Kategori
Uncategorized

I DËNUARI ME PUSHKATIM

Trokitja e lehtë i preu tregimin në mes mikut tim të vyer Eshref Zagorçanit. Shoqata e të Përndjekurve dhe Persekutuarve Politikë, dega Elbasan, sapo e kishte zgjedhur kryetar. Priste të intervistohej nga një gazetare gjermane. Hapa derën. Krijesë e një bote tjetër përshëndeti me zë të ndrojtur.

  • Mirrëmbrrëma! – E tha në shqip me “r” të fortë dhe buzëqeshi.
    Humba në sytë e kaltër si qielli pranverës. Fytyra e bardhë dukej që nuk kishte parë diell kurrë, ndërsa lëkura delikate, pa rrudha, shkëlqente magjishëm nën tualetin aromëdehës. Flokët i thyeshin bukur mbi jakën e ngritur prapa të pardesysë ngjyrë qumështi, që derdhej mbi trupin elegant deri pak mbi gjunjë. Çizmet femërore, lëkurë kafe të çelur, zbukuronin plot elegancë këmbët e saj të drejta.
  • Ç’janë këto që shëtisin me çizme oficerësh në bulevard? – kishte pyetur i marri, Neroni, kur kishte parë nga dritarja e zyrës disa vajza, që kishin veshur çizme të gjata lëkure dhe bënin xhiron e mbrëmjes. Xhiroja në bulevardin e madh ishte e vetmja kënaqësi e tyre.
    Miku im i vjetër Spiro Duni nuk e preferonte.
  • Është xhiroja e ajrosjes në oborrin e burgut, – thoshte ai, kur pinim ndonjë gotë te sahati.
    Aq kishte mjaftuar dhe hienat u ishin sulur vajzave të bukura dhe ua kishin shqyer çizmet në rrugë, me thikë. Menjëherë në shkolla dhe qendra pune kishte filluar të punohej marrëzia e radhës.
    “Luftë pa kompromis ndaj çdo shfaqje të huaj”.
    Ndërsa vetë i marri porosiste rroba nga firmat më të mira në botë, në Paris. Bile edhe djathin e merrte nga Franca.
    Zyra në hollin e Skampës, menjëherë sapo të ngjisje shkallët në krahun e djathtë, kundërmonte erë duhani të fortë. Eshrefi i ulur në kolltukun që shikonte nga dritarja u ngrit menjëherë në këmbë dhe e përshëndeti gjermanisht. Gazetaria shtangu.
  • Ju flisni një gjermanishte të bukur! Ku e keni mësuar?
    Eshrefi tha se kishte bërë shkollën atje.
  • Kur ishin bashkë. Të bashkuara!
    Eshrefi i kërkoi leje të ndizte cigaren.
  • Tingëllon ndryshe, bukur në gojën tuaj, – tha ajo dhe aprovoi me kokë kërkesën e Eshrefit.
  • Vjeneze, në Vjenë kam studiuar.
    Adela buzëqeshi, sytë i ndritën. Eshrefi fliste për një kohë të largët. Fshehur brenda nënvetëdijes. Në çast u bënë miq të ngushtë.
    Adela filloi ta pyesë për shoqatën, funksionet e saj. Numrin e anëtarëve.
  • Është shumë e madhe, ju duhet ta ktheni në parti.
    Eshrefi heshti. Humbi në mendime.
  • Kur të bjerë në Moskë komunizmi, – tha ftohtë.
  • Ka rënë, – foli ajo pa u menduar.
    Eshrefi ndezi cigare tjetër, këtë radhë pa i kërkuar leje Adelës. Ishte mbrëmje, fillim dhjetori. Jashtë bënte ftohtë, era e Krastës të mpinte veshët. Qyteti ishte zhytur në errësirë të plotë. Falangat komuniste kishin filluar të riorganizoheshin. U siguruan. Katovica po zbatohej. Në fund të fundit kush do t’i gjykonte? Nurembergun e bënë fitimtarët. Këtu cilët kishin fituar?
  • Kur të bjerë në Moskë …, – tha Profeti Eshref …
  • Diçka për gjendjen ekonomike të anëtarëve?
    Adela mori stilolapsin të shkruajë.
  • Është koha për të ngrënë darkë, shkojmë në shtëpinë time! Bisedojmë atje, – e ftoi Eshrefi dhe u ngrit.
    Adela pranoi menjëherë. Morëm rrugën për te Banesat. Lagjja e fundit e qytetit, në periferi, e kishte caktuar Komiteti i Partisë për të dënuarit, deklasuarit dhe të padëshiruarit. Kishte filluar të krijohej kur nisi ndërtimi i metalurgjisë së zezë. Rruga ishte pa ndriçim. Kishte ditë që ndodhte një gjë e tillë. Flitej se e bënin me qëllim ata të nishelektrikut. I prisnin dritat që një kompani tregëtare të shiste qirinjtë dhe e ndanin bashkë fitimin. Arritëm te ndërtesa. Ajo ishte e papërfunduar, punohej në katin e tretë, Eshrefi banonte te hyrja në anë, katin e parë. E ndante me një ish të dënuar tjetër politik, që kishte vuajtur shtatëmbëdhjetë vjet nëpër burgje e kampe pune. Gulagun shqiptar. Eshrefi nxorri nga xhepi një bisht qiriri. E ndezi, hapi derën me të kërcitura. Dera mbahej nga dy mentesha të improvizuara. Copa kamerdareje makine, një në krye dhe një në fund, të kapura me gozhdë te korniza prej druri në mur.
    Brenda lagështirë dhe erë myku mbretëronte. Kur kaluam korridorin e pashtruar drita e zbehtë ra mbi derën e hapur të dhomës përballë; ish i burgosuri politik rrinte shtrirë në shtrat, i mbuluar kokë e këmbë me batanije. U futëm në dhomën e Eshrefit. Ai ndezi llambën e vajgurit, të vendosur mbi një komedinë të vjetër. Ndriçimi i saj bëri të shquheshin orenditë. Në krye mbështetur në mur ishte një krevat portativ i mbuluar me batanije të errët. Në mes një furnelë vajguri e vjetër, që anonte sikur do të shëmbej në dyshemenë e shtruar me rërë. Varur me gozhdë në faqen e murit, pranë derës, ishin një palë pantallona, të cilave nuk u shquhej ngjyra dhe pranë tyre dy këmisha të errëta, ngjitur me to xhup i zi, si prej burgu. Përreth furnelës ishin katër stola të vegjël si ato të një kopështi fëmijësh. Na ftoi të uleshim në to. Adela fshehurazi fshinte lotët.
  • Kam pak raki, nga miqtë e internimit.
    Nxorri nga komedina tri filxhanë kafeje. Rakia ishte e fortë, më ra në kokë. Thau edhe lotët e Adelës, që u ngrit ta ndihmojë të përgatiste darkën. Tri pjata me nga pak bizele nga një kanaçe konserve e hapur dhe nga një domate turshi. Në një pjatë të madhe të përbashkët vuri pak lakra të regjura. Në karrigen bosh vuri çerekun e bukës, të ftohtë gur, të prerë në feta. Nxorri nga poshtë krevatit konserva peshku, nga një për secilin. Konservat ishin prodhim i huaj, peshk i tymosur, që shiteshin në kioskat e hapura rishtazi. Mori tre pirunj nga sirtari i parë i komedinës, bëri të dalë jashtë, por e ndaloi Adela.
  • I laj unë!
    Ai ndezi qiririn. Dolën bashkë; lavamani ishte në korridor, nuk e kisha vënë re kur erdhëm.
  • Ich möchte einen Toast auf Adela ausbringen – Dua të ngre një dolli për Adelën!
    Eshrefi uroi në këmbë dhe trokiti filxhanin me ne që kishim kërcyer menjëherë pas tij në këmbë. Njeriu që kishte kaluar tërë jetën në Gulagun shqiptar u shndërrua në çast, në djaloshin ëndërrimtar të shëtitoreve të Vjenës. Ishte kthyer plot shpresë se atdheu do të bëhej si Evropa.
    Babai i Eshrefit, Beqir Zagorçani e kishte dërguar fëmijën e vetëm të shkollohej në Itali. Pasi kishte mbaruar të gjitha ciklet e studimit atje, djaloshi i ri kishte shkuar në Austri t’i thellonte ato. Gjatë kësaj periudhe Beqiri ishte vrarë në një atentat të ngritur kundër tij në Pogradec, ku punonte oficer i lartë në mbajtjen e rendit. Trimëria e Beqirit tregohej si legjendë në qytet. I shtrirë përtokë, pasi atentatori e kishte goditur pas shpine, Beqiri kishte mundur të nxjerrë nagandën nga brezi dhe godasë në këmbë “trimin” që largohej me vrap. Ishte tërhequr zvarrë deri pranë kriminelit dhe kishte mësuar kush e kishte paguar, pastaj e kishte mbaruar me një plumb në gojë.

U ulëm në verandën e Skampës në katin e dytë. Pranverë. Lulet e mimozës sillnin aromën deri aty lart. Porositëm kafe. Eshrefi preferonte ujë pa gaz.

  • Nuk më mbarove së treguari dy momentet fatale; ato që të ndryshuan jetën.
    Afrova njërën tavëll pranë tij.
  • S’mbaj mend ku e lamë herën e fundit.
  • Kur të arrestuan?
  • Ah, po! Herët në mëngjes erdha në Tiranë. Xhem Salla kthehej nga Korça me automobilin e tij dhe më bëri vend.
    Xhema vetë vuajti njëzet e katër vjet në Gulag.
  • Duhej të merrja udhëzime për Grupin e Rezistencës që organizohej në Pogradec. Ishim një grup intelektualësh, të tërë të ardhur nga jashtë. Adresën e vendit të takimit do ta merrja nga sportelisti i Hotel Dajtit. Njeri i besuar. Familje e mirë dhe me taban nga zona jonë. Njiheshim familiarisht. E njihja edhe vetë, – psherëtiu thellë. I humbi shikimi, ashtu si me Adelën dikur.
  • I ke nëpër këmbë miku im Muçi. Edhe sot pas dyzet e tetë vjetësh. Janë po ata. Të shkollës së “Xherzhinskit”!
  • Erdhën kafetë.
  • I keni të paguara, – tha kamerierja dhe bëri me dorë nga Skënder Leka, djali i dajos të Eshrefit. Skënderin e kisha mik të vjetër, që nga koha kur ishte kthyer nga Gulagu Spaç. Tani punonim bashkë në Skampa.
  • Ishte i infiltruar në organizatën tonë sportelisti.
    Ndezi cigaren tjetër pa fikur ende atë që po pinte.
  • Nuk kisha arritur te shkalla e fundit në dalje të hotel Dajtit, kur pesë oficerë të sigurimit më bërthyen nga krahët dhe më futën me forcë në makinë.
    Eshref Zagorçanin e torturuan ditë e netë, me format më të egra. Dy vite radhazi. Kërkonin të tregonte anëtarët e tjerë të organizatës. Trimi rezistoi heroikisht. Kur kriminelët komunistë e panë se nuk e thyen dot, e dënuan me vdekje, me pushkatim.
  • Pritja për t’u pushkatuar ishte tortura më e rëndë psiqike dhe fizike që kam kaluar. Lidhur duar e këmbë me zinxhirë, më varnin orë të tëra në një çengel në murin e qelisë me kokë poshtë, si bagëtia.
    U ngrit në këmbë ktheu duart mbrapa, i bashkoi me njëra-tjetrën, bashkoi edhe këmbët, u përkul pak përpara.
  • Pasi më lidhnin duart veç dhe pastaj këmbët, i bashkonin me një zinxhir më të trashë, që kapej në të dy anët, kurse në mes kishte një hallkë të madhe, të cilën e varnin në çengelin e ngulur në mur.
    U ul në karrige, thirri kamerieren.
  • Na sill një shishe ujë, – dhe u kthye nga unë.
  • Minutat e para më dukej sikur brinjët do të më shpërthenin nga krahërori. Pastaj më binte të fikët. Kur përmendesha më kaplonte një dhimbje e madhe. Dy vjetët e hetuesisë kishin bërë të vetën, më kishin dobësur shumë.
    Eshrefin e mbajtën të lidhur me hekura në pritje të pushkatimit për njëqind e tridhjetë e shtatë ditë. Gjatë kësaj torture psikologjike, brenda një qelie, fare i vetëm, ai kishte kaluar kriza të forta mendore.
  • Ishim dy Eshrefë: ai fiziku që do ta pushkatonin dhe ai shpirtërori që jetonte në Vienë, i dashuruar … Ditën e fundit togeri më tha:
  • Të është kthyer me burgim të përjetshëm dënimi. – Ndjeva keqardhje për Eshrefin fizik.
  • Autori i librit Muç Xhepa, me Eshref Zagorçanin.

Shkëputur nga libri me tregime “Në sirtar” i autorit Muç Xhepa.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s