Kategori
Uncategorized

Ulsi Pashollari – Djaloshi që preu dorën për të lyer me gjakun e tij flamurin kuqezi në Spaç

Më në fund, përpara tyre u shfaq piramida kufitare.

“Ali, arritëm! Shpëtuam!”

Por gëzimi zgjati vetëm pak çaste.

Një krismë arme theu heshtjen e mëngjesit dhe britmat ushtarake ushtuan nëpër humnera:

“Ndalo! Jeni të rrethuar!”

“Hidhu, Ali!” — bërtiti Ulsiu dhe u hodh si shqiponjë drejt greminës.

Aliu nuk mundi ta ndiqte.

Kufitarët, kapterrët dhe spiunët u hodhën mbi të si bisha.

Prita ishte organizuar prej kohësh.


Nga fundi i greminës dëgjohej zëri i Ulsiut:
“Aliii… ku je?”

Kapter Myfit Zagorçani ulërinte:
“Ulusi Pashollari! Nëse nuk dorëzohesh, shokun tënd do ta vrasim para syve të tu!”
Mbi shkëmb, Aliu i gjakosur dukej sikur i thoshte:
“Ik, Ulsi… mos u kthe…”

Sapo ri preku tokën shqiptare, dhjetëra duar ushtarësh e lidhën me tela me gjemba.

Dy djemtë, ende pa vënë brisk në faqe, u tërhoqën zvarrë drejt fshatit Alarup të Pogradecit, mes britmave triumfuese të atyre që krenoheshin me mizorinë e tyre.


Hetuesia ishte çnjerëzore.

“Fol!” — ulërinte hetuesi ndërsa e godiste pa mëshirë.

Kunjat nën thonj, vezët e nxehta mbi trup, uria, pagjumësia dhe dhuna kishin vetëm një qëllim: ta thyenin.

Por Ulsiu nuk foli.

Ai nuk tradhtoi askënd.

As shokët. As familjen. As idealin.

Gjithçka nisi vite më parë, kur si nxënës shembullor kishte guxuar t’i shkruante një letër Enver Hoxhës, duke kërkuar vetëm një të drejtë: të vazhdonte shkollën.

Krimi i tij ishte se kishte një xhaxha të arratisur.

Në zyrën e Komitetit të Partisë në Maliq, sekretari Vait Kolaneci ia preu ëndrrën:

“Ne nuk luftuam që ju, nipat e armiqve, të shkolloheni!”

Aty lindi urrejtja ndaj diktaturës.

Në vitin 1973, në burgun famëkeq të Spaçit, Ulusi ishte bërë simbol i rezistencës antikomuniste.

Ai ishte një nga organizatorët kryesorë në revoltën e të burgosurve politikë.

U dogjën stendat e propagandës komuniste dhe fotografia e Enver Hoxhës.

Të burgosurit refuzuan të dilnin në punë.

Pastaj ndodhi akti që do të hynte në histori.

Një çarçaf i bardhë u kthye në flamur.

Ulsiu preu dorën dhe me gjakun e tij ngjyrosi të kuqen e flamurit shqiptar.

Piktori Mersin Vlashi vizatoi shqiponjën dykrenare.

Së bashku me Gjet Kadelin, Ulsi Pashollari ngriti në Spaç flamurin kuqezi pa yllin komunist — për herë të parë në zemër të diktaturës.

Pjetër Arbnori do të kujtonte më vonë:
“Ulsiu kishte shpirt çeliku. Torturat e kishin dobësuar fizikisht, por kurrë moralisht.”

Madje, sipas dëshmive, Sigurimi tentoi ta eliminonte edhe në spital.
Por ai mbijetoi.

Në vitin 1986 u lirua, pas 22 vitesh burg dhe ferri.

Megjithatë, as liria nuk e ndali.

Ai u bë një nga nismëtarët e rrëzimit të bustit të diktatorit në Korçë dhe ndër firmëtarët e parë të Partisë Demokratike.

Asnjëherë nuk kërkoi hakmarrje.

As privilegje.

As shpërblim.

Kërkonte vetëm një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

Më 15 shkurt 1995, Ulusi u nda nga jeta, i rraskapitur nga vuajtjet e burgjeve komuniste, por i pamposhtur në shpirt.

🔹🔹🔹🔹🔹

👉🏽Arratisja drejt Jugosllavisë, nëpërmjet Malit të Thatë /

ULUSI REFAT PASHOLLARI
Djaloshi që shpërtheu birucat me levë për të liruar shokët!

I harruari protagonist i revoltës së Spaçit, Ulusi Pashollari.

“Ec, vëlla Ali, arritëm… ec dhe pak… ja, arritëm… shpëtuam…” – belbëzonte djaloshi imcak, ndërsa ndihmonte shokun dhe mikun e idealit antikomunist në rrugën e tyre pa kthim.

Në errësirën e natës, Aliu ishte rrëzuar dhe plagosur rëndë. Ndihma dhe kurajoja e Ulsit e bënin shokun të mblidhte të gjitha forcat që i kishin mbetur.

Dymbëdhjetë orë përpiqeshin t’u shpëtonin, të maskuar nëpër honet e malit, syve të rojeve kufitare. Dymbëdhjetë orë që Ulsi tërhiqte pas vetes shokun e plagosur keq. Më në fund, dukej sikur fati po u buzëqeshte.

Përpara syve u shfaq piramida kufitare.

“Arritëm!” – thërret Ulsi.
“Çohu, Ali Lika, çohu! Arritëm të shpëtojmë! Fituam!”

Dhe përqafon shokun e tij.

Por ky gëzim dhe ai përqafim nuk do të zgjaste shumë.

Një krismë arme dhe zëra të çjerrë:
“Ndaloni! Jeni të rrethuar!”
e prenë në mes atë gëzim fëmijëror.

“Hidhu, Ali!” – bërtet Ulsi dhe, si shqiponjë, fluturon drejt greminës.

“Na iku!” – ulërinte kapter Myfit Zagorçani, ndërsa qëllonte me armë.
“Na iku! Djaloshi fluturoi në greminë!”

“Ali!… Ali!… Ku je, Aliiii?” – thërret Ulsi dhe zëri i tij çan heshtjen e mugët të atij mëngjesi të vrenjtur.

Por Aliu nuk kishte mundur ta ndiqte shokun. Mbi të ishin sulur si bisha dhjetëra duar e trupa kufitarësh, agjentësh dhe spiunësh. Ata kishin orë të tëra që prisnin në heshtjen e malit. Prita ishte ngritur me kujdes shumë më herët; spiuni dhe dora e zezë kishin kurdisur gjithçka.

“Ah, Ali… Ali…” – ngashërehej Ulsi i vogël.
“Nuk të mora dot… nuk mundëm t’i gëzoheshim bashkë fitores. Unë këtej… e ti në duart e tyre…”

Zëri i çjerrë i kapter Myfitit jehoi sërish:

“Ulusi Pashollari! Nëse nuk kthehesh, shoku yt do të vritet këtu, para syve të tu! Kohë nuk ke! Ose kthehu, ose harroje mikun tënd! Nuk do t’ju bëjmë gjë… vetëm kthehu!”

Mbi shkëmb, shoku i tij i shtrirë, me tytat e armëve mbi kokë, dukej sikur i thoshte:

“Ik, Ulsi… ik! Mos i dëgjo këto bisha! Ik!
Unë nuk munda të të ndjek deri në fund… ik!”

“Ulusi Pashollari! Koha po mbaron!” – ulërinte kapteri.

Qytat e armëve filluan të godisnin pamëshirshëm trupin e Aliut.

Britmat e dhimbjes së shokut, pas atyre goditjeve shtazarake, e detyruan djaloshin imcak të kthehej. Ai vendosi:

“Më mirë të kthehem, sesa ta vrasin shokun tim.”

Zëri i tij i fuqishëm i bëri edhe bishat të stepeshin.

“Ndaloni! Mos e vrisni! Po kthehem!”

Dhe niset drejt tyre për të shpëtuar mikun e vet, pa e ditur se ajo rrugë kthimi do të bëhej një kalvar torturash, dënimesh e ridënimesh – një dhimbje pa fund.

Sapo këmba e tij preku tokën shqiptare, mbi të u hodhën si bisha dhjetëra duar e trupa ushtarësh. Ata kishin arritur të shtinin në dorë “kriminelin” e vogël, atë “gjarpër” të sistemit komunist.

Letra drejtuar Enver Hoxhës /

“Fole!” – bërtiste hetuesi ndaj një njeriu të lidhur, gjysmë të vdekur nga torturat e xhelatëve për ditë të tëra me radhë.
“Fole! Nuk e kupton se nuk do të dalësh i gjallë nga këto biruca? Tani je në duart e mia, mor këlysh i armikut! Këtu as djalli vetë nuk do ta marrë vesh çfarë ndodh me ty, e jo më ata miqtë e tu. Fole, qen!”

Trupi i dobët filloi t’u nënshtrohej torturave nga më çnjerëzoret. Vezët e ziera dhe kunjat e pishës nën thonjtë e djaloshit tregonin më së miri egërsinë me të cilën xhelatët e kishin marrë këtë “detyrë”. Urrejtja dhe hakmarrja ishin bërë pjesë e jetës së tyre ndaj dy viktimave të radhës.

Të arrestuar ishin edhe njerëzit e tjerë të familjes. Spiuni i fshatit kishte vepruar “më së miri”. Ai ndihej krenar për “detyrën ndaj atdheut”. Buzëqeshja e tij, me dhëmbët e krimbur dhe duart që i dridheshin, tregonte sa i pështirë ishte zanati i tij ndaj vetë fshatarëve të tij. Ai ndiente kënaqësi mbi dhimbjet dhe plagët e dy të rinjve. Bisha dehej nga era e gjakut.

“Ju, nipi i armikut të popullit, Bedri Pashollari, i arratisur më 1946, i keni drejtuar një letër Sekretarit të Parë, shokut Enver! Kush ju ka mësuar? Kush fshihet pas jush? Kush jua futi në mendje këtë lojë? Kush? Kush? Kush?”

“Askush! Unë jam një djalë fshati, nxënës shembullor në shkollë dhe në jetë. Unë vetë i jam drejtuar Enver Hoxhës, pa ditur se po i drejtohesha bishës së komunizmit. Ju jeni të gjithë bisha! Qëlloni! Kështu, të lidhur siç më keni! Çfarë prisni më? Qëlloni!”

Hetuesi i dehur vazhdonte të godiste pa pushim trupin gjysmë të vdekur, të lidhur e të torturuar prej ditësh dhe netësh pa fund.

“Ju, nipi i armikut, keni kërkuar të shkoni në shkollë ushtarake? Ha! Ha! Ha!” – qeshte krimineli me duart e lyera në gjakun e djaloshit.
“Ju, gjarpër, keni kërkuar të futeni në ushtrinë shqiptare? Ju, armik i Partisë! Ju, gjarpërinj të sistemit tonë!”

Një goditje shtazarake e futi përsëri djaloshin në kllapi.

Para syve iu kujtua viti 1964, kur i lindi ideja t’i drejtohej shokut Enver.
“Ndoshta ai nuk e di se jam i pafajshëm… Në fund të fundit jam vetëm një fëmijë që sapo kam mbaruar shkollën. Ç’lidhje kam unë me arratisjen e xhaxhait? Unë dua të mësoj… dua të shkoj në shkollë…”

Gishtat e tij, me penën të shtrënguar fort, nisën të shkruanin një letër për komandantin e përgjithshëm. Një letër që do të bëhej fillimi i thyerjes së ëndrrës së tij fëmijërore. Një letër që do ta mësonte Ulsin se rruga e tij drejt shkollimit merrte fund pikërisht aty. Por edhe pa atë letër, diçka tjetër do t’ia kishte thyer ëndrrën rinore.

Dymbëdhjetë kilometra në këmbë drejt postës së Maliqit. Rrugën e bëri në këmbë, por lodhjen nuk e ndiente. Gëzimi se dikush do ta ndihmonte të vazhdonte shkollën e bënte të ndihej krenar.

Ditë pas dite priste një përgjigje. Postieri ishte i vetmi njeri që, sa herë vinte në fshat, i thoshte:

“Akoma nuk ka ndonjë letër për ty, vogelush, që e pret me kaq ankth.”

Dhe dita e shumëpritur erdhi.

Përgjegjësi i Vatrës së Kulturës në fshat erdhi vetë në shtëpi për ta lajmëruar se Ulsin e priste sekretari i Komitetit të Partisë në Maliq, Vait Kolaneci.

Atë natë nuk pati gjumë. Më në fund, komandanti e kishte marrë letrën e tij. Fati dukej sikur po i trokiste në derë këtij vogëlushi. Si gjithë shokët e tij, edhe ai do të vazhdonte shkollën – në mos në “Skënderbej”, në një shkollë tjetër patjetër. Të nesërmen do të merrte vesh gjithçka.

Pa gdhirë mirë, mori rrugën e gjatë prej 12 kilometrash në këmbë drejt Maliqit. Vraponte dhe këndonte. Këndonte me gëzimin fëmijëror të një djali që besonte se edhe ai, si gjithë të tjerët, do të kishte mundësinë të shkollohej.

Një orë para se të hapej zyra, ai ishte aty jashtë, duke pritur ta thërrisnin, duke pritur t’i buzëqeshnin dhe t’i thoshin:

“Djalosh, shoku Enver ju ka dërguar një letër. Ju do të shkoni në shkollën e mesme. Urime, vogëlush!”

Pritja dhe ëndrrat nuk po merrnin fund, aq sa nuk e vuri re as shikimin e shtrembër që i hodhi sekretari i Partisë, Vait Kolaneci, ndërsa ngjiste shkallët e Komitetit të Partisë.

Pas disa orësh pritjeje, dikush e thirri. Me nxitim, duke kapërcyer shkallët dy e nga dy, djaloshi u gjend përballë një dere të rëndë. Dikush e futi brenda.

Përballë ishte sekretari, shoku Vait, i cili mbante në duart që i dridheshin një letër. Ishte pikërisht letra që ai vetë i kishte nisur shokut Enver.

Një zë i trashë rrënqethi trupin e vogël të djaloshit:

“Ju, nipi i armikut të Partisë, Bedri Pashollarit, i jeni drejtuar shokut Enver dhe kërkoni të shkolloheni? Kush ju ka mësuar? Si e keni marrë këtë guxim? A e dini kush jeni ju, mor nip armiku? Ne nuk luftuam për shkollimin tuaj, por për t’ju dënuar ju, gjarpërinjtë armiq të Partisë! Ti duhet ta ulësh kokën dhe të punosh atje ku duam ne. Koka juaj do të rrijë e ulur gjithë jetën përballë nesh!”

Djaloshit imcak, me ëndrrën e madhe për shkollë, iu duk sikur tavani po i rrotullohej mbi kokë. Ajo zyrë e akullt dhe e errët po e mbyste.

Doli jashtë pa u ndier, duke lënë sekretarin të vazhdonte të fliste me veten, pa e kuptuar se djaloshi ishte larguar tashmë.

🔻🔻🔻🔻🔻🔻🔻🔻🔻🔻🔻

Kthimi në fshat

Ai, në atë moshë, as vetë nuk e kuptonte se çfarë “faji” i kishin gjetur këtij pushteti. Ishte bir i një familjeje të varfër fshatare, me dy prindër bujq, njerëz të thjeshtë e punëtorë. E vetmja “njollë e zezë” mbi familjen e tij ishte arratisja e xhaxhait, për të cilin askush nuk dinte ku jetonte e nëse ishte ende gjallë.

Diku pranë iu afrua i jati, xha Refati. I ledhatoi kokën me dorën e rënduar nga jeta dhe, në heshtje, të dy morën rrugën e kthimit.

“Mos qaj, bir,” – i tha i ati me zë të ulët.
“Nuk kemi ç’të bëjmë… këta na i kanë mbyllur dyert njëherë e përgjithmonë.”

Në mbrëmje u kthyen në fshat. Frika se mos kryetari i këshillit po i ndiqte nga pas, apo mund t’u dilte përpara për t’i pyetur e provokuar, i detyroi të hynin në fshat nga rruga e malit.

“Eh, kryetar… çfarë të kemi bërë?” – pëshpëriti me vete plaku.

Një kovë me ujë e nxori djaloshin nga kllapia, duke ia këputur menjëherë çdo endërrim. Nuk dinte sa orë kishte në atë gjendje.

Tani, 17-vjeçarin e mbante gjallë vetëm urrejtja përballë atyre bishave me fytyrë njeriu. Trupi i tij ishte kthyer në një poligon goditjesh dhe torturash çnjerëzore.

Te “Dera e Tre pallancinave” në Korçë, një grua plakë, e kërrusur dhe e veshur në të zeza, kishte ditë të tëra që nuk largohej prej asaj godine famëkeqe, e njohur për torturat që nga koha e Zogut.

Birucat e saj të nëndheshme, të mbushura me ujë, kishin marrë jetën e dhjetëra e qindra bijve të nënave shqiptare. Kush hynte aty, rrallë dilte i gjallë.

Aty rrinte Lekja, nëna e Ulusit. Asaj po ia copëtonin shpirtin, ndërsa djalin ia torturonin çnjerëzisht.

A do t’i përballonte vallë torturat ai trup i dobët?
A do ta lejonin xhelatët të dilte i gjallë prej andej?

Askush nuk jepte përgjigje. Askush nuk i fliste, përveç kapterit të policisë, që e urdhëronte të largohej:

“Ik, shtrigë! Zhduku prej këtu! Gjarprit tënd këtu do t’ia shkulim dhëmbët një nga një! Ik!”

Ditë, javë e muaj të tërë tortura.

Por nga goja e Ulusit dhe Aliut nuk doli asnjë fjalë. As për Vasfi Selamin, që u kishte uruar “rrugë të mbarë”, as për miqtë e shokët që në heshtje i kishin përcjellë me shpresë, as për motrat e vëllezërit e tyre.

Gjithçka e mbajtën mbi supe vetë.

“Të paktën të tjerët të shpëtojnë… puna jonë u pa,” – mendonin.

Gjyqi ndaj “tradhtarëve” dhe “armiqve” u vendos të zhvillohej në mes të fshatit. Ata duhej të poshtëroheshin publikisht, bashkë me çdo njeri që kishte lidhje me ta. Diktatura e proletariatit duhej të binte si tmerr mbi këta dy fëmijë.

Një gjyq me aktorë ordinerë, hajdutë e kriminelë të veshur me petkun e drejtësisë. Akuza të sajuara, të ndërtuara me kujdes. Përveç arratisjes, “agjitacioni dhe propaganda” do të ishte neni që do t’ua rëndonte edhe më shumë dënimin.

Burrat e fshatit ulnin kokën përballë asaj mizorie, ndërsa spiunët ngriheshin njëri pas tjetrit për të dënuar “armiqtë e Partisë dhe të pushtetit”.

“Varja është pak për këta qenër!” – ulërinte një spiune, duke tundur grushtin drejt dy djemve të lidhur në sallën e improvizuar të gjyqit, në mes të fshatit.

Me orë të tëra vazhdoi ai teatër i frikës, derisa Partia u bind se, përveç gjyqit ndaj “armiqve të klasës”, ishte bërë edhe një punë e mirë agjitacioni për të trembur këdo që do të guxonte të dilte kundër vijës së saj.

Më në fund, me një urrejtje të ftohtë e pothuaj patologjike, Eleni Selenica dha vendimin:

“17-vjeçari Ulusi Pashollari dënohet me 15 vjet burg.
19-vjeçari Ali Likaj dënohet me 13 vjet burg.”

Burgu /

Kështu nisi jeta e gjatë dhe e dhimbshme e burgjeve për Ulsi Pashollarin dhe familjen e tij, e cila do ta ndiqte pas si një hije në çdo stacion të ferrit komunist. Por vitet e burgut, torturat dhe operativët e Sigurimit nuk po arrinin ta thyenin karakterin e tij. Përkundrazi, Ulsi sa vinte e burrërohej më shumë.

Në dokumentet e burgut shkruhej:

“Ky i dënuar është një antikomunist i vendosur. Sa vjen e bëhet më i rrezikshëm për shtetin tonë socialist. Ky nuk duhet të dalë i gjallë nga burgjet.”

Veprimtaria e tij nacionaliste dhe antikomuniste brenda kampeve ra shpejt në sy të komandës. Bashkëpunëtorët dhe spiunët mes të burgosurve e mbanin nën vëzhgim çdo orë djaloshin e dobët në trup, por me një guxim prej çeliku.

Transferimet nga burgu i Elbasanit, Ballshit e Fushë-Krujës nuk e thyen dot. Më në fund, Spaçi u bë stacioni i ri i kalvarit të tij.

Viti 1973 do të ishte vendimtar.

Ulsi nuk ishte më ai djaloshi i frikësuar i viteve të para. Ai tashmë ishte formuar plotësisht në bindjet e tij antikomuniste. Miqtë dhe shokët e tij ishin intelektualët dhe nacionalistët më të vendosur të kohës. Brenda telave me gjemba ai kishte gjetur vetveten.

Ata duhej të ngriheshin kundër regjimit.
Duhej të protestonin.
Zëri i tyre duhej të dëgjohej.

Bisha komuniste nuk mund ta mbyste më shpirtin e lirë të këtyre njerëzve. Fjala, protesta dhe urrejtja ndaj diktaturës ishin armët e vetme që u kishin mbetur.

Grupi i parë i antikomunistëve në Spaç mori drejtimin e Ulsi Pashollarit. Ata vendosën të mos dilnin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Ishte fillimi i një revolte të heshtur që po shpërthente me zemërim brenda telave me gjemba.

Në krye të grupit, Ulsi dogji stendat e emulacionit dhe fotografinë e Enver Hoxhës. Dymbëdhjetë të dënuar dolën me forcë nga birucat dhe iu bashkuan revoltës, e cila përhapej çdo orë e më shumë mes të burgosurve.

Derdhja e ushqimit dhe refuzimi masiv për të dalë në punë detyruan vetë Kadri Hazbiun të vinte në Spaç.

Siç kujton i dënuari Bedri Çoku, policia ndërhyri me forcë dhe mori Pal Zefin për ta torturuar. Por grupi i të burgosurve ndërhyri menjëherë, ua shkëputi shokun nga duart policëve dhe, duke e futur në mes, u përplas fizikisht me rojet e burgut.

Gjendja po rëndohej nga ora në orë.

Atëherë u vendos që askush të mos dilte më në punë. Të gjithë do ta përballonin diktaturën së bashku.

Frika ishte thyer.

Një grup i madh të burgosurish mbahej ende në birucat speciale të kampit. Ulsi mori me vete Dashnor Kazazin dhe, me një levë hekuri, arritën të këpusnin drynat e birucave, duke nxjerrë jashtë shokët e tyre të sakatuar nga muaj të tërë izolimi e torture.

21-vjeçari Skënder Daja mbahej në krahë nga shokët; ai nuk ecte dot më. Torturat me shufra hekuri dhe elektroshok e kishin lënë gjysmë të paralizuar.

Krismave të armëve, këta djem u përgjigjeshin me thirrje njerëzore:

“Mos qëlloni! Jemi të paarmatosur!
Mos qëlloni! Ne jemi vëllezërit tuaj!”

Menjëherë ushtarët u zëvendësuan me policë dhe operativë të ardhur me urgjencë. Biblioteka u thye dhe librat e klasikëve të komunizmit u dogjën bashkë me fotografinë e diktatorit.

Një çarçaf i bardhë po ngjyrosej me gjakun e të dënuarve për t’u bërë flamur.

Ulsi ishte i pari që preu dorën për ta ngjyrosur me gjak.

Flamur me gjakun e heronjve.
Flamur me dhimbjen dhe sfidën ndaj diktaturës.

Aty po ngrihej flamuri i Gjergj Kastriotit, pa yllin komunist.

Piktori Mersin Vlashi vizatoi shqiponjën mbi atë flamur të improvizuar. Gjet Kadeli dhe Ulsi Pashollari, me një shtizë të gjatë, ngritën për herë të parë në Spaç flamurin kuqezi pa yllin komunist, në katin e tretë të godinës së burgut.

Ai flamur u bë shpresë për të burgosurit dhe tmerr për regjimin.

Flamuri i larë me gjak, pa yllin sllav, rriti edhe më shumë urrejtjen e diktaturës ndaj revoltës. Rrethimi i kampit sa vinte e shtohej.

Teksa vendoste flamurin, Ulsi thirri me zë të lartë:

Më 24 maj, diktatura nxori tanket kundër tyre.

Nga gryka e Repsit dëgjohej zhurma e rëndë e zinxhirëve të tankeve. Tymi i natës dukej qartë mbi kamp.

Tanke përballë të burgosurve të paarmatosur.

Revolta duhej shtypur me çdo kusht.

Tanket ishin gati të futeshin në kamp, duke rrafshuar gjithçka bashkë me trupat e këtyre heronjve. Përbindëshi komunist nuk njihte më asnjë kufi.

Pastaj u pre uji.

Dy ditë pa ujë.

Kukudhi i diktaturës po ua ndalte edhe frymën. Bombat kimike të hedhura në oborrin e kampit po ua vështirësonin frymëmarrjen të burgosurve. Pa bukë. Pa ujë. Dhe tani edhe pa ajër.

Por as kjo nuk i mposhti.

Edhe pse forcat po i linin pak nga pak, qëndresa vazhdonte.

Kadri Hazbiu dërgoi një zëvendësministër për të negociuar, por Ulsi nuk e lejoi të fliste para të burgosurve.

Papritur, qindra forca të armatosura deri në dhëmbë hynë pabesisht nga të gjitha anët e kampit. Të lidhur këmbë e duar, të burgosurit u shtrinë përdhe në oborr.

Bisha kërkonte gjak.

Para skuadrës së pushkatimit dhe në sy të të burgosurve, u vranë Ajri Pashaj dhe Dervish Bejko. Ndërsa 38 të burgosur të tjerë, mes tyre edhe Ulsi, u dërguan të lidhur në Tiranë, ku pas një hetuesie të re shumëmujore morën edhe 13 vite të tjera burg.

Më pas, bashkë me Çaushin dhe Gjetën, Ulsin e dërguan në burgun famëkeq të Burrelit, ku do të qëndronte deri në vitin 1986.

I paharruari Pjetër Arbnori kujtonte:

“Kishim dëgjuar për atë djalin e imët, por të pamposhtur, që përmendej në të gjitha burgjet e Shqipërisë. Fati e solli pranë nesh në Burrel. Ai kishte një shpirt prej çeliku dhe një kurajë të rrallë. Studionte vazhdimisht dhe fliste rrjedhshëm disa gjuhë të huaja.”

Ulsi mbante gjallë mes të burgosurve shpresën për rrëzimin e sistemit gjakatar. Torturat, puna e rëndë dhe sëmundjet e kishin dobësuar fizikisht, por kurrë moralisht.

“Vdekja e diktatorit është ylli që paralajmëron pranverën,” – u thoshte ai me shpresë shokëve të burgut.

Por Sigurimi i Shtetit nuk i ndahej.

Kur Ulsi u sëmur rëndë dhe u dërgua në spitalin e Burrelit, një kirurgu me emrin Xhelal iu kërkua t’i bënte një injeksion vdekjeprurës. Siç dëshmonte Pjetër Arbnori, mjeku refuzoi dhe kështu jeta e Ulsit u shpëtua.

Ata e donin të vdekur.

22 vitet e burgut kishin bërë punën e tyre.

Në vitin 1986 ai u lirua me kusht. Por frika ndaj tij ishte aq e madhe, sa dy policë e shoqëruan nga Burreli deri në Korçë. Atje e çuan përsëri në komisariat, në të njëjtin vend ku dikur ishte torturuar çnjerëzisht.

Me vete kishte vetëm një valixhe druri, të mbushur me libra – dhurata nga miqtë e burgjeve.

Por asgjë nuk kishte ndryshuar.

Operativi i Sigurimit, Adhurimi, mblodhi menjëherë spiunët e vjetër dhe të rinj të fshatit. Shtëpia e familjes nisi të survejohej sërish natë e ditë. Çdo lëvizje e Ulsit dhe familjarëve të tij mbahej nën vëzhgim.

Gjithë kjo vetëm sepse dikur kishte kërkuar të shkollohej si gjithë bashkëmoshatarët e tij.

I vëllai, Zini Pashollari, kujtonte:

“Ishte data 26 dhjetor 1986. Një pasdite dimri me acar. Pas kaq shumë vitesh burg e vuajtjesh, Ulsi u kthye i sëmurë në shtëpi. Netëve të gjata të dimrit tregonte për 22 vite e 75 ditë burg. Dhe përse? Sepse donte të shkollohej. Nuk i jepej e drejta, sepse kishim një xhaxha të arratisur.”

Ai xhaxha quhej Bedri Pashollari, vëllai i vogël i babait të tyre – një antikomunist që nuk pranoi të rreshtohej me forcat komuniste. Pas çlirimit, ai u vu menjëherë në shënjestër të ndjekjes dhe, si shumë nacionalistë të tjerë, u detyrua të merrte rrugën e arratisë në dimrin e vitit 1946.

Kthimi i Ulsit në shtëpi solli edhe shpresën për rënien e diktaturës.

Burgu nuk e kishte trembur.

Përkundrazi, e kishte bërë edhe më të fortë.

Ai u bë një nga nismëtarët e rrëzimit të bustit të diktatorit në Korçë dhe ndër firmëtarët e parë të krijimit të Partia Demokratike e Shqipërisë.

Lini një koment