Kategori
Uncategorized

KODI I FJALËS

KODI I FJALËS
tregim nga Ilir Fatkoja.

Kamionin vjetran tip Skoda, apo turigjati, siç e thërrasin dashamirësisht, i prodhuar në kohërat e qyshkurit, a ndoshta bashkëmoshatar me stërgjyshërit e këtyre djemve e vajzave, e kishin sjellë për të transportuar një ngarkesë të veçantë. Në vend të trupave të stërmëdhenj të aheve të moçëm e pishave rioshe, atë ditë do të transportonte të rinjtë gjimnazistë për të hapur rrugë në Malësinë e Madhe.


Djemtë dhe vajzat po hypnin nga të gjitha anët e spondave me aq nxitim, sa përnjimend të jepnin përshtypjen se mezi e kishin pritur këtë çast. Ashtu, të pjergulluar pas njeri-tjetrit, nisën të këndonin e të valëvisnin shallet e kuq, duke përshëndetur të afërmit që kishin dalë për t’i përcjellë. Qe fillim qershori dhe vapa sapo kish nisur të shfaqte shenjat e para. Nga mesdita ajri bëhej më i ngrohtë, aq sa të krijonte një si ndjesi cingërisëse.
E mbushur tumbullazi me djem dhe vajza, karroceria dukej si një kuti sardelesh. Më së shumti rrekeshin të qëndronin tamam në cepat e arnuar të spondave, bile edhe duke u kalavarur fort, a thua se po kërkonin të fluturonin. Ndoshta donin të shiheshin më mirë prej atyre që po i përcillnin. Në të katër këndet qëndronin mësuesit, që përpiqeshin me sa mundnin të mbanin njëfarë rregulli.
Skoda u ndez me një uturimë të frikshme, si kollë e një tuberkulozi, duke pështyrë një re tymi të zi. Lëvizja me galop i dha fund shumë gjërave. Nxënësit shpinuan nga brenda hapësirës së spondeve dhe përcjellësit sakaq ngritën duart për t’u uruar me një zë të mjegullt një “ju qoftë rruga e mbarë”.
Aty në të errur, kamioni e preu fare kollën. Ndaloi. Të lodhurit nuk pritën urdhër, por u lëshuan nga të gjithë anët e shpinës së “turigjatit”.
-Mos u hapërdani, – u dëgjua zëri i mësuesit të historisë, – pasi shpejt do vendoseni nëpër baza.
Fjala e tij kishte peshë të veçantë edhe për faktin se ishte sekretar i partisë për shkollën. Jepte lëndën e historisë së PPSH-s, e cila kish filluar të futet në shkollë pas fjalimit të Kryekomandantit në Mat. Flitej nën zë se më parë kish pas qenë kryetari i këshillit popullor të fshatit të tij, porse diç paskësh katranosur dhe e paskëshin dënuar me dhjetë vjet burg. Nuk kishte bërë as dy vjet, pasi në vendin e dënimit kish mbajtur një qëndrim të atillë, që jo vetëm ia kish shkurtuar goxha kohën e vuajtjes, por i kish dhënë vetes mundësinë e një rehabilitimi tepër të shpejtë, për të mos thënë edhe të çuditshëm. Organizata bazë e kooperativës, që numëronte gjashtë anëtarë, e pati miratuar propozimin e Komitetit të Partisë së Rrethit, për t’i dhënë edhe njëherë dorën njeriut që kish gabuar, por që me punë ja kishte shpërblyer besimin Partisë.
Të gjithë u vendosën pothuajse dyshe nëpër shtëpitë e fshatarëve. Kishim mbetur gjashtë vetë: unë, maturanti, një i vitit të dytë dhe tre mësues…
-Ejani pas meje, – tha burri që kish drejtuar operacionin e shpërndarjes së njerëzve nëpër baza.
Më bëri përshtypje vetëm sasia e madhe e grupit që po shkonte në një familje të vetme! Në të tjerat i kishin çuar dyshe-dyshe…Kishte qenë vetëm një treshe… vajzat.

  • Nga pamja nuk të jep përshtypjen se ky njeri i përkiste llojit të mikpritësve, por kushedi – thashë me vete, – pamja nganjëherë edhe të gënjen.
  • A do të kishte vend për të na shtruar, – fillova t’i qaj hallin, se për të mbuluar mbase edhe nuk do të ishte shumë e nevojshme. Ne në këtë kohë në shtëpitë tona na mjaftonte vetëm një çarçaf i hollë…
    Shtëpia drejt së cilës po afroheshim ishte vërtetë e ndryshme nga të tjerat. Ajo i ngjante një lloj kulle-kala të ngjyer në një gri të thellë, e ngritur mbi supet e shtëpive e fshatit, por e mënjanuar dukshëm prej tyre; ish pjesë e një tjetër dekori. Burri që na shoqëronte ndali hapin dhe diç i pëshpëriti në vesh historianit të Partisë. Pastaj thirri dikë në emër. ”Zef” në mos gaboj…
    Një burrë trupmadh doli te pragu, qëndroi një hop, pastaj shtriu drejt nesh pëllëmbën e stërmadhe duke e shoqëruar me një si murmurimë që nuk arrita ta kuptoj dot. Mbase na uronte mirëseardhjen…
    Burri që na priti, pothuajse nuk u përshëndet fare me përcjellësin, bile m’u duk se e mbylli derën pak më fort se sa zakonisht. Mbase kështu m’u duk, nga që vetë nuk e kisha pëlqyer qysh në çastin e parë syshqarrthin thuthuq. Vetëtimthi më erdhi në kokë një ide e marrë, mbase ky duhej të ish zënë ndonjëherë me thuthuqin… Mbase….
    Dhoma ishte tepër e madhe, e ndriçuar nga disa shandanë të vjetër, por të bukur. Në ballë ishte oxhaku, ku bubulakeshin ende gjuhë flakësh…Në të djathtë qëndronte një i moçëm, që dukej më tepër i shugatur se i gjallë. Pamja e tij eshtanake ishte e mbuluar nga qime të argjendta, që i binin deri në kopsën e parë të këmishës së bardhë. Moçmani më tepër më ngjasonte me një skulpturë sesa një frymor. Nuk e di se si mu krijua ndjesia që kjo krijesë s’duhej shqetësuar… Le të rrinte sa më gjatë ashtu me përhumbjen e tij, me tisin e të qenit dy pamësor – njeri dhe skulpturë.
    Burri i shtëpisë na tregoi vendin se ku duhej të rrinim: në pjesën e dytë të dhomës, aty ku ishte i hapur një qilim i trashë, i pikturuar me ca si rombtha, që mund edhe t’i merrje si stilizime të shpezëve të egra. Edhe pse mund të ish goxha i vjetër, ngjyrat i kish ende të ndezura. Në pjesën tjetër të odës, përqark oxhakut ishin vendosur lëkura bagëtish me qime të gjata.
    Nuk duhet të ishin prej delesh, pasi postiqet (kështu i quanin në të folurën e tyre) ishin tepër të mëdha, qimegjata dhe me ngjyra në
    kafe e kaki. Mbi oxhak ishte një sixhade e vogël e kuqe me shqiponjën dykrenore në mes, por pa yll… Ishte vërtetë e bukur dhe me siguri tepër e moçme. Në oxhak zjarri ishte i ndezur… një kuti duhani… takëm kafeje… një lahutë….
    Kishin kaluar pak çaste kur i moçmi lëvizi paksa. Me një përkujdese thuajse prej skllavi, burri i madh iu afrua gjunjazi dhe diç i pëshpëriti. Moçmani na hodhi një vështrim të ngadaltë, thuajse po kërkonte të na shquante secilin veçmas, pastaj, si ndreqi butë qeleshen e bardhë na përshëndoshi:
    -Mirë se u ka pru zoti.
    -Mirëse ju gjetëm,- ia ktheu mësuesi i historisë i pari, i pasuar nga të tjerët.
    Pas kësaj përshëndetje, që m’u duk disi e akullt, pllakosi një heshtje e gjatë… Askush nuk po hapte gojë.
  • Shtëpia asht e zotit dhe e miqve… – foli moçmani.
    Burri i madh miratoi lehtas me kokë. Mësuesi i rusishtes diç deshi të thotë, por heshti. Ishte ndalur nga një goditje e lehtë e mësuesit të historisë.
    Moçmani e vuri re, kam përshtypjen, se u përtyp paksa. Mori mashën dhe trazoi pak zjarr në oxhak. Veprimi i tij, edhe pse dukej si të qe i natyrshëm, diçka mbarte… Ndjeva se diçka nuk po shkonte mirë. Një tufë gacash u shpërhapën me kërkëllimë. I foli burrit të madh me zë të ulët, por brenda fjalëve kishte nota urdhri:
  • Jepu muhabet mysafirëve.
    Ndërsa burri i madh u gatit të niste bisedën, mësuesi i rusishtes, një duhanpirës i shquar, nxori paketën “Luks”, hoqi një cigare për vete dhe zuri t’ua drejtojë edhe mësuesve të tjerë. Ata nuk nguruan të merrnin. Në fund, si të tregonte se qe dhe “i shëtitur” (në të vërtetë kishte qenë në ato kohëra nja dy javë në Moskë!) dhe se i përkiste “sojit” që i respektonte rregullat, i tha burrit të madh.
  • A mund ta tymosim ?
    Burri i madh mbeti një hop pa i dhënë përgjigje dhe pa nga moçmani. Mënyra se si këmbyen shikimet përsëri ma përforcoi mendimin se diçka nuk po ecte.
    M’u duk se plaku lëvizi trupin paksa mbrapa. Burri i madh, në vend që të çlirohej, u sterrua më tepër. “Rusishtja” po fuste paketën në xhepin e këmishës, kur moçmani i bëzajti:
  • Qitma edhe mue një duhan.
    Rusishtja i zgjati paqetën burrit të madh, i bindur se ky mund ta kryente më mirë se kushdo këtë shërbesë.
    Burri i madh u ngrys edhe më fort. Pashë pëllëmbët e tij që u shtrënguan më fort pas gjunjëve.
    Moçmani çeli paksa një cep të buzës…por nuk e mora vesh në se desh të thoshte diçka apo jo. Grimasën nuk ja shqova dot … U rreka të zhbiroj diçka më përtej por e pashë se më kollaj mund të gjeja fillin e Arianës se sa të fshehtën e atij veprimi. ! E mora për ngërdheshje, por që vinte nga një hon i panjohur për mua. “Po përse ngërdheshesh?” sa nuk thirra. Zgjata dorën dhe ia rrëmbeva paketën e cigareve “rusishtes”.
    Isha afër, mu në mes të tij dhe burrit të madh.
    I hodha një vështrim të shpejtë te shokëve të mi dhe pastaj mësuesve me radhë. Në fytyrat e tyre mbretëronte një qetësi e plotë.
    -Hej dreq, si të jenë marsianë – thashë me vete. Këtu diçka ka ngjarë…diçka nuk shkon dhe të gjithë këta as që e cekin fare! Kjo shfaqje është nisur keq. Kisha dëgjuar, por sigurisht edhe nga leximet, se teatri më i madh në jetë ishte pikërisht ai që luanin aktorët e jetës, kapmajsit e këtushëm. Bujtësit e zakonshëm dalloheshin nga miqtë e shtëpisë sidomos nga mënyra qysh i ndërtonin marrëdhëniet, si i kodifikonin dhe i shprehnin mendimet, kërkesat nëpër biseda. Gjithçka ishte e përcaktuar me rreptësi: jo vetëm fjalët por deri dhe gjestet, në përputhje me lëndën që ofronin. Njatjetimi, ndenja fjala…të gjitha lidheshin hollë dhe fort me njohjen e dokeve, zakonet dhe deri te kryeligji – kanuni. A nuk ishin gojëhapur e marrosur lord Bajroni, por dhe të tjerë nga shfaqjet e këtij lloji?
    -Pse po të pëlqen duhani i mësuesit, – mu duk se thashë.
    Vërtetë e kisha nxjerrë nga goja atë tog fjalësh apo vetëm e kisha menduar… Njëmend kisha nxjerrë zë… Duhet të kisha folur… ani pse mund të ishin dukur edhe pa lidhje fjalët e mija. Kisha folur përderisa po dëgjoja përgjigjen e të moçmit.
  • Asht i lidhun… prej fabrikës…
    Heshtje.
    Protagonisti kishte folur. Pusi i fjalëve të mia shteri. Mbase po të kisha pasur ndonjë sufler…
    Ndjeva që duart mu lagën nga djersa. Pashë edhe një herë nga “të mitë”, shokët dhe mësuesit. Ehë!, Mu bë se të gjithë më kishin braktisur… Fundi i dialogut po vinte… Mbase kishte ardhur dhe nuk po e dalloja… Sa shpejt! Që në raundin e parë… Ç’raund ! Që në sekondat e para…
    -Duhanin e lidhin burrat…
    M’u duk, apo sërish fola !?
    Vërtetë kisha folur dhe kjo ishte e rëndësishme. Por a kisha goditur? Maturanti shkurtan, që më rrinte në krahë më shkeli syrin.
    “Mirë ja fute.” Dukej sikur thoshte me atë vështrim.
    Moçmani më pa.
  • Kush shkepë duhan di çka ban…- bubërroi.
    Këtë rradhë m’u duk se kishte zgjedhur ”të shtinte me top”.
    Burri i madh më hodhi një vështrim të shpejtë që nuk arrita ta kuptoj në qe zhbirues a qortues, se menjëherë u kthye nga moçmani.
    Ndjeva dorën e “historisë së partisë” dhe pëshpërimën e lehtë në vesh:
    “Jepja matufit paqetën dhe mos e zgjat! ”
    Shkurtani kroi kokën. Ishte katër vjet më i madh se unë, por ishim shumë shokë. Na miqësonte më fort prirja për matematikë. Unë vazhdova për arte, ndërsa ai për matematikë… dekada më vonë do të bëhej profesor dhe ministër.
    Moçmani vazhdonte të mbante vështrimin nga unë. Dritëzat që dilnin nga thellësitë e zgavrave dukej se sillnin me vete edhe ndjesi prej ngadhënjyesi. Pak çaste më parë kisha menduar se drita e tij e diku humbur nuk kishte as më të voglin shans të gjallohej.
    Por ja që ajo kishte marrë jetë. Për më tepër, më dukej sikur të donte të thoshte.
    ” Hë maçoku i vogël, t’u sos fjala, ë ? ”.
    E kuptova se isha vetëm një zogth i vogël që kisha rënë papritur në kthetrat e fuqishme të skifterit.
    -Do t’më shqyejë… mendova.
    -Kemi bërë rrugë të gjatë dhe djersa e shiu na e kanë lagur duhanin. Ti gjysh e ke të terun, – fola duke përdorur në vend të foljes “tharë” në toskërisht, foljen “terun” në gegërisht. Dhe për të mos e lënë frazën të paplotë bëra me dorë nga kutia e duhanit.
    Moçmani nuk u ngut. Nuk më ktheu përgjigje, thuajse nuk kishte dëgjuar gjë. Më erdh në tru mendimi se mund edhe të ishte i shkarë nga veshët… Nuk isha i sigurt nëse ”grupi” e kishte pëlqyer ndërhyrjen time.
    Publiku i ftuar po bëhej protagonist në shfaqje. Edhe në teatrin realist socialist shqiptar , kohët e fundit kishin filluar normat e reja të dialogut skenë-sallë.
    Plaku mori kutinë prej oxhaku. E mbajti dy tre sekonda në dorë, thuaj se po e peshonte dhe ja dha burrit të madh. Ky e mori me përkujdesje, dhe ma vuri përpara. Në një të qindtën e sekondës më erdhi për të qeshur…Mu duk si një lloj solemniteti…protokolli…
    Kutia më kishte mbetur në dorë…
    U hutova.
    Moçmani mbase e vuri re.
  • Lidhe njo për vedi e ndajua edhe shoqve… – foli burri i madh. Ndesha në në thellësinë e shikimit të tij, ndoshta në retinë dhe për herë të parë m’u duk krejt njeri tjetër, i butë, paqësor…
    Hapa kutinë dhe pasi fshiva mirë në pantallona duart që më ishin lagur nga djersa u mundova të lidh një cigare. Më pas ja zgjata edhe mësuesve.
    -A bien borë andej nga ju ? –foli moçmani.
    M’u duk se pa vetëm kokën time të stërmbushur me flokët e zinj pisë.
    -Asnjëherë ,- tha shpejt e shpejt “kimija”.
    Heshtje.
    -Borë vërtetë që nuk bije, por ujrat i kemi të ftohta…- plotësova unë.
    I moçmi u shtriq një hop. Përkuli për herë të parë trupin paksa para, si të ishte kuçedra vetë që po përpiqej të më përthithte
  • Sa ke ?
    Heshtje.
    Ai po më gjuante…Mbase ngaqë kisha tentuar të hyja thellë diku. Nuk e di se ç’zanë a shtojzovalle i kisha shkelur… Por ai më shihte në kokë, në sy, në flokë…Sytë nuk e kishin tradhtuar ende…Edhe shqarthi do t’ ja kishte lakmi….
    Ndoshta ai donte të dinte deri në ç’lartësi mund të fluturonin krahët e brishtë të mendjes sime. Të ishte vallë kështu !?
    Heshtje.
    Publiku nuk kishte asgjë për të folur. Nëpër mjegullnajën e tymit që po formohej nga ndezja kolektive e duhanit, renda të ndërtoj togfalshin….
    -Gjashtëdhjetë,-thashë.
    Moçmani tundi kokën dy a tre herë. Nuk nxitoi të nxjerrë zë. Sytë e tij tashmë lëshonin vërtetë zjarr, por flakadana çuditërisht nuk po më trembte aspak… Bile më dukej se ajo mori gjuhësh zjarrtare kishte filluar të sillte fllade ngrohtësie. Moçmani nuk priti.
    -Qe, po ulna tridhetë e po bahena mocatar…- tha pothuajse me një frymë, sikur të ishte çliruar nga një barrë e rëndë.
    Burri i madh u ngrit paksa dhe duke mu drejtuar pa fjalë, ngriti dorën e majtë dhe më tregoi qoshen e oxhakut. Ishte vendi që do të më përkiste mua !
    Si në ëndërr u gjeta në anën tjetër të oxhakut.
    -Jepu buk’ bujtësve, se janë të lodhun. Po bjeru edhe mish! – urdhëroi moçmani burrin e madh. Ky brofi, thuajse e kishte pritur prej kohësh këtë fjalë.
    Mu duk se moçmani nuk po m’i ndante sytë… U kollit lehtë një çast… Kuptova që po gatitej të thoshte diçka… Tamam si artistët e mëdhenj kur nisin të recitojnë…
  • Mirë se të ka pru zoti, or mik. Kjo kullë kishte kohë pa miq…
    Nuk e di se si më erdhi. Ndjeva një diçka që kurrë nuk e kisha përjetuar…Nuk qe lukth dhimbje e shtërgimi, por një hapsirë në ngasje e etertë por që realisht ishte ashku i një bote tjetër, më të përtejme…Mu deshën pak hapa për …. Pa zënë ende vend në kënd, u rreka të dallojnë vështrimet e shokëve apo të mësuesve, në se edhe ata ishin në të njejtin tren me mua, por… më kot. U ngrita pak i mërzitur dhe nisa të hedh hapat drejt qoshes së përcaktimit, trekëndorit të Bermudo-Bjeshkës! Aty ishin…shtojzavallet, mitet, dy kohësitë M oçmani Gegë… Ajshtajni!
    Nuk ndjeja më asgjë, as peshën e vetes. Isha Miku i të moçmit, mosha e të cilit datonte me historinë. Kush e di se sa do të vazhdonte përhumbja ime, ndërsa tingujt e lahutës që kish nisur t’i binte i moçmi më shkundën.
    Fillimisht fjalët vinin si të zvargura, me njëfarë përtacie a ku e di se çfarë. Por më pas, sa vinte e kristalizohej fjala, ngjyrohej bukur e harmonishëm me zërin që nxirrte lahuta.
    -Hej dreq, – thashë me vehte. Këto duken si me pas lerë me njeri tjetrin.
    Megjithëse me vështirësi po arrija të kuptoja lëndën përse bënte fjalë rapsodia, një gjë e kisha më se të qartë. Moçmani po këndonte për mua – MIKUN!
    Nuk e di si m’u duk vehtja …
    Ktheva ngadalë vështrimin nga shokët dhe mësuesit, me mendimin se diçka kisha bërë, se ky i moçëm më kishte ….
    Por bashkudhëtarët e mi, nxënës dhe mësues po hanin me ëndje të madhe dhe as që u interesonte gjë tjetër veç pjatave të mbushura mirë të vendosur brenda një sinie të madhe. Dukeshin të lumturuar. Ushqimi duhet të ishte shumë i mire. Në një çast isha gati ta shndërroja vendin që më kishin ofruar me një pjatë gjellë me mish. Edhe unë isha i pangrënë si ata. Moçmani vazhdonte në të tijën, këndonte dhe i binte lahutës.
    Burri i madh u qëndronte gati bujtësve që mbllaçiteshin dhe që nuk donin t’ ja dinin as për lahutën, as për këngën që kishte nisur i moçmi dhe…as për mua që rrija atje si këndes buzë oxhakut.
    Moçmani vuri xhezven dyshe në zjarr.
    Në mëngjez na përcolli burri i madh. Ai deshi t’u japë nxënësve pak ushqim me vehte, por mësuesi i historisë nuk pranoi.
  • Drekën do ta hajmë në Tamarë…menca e repartit ushtarak është porositur për të na gatuar.
    Burri i madh u tërhoq butë duke na përshëndetur vetëm me një të ngritur të dorës së djathtë diku afër vetullës. Vështrimi i tij u ndesh për një çast me timin, por vetëm një çast, pasi ai u kthye vrulltaz dhe mori përpjetë shkallët e kullës.
    Rrugën deri në qendër të fshatit na u duk e shkurtër. Bisedat vërtiteshin rreth ushqimit të mirë dhe dyshekëve prej leshi që i kishin shtruar. Më tepër nga të gjithë fliste nxënësi i vitit të tretë dhe “rusishtja”.
  • A po nuk kishte një duhan, për kokë të duhanit…Si i vajti mendja të na mbështillte një gjysmë kile…
    Turigjata ishte gati dhe ne nisëm të hipnim nga të gjitha anët e spondave. Mësuesi i PPSH-së ishte shkëputur pa u vënë re dhe po bisedonte me një civil gjatosh.
  • Mbase është Sekretari i Partisë së zonës, -mendova ngaqë e pashë të veshur disi qytetarçe,.
    Edhe pse nuk kuptoja asgjë, nuk po më pëlqente mënyra se si “ historia e Partisë” po i fliste burrit gjatosh me një farë zjarmie të veçantë. Duart e tij eshtnake vazhdimisht ishin në lëvizje, a thua se nuk i mjaftonin vetëm fjalët për t’ja qartësuar të gjithë lëndën.
    Dukej se diçka të rëndësishme kërkonte t’i thoshte.
    Nuk e di ç’më mbajti aty te fundi i spondit dhe të mos afrohesha tek shokët e mij që kishin nisur të tregonin secili për hesap të vet historitë se si ja kishin kaluar mbrëmjen në këtë fshat të pothuajse të padëgjuar verior. Copat e bisedave të tyre më vinin të largëta, të copëtuara e pa lidhje. Desha t’i kthej shpinën historisë dhe të zhytem në vorbullën e zhurmshme të moshatarëve, mbase ndodhia jonë mund të ishte disi interesante për to, por një tjetër mendje, më thoshte se biseda e “ historisë së Partisë” po bëhej rreth meje, e kjo nga që hera herës mësuesi e kthente kokën shpesh nga makina. Gjatoshi vetëm dëgjonte, nuk fliste fare. Mbase edhe bënte sikur dëgjonte, se atij të “historisë së Partisë” nuk para i mbyllej goja kollaj. Që nga koha kur kishte qenë brigadier i traktoristëve qe mësuar vetëm të fliste, paçka se lëshonte kërruta a mufka, ç’rëndësi kishte, aq më tepër që pas kursit tremujor të partisë kish mbaruar edhe shkollën e mesme me korrespondencë! Ishte kuadër partie, e jo llafe.
    M’u duk se gjatoshi u mërzit. Diçka deshi të thotë, por “historia” gurgulloi me të tijën.
  • Ngjatjeta Ndue,- e përshëndeti gjatoshin një fshatar i ri.
    Ky, ja ktheu me një të ngritur të dorës.
    -Ngjatjeta Ndue Prenga…- e përshëndeti një tjetër.
    Ishte mbi mesoburrë, gati moçman. Ai qëndroi katër pesë hapa larg. Gjatoshi, i buzëqeshi dhe ja ktheu me përzemërsi:
    -Ngjatjeta axha M’hill. T’ paça…- dhe i bëri shenjë të priste.
    Zgjati dorën nga mësuesi sikur donte t’i thoshte se tashmë biseda kishte përfunduar. Mësuesi ja mbajti dorën për pak sekonda pa ja lëshuar, ndërsa zëri i tij u bë më i fortë…
    -Ti merre si të duash, unë jam komunist dhe e kam për detyrë që të vej në dijeni. Ne si organizatë nuk do ta kalojmë….
    Vetëtimthi një mendim i keq më bubërroi në tru.
    ”Për çfarë dreqin e ka fjalën ky ?”
    As që më shkonte kurrë në mendje, se mund të isha unë subjekti i “rrëfimit” të traktoristo-mësuesit.
  • Këlyshi i borgjezisë ja dha sekretet bajraktarit tuaj me ca llafe të thëna skiç!
    Më shkuan të dridhura në trup. Ky i marrë e paska pasur vërtetë për mua…Mu err gjithçka përqark. Gjatovina mund të ishte… operativi i zonës.
    Gjaku mu ndezi ndër dej aq sa ndjeva zemrën të më rrahë me forcë të tillë, thuajse më shkallmoi gjoksin.
    I gjetur vetëm në një cep të sfondit, pa asnjë nga shokët afër, mu duk vetja si një qyqman. Sytë mu erren sa nuk po dalloja asgjë, përveç zërave të tyre që tash i ndjeja më qartë.
    Në sy po më mblidhej stuhi.
  • Po ç’të keqe të bëra o njeri!- sa nuk thirra.
    Gjatoshi qe ndarë nga mësuesi dhe po bisedonte me axhën M’hill. M’u duk se shikimi im ndeshi për një çast me të tijin…Mu ba a ndoshta gjatoshi njimend ma shkeli syrin.
    “Historia e Partisë” u ngjit në spondë me vrull. Me terhoqi prej supi dhe.
    Më pa në sy eger e ligsht. .
  • Nuk ta harroj atë të mbrëmçmen, o djali i doktorit…
    Fjala “doktorit” m’erdhi si duzinë flakeareshash.
    “Ç’dreqin të bana mor traktoristi i m… U shpuplova dhe keq. E mata me sy e nji cast me shkoi mendja te fundi… Ndjeva një dorë që më tërhiqte ngadale.. Ishte maturanti, shoku im i mbrëmshëm.
    Pas pak e pashë veten në vorbullën e shokëve dhe shoqeve të shkollës.
    -I madh je, i madh! – berrcati dikush…..
    Isha i rrethuar nga dhjetëra sy djemsh e vajzash, por vështrimet e tyre ishin të ëmbla, krejt të ndryshme nga ato të mësuesit traktorist.
    Për ta unë isha dikushi, mbase heroi…
    Në xhep, preka kutinë e duhanit në këllëfin e lëkurës.
    Ishte prej moçmanit.

Tiranë 2009

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s