Kategori
Uncategorized

i thoni vdekjes të mos vijë, se nuk e le doktor Ajliu të më prekë.


Mu enjt gjoksi, gjoksi i majtë, filloi të më bëhej si gjoks gruaje.
Kaluan disa kohë dhe fillova të shqetësohem, ndjeja dhimbje herë pas herë, si therje. Dyshoja a mos është ndonjë infeksion i plagës së operacionit të zemrës që ishte aty ngjitur. Njëmijë dyshime e hamendje pafund. Sidomos natën plot mendime të liga me kancer.
Nuk e di se ku lexova a kush më tha se kjo ndodhte një në njëqind raste tek burrat. Ishte tumorr. U tremba.
Nja një muaj a më shumë jetova përditë me këtë shqetësim dhe asnjë sekondë nuk mu hoq nga mendja. Fillova ta mendoj vdekjen.
Ja kështu vjen vdekja e paralajmëruar nga kanceri.
E megjithatë nuk thashë ndonjëherë se vdekja e bën njeriun më të mirë a më të keq, aspak jo, njeriu është si është dhe vdekja as nuk e zbukuron as nuk e shëmton.
Pastaj mendoja, e pse jo. Vdekja e paracaktuar me afat të paracaktuar në bazë të një rregulli që kanë kanceret, të jep mundësi të reflektosh, të bëhësh me dinjitet sepse nuk ke mundësi të fshihesh prej saj. Kështu pra fillova të bëhem si filozof i vdekjes…
Pas një nate të shqetësuar sepse ndjeva dhimbje e therje të shpeshta, i telefonova doktor Ajliut dhe në mëngjes shkova tek ai.
Më priti si ai, siç di vetëm ai, siç nuk më ka pritë kurrë askush asnjëherë. I qeshur, plot hare dhe më pyeti deri në hollësi si gjithmonë për veten e gjithë njerzit e mi.
Më dhemb gjoksi doktor, më është enjtë gjoksi. Si gjoks gruaje. A mund të kem kancer unë…
Kanceri nuk guxon të të afrohet ty, mu përgjigj duke qeshur por dhe nxitoi hapat në koridor.
Hymë në dhomën ku vizitonte doktoreshë Nina Kajo te Kardiokirugjia.
Hoqa këmishën dhe e pa gungën.
Vishu, më tha, se do dalim, të shkojmë tek Onkologjiku.
U nisem. Flisnim por duket mendja na rrinte të dyve tek gunga e gjoksit tim.
U ngjitëm në katin e dytë te Onkologjiku menjëherë sepse atij i hapej çdo derë.
E pritën mjekët krahëhapur dhe e salutonin të gjithë.
Iu drejtua njërit që asnjëherë nuk ia mësova dot emrin, i tha të më shihte.
U çvesha dhe ai mjeku i onkologjikut më pa pak sekonda e tha se kjo është gjë e lehtë, e operoj unë të ulur në karrige për pesë minuta, i tha doktor Ajliut, i bëj edhe operacion plastik…
Doktori e dëgjoi, u skuq dhe më tha përmes të qeshurës së syve të tij që të ecim. Nuk mbeti i kënaqur doktor Ajliu, unë këtë dija ta lexoja në fytyrën e tij.
Dolëm pothuaj pa folur deri në oborr të onkologjikut.
Kur u nisëm të ecnim drejt Kardiokirurgjisë, doktori, pasi kishte heshtur gjatë, më thotë:
Dëgjo Rexhep i dashur. Ky operacion duhet bërë.
A është kancer i keq doktor, e pyes unë.
Kanceri i keq nuk të afrohet dot ty sepse je shumë i mirë, ma kthen doktori.
Por duhet hequr ajo masë që është mbledhur aty. Është masë dhjamore. Por nuk do të bëhesh operacion tek ky kirurgu që takuam dhe te asnjë kirurg këtu. Do të të bëj unë operacion.
Para se të jem kardiokirurg, unë jam kirurg. Unë të kam operuar zemrën ty dhe nuk po të operokam gjoksin jashtë zemrës. Unë nuk e qëndis plagën as operacion plastik nuk do bëjmë. Ne bëjmë edhe pa operacion plastik, apo jo, mu drejtua duke shfryrë një farë mllefi që iu krijua pak më parë.
Mrekulli, i them unë dhe u gjallërova menjëherë. Fillova të flas me pasion. E kisha kapë për krahu dhe ecnim sikur isha vetëm unë në atë shesh.
Dëgjo Rexhep, këta mjekët e tjerë janë shumë të mirë, por nuk të njohin ty siç të njoh unë. Ti je shumë delikat, shumë i ndjeshëm, ti don kujdes të veçantë, kujdes të shtuar.
U krijua një heshtje, disa hapa heshtje.
Të të operojë ty dikush tjetër duke qenë unë këtu në spital është turp për mua. Do thonë shokët tanë, po pse nuk e operoi vetë doktor Ajliu mikun e vet. Pastaj këta nuk ta njohin zemrën ty, unë ta njoh zemrën dhe e di çfarë mendon ti. Tjetra është se këta ndoshta të marrin lekë edhe ty e kjo është turp për mua që ti marrin lekë mikut tim, t’i marrin lekë mikut të doktor Ajliut.
I dola përpara dhe e shihja në sy. Ai qeshte si qesh veç ai gjithë dritë e nur.
Do të flas tani me kolegët e mi dhe do të operoj në sallën e operacionit ku operojmë të sëmurët me zemër, nuk do ma prishin kolegët për ty, vijoi doktori, se ty të duan të gjithë kardiokirurgët.
Dhe ashtu ndodhi.
Dhe siç më tregoi më vonë doktor Ajliu, doktor Mond Kapedani jo vetëm që kishte rënë dakort për sallën e operacionit, por ishte entusizmuar nga vendimi i doktor Ajliut që të më operonte vetë.

Të nesërmen në mëngjes shkova te doktori për t’u operuar.
Ishin marrë të gjitha masat dhe u futa drejt e në sallën e operacionit.
Gjithë kohën recitoja me vete atë fjalën që kur të vijë vdekja nuk do jem unë, sa të jem unë vdekja nuk mund të vijë. Ia thoja vetes mijëra herë pa zë këtë gjë. Nuk kisha frikë.
Nuk më kishin bërë narkozë sepse do më bënin mpirje lokale.
Gjatë kohës që më bënin gati, me doktorin filluam bisedat. Ai më bënte të harroja se ku isha. U fliste për mua atyre që ishin të pranishëm në sallë dhe po e ndihmonin. Më bëri hero. Pastaj bisedat tona rridhnin nga letërsia te politika dhe stacioni final i bisedave ishte Kosova, aty ndalej doktori, aty merrja zjarr unë. Kosova ishte dobësia dhe krenaria jonë.
Duke biseduar, edhe pasi mu trash pak gjuha dhe flisja rrapa – zhdrapa, duke recituar ndonjë poezi unë, duke pasuar doktori ndonjë varg poezie, kaluan gati 3 orë kur doktori më thotë, ia dolëm me sukses.
Nuk e di e kam thënë me zë apo jo, por di se kam thënë, i thoni vdekjes të mos vijë, se nuk e le doktor Ajliu të më prekë.
Pastaj nuk mbaj mend më derisa e kam parë veten pasditë në krevat të spitalit në katin e dytë të kardiokirurgjisë. Duket se nuk kishte qenë narkoza vetëm ajo mpirja lokale…

Kaluan ditë dhe mendja më rrinte tek analizat e biopsisë së asaj masës që më hoqi doktori në gjoks. Atë ankth e kuptojnë vetëm ata që kanë pritë përgjigje të tilla.
Kur një ditë të bukur, pas rreth dy javësh, pasdite bie telefoni.
Të kam thënë që ti Rexhep je shumë i mirë, fliste e qeshte doktor Ajliu nga ana tjetër e telefonit. Erdhi përgjigja e biopsisë për ty dhe thotë që ti të mos çash kokë për asgjë…
Nuk e di çfarë mund të kem recituar unë por gëzimi i doktor Ajliut më mbështolli. Isha i lodhur nga frika e lajmit të keq se mos del kancer i keq dhe nuk kisha fuqi të fluturoja nga gëzimi prej lajmit të mirë që më dha doktori im i mrekullueshëm Ajli Alushani.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s