Kategori
Uncategorized

Halim Ramohito, gjenerali i punëve dhe vuajtjeve të mëdha.

Mbi librin me kujtime të përfaqësuesit të shquar të gjeneraliatit shqiptar

Halim Ramohito, gjenerali i punëve dhe vuajtjeve të mëdha

Nga Shpendi TOPOLLAJ

Me Halim Ramohiton, thuajse nuk jam takuar ndonjëherë. Nuk e di, por dikur, me ato grada si ar e shiritat e kuq, serioz, që s`para qeshte kollaj, kur e shihja rastësisht në rrugë, më është dukur pak nopran dhe i sertë. Një ditë, duke shkuar drejt universitetit për të dhënë një provim, e pashë duke dalë nga Komiteti Qendror, me një fytyrë ku dukej qartë hidhërimi. Duke ditur se ç’po ngjiste në udhëheqjen e lartë të ushtrisë, sepse ndjeva një ngazëllim të brendshëm dhe me vete thashë “E hëngri edhe ky”. Ai, kushedi se në ç’gjendje të rënduar shpirtërore ishte, kurse unë kënaqesha që po dënohej. Jemi shumë të mistershëm e të pashpjegueshëm ne njerëzit. Dhe sidomos jemi të tillë, kur na sundon idolatria dhe fetishizimi ndaj Njëshit. Sot, më vjen turp që po e tregoj këtë moment dobësie që nuk më nderon, por derisa flas për nevojën e të vërtetës, për të cilën Dekarti thosh se “Vetëm e vërteta është e bukur”, mendoj se këtë nuk kam pse ta fsheh dhe nga ana tjetër e çliroj disi ndërgjegjen nga ky mëkat i vogël, çlirim që bëhet edhe më bindës, duke shkruar gjerësisht për vlerat e atij njeriu që ka kurajon të analizojë objektivisht, shkaqet e tragjedisë që shkaktoi komunizmi në Shqipëri dhe sidomos në ushtrinë e saj.

Gjeneralët shqiptarë

Në çdo faqe të librit të gjeneral Ramohitos, shpaloset jo vetëm pafajsia e tij dhe e shokëve të tij, por edhe shpirti i madh dhe i pastër, sa njerëzor aq dhe atdhetar. Ata, nuk kishin lindur udhëheqësa e gjeneralë. Ndoqën një rrugë të gjatë luftarake, plot vështirësi, sakrifica e privacione. Pasi kishin kaluar zjarrin e luftës nacional – çlirimtare, ata u shkolluan dhe u kulturuan, brënda dhe jashtë vendit. Kishin ideale dhe sedër, ndaj mendonin se nuk përfaqësonin vetëm veten. Ata besonin se duhej të nderonin kudo që të ishin, Shqipërinë. Prandaj, me vullnet, këmbëngulje e përkushtim, u rritën si drejtues e komanduas të një ushtrie që fundja ishte vepër e tyre. Ata shkrinë jetën për atë ushtri, se e shihnin atë si mbrojtëse të fitoreve dhe garantuese të së ardhmes. Kishin dalë nga gjiri i popullit të thjeshtë, ndaj dhe i qëndruan besnikë të palëkundur atij. Në Gusht të 1949-ës, gjatë provokacioneve të monarko-fashistëve grekë, e treguan me vepra sesa e deshën atdheun. Po ashtu, të njëjtin qëndrim kishin mbajtur edhe më parë, ndaj synimeve të jugosllavëve, sikurse e treguan veten në ndodhitë e viteve gjashtëdhjetë, kur ngjau prishja me ish Bashkimin Sovjetik.

Pashalimani

Ngjarjet në Bazën Ushtarake të Pashalimanit, përbëjnë një epope. Për nga burrëria, trimëria dhe atdhedashuria, ato kalojnë çdo ideologji e politikë dhe do të mbeten shembulli i përkryer i qëndresës, në mbrojtje të interesave të vendit. Jo më kot, autori i këtij libri, pikërisht këtu e nis rrëfimin e tij. Ai fillimisht na përshkruan trevën ku zhvillohen ngjarjet, këtë vend që ai e quan një mrekulli të natyrës, një vend ku sipas gojëdhënës “po të jetosh këtu, nuk plakesh kurrë, se të shëron era e luleve dhe bukuria e natyrës”.

Por nuk është vetëm ana romantike, ajo që i jep vlerë atij. Ja si shprehet autori: “Rëndësia strategjike e këtij vendi shpjegohet edhe me faktin se, jo vetëm nëpërmjet Gjirit të Pashalimanit, por sidomos nëpërmjet ishullit të Sazanit, i cili mund të konsiderohet edhe si “çelësi i derës” i hyrjeve dhe daljeve në kanalin e Otrantos dhe në hapësirat e detit Mesdhe, mund të kontrollohen me lehtësi edhe lëvizjet e anijeve deri në Adriatikun e Mesëm dhe të Sipërm”. Ja pse ia kishin vënë syrin kësaj baze ushtarako – detare, mareshallët sovjetikë e deri N. Hrushovi, i cili thosh hapur: “Çfarë gjiri i sigurt qenka ky në rrëzë të këtyre maleve, këtu në Pashaliman (Vlorë)!… Që këtej me një flotë të fuqishme, ne mund të shtiem në dorë krejt Mesdheun, që nga Bosfori e gjer në Gjibraltar. Kështu, që këtej ne mund të bëjmë zap këdo…” Jo pa qëllim, në libër, autori, këtu nis rrëfimin e tij, pasi në këtë skenë u luajt me përmasa reale, drama shqiptaro – sovjetike, që për spektatorë pati gjithë opinionin ndërkombëtar. Luhej me fatet e atdheut, me nderin e Shqipërisë, prandaj të gjithë gjeneralë dhe ushtarë, u bënë grusht dhe ditën të mbrojnë dinjitetin dhe krenarinë e të qënurit shqiptar. Ata nuk u trembën nga madhësia e ushtrisë të pamatë ruse dhe kjo histori tërhoqi vëmendjen edhe të Sh.B.A. ku zëdhënësi i Departamentit të Jashtëm deklaronte se “Kjo është një goditje e rëndë për perandorinë Sovjetike”. Si e tillë, ajo dhe denoncimi i Traktatit të Varshavë, nuk mund të harrohen. Dhe veç të tjerave, ajo evidentoi edhe një here, dashurinë dhe besnikërinë e udhëheqjes së lartë të ushtrisë, të cilën edhe Enveri e çmoi së tepërmi.

Përballë sovjetikëve

Në libër ka shumë shembuj që flasin mësë miri për qëndrimin trimëror dhe në pajtim me interesat e vendit, të gjeneralëve shqiptarë, si Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Parllaku, Vaskë Gjino, Arif Hasko, Halim Ramohito e të tjerëve, aq sa as fantazia më e zhvilluar nuk do ta shkonte ndër mend, se këta burra, do shpalleshin me një të rënë të lapsit, armiq të populllit e Adheut. Interesant është përshkrimi i takimit të pritshëm me Malinovskin, ministrin e mbrojtjes të ushtrisë sovjetike, i cili u mundua ta përbuzte delegacionin shqiptar të kryesuar nga shefi i shtatmadhorisë Petrit Dume. Ai, shumë i revoltuar, aq sa i habiti të gjithë, ngrihet të ikë dhe deklaroi se “Ne përfaqsojmë ushtrinë e një populli që nuk e meriton të tallet me të mareshall Malinovski.” Me të njëjtin ton, ai i përgjigjet edhe mareshallit tjetër, Greçkos “Nuk lejojmë asnjë njeri të hedhë baltë mbi popullin tonë. Ne jemi një popull i vogël, por fisnik dhe liridashës, që edhe pa ndihmat tuaja do të mbijetojë, ashtu siç e ka mbrojtur vendin e vet në shekuj. Ne, po qe nevoja, me sëpata dhe hanxharë do ta mbrojmë vendin tonë, siç kemi bërë dikur…” E njëjta situatë përsëritet, kur Malinovski e thërret Halimin në zyrë dhe me arrogancë e ton fyes, i thotë: “Çfarë doni ju shqiptarët?.. Jeni bërë të padurueshëm, si “piper i kuq” dhe merr përgjigjen që meritonte. I dinte mirë këto qëndrime Enver Hoxha, se fundja, kishin të bënin drejt për së drejti me karrigen e tij. E megjithatë, si mosmirënjohësi më i madh që njohu historia jonë, do t`i kryqëzonte ata heronj, me sajesa nga më të ndyrat.

“Non grata”

Vetë Halimi, i shpallur “non grata” nga qeveria sovjetike, shpallet i tillë edhe në vendin e tij. Dhe sikur të mos mjaftonin vrasjet, burgosjet dhe internimet, E. Hoxha duke i vënë kundër njëri – tjetrit, deshi edhe t’i turpërojë ata. Për dike, që ngjarjet në ushtri, gjatë atyre plenumeve butaforike që nuk ndryshonin asgjëkund me gjyqet e inkuizicionit, i ka soditur nga larg, ndofta, mund të lindin shumë pikëpyetje, lidhur me qëndrimin e drejtuesve kryesorë të ushtrisë apo dhe me korpusin e gjerë të kuadrove ushtarake. Mund të thonë se ata vetë, akuzonin shoku-shokun dhe nuk patën guximin të mbronin të vërtetën, apo veten e tyre, për të mos thënë edhe ta eliminonin Enver Hoxhën që ishte shndërruar në një tiran gjaksor i paparë. Mirëpo nuk është ashtu. Enveri, kishte autoritet perëndie, por mendjen e kishte prej djalli, dhe shpirtin prej sadisti. Ai zbavitej kur u hiqte kokat shokëve të tij. Atij as që i bëhej vonë se duke u marrë jetën atyre, duke i prangosur, duke i izoluar nga shoqëria, po i sillte një dëm të madh atdheut. Atdheu për të, ishte vetë ai. Dhe këtë bindje kërkonte t`ua rrënjoste të gjithë shqiptarëve. Qoftë dhe me forma violente. Kur fliste me hipokrizi se nuk e zinte gjumi për popull e atdhe, ai gënjente syleshët, se tërë merakun e kishte për vete. Tmerri na zinte kur bëheshin ato mbledhje të pafund. Të tërë prisnim të trembur, se ç`do ngjasë. E dinim mirë se asgjë të keqe nuk kishim bërë, dhe përsëri ishim të rrezikuar. Shpik kritika e bëj autokritika, deri edhe para ushatrëve dhe fshatarëve hallexhinj, duke filluar të dyshonim edhe tek vetja. E gjithë kjo, në emër të “parimeve”. Oh! çfarë hataje, që zgjati vite me radhë. Pa na sollën injorantë nga gjiri i klasës punëtore të cilët na shihnin me urrejtje dhe vigjilencë. Ne, bijtë më të mirë të atdheut, trajtoheshim si të ishim Katilinat e socializmit. Besnikërinë, ne e patëm gjënë më të shënjtë, ai ishte virtyti ynë më i madh. Por edhe këtë na e nëpërkëmbën, na bënë që pa asnjë faj, të ulnim kokat para popullit. Madje, duhej të falenderonim partinë që ishte treguar zemërgjërë me ne. Mark Aureli, njëherë pati thënë se “Pasojat e zemërimit janë shumë më të rënda se shkaqet e tij”. Ashtu është. Por ç`t`i bësh, kur Enver Hoxha nuk pati asnjë, e theksoj, asnjë shkak, për t`u zëmëruar dhe për të bërë tërë atë gurgule me ne. Si mund të harrohet ajo që na punoi? Dhe si mund të ketë akoma njerëz (në ç`do pozicion që të kenë qënë në radhët e ushtrisë aso kohe, apo sikur të mos u ketë hyrë asnjë gjemb në këmbë), që kanë parë me sytë e tyre tragjedinë që ndodhi, dhe të ruajnë nostalgji për atë përbindësh? Në këtë pikë, gjeneral Halimi është i pa ekuivoke: u persekutua gjeneraliati i ushtrisë tonë dhe e vuajti goditjen e pabesë e tërë ushtria shqiptare, por e gjithë kjo e pati një përgjegjës. Dhe ai që do të përgjigjet para historisë, quhet Enver Hoxha. Të mos pranosh këtë të vërtetë të hidhur, do të thotë ose të jesh pa tru, ose të jesh pa zemër. Kjo do të thotë, të thellohesh në atë qëndrim të gabuar që u mbajt atëhere dhe të marrësh pjesë në një çoroditje të brezave, në një fallsifikim të vetë historisë.

“Komplotistët”

Sikur të mos na jepen këto fakte, sot, që aktorët janë gjallë, sado që ta vrasin mendjen historianët nesër, përsëri do ta kenë të vështirë ta zbulojnë deri në fund, me saktësi, atë katrahurë. Do ta kenë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, pasi gjurmët e shkruara që kalemxhinjtë e Komitetit Qëndror na servirën dhe vetë fjalimet që Enveri mbante, janë përpiluar me aq kujdes, sa nuk u gjen dot të çara. Aty do ndeshësh vetëm komplotistë, grupe armiqësore dhe puçistë, të cilët i zbuloi qysh në fillim Komandanti dhe i ndëshkoi Partia, për të mos thënë, mbarë populli. Duke bërë fjalë për idenë e shkruarjes së këtij libri, autori thotë se “Enver Hoxha, për qëllimet e tij të mbrapshta, për të ruajtur pushtetin e tij në ato vite, herë na akuzonte ne, gjeneralëve, si agjentë të NATO – s dhe herë si agjentë të Traktatit të Varshavës, të sovjetikëve, të jugosllavëve e deri edhe të Kinës”. Me këto akuza të çmendura, operoi gjithë jetën Enveri dhe turpi le të bjerë mbi ne që e ndoqëm nga pas këtë Neron. Por të paktën tani, le të mbledhim mendjen dhe t`i japim atij, atë që meriton: mallkimin që të provojë në kurrizin e tij, atje në Ferrin ku e kanë çuar, gjithë vuajtjet shpirtërore dhe fizike që u shkaktoi të tjerëve, pa bërë asnjë faj. Virgjili ka shkruar se “Ka momente kur s`mund të thuhet asgjë; ka momente kur mund të thuhen ca gjëra; por asnjëherë nuk vjen momenti kur mund të thuhen të gjitha”. Mund të jetë kështu, por unë sepse dua të besoj, se sot, është momenti të thuhen të gjitha. Nuk kemi nga kush të ruhemi, veç ndërgjegjes tonë. Nuk kemi pse të kemi frikë nga kurrkush, për t’i thënë gjërat ashtu si i pamë dhe ashtu siç i realizojmë tani që kanë dalë në dritën e diellit aq e aq fakte tronditëse.

Cinizmi i diktaturës

A mund të anashkalohet ajo letra e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, ekspozuar në Muzeun Historik, që paracakton me cinizëm fatin e gjithë atyre burrave: “Një pjesë do të vdesin në burg, një pjesë do të sëmuren mendërisht. Deri tani, kanë vdekur në burg gjeneralët Gjin Marku, Vaskë Gjino dhe Abaz Fejzo dhe, si të sëmurë, mund të përmendim Halim Ramohiton, i cili vuan nga mania e persekutimit të familjes, një traumë kjo që e ka marrë qysh në hetuesi…” Me aq sa dimë edhe gjyqet e zhvilluara nga nazistët, pas atentatit të Fon Shtaufenbergut, më 24 Korrik të 1944-ës, kundër jetës së Hitlerit, ishin disi më të pavarura dhe më të drejta, se ato turpe juridike që inskenoheshin tek ne, hetuesive dhe gjykatave, ku me akuza hipotetike, vetëm pse ashtu kishte fantazuar mendja e sëmurë e udhëheqësit në Plenumin e gjashtë të KQ, të 17 Dhjetorit të vitit 1974, u torturuan dhe dënuan ekstremisht, komandantët legjendarë të ushtrisë, luftëtarët trima të orëve të para, ata që në çdo rrethanë nuk ishin lëkundur nga dashuria për Atdhe dhe besnikëria ndaj popullit dhe vetë Enverit.

Vitet e burgut

Vetëm ai që pa bërë asgjë të keqe, ka vuajtur vite të gjata në ferr – burgjet e komunizmit mjeran shqiptar, e di se ç`është burgu. Vetëm ai, di të shpjegojë dhembjet e shpirtit dhe të trupit, mallin për fëimijët, gruan apo nënë zezën. Dhe këto i ka përshkruar fare natyrshëm Halim Ramohito. Ja sesi shprehet ai: “Vdekjen e mendoja që mund të më ndodhte në çdo moment, por, që ne të përfundonim në burg, pas gjithë asaj lufte partizane për çlirimin e vendit dhe punës të vështirë për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë, nuk më shkonte kurrë ndërmend…

…në të gjithë mjedisin, si brenda dhe jashtë qelisë, nuk kishte asnjë rreze dielli, por vetëm hije dhe ngjyra gri na rrethonte nga të gjitha anët, një gri e zymtë, e rëndë dhe vrastare, që i shkonte aq shumë gjendjes tonë”.

Dhe ngado, roja mizore, nga ata që shtynin dhe rrëzonin përtokë, njeriun me shumë sedër, atë që e vlerësonte si të shenjtë dinjitetin, gjeneralin Abaz Fejzo, komandantin e shquar të tankeve, të drejtin si një hyjni, por dhe rebelin e pandreqshëm. Halimi, ka fiksur shumë detaje nga jeta në burg, por atij i ka lënë një përshtypje të thellë veprimi i klerikëve të dënuar …” të cilët edhe në burg, gjenin mënyra për të sfiduar pushtetin e diktaturës, jo vetëm me heshtjen e tyre të plotë, por dhe me mbjelljen e luleve në territorin e burgut. Dhe ishte një gjë e bukur dhe fisnike t`iu përgjigjeshe masave dhe padrejtësive çnjerëzore të pushtetit diktatorial duke mbjellë lule, bimët më të bukura dhe më të pafajshme të natyrës.”

Por në daç mbill lule, në daç ngule shikimin te muret e ftohta të qelisë, burgu është “gjëja më e keqe që mund t`i ndodhë njeriut. Ai është i rëndë dhe të gërryen çdo ditë, si ai ndryshku që gërryen edhe hekurin më të fortë. Sado burrë të jesh, sado të durosh e të tregohesh i fortë e i paepur, në çdo ditë që kalon të duket sikur humbet diçka të shenjtë nga burrëria dhe personaliteti yt, nga gjithçka që më parë e ke pasur të dashur e të shtrenjtë.”

Për gjithë këto që thashë, u bë shkak ky libër i shkruar me kulturë, sinqeritet dhe llogjikë të shëndoshë prej analisti me përvojë, nga një gjeneral i nderuar, ku ka bërë një punë të lavdërueshme edhe redaktori Apostol Duka, libër i cili duhet lexuar, për të nxjerrë mësime nga historia, sidomos kur për ato ngjarje ka shkruar një njëri që ka të drejtë të përsërisë fjalët e Virgjilit tek “Eneida”: “Quorum pars magna fui” që do të thotë “Në të cilën unë pata një rol të rëndësishë.” Kështu edhe vetë çlirova ndërgjegjen, për atë gëzimin subkonshient, e gjithsesi të padrejtë, kur pashë të dalë i nxirë në fytyrë nga hidhërimi, nga dera e Komitetit Qëndror, një gjeneral që më ishte dukur gabimisht nopran dhe i sertë, por që paska patur gjithë këtë shpirt të madh e të ndjeshëm atdhetar dhe që kishte bërë aq shumë për Shqipërinë, por që shërbimin më të madh po e bënte tani, duke shkruar një libër të tillë, ku merr jetë thënia e bukur e Tagorës se “Balta mund t`i përlyej diamantet, por nuk mund t`i kthejë në baltë”.

PERSONAZHET

Nga Qemal Stafa te Mao Ce Duni

Libri i gjeneral Ramohitos, është i gjërë dhe rrok një galeri të pafund personazhesh e tematikash. Ai shtrihet deri në Rusi e Kinën e largët, nga lufta nacional – çlirimtare, vitet e karikaturës së socializmit e deri në ardhjen e demokracisë. Flitet aty për shumë e shumë ngjarje e figura të njohura si Qemal Stafa, Ramize Gjebrea, Nako Spiru, Zaho Koka etj. përshkruhen takime me burra shteti si N. Hrushovi, J. Tito, Mao Ce Dun, Çu En Lai, G. Zhukovi etj. dhe shkruhet një himn për nënën dhe brengat e saj. Por unë parapëlqeva të ndalem vetëm tek goditja që iu bë ushtrisë nga marria e Enver Hoxhës, marri e krim që ende mbrohet edhe sot e kësaj dite me fanatizëm nga disa njerëz, të cilët pa pikë turpi e përgjegjësie, i drejtohen Halimit, me fjalët e pamenduara: “Mirë ua bëmë (juve, gjeneralëve puçistëve) që u dënuam…” Po t`i kishte kapur ata vetë, kosa e pamëshirshme e diktatorit shtrigan, kuptohet që do flisnin krejt tjetërsoj. Por, të mësuar me drejtimin e komiteteve të partisë apo Degëve të Punëve të Brendëshme, hipur në ato Gaz – et e frikshme, mbetur qysh nga koha e Berias, ku u bënin gjëmën të tjerëve dhe duke përfituar nga privilegjet e pamerituara, vazhdojnë me të njëjtin avaz, t`i bien zurnasë, me pjesë të kompozuara nga sharlatanët e popujve, Marks, Engels, Lenin, Stalin dhe “i barabarti” me ta “Enveri ynë”, duke harruar se njerëzve nga këto melodi bajate, u dhembin veshët dhe dikujt edhe shpirti.

MOSKA

Përfaqësues pranë Traktatit të Varshavës

Halim Ramohitos, i ra në pjesë që të përballonte role shumë të vështrira, pasi ai, nga shtatori i vitit 1957 qe emëruar si përfaqsues ushtarak i Shqipërisë në komandën e bashkuar të Forcave Ushtarake të Traktatit të Varshavës dhe njëkohësisht edhe atashe ushtarak në Moskë. Qindra djem shqiptarë, studionin në shkollat ushtarake të atij vendi. Ndaj nuk ishte e lehtë t`i takoje, t`i sqaroje dhe t`i bindje ata që të mbanin qëndrimin e duhur në interes të vendit të tyre. Gjeneral Ramohito, e kreu mësë miri këtë detyrë të rëndësishme. Ata që e kanë njohur ato ditë, në qytete të ndryshme të Bashkimit Sovjetik, ku survejoheshin e provokoheshin nga çdo anë, e mbajnë mend mirë, se mesa seriozitet dhe kompetencë e kryente ai misionin e tij.

REFLEKSION

E vërteta dhe historia

Shoqëria njerëzore, gjithmonë është përkundur midis të vërtetës dhe gënjeshtrës; por në Shqipërinë e periudhës komuniste kjo përkundje anoi aq shumë nga gënjeshtra, sa mori kuptimin e saj të plotë, thënia e Deni Didëroit se “Të vërtetën njeriu e do më fort atëhere kur çdo gjë është e rreme”. Në atë periudhë aq të ngjeshur me ngjarje të kurdisura mbi bazën e shpifjes e të mashtrimit, ne, edhe pse bënim sikur besonim në ato që na thuheshin, përsëri e donim të vërtetën, pavarësisht se nuk kishim se ku ta kërkonim dhe gjenim atë. E veçanërisht ne, që pamë dhe jetuam ato absurditete e makabritete që ngjanë në ushtri, e kemi detyrë para brezave, që të paktën tani në demokraci, në kushtet e lirisë së mendimit dhe të shprehjes dhe nën dritën e shumë e shumë fakteve, të kontribuojmë në zbardhjen e të vërtetës. Kjo është detyrë historike, morale dhe njerëzore. Pse është kuptuar kështu, nga shumë kuadro kryesore të ushtrisë, janë shkruar e botuar një sërë librash me vlerë. Por, duhet pohuar, se fatkeqsisht, ka ende nga ata që hezitojnë të pranojnë faktin se shkaktari kryesor i asaj tragjedie të pashembullt që i kushtoi aq shumë Atdheut, popullit dhe ushtrisë tonë, paradoksalisht, ishte vetë Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha. Ata shprehin keqardhjen për gjithë ato viktima të panumërta dhe një sërë budallallëqesh të tjera që patën një kosto aq të madhe, por nuk marrin guximin t`i vënë gishtin, shkaktarit të tyre, atij që me voluntarizma dhe teka faraoni, vrau, burgosi, internoi dhe poshtëroi Heronjtë e Popullit (ata që iu përkushtuan me gjithë forcat e tyre shpirtërore dhe fizike Atdheut), dhe familjet e tyre të ndershme. Asnjëherë nuk e kuptova se kujt i duhet ky ngurrim në denoncimin e krimeve të Hoxhës që as hoxhallarët nuk i la rehat dhe kujt i shërben kjo lloj besnikërie e pakuptimtë. Si mund të pranosh, se si vrasësi, si të vrarët, ishin burra të mirë dhe të denjë për vendin e tyre. Kanë kaluar njëzet vjet nga zvarritja e turpëshme e monumentit të diktatorit dhe të qëndrosh përsëri në një llogore me të, nuk është fare normale. Madje, do të shtoja, se kjo është e dëmshme, pasi çorodit ata që nuk e kanë jetuar atë kohë. Eshtë e vërtetë se gjithkush nga ne e ka një brejtje ndërgjegje, pasi dashje pa dashje, u bëmë pjesë e një skenari djallëzor. Me konformizmin tonë që shpesh kaloi në një entuziazëm të pafre, me dëshirën qëllimkeqe për t`i parë ata që ishin ngjitur atje lart, të rrëzoheshin në humnerë, apo me synimin për të treguar besnikëri pa kufi ndaj partisë, se kështu mund të bënim karrierë, pra me frikën dhe servilizmin që manifestuam pas atyre plenumeve kobzeza që nuk e forcuan, por e dobësuan ushtrinë, ne u bëmë bashkëfajtorë. Thamë gjëra të paqëna, që i rënduan ata që u quajtën padrejtësisht puçistë (pavarësisht se fati i tyre qe paracaktuar) dhe duartrokitëm, kur atyre iu hodhën hekurat apo u qëlluan me plumb pas koke. Iu turrëm njëri – tjetrit me kritika që sot duhet të na skuqet faqja, shkuam deri aty, sa shpifëm edhe për veten tonë, duke pranuar faje të pa qëna, se gjasme jemi parimorë të mëdhenj dhe u pajtuam si burracakë me ato që na servireshin, nga fantazia e sëmurë e një paranojaku që e kishte dhënë me prova, qysh gjatë luftës, pashpirtësinë e tij dhe etjen për pushtet. Në këto kushte, mea kulpa, do të ishte më e pakta që duhej të bënim para historisë, dhe jo të dërdëllisnim e të spekullonim me dinakëri orakujsh. Nuk ka pse të mbetemi të verbër në besnikëri. “Fanatik – thoshte Çërçilli – është njeriu që nuk mund të ndërrojë mendje…” Ne, aspirojmë të gjithë të shkojmë drejt qytetërimit perëndimor, por atje shkohet me të vërteta dhe jo me mendësi bizantine. Eshtë kjo arsyeja që kujtimet e Bedri Spahiut, Liri Belishovës, Rrahman Parllakut, Ernest Jakovës e shumë personaliteteve të tjera, janë pritur aq ngrohtë. Njerëzit e dinë mirë kuptimin e thënies së Bielinskit se “E vërteta më e hidhur është më e mirë se mashtrimi më i ëmbël”. Ndaj dhe i përshëndesin ata që kanë kurajon të pranojnë të vërtetën, paçka se kjo për ta mund të ketë edhe kosto, sidomos ndaj mërisë që do t`i kundërvënë, ata që ende ruajnë konsiderata për “gjeniun e marksizmit”, që në fakt, ishte gjeniu i së keqes të shqiptarëve, atij që zbatoi me kokë poshtë, konstatimin e Brutusit se “Lavdi pa viktima nuk ka”, duke krijuar viktima edhe mes shokëve dhe miqve të tij. Eshtë ky rrëfim i mënçur dhe sidomos i sinqertë që më bëri të shkruaj diçka rreth librit të gjeneral Halim Ramohitos, “Në shërbim të atdheut tim”. Duke qënë vetë pjestar i forcave të armatosura, më shumë si oficer, sesa si shkrimtar, e ndjeva detyrë të shkruaj për këtë libër të denjë për një Institut Historie apo për pena akademike.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: