Për herë të parë, raporti sekret që Spiro Koleka i dërgonte Enver Hoxhës, ku për të rrëfyer zellshmërinë e atyre që punonin për diktatorin ku rrëfehen krimet monstruoze dhe ku për statistikat.
Nëse kishe vrarë dikë shanset që regjimi komunist të të dënonte me vdekje ishin të mëdha, por asnjëherë aq të mëdha sa të atij që akuzohej se kishte folur keq kundër partisë apo ishte klasifikuar në listën e të ashtuquajturve armiq. Në letrën që Spiro Koleka, nënkryetar i Presidiumit Popullor, i shkruante diktatorit Hoxha, shpjegohen qartë pse të dënuarit për krime politike apo siç cilësohen këtu krime kundër shtetit, dënoheshin më shumë me vdekje, gati dyfishi i të njëjtit dënim të dhënë për të dënuarit për vrasje. “Punonjësit tonë, krimet kundër shtetit (sabotimi, arratisja dhe puçet) dhe autorët e tyre i urrejnë, i luftojnë dhe i dënojnë pa asnjë rezervë, pse rrezikshmëria e këtyre krimeve është më e qartë për ta. Por krimet e tjera, si vrasje, rrahje, fyerje, vjedhje, dëmtime të pronës socialiste nuk i kuptojnë kudo e kurdoherë sa e si duhet”, – shkruan Koleka. Kjo është dëshmi e qartë pse vrasjet dhe ekzekutimet të lidhura me krimet politike janë rreth dy herë më të larta se ato për krimet ordinere. Po ashtu është e qartë pse njerëzit që akuzoheshin për krime politike, edhe pse në pjesë më të madhe intelektualë e të shkolluar faleshin disa herë më pak sesa ata që akuzoheshin për vrasje banale. Të dhënat deri më tani të papublikuara zbardhin njëkohësisht edhe vitet më të egra të regjimit komunist. Në një raport, kur për dënimin me vdekje flitet si për “planin 5-vjeçarë të duhanit”, theksohet se vitet 1952 deri 1954 e më tej vitet ‘75-‘77 janë vitet me numrin më të madh të të ekzekutuarve për krime politike. “Ndërsa në vitet 1975-1977 ka një farë ngritje, si pasojë e punës armiqësore të puçistëve në ushtri, e grupit të sabotatorëve në ekonomi dhe i atij në fushën e kulturës dhe të arteve, që u goditën nga Plenumet e IV, V, VI, E VII të Komitetit Qendror të Partisë”, thuhet në letrën që Koleka i dërgon Hoxhës. Më poshtë gazeta publikon të plotë raportin, por edhe të dhënat dhe dënimet me vdekje në vite. Presidiumi i Kuvendit Popullor Dosja Nr.118 Viti 1977 Tiranë më 10.12.1977
Viti 1977
Tepër sekret
f. 489 10.12.1977
Dosja 118
Enver Hoxha kërkon relacion mbi dënimet me vdekje për krimet kundër shtetit për periudhën ndër vitit 1950 – 1977. Për të raportuar ngarkohet nën/kryetari i Presidiumit të kuvendit popullor Spiro Koleka. Ky i fundit raporton pas një pune disa ditore:
1- Prej vitit 1950-1952 nuk ka evidenca të sakta në Gjykatën e Lartë
2- Për periudhën 1952-1955 janë dhënë nga Gjykata 90 dënime me vdekje
3- Prej tremujorit të parë të vitit 1955 e deri më 10.12.1977 për krime kundër shtetit janë dënuar 3337 nga këta janë ekzekutuar 1494 mes të cilave edhe 10 gra
Enver Hoxha kërkon nga Presidiumi i kuvendit Popullor një relacion për të dënuarit me vdekje dhe të pushkatuarit prej vitit 1950 deri në vitin 1977. Me këtë punë ngarkohet Nën/kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor Spiro Koleka, i cili pas disa ditësh i dërgon relacionin Hoxhës me të gjitha detajet ku i shkruante: “Ne prej vitit 1950 deri në vitin 1952 nuk gjetëm asnjë vendim të saktë në Gjykatën e Lartë ndaj dhe nuk mund ka asnjë të dënuar të dokumentuar për këtë periudhë. Ndaj dhe në relacionin tonë kemi shënuar të dhënat prej vitit 1952 e deri në 10.12.1977. Për këtë periudhë për krime kundër shtetit janë dënuar 3337 nga këta janë pushkatuar me vendim gjyqi 1494 vetë nga të cilët edhe 10 gra”. Duke iu referuar pikërisht këtij raporti bie në sy mosha mesatare e të ekzekutuarve që ishte 41-vjeç. Nisur nga ky raport pa vendime ekzekutimi është operuar në vitet 1952-1955. Po ashtu një e dhënë tjetër e rëndësishme që mungon është ajo e numrit të të ekzekutuarve nga dhjetori i vitit 1977 deri në vitin 1990. Nëse do të gjykohet realisht këtyre statistikave u mungon edhe numri i të pushkatuarve, ekzekutuarve, para vitit 1952. Për të llogaritur saktë eliminimet në regjimin totalitar duhet të shtosh edhe të vdekurit nën torturë, në izolim apo dhe në burgje apo kampe pune. Relacioni i Spiro Kolekës për Enver Hoxhën ishte disa faqesh dhe ajo që të bie në sy është fakti se ai i ngjante atyre raporteve që i dërgoheshin diktatorit nga Ministria e Bujqësisë së asaj kohe për realizimin ose mos realizimin e fushatës së korrje shirjeve dhe magazinimeve.
Revolta e Spaçit
Për të konkretizuar këtë po japim një nga vendimet e gjetura në dosjet arkivore. Ky është vendimi nr. 491/1 i datës 24.05.1973 që flet për ridënimet e të burgosurve të Spaçit pas revoltës që datonte 21 majin e atij viti dhe zgjati tre ditë. Në këtë vendim thuhet se u ridënuar 12 të burgosur nga të cilët 4 u ekzekutuan. Më konkretisht të ekzekutuarit ishin Skënder Qemal Daja, Dervish Enver Bejko, Pal Gjergj Zefi, Hajri Zenel Pashaj, të rinj fare në moshë. Tetë të tjerët u dënuan me 25 vjet burg. Aranit Çela në relacionin e tij në relacionin e tij në Presidiumin e Kuvendit Popullor të atëhershëm shprehej: “Ndoshta në kanë shpëtuar edhe të tjerë nga vdekja, por atje nuk mund të dallojmë dot se kush është më armik i popullit, por më shumë dallohej ai do fliste dhe hidhte parulla Hajri Zenel Pashaj nga Hekali i Mallakastrës. Edhe ky i dënuar u tërbua kur pa zëvendësministrin e Brendshëm. Parullat që hidheshin ishin: Poshtë komunizmi , Ja vdekje, ja liri , Rroftë Evropa e lirë , Poshtë Partia e Punës , Rroftë Shqipëria e lirë , Juve u është ngushtuar rrethi , Ne do të zëmë vendin tuaj , Ju do të vini këtu ku jemi ne , e të tjera”. Ky është procesverbali i mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor datë 24 maj 1973 ora 19:30. Mbledhja kryesohej nga Kryetari Haxhi Lleshi, me pjesëmarrjen e nënkryetarëve Rita Marko, Myslim Peza, Shefqet Peçi, sekretarit Bilbil Klosi, dhe anëtarëve Pilo Peristeri, Kareman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu. Bazuar në dokumente se gjithë këta “Burra shteti” nuk gjykuan se ishte e drejta e të atyre njerëzve që ishin dënuar më parë se nuk e deshën komunizmin dhe shtetin e tij në Shqipëri, ndaj dhe u ngritën në revoltë. Kushtet në të cilat punonin ata në minierë ishin skandaloze dhe gjithë këtë ata e bënin vetëm për një garuzhde gjellë, 800 gram bukë dhe një palë kominoshe doku. Duke pasur parasysh punën e rëndë vetëm pse nuk e realizonin normën vetëm me 3 për qind, këta persona torturoheshin pa masë dhe keqtrajtimet arrin deri aty sa t i mbyllnin në izolim. Është rrëqethëse të thuhet se atyre njerëzve iu vinin familjet nga Devolli, Konispoli dhe Tropoja, por ktheheshin pa i takuar ngaqë nuk lejoheshin. Dihej se ata njerëz ishin dënuar si kundërshtarë të regjimit dhe kuptohej se do të flisnin keq për të. Edhe pse ky ishte realiteti sigurimsat i dënonin përsëri se ishin armiq dhe duke i thënë: “Pushteti popullor ju mban mirë se ju e doni atë”. Por dihej se sa mirë i mbante ai pushtet. Kështu dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor me “gjykimin e drejtësisë” la në fuqi vendimin e Kolegjit të Gjykatës së Lartë nr. 1, datë 24.5.1973, dhe brenda ditës i pushkatuan. Në revoltë ishte i gjithë kampi, por këta dënuan 12 vetë për presion dhe nënshtrim tek të gjithë të dënuarit e atij kampi dhe në burgje e kampe të tjerë te vendit.
Raste ekzekutimesh
I dënuari me vdekje Mark Tom Rozhani, (po i referohem vendimit nr. 46 datë 04.09.1976 të Gjykatës së Pukës) thotë: “Ky shtet i ka ditët e numëruara… Fshatarësia po vuan shumë. E afërt do të jetë dita kur do të shpëtojmë nga kthetrat e komunizmit. Këta nuk kanë jetëgjatësi as 2-3 vjet…Do të vijë haka tek i zoti…të gjithë këta do të kenë fatin e Beqir Ballukut…”. të gjitha këto deklarata kundër pushtetit komunist ai i pranoi burrërisht edhe në gjyq. Mark Rozhani nuk pranoi akuzën e dytë atë që ia kishin vendosur për ta diskredituar, pra vjedhjen, dëmin ekonomik gjoja të shkaktuar në shumën e 11.500 lekë. Megjithatë Markun e pushkatuan dhe tre fëmijët e tij mbetën jetimë dhe nën presionin e vazhdueshëm të luftës së klasave që do ti ndiqte deri sa të kishin jetë. Tashmë ata fëmijë janë rritur dhe madje kanë krijuar familjet e tyre. Pasardhësit pyesin se ku e ka varrin gjyshi që të vendosin mbi të një tufë me lule, por fatkeqësisht ende ata nuk kanë asnjë të dhënë se ku prehet Mark Rozhani. Nuk kanë reshtur edhe ngacmimet dhe provokimet e Sigurimit të Shtetit ndaj njerëzve si këta, pasi edhe lufta e klasave drejtohej nga të pashpirtët, djallëzorët dhe persona pa gjak të pastër shqiptari.
Ka mjaft ngjarje tronditëse që edhe gurin e thërrmojnë. Një prej tyre është edhe ajo ç ka ka ndodhur me Ahmet Arif Myrtaj nga Shiroka e Shkodrës. Ahmeti punonte në peshkim e meqë jeta i ishte bërë e padurueshme mendoi të arratisej në Mal të Zi me gruan dhe tre fëmijët. Më 31 gusht 1976 rreth orës 24:00, teksa ishte duke kryer edhe shërbimin e radhës në kantierin e peshkimit në Shirokë hedh hapin e rrezikshëm të arratisjes familjare. I hipin anijes dhe nisen drejt një jete më të mirë. Por papritur nis shiu dhe pas tij një furtunë e madhe, që i mori jetën gruas dhe tre fëmijëve të tij, por ai nuk mund të ndalej sepse në zyrë kishte lënë një letër ku shante partinë, pushtetin e Shkodrës dhe regjimin e Enver Hoxhës. Pak pasi doli në breg dorëzohet në policinë serbe në Tivar. Serbët nuk pranuan ta mbanin, por e kthyen në Shqipëri dhe tashme ndodhi ajoi që pritej, edhe atë e pushkatuan ditën e krishtlindjeve më 25 dhjetor të vitit 1976. Kështu nga kjo ngjarje humbën jetën plot 5 persona, u shua një familje.
Vdekje nën torturë
Duke iu referuar dokumenteve arkivorë ngelet një ngjarje tejet e dhimbshme edhe ajo e familjes Grabova nga Sevasteri i Vlorës, një familje me të kaluar të lavdishme në historinë tonë kombëtare, anëtarë të saj kanë marrë pjesë në Luftën heroike të Vlorës si dhe kanë ndihmuar Luftën antifashiste. Rushit Grabova së bashku me të vëllanë, Fiqiriun dolën partizanë. Pas çlirimit Rushiti ishte sekretar i Rinisë në Durrës. Katër vjet më vonë, pra në vitin 1948 atë e arrestuan në Vlorë dhe e torturuan aq shumë sa ju vdiq në duar xhelatëve të Sigurimit të Shtetit. Menjëherë pas kësaj nisën edhe persekutimet ndaj familjes Grabova. Pra ndihmën që ata i dhanë luftës, komunistët ia shpërblyen me të keqe. Sigurimi nuk ndalej para asgjëje. Këtë e vërteton edhe rasti i ekzekutimeve të Hajri Mahmutaj dhe Adem Memaj, të akuzuar për pjesëmarrje në Kryengritjen e Zhapokikës, por meqë Gjyqi i Popullit nuk i dënoi se nuk kishte prova për ta, xhelatët e Sigurimit i torturuan aq keq në Biruca dhe për më tepër i varrosi të gjallë.
Krimet e Sigurimit
Për të vërtetuar krimet e Sigurimit të Shtetit po i referohem edhe një tjetër dosjeje me numër 57 të marrë nga fondi nr. 14 që man datën 01.11.1948. Sipas të dhënave të dosjes Sigurimi i Shtetit mbante nën kontroll kantierin e serës në Selenicë të Vlorës. Ata ndaleshin me mënyra për të vënë në shërbim të tyre tek njerëz të padëshiruar për sistemin në radhët e punëtorëve. Kështu deshën të vepronin edhe me Kaso Xheladin Xhelaj, Sefer Sulo Rokaj dhe të tjerë… Kaso Xheladin Xhelaj rishte nga një familje patriote, fisnike dhe e njohur. Kaso Xhelaj kishte qenë një nga punëtorët kryesorë të kantierit të Kuçovës që organizuan grevën kundër padronëve italianë. Në Selenicë njerëz të Sigurimit kishin dashur ta vinin në shërbimin e tyre, por ai i refuzoi duke pranuar hetuesitë e rënda dhe torturat çnjerëzore. E dënuan, por Peç Teku, një burrë i veçantë me zgjuarsi të rrallë mbeti deri në fund një kundërshtar i sistemit komunist. Sefer Sulo Rokaj, edhe ky një njeri fisnik, ish-partizan punonte gjithashtu në minierën e serës. Sigurimi modifikoi arrestimet dhe goditjen e elementëve të mirë. U dënuan disa persona dhe vuajtën padrejtësisht shumë familje. Në një dokument të Sigurimit me nr. protokolli 2/1 datë 04.02.1948 feta 71 ku analizohej gjendja politike në Selenicë shkruhej: “Që nga vitit 1948 miniera jonë ka pasur ndryshime, elementi reaksionar u izolua….”. Selenicarët karakterizoheshin atje si njerëz të thjeshtë, punëtorë, dhe që e njihnin mirë minierën dhe shoku-shokun. Për ta thuhej se s kishin ç të bënin, duke lënë të kuptohej se ndihej një farë keqardhje për ta…
Nga të tjerë dokumenta sekretë të Fondit 489 që mban vitin 1977, fleta 1-47 jepen të dhëna për Haki Murat Veizin nga fshati Usaj i Mallakastrës. Ky person ishte dënuar në vitin 1949 me vdekje (me pushkatim) nga Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës nën akuzën e krimeve kundër shtetit. Më pas Gjykata e Lartë e uli dënimin në 20 vjet burg dhe ky person u lirua në vitin 1960. por kur ishte menduar se kishte marrë fund historia e tij, 16 vjet më vonë atë e riarrestuan dhe plumbit që i shpëtoi në vitin 1949 nuk mund ti shpëtonte për të dytën herë. Pra Sigurimi i Shtetit nuk e la të bënte jetën e tij familjare, edhe pse ishte i moshuar dhe i pa shkolë. Edhe pse Hakiu mundohej të respektonte këdo, atë e kishin vendosur në shënjestër dhe e pushkatoi. Sigurimi e kishte etiketuar si “Grenza e zezë” për partinë dhe pushtetin dhe e çoi drejt vdekjes këtë fshatar të varfër dhe të pa shkollë.
Xhevahir Qazim Mançe nga fshati Bregas i Korçës do të kishte të njëjtin fat të keq si edhe edhunë të tjerë. Ai u gjykua nga Gjykata e Korçës e cila me vendimin nr 134 datë 29.06.1976 u dënua me vdekje (me pushkatim) nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit të asaj kohe, apo absurditeteve të tilla se kishte qenë spiun i italianëve që në vitin 1939 dhe se gjoja kishte dëmtuar kooperativës se kishte prerë dushk për bagëtinë. Kjo ishte një nga çuditë që servirte Sigurimi për Xhevair Mançen të pashkollë, “kulak dhe armik”. Syri dhe veshi i Partisë kishte zbuluar pas 37 vjetësh se ai fshatar i varfër kishte qenë spiun. Ai shërbim famëkeq nga njëra anë e quante armik të betuar të pushtetit dhe nga ana tjetër e quanin njeri që i kishte ardhur keq për komplotistët ushtarakë në Shqipëri. Nuk dihej se si ishte e mundur që një armik i betuar sipas tyre të kishte keqardhje për gjeneralët e kuq të komunizmit. Kuptohet se këto akuza ishin të trilluar nga njerëz injorantë të cilët donin të merrnin jetë njerëzish të pafajshëm.
Dënime flagrante
Një tjetër dënim tejet flagrant ishte ai që iu bë disa fshatarëve të Tërbovës në Vlorë, në maj të vitit 1980. Katër persona u dënuan me 41 vjet burg së bashku vetëm pas kishin pirë një gotë raki për një mikun e tyre i cili kishte qenë me Ballin gjatë luftës. Gjykata dha 10 vjet burg për Selim Qamil Metaj dhe Nexhip Pobrati, 9 vjet për Rrapo Neziraj dhe 12 vjet burg për Kudret Lamaj që ishte edhe i zoti i shtëpisë ku pihej rakia. Sigurimsat krenoheshin se dënuan një grup të rrezikshëm armiqësor, çfarë ironie! Dua të shkruaj edhe për një tjetër ngjarje që ka ndodhur në kampin e Burgut të Gosës në Kavajë. Një natë Sigurimi mori Ram Habilin. Ia zunë gojën me shami të mos bërtiste, e çuan deri afër tuneleve të rrethimit të kampit dhe e ekzekutuan duke e shpallur më pas se kjo ndodhi pasi ai kishte dashur të arratisej nga burgu. E njëjta gjë ndodhi edhe në burgun 301 në Bulqizë. Sigurimi mori natën të burgosurin Musa Qazimi dhe e hodhi në galeri, pas disa orësh u deklarua se ngjarje kishte qenë një aksident. Po në Bulqizë punonjësit e Sigurimit rrëmbyen Hysen Rakipin pasi shante komandantin e burgut dhe e pushkatuan brenda rrethimit me tela, edhe ky rast u paraqit si tentativë arratisjeje.