Kategori
Uncategorized

Im atë më priste gjithë natën deri sa të kishte, eshkë, strall, uror dhe duhan. Aipriste sa të kishte frymë.

Albert Avduli.

Frika

Binte shi me suferinë atë mbrëmje.
27 nëntor 1979. Isha vetëm 14 vjeçar. Viti i parë i shkollës së mesme. Morëm pushimet e festave të nëntorit.
Nisem nga Fieri. Mbasdite vonë, mbërrij në Ballsh. Hipi në karrocerinë e një kamioni, i cili kishte transportuar qymyr nga Memaliaj dhe kthehej.
Në errësirë të plotë, zbrita në Bejar. Këtu bashkohej rruga kombëtare me atë fshatit.
Prej ku zbrita dhe deri në fshat, distanca ishte 10 km.
Errësirë, shi, ftohtë. Yjet i kishte pirë nata. Fatmirësisht rruga ishte e shtruar me asfalt. Fshati i kryeministrit të kohës e kishte këtë privilegj.
Pa çadër. Me një valixhe druri, që herë e vija mbi kokë e herë mbi sup.
Eh, valixhja. Valixhja peshonte sa unë edhe pse brenda saj ndodheshin fare pak tesha.
Vazhdoj të eci. Para meje u shfaq lagja e parë. Ca drita të venitura dhe angullimat e qenve. Lagja dukej dhe kjo ishte njëfarë ngrohtësie për mua. Ishte larg nga rruga e fshatit, por më mjaftonte mendimi se aty kishte njerëz. Shpejtova hapat. Tashmë isha i lagur deri në palcë. Në buzë nuk ndjeja lëngun e distiluar të qiellit, por shijen e qymyrit me të cilin isha baltosur në karroceri. U afrova te lagja tjetër. Po të ishte ditë, lagja Bregas do të dukej madhështore. Aty mbisundonin si monument kullat e lart të patriotit dhe ish deputetit të monarkisë Bektash Haxhi Çorrushi.
Zjarri mbi ato mure, kish hequr bardhësinë, por jo sugjestionin e heshtur.
Për të mbërritur në qendër të fshatit, ku kishim shtëpinë, ishin dy mundësi. Ose do kaloja përmes asaj lagje, ose nëpër pyllin e dendur të një kodre.
Toponimi i asaj kodre, përherë më intrigonte. Vendasit e quajnë “Rramakon”. Tingëllimi i këtyre fonemave më krijonte një gjendje të trubullt.
Lagja më jepte siguri, por qentë do më shqyenin.
Pylli i Rramakonit më tmerronte nga misteri dhe nga shqiptimi, por nuk e kisha frikën aq konkrete sa e qenëve.
Zgjodha pyllin. U futa nëpër shtigjet e tij. Çdo fëshfërimë e degëve, çdo këlthitje shpezësh më stepte. Zemra rrihte si tokmak. Ende s’e kisha kaluar fëmijërinë dhe në vesh më gjëmonin përrallat e Lolos dhe gjyshes me kuçedra, shtriga, bajloz e qerosa. Mbi të gjitha më vinte e prekshme ngjallja e Konstandinit për të përmbushur premtimin e nënës, që edhe i vdekur do ta sillte Doruntinën. Udhëtimi i të vdekurit nëpër pyll.
Ngjyra e tij e verdhë, flokët e balosur. Po sikur. . .
Duhet ta kaloja atë pyll. Desha të trimërojë veten me recitim.
Tentova: O malet e Shqipërisë, pyje, gërxhe, lisat e gjatë.
Zëri nuk më dilte, por hapat ende i hidhja.
Doja edhe pak metra që të dilja nga pylli dhe të gjendesha në rrugën kryesore.
Para meje dukej një dritëz e vogël. Pikërisht atje, ku shtegu më nxirte mua në transhenë e shpresës.
Ndala. Mundohesha të kontrolloja frymëmarrjen. Dritëza shuhej, shkrepte përsëri. Çfarë mund të ishte ? Po sikur të kthehem mbrapa. Ku do shkoja ?
Kur shugullon një zë i fortë, i ngrohtë dhe jetësor.
Oheeeej ! O Albert !
Ishte im atë. Cigari i tij digjej në atë natë të zakonshme, por aq të frikëshme për mua.
Jam këtu, bab, po ngjitem.
Ai priste. Do priste gjithë natën deri sa të kishte, eshkë, strall, uror dhe duhan.
Do priste sa të kishte frymë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s