Nga Albert Avduli /

Me çmime stratosferike dhe kurrë të imagjinuara, Shqipëria, si një nga vendet më të varfëra në Evropë, po përpëlitet në luftën e mbijetesës.
Veç këtyre faktorëve, klimën politike, që në fakt mbart edhe rrjedhojat ekonomike, e kanë rënduar së tepërmi faktet e vjedhjes së buxhetit të shtetit me metodat më banale të mundshme.
Sali Berisha, nën logon e Partisë Demokratike, ka thirrur një protestë popullore më datë 7 korrik, ora 19:00, në Tiranë
.
Sipër të gjitha këtyre, qëndron arroganca e pushtetit dhe ironia proverbiale e kryeministrit më batutaxhi në glob.
I pandalshëm në mënyrën sesi shpërndan pasurinë kombëtare, ai ka krijuar tashmë modelin, që gjithçka varet nga ai dhe çdo gjë që mund të kryhet me firmën e tij, nuk duhet të dalë prej oborrit ministror, miqësor dhe të interesave të një grusht njerëzish.
Rasti i fundit i denoncuar publikisht, ku familja e ministres së jashtme, përfiton mijëra metër katror në bregdetin e lakmuar shqiptar, ka nxitur një tjetër valë urrejtjeje ndaj qeverisë.

Aferat e dala këto ditë, kur 90 vjeçar, të strehuar nëpër shtëpi të moshuarish, janë përdorur për të vjedhur miliona euro e kanë traumatizuar shoqërinë shqiptare.
Kompensimet e munguara përballë inflacionit të lartë e kanë çuar popullsinë në zgrip të jetës.
Zhvfleftësimi i lekut në masën gati 50%, krahasuar me 10 vite më parë dhe mos ngritja e pagave për të njëjtën periudhë kohore, ka çuar nëpunësinë dhe administratën publike të frenojnë shpenzimet për konsumin bazë dhe jo më të mendojnë për harxhime fundjavash apo e extra të tjera.
Çmimet e banesave, pothuajse të njëjta me kryeqytetet më të pasura të botës, janë pamundësi për familjet e reja, që guxojnë të rrinë ende në këtë vend, por psikologjikisht janë vrasëse për këdo shqiptar.
Nga vijnë këto para, si burojnë, në çfarë gjirizesh prodhohen, kur ekonomia e vendit nuk ka mundësi të tilla gjeneruese.
Dhe… faktet e lartpërmendura janë episode në zinxhirin e gjatë shtetëror, që kërcet dhe ndihet jo vetëm në stomak, por në shpirt.
Jashtë analizës, por jo vëmendjes, ka mbetur ngecja në dyert e Evropës. Paralizë që prej gati një dekade as kemi guxuar t’i biem ziles së asaj porte, paçka se kemi festuar disa herë sikur të ishim në odat e mëdha të kontinentit të vjetër.
Tani rikthehemi te titulli dhe përcaktori “non grata”
Shqiptarët janë një popull emocional dhe me temperamentin tipik ballkanas, por kokë turku vështirë se bëhen edhe pse në shumicë mysliman.
Ata, në heshtjen e tyre, në pakënaqësinë ndaj Berishës, kanë dhe disa stereotipe, që tashmë i kanë rikthyer
Më së pari, dëgjohet pa ngurrim, rrugët e mëdha të asaj kohe, tunelet e gjata etj, por do zbresim në pragun e shtëpive…
Në kohën e Berishës, e mbushja makinën plot me naftë dhe ikja në fundjavë, kështu shprehen të paanshmit.

E kam lyer shtëpinë që në vitin kur ishte PD në pushtet, këto janë familjet e ndihmës ekonomike.
Në kohën e doktorit, nuk kisha pasuri të madhe, por nuk diskutoja çmimet dhe shkollova fëmijët, demokratët janë te ky grup.
Mirë që bleva shtëpi në kohën e malokut, se ndryshe as me qera s’do rrija dot, kuptohet që këta janë fanatikët e kampit tjetër politik.
E sa, e sa të tjera…

Në rrafshin praktik dhe të luftës politike, por edhe të “luftës” luftë, kur kam një armik të madh përballë, harroj inatet me atë, i cili ka të njëjtin armik që kam edhe unë.
Ky është një këndvështrim, se dikush do ta sillte në sintezën popullore që “armiku i armikut tim është miku im”, për aq kohë sa raportet janë të tilla.
Secili e sheh si do dhe vepron si gjykon.
Mendoj se më lehtë është Berisha non grata në Amerikë sesa Shqiptarët non grata në Shqipëri.
Fjalia para kësaj që po shkruaj mbart dy dilemat e dt 7 Korrik.
Ne mbase nuk zgjidhim dot të parën, por e dyta varet nga ne.
