Kategori
Uncategorized

”Flemë mbi florinj, por jemi pa bukë”. Ku shkuan 10 miliardë USD të naftës nga 2013-2019.

Shkrim nga Engjëll Musai / Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Për 7 milionë ton naftë, shteti nuk merr asnjë taksë. Ku shkuan 10 miliardë USD të “arit të zi” të nëntokës

Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të pasura të Evropës në rezervat hidrokarbure në shelfin continental, me një rezervë deri në 220 milionë fuçi dhe 5.7 miliardë metra kub gaz natyror. Sipas Shoqatës Shqiptare të Energjisë (AEA), Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva deri në 277 milionë fuçi.

Po të kemi parasysh situatën e pas tërmetit dhe kërkesat që Kryeministri Rama u bëri donatorëve për ndihmë financiare, ajo çka Rama përfitoi, është një pikë uji në oqeanin e milionave të naftës të zhdukur në drejtim të paditur, pikërisht në periudhën që vetë Rama ka qenë kryeministër.

Me këtë shumë pensionet do ishin shumëfishuar, rrogat do ishin 5 fishuar, rrugët dhe industria do ishin nga më modernet në botë dhe do kishim likuiduar 80% të kredisë që ne, si shtet, kemi në kurriz.

Kompania nuk pagoi asnjë qindarkë tatim- fitimi për naftën e nëntokës së Shqipërisë, pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe naftëtarve që po sakrifikojnë dhe jetën në greva urie, pasi janë pa rroga dhe status të zbatuar.

Prodhimet i naftës nga viti 2013 deri në 2019 në Shqipëri

Shqipëria prodhoi në 2019 -ën, 1.005 milionë ton naftë.

Në vitin 2018 prodhoi 910.000 ton naftë bruto dhe rreth 5 për qind krahasuar me 2017 d.m.th., 956,000 ton naftë bruto më pak dhe 47 për qind më pak, në krahasim me prodhimin pik të vitit 2014 prej 1.37 milionë ton, sipas një analize të “Altax”, që i referohet të dhënave zyrtare.

Prodhimi i naftës për vitin 2014 dhe 2015

Në vitin 2015, prodhimi i naftës në vend ishte rreth 1.3 milionë tonë, sipas vlerësimeve paraprake nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë, nga 1.37 milionë tonë që kishte arritur në 2014-n, niveli rekord i pas viteve ‘90.

Burime nga Ministria e Industrisë pohuan se ndonëse në sasi, prodhimi i naftës ka rënë me vetëm 5%, të ardhurat e siguruara kanë qenë shumë më të ulëta, për shkak të tkurrjes së çmimeve. Sipas të dhënave paraprake nga “Bankers Petroleum”, të ardhurat e kompanisë u përgjysmuan në vitin 2015, për të arritur në rreth 300 milionë dollarë. Ditët më të mira në historinë e saj industria i ka pasur në vitin 1974, kur prodhimi arriti rekordin në 2.2 milionë ton.

Më pas prodhimi ra dukshëm duke arritur në nivelin më të ulët në vitin 2000 me vetëm 330 mijë tonë. Riaktivizimi i industrisë përmes marrëveshjeve koncesionare nxiti prodhimin, sidomos pas vitit 2009, kur “Bankers Petroleum”, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Evropë, atë të Patos- Marinzës, hyri në eficiencë të plotë. Rritja e çmimeve të naftës ishte gjithashtu një tjetër faktor që nxiti industrinë, teksa në periudhën 2011-2014, nafta tregtohet me rreth 100 dollarë për fuçi.

Por, teksa rënia e çmimeve të karburanteve filloi në gjysmën e dytë të 2014-ës dhe vazhdoi e pandalshme në 2015-ën, për të arritur në rreth nivelin më të ulët të 11 viteve, në ditët e para të janarit (rreth 33 dollarë për fuçi), dhe 35 dollarë aktualisht, sektori i prodhimit të naftës në vend është futur në një krizë të thellë. Ndikimin e parë do ta kenë investimet e secilës kompani në hapjen e puseve të reja, sondave, etj. “Bankers Petroleum”, operatori më i madh i nxjerrjes së naftës në vend, që shfrytëzon burimin e Patos- Marinzës, ka pohuar se nuk planifikon të hapë puse të reja në vitin 2016, ndërkohë që në 2015-ën kishte hapur 61 puse të reja. “Si pasojë e çmimeve të paqëndrueshme të naftës edhe në fillim të vitit 2016, “Bankers” ka zgjedhur të pezullojë aktivitetin e shpimit deri në përmirësimin e çmimeve, me qëllim për të mbrojtur forcën e bilancit financiar të kompanisë.

Dy sondat shpuese të përdorura përgjatë vitit 2015 janë ndalur përkohësisht në muajin dhjetor. Aktiviteti i shpimit do të rinisë me rritjen e çmimeve, sondat do të qëndrojnë në vend dhe do të jenë të gatshme për të rinisur aktivitetin në një të ardhme të shpejtë”, ka bërë të ditur zyrtarisht operatori. Kompania turke “Trans Atlantic Petroleum” (ish-“Stream Oil”), – që shfrytëzon burimet e Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës – e ka nxjerrë në shitje në nëntor 2015 degën e saj në Shqipëri dhe ka reduktuar në minimum aktivitetin.

Frenimi i investimit apo prodhimit prek indirekt dhe shumë kompani të treta që ofronin shërbime për to, si në transport, magazinim etj. Ekspertët nga industria nxjerrëse thonë se, kompanitë që investojnë në industri, nuk kanë arritur të mbulojnë kostot përkatëse dhe rrjedhimisht Shqipëria, ka përfituar më pak se 2 për qind të vlerës së prodhimit deri tani. Prodhimi më i lartë i naftës në Shqipëri daton që nga viti 1974, kur shteti i atëhershëm komunist prodhoi 2.25 milionë tonë të barabartë me rreth 38,408 fuçi naftë në ditë në një industri që përfshinte 34 ndërmarrje shtetërore dhe punësonte rreth 25,000 njerëz. Industria e prodhimit të naftës është eksportuesja e dytë më e madhe në Shqipëri dhe punëson më shumë se 3,000 vetë.

Shqipëria posedon thesarin më të madh të naftës në Evropë me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçish nafte në vit.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore thotë se në Shqipëri, ekzistojnë rreth 400 milionë tonë naftë të pashfrytëzuara. Sipas të dhënave nga kjo agjenci, thesari më i madh i arit të zi gjendet në zonën Patos-Marinzë, në një hapësirë prej 44 mijë hektarësh. Siç thuhet ky është thesari më i madh i naftës në Evropë, me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçish nafte në vit. Si pasojë e rritjes së investimeve të huaja eksporti i naftës shqiptare, siç raportojnë mediet nga Tirana, është rritur dukshëm viteve të fundit.

Sipas ekspertëve, eksporti i naftës gjatë vitit 2013 është rritur për 36 për qind, ndërsa kundrejt vitit 2005 është rritur për 28.80 për qind.Të njëjtën ecuri pozitive regjistroi edhe eksporti në sasi, duke shënuar 1 milion ton në fund të vitit 2012, raportojnë mediat informative. Edhe në 10-muajt e parë të vitit 2013, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ecuria e eksporteve të naftës bruto, vijoi të ishte pozitive. Në fund të tetorit 2013, eksportet arritën në 1.6 milionë tonë. Eksportet e naftës shqiptare janë 2.4 herë më të larta se sasia e karburanteve që Shqipëria importon në vend për t’u përdorur në konsumin vendas. Nafta shqiptare, për shkak të cilësisë së saj, eksportohet si bitum në tregjet e huaj dhe shërben për asfaltimin e rrugëve.

Asnjë kompani aktualisht nuk paguan normën e tatimit mbi fitimin që aplikohet në nivelin 50 për qind të fitimit që deklarohet në pasqyrat financiare

Në total, janë nënshkruar 16 marrëveshje për eksplorimin e naftës dhe gazit me ndarje prodhimi (MNP), nga të cilat 7 kompani janë angazhuar në nxjerrjen e naftës bruto në pjesën jugore të Shqipërisë dhe 4 kompani të angazhuara në aktivitete eksploruese. Investimi gjithsej në kërkimin dhe eksplorimin e naftës dhe gazit në të paktën vitet e fundit llogaritet të jetë realizuar deri në 1.25 miliardë euro, ku 1/3 e tij është investuar direkt nga “Shell Company”, e cila është aktive në tregun shqiptar në 6 vitet e fundit, duke synuar për investime të tjera shtesë që planifikohen në shumën prej 42.5 milion € duke filluar nga 2018 pas një zbulimi shumë pozitiv në fushën e naftës Shpiragu-2.

Qeveria shqiptare merr nga eksporti vetëm rentën, si taksë kombëtare me normën 10 për qind, pasi asnjë kompani aktualisht, nuk paguan normën e tatimit mbi fitimin që aplikohet në nivelin 50 për qind të fitimit që deklarohet në pasqyrat financiare vjetore, sipas “Altax”.

Sipas kontratave aktuale, koncesionarët duhet të fillojnë të paguajnë tatimin mbi fitimin, pasi të kenë përmbushur kostot e investimeve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) përfundoi një auditim të performancës për “Procedurat dhe Rezultatet e Marrëveshjeve të Naftës në Shqipëri” në fillim të vitit 2017, duke vënë në dukje se, ndikimi në ekonomi prej përdorimit të aseteve nëntokësore ka qenë minimal, si në aspektin e efektit mbi punësimin dhe në të ardhurat buxhetore. Shqipëria vlerësohet si një nga vendet më të pasura të Evropës në rezervat hidrokarbure në shelfin kontinental me një rezervë deri në 220 milionë fuçi dhe 5.7 miliardë metra kub gaz natyror.

Pjesa më e madhe e naftës së nxjerrë në Shqipëri eksportohet e papërpunuar, duke e bërë atë një produkt me vlerë të shtuar të ulët dhe vetëm një pjesë e saj shkon në rafinerinë lokale, Ballsh dhe Fier, e cila ka ndryshuar pronësi disa herë pas privatizimit të dështuar të vitit 2008, duke falimentuar dhe mbyllur disa herë në dekadën e fundit.

Renta minerare

Renta minerare llogaritet si detyrim mujor i subjektit taksapagues, zotërues i lejes së shfrytëzimit, në çastin kur ai shet apo eksporton mineralin apo nënproduktin e prodhuar. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë për konsultim publik në 6-mujorin e parë 2019 një projektligj mbi regjimin fiskal në sektorin e hidorkarburëve, duke përcaktuar sesi do të funksionojë përllogaritja dhe mbledhja e taksës së rentës minerare, duke e zhvendosur në këtë mënyrë nga ligji i taksave kombëtare. Sipas projektligjit, renta do të llogaritet duke aplikuar një normë prej dhjetë për qind të vlerës së tregut të naftës së nxjerrë.

Marrë nga Telegraf.al

https://telegraf.al/politike/ku-shkuan-10-miliarde-usd-te-naftes-nga-2013-2019-2/?fbclid=IwAR0UR9hjR8yQHYojm_QYTvg6CFWMq5NOC33rxLrP5gMGeAC–Q1fg2bjBkE

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s