Kategori
Uncategorized

Si i vrame xhandaret me urdher te Mugoshes.

 

Ky është trakti me numrin 3, që Xhelal Staravecka, kishte publikuar menjëherë pas dezertimit të tij nga Ushtria Nacional Çlirimtare. Një ditë para se të publikonte këtë trakt Staravecka njoftonte në traktin e ditës me numrin 2, se të nesërmen do të sillte dokumente mbi torturat çnjerëzore dhe vrasjet makabre me urdhër të Dushan Mugoshës.

Dhe ashtu sikurse kishte lajmëruar në traktin e radhës, pra ky që po sjellim më poshtë, Staravecka flet për torturat çnjerëzore. Ai shpjegon se në Brigadën e parë aplikonin dy dënime. Dënimi me një nen që do të thoshte dënim me pushkatim dhe dënimi me dy nene, që siç shpjegon ai: ”kur ndonji fatkeq dënohesh me dy nene donte të thoshte torturë nja katër orë të paktën e ma në fund – në qoftë se i mbetesh ndonji pikë shpirti – plumbin”.

Pasi ka treguar ekzekutimin e tmerrshëm të një tregtari tiranas ai ka rrëfyer edhe për kapjen e një grupi xhandarësh dhe kapterit të tyre, të cilët I sjell me emra dhe m♪7 pas tregon se si i kishin pushkatuar të gjithë me urdhër të Mugoshës. Më poshtë, në traktin e Xhelal Staraveckës me numrin 3 jepen të gjithë hollësitë e këtyre krimeve.

Trakt’ i III.

Këtu poshtë po botojmë traktin e tretë me të cilin Xhelal Staravecka deri dje nji ndër komandantat ma të shquem ë kuadrove të Nacional-Çlirimtares, fillon të qesi në dritë krejt veprimtarinë e aparatit të Partisë, qi po zhvillohet vetëm e vetëm për përmbysjen dhe shkatërrimin e Nacjonalizmës Shqiptare.

Cili asht objektivi i patis teroriste Komuniste për t’arrijtur me anën e ushtris së krijuar me emnin ushtrija Nacjonal-Çlirimtare? Cili sekret mëshihesh në këtë ushtri? Shumë e vështirë ma përpara dhe shumë e kollajt tashti qi e hoqi maskën e saj pa marrë mirë fuqin në dorë për të lozur dramën ma tragjike q’imagjinon mendja e njeriut.

Objektivi ka qenë përmbysja, rrenimi, shkatrrimi, shkallmimi dhe zhdukja e popullit shqiptar njiherë e përgjithëmonë. Atë qi nuk mundi dot Turqija t’a bante në nji kohë të gjatë pesëqind vjeçare, atë qi nuk do bante fashizmi për njizet vjet, Partija Komuniste teroriste DUSHONO-MELADINISTE e filloi dhe me suksesin qi pati me dredhinat dhe dinakëritë djallzore, me grackën e ngrehur me mjeshtrinë ma të hollë do t’a arrinin pikën e caktuar t’asgjësimit të Shqiptarve në nji kohë jo ma të gjatë se motmot qysh prej datës së heqjes së maskës punve të tyne antishqiptare.

Unë premtova dje se në traktin e sotshëm do të flas me fakte mbi torturat ma të ashpra se ato t’inkuzicjonit të Spanjës dhe të çdo gjyqi mesjetar qi janë bërë prej dorës së DUSHANIT shqiptarve të pafajshëm ose dhe atyne të fajshëmvet, por të paktën t’u jipesh nji plumb dhe jo tortura të tmerëshme. Brigata kishte qindrue në katundin Fravësh ndoshta të rrethit të Tiranës; q’andej ndaheshin batalionet në pika të ndryshme për të goditur armikun okupator e natyrisht, sipas direktivës, edhe trathtarët e vendit.

Në grupin e trathtarve të vendit tashti në kohët e fundit nuk përmblidheshin si ma përpara vetëm ata qi i shërbenin okupatorit, por dhe të gjith ata qi nuk ishin lidhur me luftën Nacjonal-Çlirimtare (GËNJESHTARE); me fjalë të tjera gati shtatë të dhjetat e popullsis qi ndodhesh nën rrezen e flagës teroriste të propagandës DUSHANO-MELADINISTE. Oh! Ç’varr i qe përgatitur popullit Shqiptar; gjith kjo popullsi ishte destinue të kalonte nën thikën e terrorit. Me bataljonin qi komandoja unë filloi goditja e okupatorit prej katundit Bërzhitë të Petrelës deri tek kazermat e Xhenjos në Tiranë.

Gjatë veprimeve si qendër të këtij batalioni kishim Priskën, dhe kur batalioni i tërë hynte në goditje lijshim nji pjesë të vogël partizanësh me ndonji përgjegjës për ndërlidhje. Mbas tetë ditësh goditjesh deri tek ajo e fundit afër kazermës Xhenjos u këthyem të pushojmë dy ditë. Kur arrijtëm në priskë ku atje kishte ngelë për ndërlidhje Kom.

Politik i batalionit, Myslim Shyri shum i njohur për Zotësi luftarake (të mos bisedojm për atë politike) shofer i autoton trokvet të Fordit, mysafir i cepave të rrugve dhe i nën uravet, pijanec e i pa skrupul, ky miku ma i ngushtë i DUSHANIT kishte kapur nji gjah tepër të mirë: nji tregtar tiranas qi kishte ardhë te miku i tij në Priskë.

Tregtarin tiranas, nuk ia mbajë mirë mend emnin por më duket Abdullah, e kishte arrestue dhe e kishte dënue me nji nen d.m.th. me vdekje. Neve kemi pasë dy nene; kur ndonji fatkeq dënohesh me dy nene donte të thoshte torturë nja katër orë të paktën e ma në fund – në qoftë se i mbetesh ndonji pikë shpirti – plumbin. E pyes shokun komisar sepse mbahesh i arrestuar ky civil: “Me i dhanë gjysmën e lekut” përgjegj ai. N’atë anë të Tiranës gjysma e lekut do të thotë plumbi. Po pse? Ç’faj ka bërë? E pyes unë.

“Ka qënë polic në kohën e Zogut” m’u përgjegj shoku komisar. Ah ç’rrebesh i madh për popullin shqipar. T’a vrasim pse ka qenë spiun në kohën e Zogut; ndoshta meritonte nji dënim, por jo në këtë kohë, pse neve me Zogistët ishim lidhur. Imagjinoni vetë se ç’mundim kam hequr për të ndaluar vendimin e komisarit t’im aqë koshient për të shpëtusr nga eksekutimi prindin e fëmijve të shkretë qi babën e dinin se kishte shkuar te miku në gostë.

Të nesërmen, më duket 9 Tetor 1943, Isa Toska i dytë (Mehmet Shehu) me një kompani nga Fraveshi vjen në Priskë të marë kontakt me ne. Ishte nisur dhe ky për një aksion brënda në Tiranë. Shkoi rrethoi xhandarët e post komandës të Varrit të Bamit dhe u thirri që të dorzohen. Xhandarët përgjigjen negativisht. Mehmet Shehu me një herë shkon në një shtëpi tjetër dhe pyet se ku është post-komandanti i asaj poste. E gjeti shtëpinë e post-komandantit e thirri dhe ai me një herë doli jashtë duke u vënë në dispozicjonin e Mehmetit me buzëqeshje dhe bile me vullnet të mirë.

Shkoi në post-komandë, u thirri xhandarëve të tij që të dorzohen “s’kemi asnjë rrezik se dhe këta janë Shqiptarë”. Xhandarët u dorzuan, u shoqëruan dhe u dërguan tek unë. Në mezin e ditës vjen dhe Mehmeti. Më thotë “bëj gjyqin”. Ç’farë poshtërsije! Gjyqi i tyre ishte i bërë, plumbi në kokët. Për formalitet, i mora në pyetje. E ç’farë pyetje? U muarëm vetëm emërat që i kam dhe sot në një defter shënimesh.

1) Kapter Adil Maksuti nga Marglliçi i Çamërisë, kish vetëm pesmbëdhjet ditë në shërbim, i pa pasur dhe fatkeq. Më se pesmbëdhjet vjet kish qënë puntor në lulishtën e Tiranës. Burr plak dhe tregonte i pa fajshëm;
2) Xhandar Prenk Marku nga Koçinara e Kthellës;
3) Zef Simoni nga Fishta e Zadrimës;
4) Prenk Lek Shkreli, nga Malsija e Shkodrës;
5) Prenk Kol Marku, nga Kaçimara e Kthellës;
6) Pjetër Shkjalleshi, nga Kthella.

Pesë të fundit kishin më tepër se një vit shërbim; natyrisht në mos një herë, një herë do të kishin hedhur pleh në arën e fashizmit duke i bërë dëm arës Shqiptare, prandaj u kufizova vetëm të shpëtoj nga vdekja kapterin pesmbëdhjet ditësh dhe e shpëtova. Pes xhandarët u pushkatuan. Kapterin sa do që e kishim falur e muarëm me vehte të mernim dhe pëlqimin e Dushanoviçit.

U kthyem në qëndër të Brigatës, në Fravesh, atje porsa arrijtëm i dhamë raportet verbale Komandantit terror Dushanoviçit, në mes të tjerave referuam çështjen dhe vendimin e Adil Maksutit. Dushani, Sal-a ynë i dashur, i priti raportet t’ona me atë seriozitetin e tij njeri ngrënës dhe për kapterin tha: “ani, ani, po le t’a shohi dhe Tahiri një herë kapterin”.

Tahiri është Tahir Kadareja, nga Gjionokastra, me fytyrën e tij të shëmtuar si gorillë, por me një zemër të eshkët, është Dushani dytë. Ky shkoi e pa kapterin dhe kur u kthye simbas shkeljes së syrit Dushani tha: “ai kapter duhet vrarë pse ka qënë milic më 1918”.

Ah, ç’fatkeqsi! I vrasin njerzit pse kanë qenë milicë në 1918! Ah, ç’kontrast! Tahiri gjasht vjeç në 1918 i mbështjellë me fustanin e fëminisë rreth avllisë së shtëpisë së tij në Gjinokastër, njeh Adil Maksutin nga Çamërija që ka qënë milic. Adil Maksutin e vranë. E vranë për dy gjëra; për të shuar etjen e gjakut që Dushani është i uritshëm të shohi orë e çast çurga gjaku nga trupat e Shqiptarve dhe e dyta për të marë ato të shkreta rroba që kish veshur. Thomëni, thomëni e kundërshtomëni.

Nxirmëni gënjieshtarë o terroriste, merni kurajo e përgënjeshtroni këto fakte. Jo, nuk futet shtiza në thes. Atë ditë kemi vrarë 13 viktima të pa fajshëm atë ditë janë bërë torturat prej Dushanit vetë, ato që ai i quan të zakonshme; pa më pyesni mua? Edhe unë kriminel jam, shpirt fort, zemrën t’eshkët e kam, gjumi natën më del nga tmerri; ah, sa lark unë nga ata!

POPULL! Këndoje; këndoje mirë’ pyet dhe heto, thirri dhe mbushe mendjen se neve kemi qënë ujk për ty, neve të kemi premtuar gjyqin t’ënd, neve ju kemi kërcnuar të tjerëve, të fajshëm dhe të pa fajshëm, se do t’i gjykonje ti, se do t’a bënje ti gjyqin t’ënd, se do të vendosnje ti mbi jetën dhe vdekjen e fajtorëve; po thuam, thuam, kur të kemi pyetur? Po thuam, thuam, kur ke marrë ndonjë herë në gjyqin t’ënd fajtorët? Asnjë herë. Kur ndonjeri prej popullit kish kurajon dhe thosh: “si u bë kjo punë?” ne përgjigjeshim: “është punë për Europën”.
Ah, gënjeshtarët ne! Mbillnim demokracinë dhe kornim didaktorinë.

Besa e Zotit të erdhëm hakut, t’a kishim nisur hoxhën për talikinë, a po priftin për thirrjen e fundit në varrin që kishim hapur për mëshirën t’onë ty o popull s’të kish ngelur tjetër gjë veç mbarimi yt katastrofal. Poshtërsisht të kishim pregatitur një pusi akoma më të madhe në qoftë se nuk do të ishte e mjaftueshme masakra që do të bënim tek ti dhe vllavrasja në të cilën të kishim futur.

Do të të prishnim edhe me aleatët që me aq gjak e mundime e arrijtëm ditën e lumtur të njihesh si një shtet liridashës. Dokumentin e kemi në dorë e do t’a japim që t’i bësh gjyqin klikës trathëtare Dushano-Miladiniste. Ngrehu, o popull, hapi sytë, mblidhe vehten se në gërminë të kemi shpënë; jepna grushte vdekjeje ah, sa trathëti!

Ti na strehove në banesat e tua, ti na mbajte duke na përmbushur gjithë nevojat t’ona, to u sakrifikove pa asnjë dhëmbje vetëm e vetëm që të shikonje rrezen e dritës që ne gënjeshtarët të premtonim. Çou, çou nga gjumi, përzeri gjaktarët, zhduki të huajt dhe rrethoje Flamurin t’ënd të shënjtë për Shqipërinë e nesërme jo të coptuar, por integrale që natyra e ka falur.

Nesër akoma mbi torturat.
Poshtë terrori.
Jashtë të huajit.
Vdekje përçarësve
Rroftë Shqipëria integrale
Rrofshin Shqiptarët
Rroftë bashkimi Kombëtar.
Rroftë Ushtrija Kombëtare.

Dokumente si këta, na vlejnë shumë. Xhelal Staravecka, nji mik i popullit e i nacjonalizmës shqiptare, admirojet sot prej të gjith atyne qi Shqipnin e kanë në zemër e e mprojnë me çdo sakrificë. Por – siç na premton i naltpërmenduni – nëpër mjet të trakteve qi do të hedhi do ta sqaroj opinionin shqiptar edhe me fakte të tjera ma të vlefëshme, ma të randësishme e ma jetësore për katastrofën e soçme.
Neve i presim e do t’i ndjekim me shumë kujdes.

RROFTË SHQIPNIJA
enver

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s