Kategori
Uncategorized

Raporti i CIA-s shqetëson qeverinë greke

Raporti i CIA-s shqetëson qeverinë greke

Sipas Raportit të CIA-s, në Greqi aktualisht jetojnë tre minoritete të huaja, ose e thënë ndryshe, rreth 7 për qind e popullsisë

Pothuajse në të gjithë shtypin e shkruar dje në Greqi, një vend shumë të rëndësishëm zinte një informacion i botuar në faqen zyrtare të CIA-s, sipas të cilit, në shtetin helen ekzistojnë minoritete të huaja, fakt të cilin vendi fqinj e ka mohuar historikisht. Informacioni i publikuar nga Agjencia e Shërbimit Inteligjent Amerikan është dhënë për arsye të vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri, që siç dihet, do të zhvillohet më 10 qershor.
Raporti në fjalë (që sipas mediave greke përbën një shkelje të rëndë të Marrëveshjes së Lozanës), është botuar më 10 maj dhe mbështet teorinë sipas së cilës, në bazë të regjistrimit më të fundit të popullsisë në Greqi më 2001-shin, popullsia greke përbëhet nga 93 për qind grekë dhe 7 për qind “të tjerë” (shqiptarë, minoritete sllave dhe turq). Dalja, ndonëse jozyrtare, e raportit në internet në prillin e këtij viti, ka sjellë reagime të menjëhershme nga qeveria greke për faktin se në ndryshim nga ai i vitit të kaluar (prill 2006). Në raportin e vjetshëm 2 për qind e popullsisë ishte përcaktuar thjesht “të tjerë”, pa përcaktuar kombësi, këtë radhë ata cilësoheshin si “turq etj.”, ndërkohë që tanimë shifra ka shkuar 7 për qind, e turqve u janë shtuar pakicat shqiptare e sllave.
Ndonëse atëherë Ministria e Jashtme Greke shprehu hapur pakënaqësinë e saj për raportin nëpërmjet zëdhënësit Jorgos Kumucaku, i cili ishte shprehur se “burokracia dhe shërbimet sekrete nuk mund të ndryshojnë përmbajtjen e marrëveshjeve ndërkombëtare”, jo vetëm që nuk u ndryshua përmbajtja, por në të kundërt, u rrit numri i minoriteteve që CIA mendon se ekzistojnë aktualisht në Greqi. Sipas shtypit grek, vërtetësia e raportit vihet në dyshim po të kihet parasysh numërimi i popullsisë nga vetë autoritetet greke. Sipas këtij numërimi, në Greqi, 98 për qind e popullsisë janë të krishterë ortodoksë dhe vetëm 1.3 për qind janë të regjistruar si myslimanë, numra që sipas tyre janë të vetmet të vërteta në të gjithë historinë, duke i akuzuar shërbimet e fshehta amerikane se po përpiqen me çdo kusht në veçanti dy vitet e fundit, për të vërtetuar ekzistencën e minoriteteve në Greqi, pretendime që sipas tyre janë të pabazuara në fakte.
Kanë qenë dy rastet kur diplomacia amerikane e greke kanë ardhur në përplasje drejtpërsëdrejti për këtë çështje. Rasti i parë ishte në vitin 2006, kur diplomati amerikan K. Bond deklaroi në OKB se në Greqi ekzistojnë minoritetet turke e shqiptare, ndërkohë që më pas edhe homologu i tij këtë radhë në Athinë, z. Tomas, mbështeti kolegun e tij, gjë që solli menjëherë reagimin e diplomacisë greke. Çështja do të mbyllej zyrtarisht pas deklaratës së Departamentit të Shtetit Amerikan, në të cilën thuhej se “Greqia e Shtetet e Bashkuara nuk kanë të njëjtat kritere në përcaktimin e minoriteteve në një vend”, sipas Uashingtonit “çfarëdolloj grupi njerëzish me kombësi të njëjtë poshtë 50 për qind të popullsisë së vendit ku jetojnë duhet cilësuar si minoritet”. Por në bazë të botimeve të mediave greke, mesa duket shqetësimi i vërtetë i diplomacisë helenase e më gjerë nuk janë raportet e CIA-s, por interesimi në rritje i Ankarasë nga një anë për minoritetin turk në Thraqi, i cili asnjëherë nuk është pranuar zyrtarisht nga Greqia, e nga një pavarësi e mundshme së shpejti e Kosovës, fakt që në mënyrë paradoksale lidhet gjithmonë me Shqipërinë e Madhe. Por së fundi, shqetësimeve të diplomacisë greke u janë shtuar edhe problemet në lidhje me emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, problem që mesa duket do të vonojë të gjejë zgjidhje përderisa asnjë palë nuk pranon mendimet e palës tjetër. Sipas mediave greke, qëllimi final i gjithë fushatës është përmbysja e Marrëveshjes së Lozanës, në bazë të së cilës njihet vetëm minoriteti mysliman në Greqi.

th

A Petro

Lini një koment