Kategori
Uncategorized

Aristokrati Voskopojar Nikolaus Dumba, biznesmeni që financoi dhe mbrojti vlerat e artit botëror.

 

Komuniteti vllah i Shqipërisë ka nxjerrë shumë figura të njohura të rangut ndërkombëtar, njerëz që u bënë shumë të famshëm nga kontributi që dhanë në vende të ndryshme europiane ku jetuan, personalitete të fushave të ndryshme si ajo financiare, e ndërtimit, e artit dhe e tregëtisë. Një ndër figurat më të njohura, që i përkasin këtij komunitetit, është industrialisti multimilioner, vjenezi Nikolaus Dumba. Personaliteti i Nikolaus Dumbës është shumë dimensional.

Ai përveç se një politikan liberal i suksesshëm ishte edhe një industrialist i njohur dhe largpamës, përveç se një mbledhës i njohur veprash arti ishte edhe mbështetës i fuqishëm i artit bashkohor, ishte inisiator dhe finacues i shumë krijimeve të njohura artistike të cilat kanë mbetur në fondin e artë të kulturës botërore. Për dijeni të lexuesit, shkaku për të cilin vendosa të bëj këtë shkrim nuk është vetëm përshkrimi i figurës madhështore të Nikolaus Dumbës, por edhe kurioziteti për të zbuluar lidhjet e kësaj familje aristokratësh dhe patricësh me trojet tona shqiptare.

Ka shumë autor që kanë shkruar për prejardhjen, jetën dhe aktivitetin e pjestarve të familjes Dumba, sikurse janë të shumta variantet e prejardhjes së tyre në veprat e këtyre autorëve. Një punim shkencor nga dy autorë të cilët janë njohësit më të mirë të çështjes vllahe M.D. Peyfuss dhe E. Konecni, kanë shtjelluar disa risi mbi prejardhjen e familjes Dumba si dhe disa familjeve të tjera vllehe, të cilat lëvizën nga Voskopoja dhe rrethinat për t’iu shmangur djegjeve dhe plaçkitjeve të pasurisë dhe bisneseve të tyre nga sundimtarët e zonës.

Familja Dumba
Emri i familjes Dumba, e cila u vendos dhe jetoi në Vjenë, u dëgjua për herë të parë aty në vitin 1807 nëpërmjet një vllahu të quajtur Raphael Dumba, pjestar i komunitetit të madh grek të ardhur në Vjenë nga Maqedonia. Thuhet nga studiuesit që në mbarimin e shekullit të 18-të dhe fillimin e atij 19-të, kolonia e “grekëve” të Vjenës nuk ishte e përbërë vetëm nga pjestarë të një kombësie, por ishte një përzierje përsonash të besimit ortodoks me shtetësi të ndryshme, të cilët mblidheshin për të kremtuar meshën e tyre të shenjtë në kishën e njohur të TRINISE SE SHEJTE në Vjenë. Këtij komuniteti të madh që fillimisht u quajtën “Grekët dhe Vllehët” ju shtuan edhe ortodoksët serbë, bullgarë dhe shqiptarë.

Rreth mesit të shekullit të 18-të, grupi i tregtarve aromunë, të cilët deri atëhere së bashku me tregtarët grek-bullgare-shqiptarë kishin qarkulluar mallrat nëpërmes korridorit të Adriatikut, filluan të përdorin rrugë tokësore për qarkullimit e mallrave, tashmë nëpërmjet kontinentit, duke krijuar në vende të ndryshme (Serbi, Hungari deri në Vjenë) qëndrat e para tregtare. Përveç Thesalisë, që ishte zonë e njohur për prodhimin e pambukut, një zonë tjetër në kufijtë në mes Maqedonisë dhe Epirit (Shqipërisë së sotme) jo larg nga Korça, kish filluar të lulëzonte. Ky ishte qyteti me popullsi vllehe i Voskopojës, që u bë qëndra tregtare më e njohur e rajonit dhe që i përgjigjej plotësisht kërkesave në rritje të tregëtarëve vllehë për mallra.

Nga hovi dhe zhvillimi që pat (me Akademi, me shtypshkronjë) Voskopoja u quajt “Athina e kohës së turkut”. Në përgjithësi krejt zona në mes Beratit dhe malit të Gramozit deri në kufi me Greqinë, pat një zhvillim të madh ekonomik, gjë që solli dhe rritjen e numrit të bandave që plaçkitnin bizneset e sukseshme. Djegia në 1788-tën e Voskopojës, plaçkitjet e mëdha detyruan banorët dhe tregëtarët të kërkonin vende të tjera më të sigurta për të jetuar dhe për të bërë biznes. Vllehët filluan të emigronin në masë nga fshatrat në malin e Gramozit, në zona aty afër (Manastir), të tjerë ndoqën shembullin e paraardhësve të cilët kishin dalë me kohë në perëndim (Vjenë), si në rastin e Dinastisë Sina, apo të familjes Tirka. Edhe banorët e fshatit Vlastë / Blaci nga ku familja Dumba emigroi, u dyndën aty nga Voskopoja dhe nga mali i Gramozit. Në studimin e M. Peyfuss thuhet që: ”…një rrymë e madhe të ikurish nga Shqipëria përmbytën Sanxhakun e Sirozi pashait i cili ishte konkurenti kryesor i Ali Pashës”.

Si paraardhës i Dinastisë Dumba njihet bariu Celnic Dumba, i cili pati 4 fëmijë: “.. Mikelin, Nikollën, Rafaelin dhe një vajzë me emrin Peristera. Djali më i madh Mikeli përveç traditës familjare të mbarështimit të gjellëve, filloi të merrej dhe me tregëti. Ai pati 5 fëmijë, një vajzë (Maria, lindur 1796) dhe katër djelm: ..Teodorin, Nikollën, Rafaelin, Sterion i cili ishte i ati i vjenezit të famshëm Nikolaus Dumba”. Sterio Dumba pasi kish dëgjuar për fitimet në tregëti të bashkëqytetarve të tij vlleh, të cilët kishin emigruar në Austri, e sidomos për suksesin e madh të Simon Sinës, vendosi që me familjen e tij t’i drejtohej qëndrës së perandorisë, Vjenës.

Kështu që në vitin 1817 së bashku me vëllaun e tij më të vjetër Nikolausin të shoqëruar nga një karvan me ngarkesë pambuku, pas një udhëtimi që zgjati tre muaj arriti në kryeqytetin Vjenë. Në vitin 1819, së bashku me vëllezërit krijuan shoqërinë “Vëllezërit M. Dumba” e cila për pesë vite pat një fitim të konsiderueshëm të cilin e vendosen në aksione të shoqërisë. Mbas vdekjes së vëllezërve, në vitin 1844 Sterio Dumba u ba drejtuesi i vetëm i firmës me prokurën e të gjithë familjareve. Pas 8 vitesh, në 1852-shin ai ja kaloj firmën djalit të tij të madh Michael, por mbet aktiv si mbikqyrës i firmës me të drejtë nënshkrimi.

Talenti dhe zgjuarsia e Sterios në biznes e ngriti kapitalin e firmës në 2.048.143 Gulde. Megjithëse i pasur, ai nuk pranoi asnjëherë titujt aristokratik që i propozuan. Në janar të vitit 1828 u martua në kishën e Trinisë Shejte në Vjenë me Maria Curtin, të bijën e tregtarit të madh Michael D. Curti i cili kishte lindur në vitin 1764 në Voskopojë. Me Marien, Sterio pat dy djelm: 1828 lindi Michael e pas dy vjetësh Nikolaus. Sterio vdiq dhe u varros me 31 janar 1870. Sipas një lajmi të kohës, në varrimin e tij morën pjesë me mijëra qytetar, sikur të ishte një pjestar i familjes perandorake. Varri i tij gjendet në varrezën qëndrore të Vjenës në sektorin e varreve greke, parcela 30 A, strehimi 3.

Nikolaus Dumba
Industrialisti milioner Nikolaus Dumba (i biri i Sterios) lindi në Vjenë me 24 korrik 1830. Që në fëmijëri ai tregoi interes të madh për muzikën. Duke parë orientimin e fëmijës, familja e pasur e dërgoi në Gjimnazin Akademik, një shkollë shumë e njohur në Vjenë, nga ku mori kulturën dhe orientimin e duhur për karrierën e tij. I talentuar në fushën e tregëtisë, ai që i ri drejtoi fabrikën e përpunimit të pambukut, që ishte pronë e familjes, duke punësuar 180 punëtorë dhe duke i sjellë firmës fitime të mëdha. Nga kapitalet e mëdha që krijoi ai u bë zotërues i madh objektesh në Budapest të Hungarisë. Në vitin 1865, Nikolaus Dumba ndërtoi një pallat madhështor e përfaqësues në qëndër të Vjenës, në një nga rrugët më të famshme të quajtur Ringstrasse, i cili është në vetvehte një galeri arti. Për ndërtimin e këtij pallati ai ngarkoi dy arkitektë perandorak shumë të njohur. Pasioni i madh që Dumba kishte për artin, bëri që pallati të stolisej me veprat e piktorve më të dëgjuar të kohës të cilët ai i kishte edhe miq.

Piktori i njohur Hans Makart është autori i tavanit të pikturuar, vepër e quajtur “Alegoria e Muzikës” në dhomën e punës së Dumbës. Piktori Friedrich Schilcher i pikturoi një tavan tjetër që sot quhet “Schubert-Apotheose”, ndërsa miku i tij i ngushtë Gustav Klimt i stolisi muret e studios (mbiportat) me veprat e njohura si “Muzik” dhe “Schubert am Klavier”. Dhoma e famëshme e punës e Dumbës në Vjenë, ishte një vend kontaktesh për shumë artistë të famshëm si Johannes Brahms, Richard Wagner, Johann Straus, Franz Schubert, Johann Herbeck, apo njerzit më të përmendur të financave të perandorisë. Pallati u dëmtua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por u restaurua nga fondi i Bankës së kursimeve të Austrisë.

Në vitin 1870, Dumba u zgjodh anëtar i parlamentit të landit Austrisë së ulët, si dhe nënkryetar i komisionit të financave. Më pas u zgjodh si kryetar i komisionit të arsimit. Nga viti 1870 – 1885, ai u bë deputet i parlamentit austriak dhe pjestar i komisionit të financës. Ai i përkiste partisë së krahut liberal dhe ishte kryetar i “Klubit të së majtës” në parlament. Në shtator të 1885-sës, i propozuar nga perandori, ai mori titullin e përjetshëm “Pjesëtar Nderi i Shtëpisë Mbretërore”, një titull që i jepej burrave të shtetit, njerëzve të mëdhej të shkencës, të kishës, apo ndokuj për merita të veçanta. Në oborrin mbretëror, Dumba ishte pjesëtar i komisionit të buxhetit, në fillim si nënkryetar (1892) me pas (1895) si kryetar.

Ajo që e bënte Nikolaus Dumbën veçanërisht të njohur në rrethet e aristokracisë vjeneze, ishte dëshira e tij për të mbledhur, ruajtur dhe restauruar objekte arti. Duke qenë njohës dhe mbrojtës i mirë i artit, ai ishte pjesëtar i shumë shoqërive dhe organizatave të përmendura kulturore si: nga viti 1870 ishte Pjesëtar Nderi i Akademise Kombëtare të Arteve të Bukura, si dhe i Klubit të Artistëve të Arteve të Bukura. Ishte Kryetar i Lidhjes së Artit, Pjesëtar i Komisionit të Artit në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës Austriake, Anëtar i Komisionit Kujdestar të Muzeumeve të Artit dhe Industrisë të Austrisë, Nënpresident i Shoqërisë Kombëtare të Muzikantëve, Drejtues i Bordit të Shoqërisë së famëshme “Kori Vjenez i Burrave” për të cilin Johann Straus (biri) kompozoj valsin e njohur për kor “An der schönen blauen Donau”. Dihet nga të gjithë që për mbijetesën e këtij kori, Dumba i dhuroj shoqërisë 50.000 Gulde.

Si një personalitet me pasuri të madhe, industrialist i njohur, politikan i respektuar, Nikolaus Dumba kishte kontakte miqësore dhe bashkëpunimi me shumë yje të artit, financave e fushave të ndryshme në Austri, nga të cilat pati influencë të madhe në planifikimin, në ndërtimin dhe zbukurimin e qytetit, “të Vjenës së Re”. Veçanërisht emri i Dumbës është i lidhur me ndërtimin e shumë institucioneve apo ndërtesave të cilat janë monumentale për Austrinë si: …Godina e Shoqërisë së Muzikës ose siç njihet nga populli “Salla e Koncertit të vitit të ri, koncertit të Vjenës” ; dhe me Godinën e Parlamentit austriak. Edhe në varrezat qëndrore të Vjenës, Dumba u kujdes që të ketë një parcelë monumentale me varret e artistëve botëror Beethoven, Brahms, Makart, Mozart, Radetzky, Raimund, Schiller, Schubert.

Me rastin e 60 vjetorit, për kontributin e tij në mbrojtjen dhe mbështetjen e artit dhe shkencës, Bashkia e Vjenës vendosi ta shkruaj emrin e Nikolaus Dumbës në Librin e Artë të qytetarëve të nderit. Dumba u zgjodh nga bashkësia ortodokse greke e Vjenës, si udhëheqës i saj. Në mes të dekoratave dhe nderimeve të ndryshme ai pat: Kryqin perandorak të urdhërit të Leopoldit, Kurorën e Hekurt të Klasit II-të, Kryqin e Kalorësit të Franc Jozefit, urdhërin turk Mecidiye të Kl. II, Kryqin e madh ushtarak Grek, Kryqin e madh ushtarak Rumun, Kryqin e Komandantit të Dukës së Sachsenit të Kl. I.

Me 23 mars 1900, ndërsa gjendej në Budapest në mbledhjen e redaksisë të gazetës “Monarkia Austrohungareze në fjalë e shkrim”, ai pat një goditje në zemër e cila i shkaktoj vdekjen. U përcoll nga Budapesti drejt Vjenës me nderime të mëdha. Në Vjenë, arkivoli me trupin e tij i shoqëruar nga mijëra vjenez u varros në varrezat qëndrore të Vjenës në parcelen e quajtur “e grekve” deri sa në vitin 1903 u vëndos në një varr nderi në parcelën që ndërtoj vetë për përsonalitetet e famëshme. Varri i tij monumental është vepër e skulptorit Edmund Hellmer. Dumba njihej si admirues i Franc Schubertit. Ai këndonte vete me një zë të bukur tenori pjesë të Schubertit për rrethin e tij miqësor.

Ai u kujdes që monumenti i Schubertit të vendosej në parkun e qytetit, bëri me shpenzimet e tija restaurimin e varrit të Schubertit dhe i vendosi eshtrat e tij në parcelën e personaliteteve të nderit. Ai u interesua për mirëmbajtjen dhe grumbullimin e veprës së plotë të Schubertit. Mbas vdekjes së vëllait të Franc Schubertit, i cili zotëronte të gjitha dorëshkrimet e kompozitorit (1859), Dumba u kujdes që trashëgimia e lënë nga autori të mos shpërndahej e të humbiste. Më pas Dumba arriti të blejë nga përfaqësuesi ligjor i familjes së Schubertit, që ishte një nip i tij, me çmim të arsyshëm shumë dorëshkrime, por edhe mblodhi nga miq e të njohur të kompozitorit origjinale të mbetura apo të falura. Nikolaus Dumba zotëroj një koleksion të madh të objekteve origjinale të trashëguara nga Franc Schubert.

“Koleksionin tim me objektet përsonale dhe dorëshkrimet e Franc Schubertit, këtij mjeshtri të mrekullueshëm vjenez të muzikës, unë vendosa t’ja lë trashëgim Vjenës sime të dashur, me deshirën që ky koleksion të paraqitet me emrin tim kur të ekspozohet. Nqs grueja dhe vajza ime dëshërojnë të kenë ndonjë këngë nga ky koleksion, t’i jepen lirisht atyre”, kto ishin rreshtat që Dumba para se të vdiste shkroi në testamentin e tij, për t’i lënë qytetit të Vjenës një trashëgimi të paçmuar që përbëhej nga 200 objekte origjinale dhe partitura muzikore të Franc Schubertit. I gjithë ky koleksion, por edhe disa gjetje të mëvonshme, sot gjenden në bibliotekën e qytetit të Vjenës.

Dëshëroj të theksoj për lexuesin që, ndërsa po kërkoja varrin e Sterio e të Nikolaus Dumbës në varrezën qendrore të Vjenës, u ndodha përpara një surprize të bukur, që i bëri mirë krenarisë sime shqiptare. Në parcelën e personaliteteve të artit dhe shkencës e cila u ngrit me iniciativën e shpenzimet e Nikolaus Dumbës, ai ishte kujdesur që së bashku me figurat më të mëdha botërore të vendosë edhe varrin monumental të gjeniut të hekurudhave, shqiptarit Karl Gega. Nuk mendoj se është një rastësi, që eshtrat e Nikolaus Dumbës prehen përjetësisht në krahun e djathtë të varrit të arkitektit Karl Gega.

Aristokrati voskopojar

Aristokrati voskopojar

Aristokrati voskopojar

Aristokrati voskopojar

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s