Kategori
Uncategorized

Demokrati i ri intelektual dhe i djathti “destruktiv” që “pëlqejnë” socialistët

Nga: Ilir SINANAJ

Jemi lodhur të gjithë me lajme politike me politikanë shqiptarë, qofshin të majtë, qofshin të djathtë. në pjesën më të madhe kemi vetëm deklarata të zbrazëta me fjalën “duhet” dhe folje të zgjedhuara në kohën e ardhme. Zgjedhjet e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, përbëjnë një interes të veçantë për mua si gazetar por edhe si një ri i lodhur nga deklaratat e zbrazëta që kemi dëgjuar nga krerët e politikbërjes shqiptare, dhe jam përpjekur t’i ndjek. Them përpjekur se fatkeqësisht sepse debatet e kandidatëve demokratë nuk kanë marrë vëmendjen e duhur mediatike. Do të ishte e dobishme për publikun e gjërë një pasqyrim i mënyrës se si zhvillohet një debat midis politikanëve të rinj. Nga ana tjetër, fushata mediatike e baltosjes kundër kandidatëve Ervin Salianji dhe Belind Këlliçi është thelluar këtë ditë, ku kemi pasur edhe disa reagime, që për një forum që mbahet për vlerat demokratike, kanë qenë të “tmershme”.

Dy demokratët e rinj dhe “steriotipe socialiste”

Dy titanët që pretendojnë të marrin kreun e FRPD-së, bazuar në rezultatet e deritanishme janë Belind Këlliçi dhe Ervin Salianji. Nëse do t’i referohemi pranisë mediatke dhe ndikimi në kauzat e fituara të Partisë Demokratike, mund të thuhet se Salianji qëndron më lartë. Të dy si Këlliçi ashtu edhe Salianji kanë kryesuar 2 Departamente të ndryshme në PD; Departamenti i të Përndjekurve Politikë dhe Pronarëve (Belind Këlliçi) dhe Deparatamenti i të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (Ervin Salianji). Krijimi i Departamenteve ka qenë një risi në PD, por që në media nuk është pasqyruar shumë se çfarë bëjnë aktualisht këto Deparatamente. Një nga personat në PD, që ka informuar në dalje mediatike për punën e rëndësishme që kanë Departamentet në PD ka qenë Ervin Salianji (për të mos thënë nga të vetmit). Edhe pse nga Departamenti i të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelor, i kryesuar nga Ervin Salianji, kanë ardhur shumë ide dhe një veprimtari e thelluar, për kauza të ndryshme fituese të PD-së, si çështja e IME-it, çështje që lidhen me të drejtat dhe mirëqënien e komuniteteteve të ndryshme etj, Salianji i ka përshkruar këto fitore të demoktatëve si një punë në grup dhe një qëndim kompakt në të gjitha strukturat e PD-së. Nga ana tjetër për sa i përket Departamentit të të Përndjekurve Politikë dhe Pronarëve, nën kryesimin e Belind Këlliçit, nuk mund të thuhet se ka pasur ndonjë ndikim të madh në jetën politike të vendit tonë. Kështu, Salianji është një figurë më e njohur për opinionin publik shqiptar, pasi është ndjerë ndikimi i tij në kauzat fituese të PD-së, ndërsa Këlliçi me sa kemi parë është bërë i njohur për opinionin publik kryesisht për faktin se po kandidon për kreun e FRPD-së. Është e vështirë për një person jo pjesë e PD-së, të gjejë diçka që ka bërë Këlliçi që do ta ngrinte më shumë se rivali i tij Salianji. Prandaj është e çuditshme se përse vallë Këlliçit mediat më të mëdha në vend po i japin më shumë hapësirë (sado e vogël që ajo është për përmasat që ka gara për kreun e FRPD-së) këtij se sa rivalëve të tij? Për më tepër pse eksponentë të lartë të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë (FRESSH) reaguan menjëherë në mbrotje të Këlliçit kur u ndërmor një fushatë baltosje ndaj tij dhe nuk as nuk pipëtinë kur një gjë e tillë u ndërmor kundër Salianjit? Përgjigja është e thjeshtë. Njëri është kandidat i dobët dhe tjetri është kandidat i fortë. Rivalëve të FRPD-së u intereson që në krye të këtij forumi zgjidhet një kandidat i dobët, i cili nuk do të ishte i aftë për të ngritur forumin. Kështu, duke u nisur nga disa “steriotipe” që ekzistojnë tek socialistët për PD-në, do të analizojmë se sa, në bazë të prononcimeve publike, Salinji dhe Këlliçi i përmbushin ato apo ajo. Dhe sigurisht ai që i përmbush më shumë “steriotipet e socialistëve” ësthë edhe “drejtimi jo i duhur” për FRPD-në, por “drejtimi i duhur” për interes të eurosocialistëve.

Steriotipi 1: PD është një organizim klanor

Partitë politike në përgjithësisi steriotipizohen si të themeluara në bazë të lidhjeve familjare dhe jo mbi një bindje ideologjike të formësuar nga arsyeja e një botëkuptimi kapitalist. Për socialistët konceptimi i PD-së si një klan familjar është më i theksuar se për cilëndo part tjetër. Ndërkaq, të gjithë të rinjtë shqiptarë, përfshi edhe mua, në moshë të re kemi pasur prirje të konsultoheshim me familjen për sa u përket bindjeve politike. Si Salianji ashtu edhe Këlliçi, si çdo i ri tjetër, fillesat në PD, siç janë shprehur edhe vetë, vijnë nga familjet e tyre demokrate. Por ajo që e diferencon Salianjin, jo vetëm nga Këlliçi por edhe nga shumë të rinj të tjerë që janë pjesë e forumeve rinore politike, është fakti se Salianji është shprehur në media se pasi studioi për rrymat politike të ndryshme ai u bind parimisht për ideologjinë e djathtë. Dhe me këtë thyhet steriotipi socialist për organizimin klanor të PD-së. Ndërkaq, në daljet e tij mediatike Këlliçi, me sa është vënë re, luan si kartë të fortë të përkatësisë së tij në të djathtën faktin se ka parardhës dikë që ka qenë deputet në vitet 1920. Ai nuk ka shprehur një arsyetim shkencor se pse i përket të djathtës ashtu si ka hije një të riu të arsimuar në Perëndim. Dhe mbi të gjitha, mirë çfarë kanë bërë parardhësit e Belind Këlliçit, po ai çfarë ka bërë?

Steriotipi 2: Demokratët janë të egër edhe banalë

Ervin Salianji gjatë të gjithë fushatës, jo vetëm, ka ruajtur një qetësi stoike dhe nuk ka rënë preh e fushatave të baltosjes ndaj tij, por ai gjithmonë ka falenderuar në faqen e tij të rrjetit social “Facebook”, të gjithë demokratët e rinj që marrin pjesë në debatet e kandidatëve, pavarësisht rezultateve të votimit. Nga ana tjetër, ndërsa në media u luajt në forma shpotitëse fakti se Belind Këlliçi kishte një të dashur me me prindër të përfshirë në “rilindjen” e socialistëve, ai reagoi në një mënyrë më se brutale në faqen e tiij të rrjetit social “Facebook”. Them brutale sepse Këlliçi është një i ri i arsimuar në një nga universitetet më të mira të Perëndimit, dhe reagimi nuk i kishte hije. Si vallë mundet një ri që e quan veten demokrat si Këlliçi të reagojë duke treguar një anektodë të ndyrë me nënë, motra, ministra komunistë dhe sigurimsa dhe për më tepër që ka qenë edhe kreu i Departamentit për të Përndjekurit Politikë dhe Pronarët? Anektoda e tij, që i shkon përshtat gardinëve të burgut famëkeq të Spaçit, është fyerje e madhe për të gjithë ata që kanë vuajtur në periudhën e komunizmit. Pra fatkeqësisht Belind Këlliçi me reagimin e tij publik konfirmon “steriotipin socialist” për banalitetin në PD.

Steriotipi 3: Lidership i PD-së është totalitar dhe e ka unin e theksuar

Kemi parë në daljet mediatike të Këlliçit kemi parë se e përdori shumë togfjalëshin “ambicia ime” si edhe e përdor së tepërmi veten e parë njëjës. Nga ana tjetër ka diçka më Perëndimore tek mënyra si shpreh Salianji. Ai, në daljet e tij mediatike, në retorikën e tij vis-à-vis PD-së ka folur duke përdorur koncepte të bashkëpunimit dhe gjithpërfshirjes.

Steriotipi 4: Demokratët janë shkatërrimtarë dhe nihilistë

Më bëri shumë përshtypje një deklaratë në media e Belind Këlliçit: “PD dhe FRPD do të jenë në një sintoni të plotë bashkëpunimi sikurse rikthimi i sistemit të meritokracisë dhe vlerësimi i kontributeve të gjithsecilit do të jenë dy gurët e themelit të punës sime”. Nga kjo kuptojmë se Në PD dhe FRPD sipas Këlliçit nuk ka meritokraci, pasi ky do t’i “rikthejë” ato. Nga ana tjetër ai është shprehur gjithashtu se në PD, ai vetëështë ngritur shkallë-shkallë deri sa arriti të bëhej pjesë e Këshillit Kombëtar të PD. Pra i bie që në PD dhe në FRPD paska meritokraci, ose Këlliçi mund të jetë rast që ka hypur në “ashensor” politik. Gjithsesi, mënyra se si Këlliçi e vë në pikëpyetje meritokracinë në PD, duke lënë të kuptohet se nëse merr kreun e FRPD-së do të ndërmarrë disa “reforma” jo të këndshme, jep përshtypjen se do të veprojë me demokratët e rinj ashtu si qeveria e “rilindjes” me “socialistët e ndershëm”. Nga ana tjetër kreu i FRPD-së, Gert Bogdani, arriti të zgjidhej President i Unionin Ndërkombëtar të të Rinjve Demokrat, që është një arritje jo vetëm për FRPD por për të gjitha forumet politike në Shqipëri. Dhe që Bogdani të arrinte deri aty, mbështetja nga PD ka qenë e madhe. Pra ka një sistem meritokratik edhe në PD.

Në të kundërt të Këlliçit, Ervin Salianji në daljet e tij mediatike flet me respekt për të kaluarën e FRPD-së, gjithmonë duke qenë i hapur për risi progresive. Dhe kjo mënyrë e të parit të gjërave vjen për faktin se Ervin Salianji realisht është ngritur gradualisht në shkallët e vendimmarrjes në PD, duke filluar shumë vite më parë si një anëtar i thjeshtë dhe me dëshirë për të kontribuuar.

Përfundimi

Është e qartë për sa u tha më sipër, se zgjedhja e Ervin Salianjit në krye të FRPD-së përbën një problem për forumet rivale, për faktin se ky i ri është i përgatitur dhe ka një përqasje perëndimore të të konceptuarit të gjërave, që kandiatët e tjerë nuk e kanë. Pra nëse do të isha një “dashakeqës” i PD-së, do të bëja çmos që kësaj force politike t’i hiqja me çdo mënyrë elementin Ervin Salianji.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s