Kategori
Uncategorized

Koncert në vitin 2014

Nga Arlinda Guma.

Ja ku i keni të dyja anët e medaljes të dashur shtetarë;

Urimin e një kristiani – Shqipërinë e emancipuar, dhe,

Një prerës kokash – Shqipërinë e ardhshme… nëse ju nuk luani duart…

Jemi në vitin 2014.

Lavdrim Muhaxhiri vendos disa foto në facebook.

Në foton e parë, ai ka kapur një adoleshent për fyti, me gjestin e një kasapi që sapo po bëhet gati ta therë kafshën, në këtë rast; adoleshentin.

Në foton e dytë, Lavdrimi ka dalë me duar me gjak, i qeshur dhe krenar, menjëherë pasi ka kryer aktin barbar.

Jemi po në vitin 2014.

Martin Leka vendos në facebook, në profilin e tij personal, një foto ku ai është veshur me një veshje karakteristike arabe. Nëpërmjet kësaj fotoje, ai u uron festën e Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë.

Me shfaqjen e Lavdrimit nëpër mediat e shkruara (më fal lexues, por këtij tipit, edhe emrin e kam vështirë t’ia shkruaj), u prit natyrshëm ndonjë qëndrim zyrtar prej komuniteteve të ndryshme; fetare dhe jofetare (në Shqipëri dhe në Kosovë), distancimi prej aktit makabër, ndoshta do të ishte më e pakta që do bënin këto lloj komunitetesh.

Por duket se të gjitha forcat janë përqendruar në një drejtim tjetër; të linçohet drejtori katolik i RTSH-së, në urimin e tij të bukur për një festë fetare të një besimi tjetër.

Faik Konica thotë se trimëria e shqiptarit ka diçka prej teneqeje, edhe kur ajo është e madhe dhe e lavdishme, ajo niset nga qëllime krejt të vogla, dhe aspak prej idealesh të larta apo parimesh e idesh.

Nuk dua ta besoj këtë, por Konica nuk duket se është dhe krejt gabim në këtë konstatim të hidhur.

Ka një mungesë të theksuar idealizmi në gazetarinë shqiptare, edhe kur ajo e merr mundimin të japë qëndrimin e saj për një fenomen, fillon dhe merret me jetën personale të individit. Një lloj gazetarie që nuk i ruan lartësitë, një gazetari në nivelin e grave llafazane që çdokush ka në pallatin e tij.

Pyetja që më erdhi ndër mend kur mora vesh të vërtetën, dmth që ajo veshje i ishte dhuruar Martin Lekës gjatë një udhëtimi në Kuvajt, në prani të deputetëve të Parlamentit Kuvajtian, dhe që disa nga fotot qenë realizuar po prej dhuruesve të veshjes, qe kjo; a e morën mundimin këta gazetarë ta pyesnin vetë personin në fjalë në ç’rrethana qe shkrepur ajo foto? Sigurisht që jo, pasi gazetaria në Shqipëri bëhet; o në facebook, o te cepi i pallatit.

Nuk mund të rrija pa i shkruar këto sot, sepse si shqiptarë, në këto kohëra të turbullta për shtyllën tonë kurrizor, e kemi zakon që, kur dikush është në zgrip të humnerës, të mos flasim, të mos shprehim qëndrimin tonë. E ç’na duhet neve! Kjo vjen ndoshta edhe prej mungesës së vazhdueshme të lirisë së fjalës, por edhe se çdo qëndrim publik pasohet me reprezalje e të tjera si këto, traditë e mbetur prej komunizmit, por e ripërtërirë mjaft në kohërat postdemokratike.

Si shqiptarë do thosha se e kemi zakon, edhe që t’i japim ndonjë ndihmesë të vogël individit që është në zgrip të humnerës, duke i dhënë edhe një shtytje të lehtë, të leeehtë fare, sa për t’ia realizuar “suksesshëm” rrëzimin atje poshtë. Asgjë për t’u çuditur! Këto brryla na kanë bërë kaq!

Personalisht kur e pashë atë foto, buzëqesha; m’u duk një gjest emancipimi e tolerance të pashoq. Por edhe më se i natyrshëm, për një vend si Shqipëria, ku të gjitha llojet e festave fetare festohen prej të gjithëve.

Me ç’duket, linçuesit nuk e mendojnë kështu. Ata duken kaq të indinjuar se si një katolik vishet me një veshje të besimit tjetër dhe uron Bajramin!

Ekstremistët fondamentalistë me rite të gjithë-importuara, por jo vetëm ata, të cilët nuk mund të përfaqësojnë kurrsesi myslimanët e urtë shqiptarë (i ftoj këta të fundit të distancohen publikisht nga ata), e marrin këtë gjest të emancipuar qytetërimi dhe tolerance të Martin Lekës, si një tallje që i bëhet fesë së tyre. Nuk u vihet dot faj për këtë, ata vetëkonsiderohen në luftë me të gjitha fetë e tjera, prandaj në errësirën e tyre të plotë të padijes, ata e kanë të pamundur të konceptojnë që dikush nga feja tjetër; t’i urojë e t’i dojë.

Këtu më vjen ndër mend një sekuencë nga një film i shkëlqyer (ndoshta i vetmi që i ka shpëtuar skematizmit të realizmit socialist); “Koncert në vitin 1936”.

Hoxha, i indinjuar shkon në zyrën e bashkiakut dhe ankohet për përdhosjen që po i bën këngëtarja dhe pianistja besimit të tij; hoxha ka frikë se mos ato këndojnë majë minares. Ndërkohë që bashkiaku, një figurë e skalitur mjeshtërisht prej skenaristit, e qetëson se ato, edhe po ta kishin vërtet ndër mend atë gjë, nuk do të mundnin të hipnin aq lart, se do t’u merreshin mendtë. Hoxha ikën i zemëruar.

Po për çfarë po e akuzojnë linçuesit Martin Lekën? Po ja; që në një zyrë shteti u vesh me një veshje t’atillë… Në të vërtetë, foto nuk është shkrepur në zyrat e shtetit, por, edhe në qoftë kështu, e ç’ë pastaj?

Oh, sa i rëndë që qenka ky akt në një zyrë shteti!

Ndërkohë që të gjithë e dimë që këto ditë, pikërisht, në ato; “zyrat e shtetit”, ka ndodhur diçka më e madhe, një super-skandal, më i madh edhe se njëmijë episode dekorative si ai i Martin Lekes, marrë së bashku. Në Bankën e Shtetit janë vjedhur shifra marramendëse lekësh.

E pra, kjo ka ndodhur pikërisht në ato; “zyrat e shtetit”.

Këto turma linçuese që po shtohen frikshëm në Shqipëri, duket se janë edhe të njëjtat që linçojnë vazhdimisht figurën e shkrimtarit Ismail Kadare, çdo prag Nobeli. Paradoksalisht, deri tani sulmet ndaj Kadaresë janë cilësuar si prej dashakeqësish të vegjël, etj, por askush nuk thotë se  iniciuesit e linçimeve ndaj figurës së tij, janë edhe këta myslimanë ekstremistë, të shkolluar nëpër vendet arabe, të cilët nuk i gëlltisnin dot deklaratat e këtij atdhetari të mire, se drejtimi i Shqipërisë drejt Europës, është edhe rrugëtimi i saj natyral për t’u bashkuar me trungun, të cilit ajo i përket, dhe që është privuar prej shekuj; i vetmi rrugëtim dinjitoz dhe i natyrshëm.

Deri tani, një çështje fetare, asnjëherë nuk ka qenë një problem në Shqipërinë tonë harmonike dhe tolerante, ndaj të gjitha llojeve të besimeve. Por kur kjo çështje shndërrohet në një problem madhor, në një debat të nxehtë, atëherë them se duhet të alarmohemi që këtu duhet të ketë diçka më serioze dhe më të madhe se çdo debat tjetër; i presupozuar si i inspiruar prej ndjenjash meskine e inatesh personale. Natyrisht, rrugës, debati përlyhet e ushqehet me gjithfarë llumrash si këto të fundit.

Një mikja ime, e ardhur nga jashtë, me tha një ditë e trembur se kishte parë rrugëve disa gra me burka, pastaj me tha me një keqardhje të sinqertë: – Për këtë luftuan e dhanë jetën rilindasit?

Ah po, rilindasit!

Rilindasit tani do jenë të gjithë duke u rrotulluar në varr, pasi në këtë sfond ekstremitetesh, slogani; “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”, po sfumohet dukshëm, për të mos thënë; po injorohet. Slogan, të cilin shteti ynë duhet ta mbrojë dhe ruajë si një monument kulture, për të cilin, edhe vetë Zoti, duhet të jetë ndierë krenar për ne shqiptarët.

Kur kaloj te Medreseja dhe dëgjoj hoxhën të këndojë me play-back, në një gjuhë që nuk e kuptoj, vras mendjen se ç’duhet të jetë duke thënë kënga e regjistruar ato çaste.

Ashtu siç vrava mendjen se ç’do të thoshte fjalia: “Eid Mubarak”, të cilën e shihja dendur në facebook, dhe që, në optimizmin tim naiv, e mora si emrin dhe mbiemrin e ndonjë diplomati izraelit që mund të kish kontribuar për vendosjen e paqes në rripin e Gazës.(me siguri, ti lexues po qesh tani)

Nuk qe fort kështu. Paqja nuk qe vendosur dhe duket shumë larg.

Më vonë mësova se ai që vetëm urimi në arabisht për: Gëzuar Bajramin.

Të dashur shtetarë, të dashur rilindas pink, pasardhës të asaj rilindjes tjetër, të bukur, romantike, e të lartë, shumë të lartë, që tani po rrotullohet në varr; – A nuk do ishte më e udhës që të vendosnit një ligj që hoxha të këndojë në gjuhën shqipe? Nuk po pretendojmë të këndojë “live” se jemi mësuar të mos kërkojmë shumë nga jeta, dhe për më tepër; nuk jemi në ndonjë konkurs muzikor, por duke kënduar shqip, edhe mesazhi i Zotit do ishte më i perceptueshëm dhe më i matabolizueshëm, dhe figura e hoxhës do ishte shumë më pranë njerëzve, dhe jo si ajo në filmin “Koncert në vitin 1936”.

Po kështu ndodh me një kryepeshkop të huaj, edhe aty fjala e Zotit, na përcillet me gabime gramatikore.

Rilindasit tanë u vranë e u masakruan prej terrorit grek, sepse kërkonin që në kishat tona të flitej shqip. U helmuan prej turqve se i kënduan abetares, gjuhës sonë të mrekullueshme, që i rezistoi kushedi sa e sa reprezaljesh, qorrfermanësh, e ndalesash…

Të dashur shtetarë, të dashur drejtues dhe përfaqësues të komuniteteve fetare, argumenti në fjalë është shumë më i madh se individi; Martin Leka, apo se individi; Lavdrim Muhaxhiri. Kjo, padyshim, është mbi të gjitha; një çështje atdhedashurie, dhe ju keni përgjegjësinë historike ta trajtoni me përgjegjshmëri dhe delikatesë njëherazi, përpara se të jete shumë… shumë… vonë…

Është në lojë identiteti ynë kombëtar.

Diplomacia europiane, me atë buzëqeshjen e saj të largët e të mirësjellshme, lehtësisht të ekuivokueshme prej ne; shqiptarëve të mësuar t’i marrim mesazhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, do t’i bëjë llogaritë; ftohtë dhe mirë, ashtu siç i ka bërë gjithmonë, përpara se të japë miratimin për anëtarësimin e një vendi, në këtë rast; tonin; shtetasit e të cilit, rekrutohen frikshëm nga kryengritësit sunitë të ISIS, terrori më mizor, ndoshta, në të gjithë historinë e njerëzimit. Këta shtetas shqiptarë rekrutohen nga një varfëri e tejskajshme nga Shqipëria dhe Kosova, ndërsa më pas, ata pësojnë një transformim të frikshëm, duke u shndërruar në militantë të verbër të këtij terrorizmi që i zhvesh nga çdo ndjenjë njerëzore.

Nëse shteti ynë nuk do fillojë ta ndjekë me seriozitet, alarm e përkushtim këtë çështje; sociale edhe… e të tregojë mbi të gjitha, autoritetin e tij, laik, kjo do të jetë një bombë që do të na plasë ndër duar.

Pas, ndoshta, njëzetë vjetësh, këta terroristë do jenë atje, në sheshin “Skënderbej”, duke grisur libra, duke shkulur bustet e rilindësve, duke gjuajtur gra me gurë, apo në rastin më të mirë; do t’i ndalojnë këto gra të buzëqeshin, ndërsa Gjergj Kastrioti, i pafuqishëm që nga busti (nëse ende nuk do ta kenë rrëzuar, pasi që tani e kane marrë me shpulla), do jetë duke e ndjekur skenën me një pikëllim të dorëzuar në sy.

Ja ku i keni të dyja anët e medaljes të dashur shtetarë;

Urimin e një kristiani – Shqipërinë e emancipuar, dhe,

Një prerës kokash – Shqipërinë e ardhshme… nëse ju nuk luani duart…972357_10200462515030952_1570561157_n

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s