e Tiranës dhe në rrethe? Nuk numërohen. Por sa bibloteka, salla teatri apo ambiente të tjera kulturore janë hapur në keto zona, që publiku të ketë kontakt me artin dhe kulturën shqiptare? Zero.
Çfarë sjell kjo? S’do mend që sjell pushtimin e rinisë nga feja, që tashmë ‘Sulltani ynë’ planifikon ta fusë edhe në shkolla.
Pse nuk fut gjuhët e programimit nëpër shkolla? Apo gjuhën e imazhit dhe filozofinë, si piktor që është?
Pse Bulevardit i duhet dhënë karakteri i besimit fetar dhe nuk i jepet karakteri i kulturës shqipe?
Një ndër ndërhyrjet e pazakonta ishte vendosja e bustit të Papës, i inaguaruar nga Erjon Veliaj (ish-besimtar mysliman i konvertuar në protestant të zellshëm ).
Rrjedhimisht edhe besimeve të tjera duhet t’i bëhet një bust. Ç’janë këto lojëra, që nxisin identitetin fetar të një vendi?
Kjo ndihet gjithashtu në monopolizimin e kulturës. Ku çdo gjë buron nga Kryeministria.
Bëjmë një pyetje logjike: Pse publiku duhet që festat t’i festojnë në Bulevard? Çfarë është kryeministri? Xhafari i Aladinit?
Pse jo në vendin ku ata jetojnë, në Bathore, Kamzë, Kombinat, Porcelan, etj?
Përgjigjia është shumë e thjeshtë: Atje s’ka asgjë.
Unë nuk njoh ndonjë që për kënaqësi do të shkojë në Kombinat, për të parë diçka të bukur.
Kush ka jetuar jashtë e di që për të parë aktivitete kulturore shkohet në periferi.
Edhe Pompiduja që e ka qejf Kryeministri ynë është në periferi.
Ndërkohë që monopolit të Bulevardit po i shton së fundmi dhe dozat e futboll-dashurisë edhe pse një popull i zhvilluar nuk është futbollistik, por shkencor.
Në qendër është vetëm Opera dhe Teatri klasik, ku shkojnë pensionistët dhe turistët. Për çudi, tek kryeministria organizohen që nga iftari, dialogje kulturore, koncerte apo dhe deri tek ndeshjet e futbollit dhe përkujtimoret ‘me bisht ndër shalë’ për 21 Janarin.
Këtu shtrohet një pyetje tjetër: Pse firmat e biznesit financojnë koncertet e Veliajt dhe Ramës (apo dhe Berishës dikur)?
Pse nuk financojnë një shfaqje në Kombinat? Pse nuk financojnë kulturën shqipe bizneset, por ahengjet e Kryeminsitrisë dhe Bashkisë?
Si në Mesjetë, ku të gjitha dhuratat i shkonin mbretit dhe shpurës së tij.
A ka një shkëmbim favoresh apo më keq akoma, transferime korruptive fondesh nëpërmjet këtyre ‘eventeve’?
Sa është financimi që bëhet për kulturën dhe historinë shqipe jashte? Për kërkimin në arkivat e Vatikanit, Romes, Stambollit, etj?
Sa është financimi për kulturën arbëreshe? Gjuha është shkencë, pra është një proces kërkimor zhvillues dhe modernizues. Sa janë investimet për këtë proces? Zero.
Si shembull të kësaj injorance estetike mund të sjell edhe retorikën idiote të Kryeministrit tonë gjatë takimit me homologun e tij serb Vuçiç, që mua personalisht më la një shije shumë të keqe.
Serbinë ne ‘nuk e kemi xhan’, por Serbia ka institucione të forta. Ka rreth 24 mijë botime për Kosovën, merr nga tregu shqiptar dhe kosovar rreth 1 miliardë euro.
Akademia e Shkencave në Serbi ka një fond rreth 18 milionë euro.
Ka investime madhore në kulturë dhe shkencë, ushtri dhe ekonomi. Ka Institutin e Studimeve Serbe ngjitur me Shtëpinë e Bardhë. Këto duhet të mendojë Kryeministri ynë, jo përrallat me dronë dhe me futboll.
Si mbyllje, përveç Maurizio Catalan, unë nuk njoh ndonjë tjetër që ta ketë trajtuar Papën artistikisht, por di që buste nuk i bëhen njerëzve që janë gjallë. Sjell ters thonë.
Ndajeni këtë me të tjerët:
- Shtype (Hapet në një dritare të re) Shtype
- Ndajeni me të tjerë në Reddit-it (Hapet në një dritare të re) Reddit
- Ndajeni me të tjerët në Tumblr (Hapet në një dritare të re) Tumblr
- Ndajeni me të tjerët në Facebook (Hapet në një dritare të re) Facebook
- Ndajeni me të tjerë në WhatsApp-i (Hapet në një dritare të re) WhatsApp
- Dërgoni një lidhje me email te një shok (Hapet në një dritare të re) Email
- Më


