Ambasadoret Shqiptare ne kampet e refugjateve.
Janë ambasadorë edhe pse nuk janë të dekretuar si të tillë nga Shteti Shqiptar.

E bëjnë punën pa pagesë, udhëtojnë me shpenzimet e tyre, nuk kanë letra kredenciale, apo valixhe diplomatike, nuk kanë marrë udhëzime nga ndonjë ministër i jashtëm, apo titullarë të lartë të Shtetit.
Nuk i pret askush atje ku shkojnë dhe nuk gëzojnë imunitet diplomatik.
Por gjithsesi ata janë “ambasadorë”
Sepse, si askush tjetër, përcjellin mesazhet e vendit të tyre në vendet ku “i zë nata” dhe janë “të vërtetë” për vërtetësinë e këtyre mesazheve, krejt më ndryshe nga ato të ambasadorëve të dekretuar dhe të paguar të Shtetit.
Janë këta ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë që i tregojnë botës që është një vend dhe një shtet, edhe pse në Europë, ku, edhe në vitin 2015, ende gjithëditën mungon uji i pijshëm;
Ku, për një copë bukë, vidhen pusetat e kanalizimeve, edhe të kryeqytetit, apo që një racë banorësh jetojnë duke rrëmuar në kazanët e plehrave;
Eshtë një vend ku pensionet janë kaq të ulta saqë ndjehesh më mirë të mos i hysh llogarisë se si do të jetohet me to;
Ku njerëzit ende blejnë ushqime “me listë” dhe ndihma sociale është vetëm me “bukë me domate” dhe jo më të paguash edhe energjinë elektrike vetjake;
Ku fëmijët për të qenë në shkollën e tyre të fshatit, ku “të vjen për të qarë”, shpesh udhëtojnë më shumë orë sa ç’udhëtojnë qeveritarët e këtij vendi për të qenë në kryeqytetet dhe qytetet e Europës;
Ku taksapaguesit çdo vit paguajnë shpërdorimet dhe pa-aftësitë e administratës shtetërore;
Ku po të ra një hall, më shumë dërrmohesh nga mosmundësia e zgjidhjes së tij se sa nga vetë halli;
Ku krimi dhe korrupsioni qeveritar ka zënë për gryke shtetin.
Ku droga kultivohet si ne vënd të duhanin dikur.
Ku policija merr pjesën e saj për cdo rrënjë hashashi.
Ku ministri i rendit sillet si gangëster me qytetarët, dhe bashkpuntor apo mik me kultivuesit e droges dhe kriminelët.
Ku banditët, trafikantët e drogës apo mishit te bardhë kane zaptuar gjithshka ne ate shtet, ata tani janë deputetë, ministra, kryetarë bashkish, drejtorë drejtorish ne ministri apo në polici.
Ku jeta e një bagëtie është më e shtrenjte se jeta e një qytetari.
Që është një vend, edhe i çuditshëm madje, ku numërimi i parasë nuk bëhet, si kudo në botë, me atë çka shkruhet në kartëmonedhë, apo në monedhën metalike, por me dhjetëfishin, edhe pse të gjithë e dinë se kjo s’është aspak e vërtetë.
Këto mesazhe, por edhe shumë-e-shumë të tjerë, i përcjellin botës ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë-
Azilkërkuesit shqiptarë të 2015 dhe janë ata që, realisht dhe me guxim, po bëjnë që “bota” të mos kujtojë më që “Shqipëria” është “Tirana” dhe ajo çka shijohet në udhëtimet këtu!
Respekt për misionin e azilkërkuesve shqiptarë, e këtyre ambasadorëve të vërtetë të Shqipërisë!