Kur Kozma Etoliani shkon në Tepelenë dhe pikërisht në kështjellën e Ali Pashë Tepelenës, ai i drejtohet me këto fjalë Pashait shqiptar: “Ti do të bëhesh një njeri i madh, ti do të pushtosh gjithë Shqiperine (Arvanitia), do nënshtrosh Prevezën, Pargen, Sulin, Delvinën, Gardhiqin edhe ate ushtri te famshme te Kurt Pashës. Ti do të lësh një emër të madh në botë. Dhe në Qytetin (Kostandinopoje/Stamboll, shenimi E. Canaj) që ti do të shkosh, por me një mjekër të kuqe. Ky është vullneti i Providencës Hyjnore…..
Shën Kozma Etoliani aq i përfolur në këto ditë të nxehta vere, herë politikisht e herë në debate fetare – ende nuk ka hyrë në “gjuhën” e historisë, për ta parë si shenjtor, si profet. Ndërsa mjaft dokumente tashmë janë në dritë, qoftë dhe prej letrave të lëna nga shenjtori. Megjithatë çdo 24 gusht ai nderohet nga Kisha Ortodokse Shqiptare në fshatin Kolkondas të Fierit, ku u gjend i vrarë, të cilin Ali Pasha e nderoi duke ngritur kishën e parë në këtë vend. Por miqësia e Kozma Etolianit me Pashain shqiptar sa është mister aq dhe argumentohet nga disa studiues përmes dokumenteve. Sidomos kjo lidhet me dhuntinë e profecive të priftit ortodoks, predikoi për grekët, por i një rëndësie konsiderohet dhe profetizimin për Pashain e Janinës. Kur Kozma Etoliani shkon në Tepelenë dhe pikërisht në kështjellën e Ali Pashë Tepelenës, ai i drejtohet me këto fjalë Pashait shqiptar:
“Ti do të bëhesh një njeri i madh, ti do të pushtosh gjithë Shqiperine (Arvanitia), do nënshtrosh Prevezën, Pargen, Sulin, Delvinën, Gardhiqin edhe ate ushtri te famshme te Kurt Pashës. Ti do të lësh një emër të madh në botë. Dhe në Qytetin (Kostandinopoje/Stamboll, shenimi E. Canaj) që ti do të shkosh, por me një mjekër të kuqe. Ky është vullneti i Providencës Hyjnore. Mbaj mend, megjithatë, gjatë gjithë kohëzgjatjes së pushtetit tend te duash dhe të mbrosh të krishterët, në qoftë se ti do të mbash pushtetin për pasardhësit e tu.”
Këtë fragment të shkëputur prej librit te Metropolitit Augustine Kantiotis me titull “Saint Kosmas Aetolos”, na e mundësoi studiuesi Etnor Canaj, duke zbuluar dhe për “standard” disa dokumente të panjohur që lidhen me predikuesin, si ligjerata e tij para himariotëve, por duke na dhënë dhe një argument historik mbi letrën e Shën Kozmai.
Është e dokumentuar se Ali Pashë Tepelena u bë garant i Shën Kozmait dhe falë mbështetjes së tij ai shkonte fshat më fshat në jug të Shqipërisë dhe Çamërisë për të predikuar. Thuhet se vrasësit e tij i dërgoi Pashai i Beratit, Kurt Pasha, por sipas studiuesit Etnor Canaj ende nuk ka dokumenta që ta vërtetojnë këtë gjë. Por nga ana tjetër dihet se Kurt Pasha ishte në armiqësi me Ali Pashën.
Çfarë mbështetet më shumë në forumin e studiuesve lidhet me faktin se predikimet e Etolianit lidhen me misionin e tij për t’i krishtëruar njerëzit nëpërmjet ritit ortodoks grek, pikërisht nga fakti se gjuha liturgjike ishte greqishtja në kohët që flasim. “Jam i mendimit qe ashtu sikurse Danil Voskopojari bënte propagandë pro-romaike (greke) në pjesën e Maqedonisë dhe Trakisë, duke mallkuar apo duke dekurajuar njerëzit të flisnin gjuhën e tyre të përditshme, po të njëjtën gjë bëri edhe Etoliani”, shprehet Canaj. Ai shton se Danil Voskopojari ishte me prejardhje Vllahe dhe dekurajonte vllenjtë të flisnin gjuhën e tyre. Mendohet që edhe Etoliani të ketë qenë arvanit.
Studiuesi thotë se këto janë të faktet sipas dokumentave të shkruara. “Por, duke kërkuar të përdorim edhe logjikën, një lloj bekimi prej Aliut, Etoliani duhet të ketë patur, pasi nuk mund të levizje kaq lehtë nëpër territoret që ai posedonte dhe të predikoje pa lejen e tij. Pra, Aliu në një farë mënyre e mbështeti Etolianin”
Duke lënë mënjëanë propagandën e shek.19-20-të, pjesa e historisë thuhet me bindje prej studiuesve pasi kleri ortodoks ishte përherë nën mbrojtjen e sulltanit, dhe me ligje të posaçme, sse duke paguar taksat rregullisht dhe nuk mund të thuhet se “turqit vrisnin e prisnin priftërinjtë” e kundërshtuar kjo në raport me të vërtetën.
“Në këtë kohë Mali Athos ishte ne kulmin e lulëzimit të tij pikërisht përgjatë osmanëve dhe ky është fakt. Vetë Patriarkana e Stambollit ishte e fuqishme në shumë drejtime, përfshi këtu atë ekonomike. Fatkeqësia na ndodhi ne, kur turqit duke parë kryeneçësinë shqiptare përdoren myslimanizmin masiv dhe të dhunshem popullor që të nënshtronin këtë popull (shqiptaret). Dinin që duke përdorur elementin fetar do arrinin “dividi et impera””
Në një nga ligjeratat e Shën Kozmait ishte: “Asgjë në këtë botë nuk është juaja, ndaj në qoftë se ja u marrin mos u brengosni. Ruani vetëm Krishtin dhe shpirtin”
Kjo lidhej me faktin e mospagesës së taksës, për të cilën Shën Kozmai mendohet të ketë predikuar se më mirë të paguajnë taksën se sa të kthehen në fenë islame.
Kujtojmë se një nga predikimet e tij ishte: “Falenderoni Zotin që solli turqit dhe jo ndonjë perandori tjetër. Sepse turqve nqs u jep para nuk ta prekin fenë, por po të ishte dikush tjetër mund t’ju detyronte t’ju kthente në fe tjetër me forcë”
Kështu këto predikime nuk binin aspak ndesh me otomanët, duke u ruajtur në këtë zonë të jugut ortodoksia, ndonëse ju morën pasuritë. Në këtë kontekst shihet edhe miqësia që Shën Kozmai kishte në rajon me Ali Pashën
Referuar argumenteve historikë të studiuesve Shën Kozmai veproi brenda kufijve gjeografike dhe kulturore fetare të Bizantit, prej së cilës mohohet dhe sot debati për ta kthyer në një koherencë të sotme. Parë në këtë kontekst të kohës, si histori, Shën Kozmait i njihet merita kur thuhet se misioni i tij, i predikimit,ishte “mbushja me shpresë perëndie e shpirtit të besimtarëve ortodoksë në Ballkan”.
Ali Pashe Tepelena e nderoi jetën e shenjtorit, duke ngritur edhe kishën e parë në vendin ku ai u martirizua, siç mund të thuhet se pa “njeriun e shenjtë të Perëndisë” te Shën Kozmai, që kishte dhuratën e profecisë, duke parë të ardhmen e trevave dhe historisë së tyre. Profeci që kishin të bënin edhe me vetë jetën e Pashait.
***
Ai nderohet se “mbrojti Shqipërinë”, që përhapi në vendin e pushtuar nga otomanët kulturën, ligjin dhe moralin e krishterë; debati këtu dyzohet nëse Shën Kozmai iu referua qytetërimit të evropian, apo i konsideruar me mendësi neobizantine, në mbrojtje të territoreve të krishtera.
Studiuesi Etnor Canaj na mundësoi një tjetër fakt, një letër për këtë të shkruar nga Shën Kozmai, ku përmblidhet gjithë argumenti i debatëve që ka vluar këto ditë, ja çfarë përmban fjalë për fjalë:
“Arsimi dhe Besimi! PSE, Oh priftërinjtë e Shenjtë dhe pleq të nderuar, nuk u këshilloni vëllezërve tanë të bekuar për të vendosur dhe për të ndërtuar një shkollë në çdo fshat, në mënyrë që fëmijët do të marrin një arsim për të mësuar se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe? Sepse edhe unë mësova, vëllezërit e mi, alfabetin në shkollë me ndihmën e Krishtit tonë. Unë gjithashtu kam mësuar pak greqisht të lashtë dhe shumë gjëra të tjera: ne Hebraisht, Turqisht, Frëngjisht, dhe diçka nga të gjitha kombet me hirin e Krishtit tonë. Kam lexuar shumë dhe kam gjetur të gjitha njohuritë laike të jen te rreme, të gjithë shpikje dhe fara e djallit. Në të vërtetë, vëllezërit e mi, kam studiuar me aq zell si një argjendar qe peshon argjendin dhe nuk lejon asnjë papastërti të mbetet dhe pastaj ai është i ndritur dhe i pastër dhe është blerë nga njerëzit me dëshirë. Në mënyrë të ngjashme, kam gjetur fjalët dhe urdhërimet e Krishtit të pastëra, te shenjta, te vërtetë, të ndritshme, dhe më shumë te shkëlqyeshme se dielli. Dhe kushdo që beson në Krishtin dhe e quan atë Perëndi, dhe bën gjithçka të shenjtë Ungjilli i tregon atij, qe ai do të jetë i fatit të mirë dhe tri herë-bekuar. Ai kurrë nuk do të turpërohet. Kjo është arsyeja pse ju duhet te themeloni shkolla Greke, në mënyrë që njerëzit do të lartësohen shpirtërisht, sepse duke lexuar Greqisht gjeta se ajo ndriçon dhe ndriçon mendjen e studentit si dielli ndriçon tokën. Atëherë është e qartë dhe ne mund të shohim tani. Në këtë mënyrë të njëjtën mendje mund të shihni ne të ardhmen, të gjitha çfare është e mirë dhe e keqe dhe kjo është
mbrojtja nga çdo lloj e keqe dhe mëkatit. Shkollat hapin rrugën për në kishë. Ne mësojmë çfarë është Perëndia, çfarë është Trinita e Shenjtë, çfare është një engjëll, çfare janë virtytet, demonët, dhe ferri . Ne mësojmë çdo gjë në shkollë. Shkolla ndriçon njerëzit dhe ata janë në gjendje për të hapur mendjet e tyre dhe të mësojnë të fshehtat e besimit tonë.
Vëllezërit janë në gjendje të lexojnë Biblën e shenjtë, Ungjillin, dhe ne gjejmë se profeti Elia është i gjallë dhe se ai ka qenë me Perëndinë për mijëra vjet. Dhe Perëndi do të thotë, dërgim i profetit Elia për të mësuar gjithë bota dhe pastaj Antikrishti do të vijë dhe të vrasi profetin. Pastaj e gjithë bota do të jetë shkatërruar. Dhe duke e shqyrtuar, vëllezërit e mi, dhe të kërkoni Shkrimet dhe Ungjillin e shenjtë, ne gjejmë se profeti Elia ka ardhur dhe se Antikrishti ka ardhur dhe e ka vënë profeti Elia me vdekje, dhe tani ne as presim për profetin Elian dhe as Antikrishtin.”- një letër kjo, e marrë prej mësimeve të Shën Kozma Etoliani (1714-1779), Kryemurg ne Malin e Shenjte Atos.
Biografi
Shën Kozmai lindi më 1714 pas Krishtit, në Mega Dhendro të Etolisë, ku punonte si endës pëlhurash, anifandis, që ishte edhe mbiemri i tij. Emri i tij i pagëzimit ishte Konsta. Që në moshë të vogël i lutej Perëndisë, që ta ndihmojë të lexojë “Shkronjat e Shenjta”. Më vonë au shkoi pran pranë murgut Jakov, më vonë, dëshmorit të ri, në manastirin e Pararendësit të shenjtë, afër fshatit të tij. Pranë Jakovit, Konsta u tregua nxënës i nxehtë i tij. Mësuesi i hapi rrugën, me këshillat e tij, për ndjekjen sistematike të mësimeve të tij shkollore.
Duke mbaruar atë shkollë, vendosi, në moshën 20 vjeçare, të marrë mësime pranë hierodhiakonit të famshëm Gjerasim Liçika, dhe në vazhdim pranë hierodhiakonit Hanania Derviçani. I përlqente të merrte zakonisht si shkas një fjalë të frymëzuar të Shkrimit të Shenjtë dhe ta predikonte, herë ndaj nxënësve të shkollës dhe herë të tjera ndaj të krishterëve të fshatit, për ndërtim shpirtëror.
Të gjitha këto do të përbëjnë fillimin e bërthamën e frymës së tij misionare të mëvonshme.
Pak më vonë një pasues i tij do të shkruajë: “Kishte shumë mall, i lumuri, në zemrën e tij, që në fillim kur ishte laik, për t’u ofruar dobi vëllezërve të krishterë nga ato që mësoi, që të fitojë kështu pagë qiellore dhe lavdi të pafishkur”. Për t’u arsimuar më tej ai vendosi të lërë atdheun, familjen dhe punën e tij dhe shkoi në Malin e Shenjtë për të ndejkur mësimet në shkollën e re të sapohapur. Konsta dëgjoi me interes të madh Panajot Palamanë, mësoi logjikën nga meçoviti Nikolla Xarxuli, u fut në të fshehtat e teologjisë nga Neofit Kafsokaliviti i Malit të Shenjtë. I zgjeroi më tej njohuritë e tij në urtësinë kishtare dhe botërore, duke ndjekur mësimdhënien e të urtit Eugen Vúlgari.
Në vitin 1759 u thirr murg në manastirin e hirshëm të Filotheut në Malin e Shenjtë, mori emrin Kozma, sipas rregullit, dhe jetonte sipas kanuneve të jetës murgjërore, duke kreshmuar, duke u lutur dhe duke studiuar.
I veshur me rason e thjeshtë, hante aq sa ishte e nevojshme për të jetuar. Pak muaj më vonë u hirotonis dhiak dhe pastaj prift. Ishte tashmë 45 vjeç, i arsimuar, i pjekur, i mbushur me dashuri për Perëndinë dhe i gatshëm të ofrojë sistematikisht dhe tërësisht veten e tij në shërbim të vëllezërve të tij të robëruar. Thuhet se e frymëzonte shumë, thënia e apostulit Pal: “Askush le të mos kërkojë të mirën e tij, por secili të tjetrit” I Kor. 10:24.
Kështu, pasi mori uratën e etërve të Malit të Shenjtë, shkoi në Kostandinopojë për të marrë bekimin e Patriarkut Ekumenik, në mënyrë që të fillojë udhëtimet e tij misionare për riungjillizimin e popullit.
Letër drejtuar Himariotëve
Prej letrave (doreshkrimeve) te Shen Kozma Etolianit (1714-1779) i cili ishte Kryemurg ne Malin e Shenjte Atos. Shkeputur prej vepres se Metropolitit Augustine Kantiotis, me titull “Saint Kosmas Aetolos.” :
Ja letra (doreshkrim) i Shen Kozmait per Himariotet dhe Himaren:
“12. Për banorët e fshatit të Himares.
Vëllezërit e mi më fisnike e të dashur, banorë të fshatit Himare, unë ju përshëndes dhe i lutem Perëndise se shenjtë për shëndetin tuaj shpirtëror dhe fizik. Unë, vëllezërit e mi, si një shërbëtor i padenjë i Krishtit, Perëndisë tonë,
udhëtojë përte mësuar të krishterët sipas mundësive të mia me lejen e peshkopëve vendas. Un kam ardhur këtu në fshatin tuaj, dhe duke parë se ju nuk keni një shkollë për fëmijët tuaj për të mësuar pa paguar, unë u kërkova të krishterëve dhe ata i dhanë në bazë të aftësisë dhe vullnetit të tyre për shkollën [dhe ju gjithashtu duhet të ndihmoni per shkollën] nga burimet [tuaja] te veta apo nga ato të fshatit ose nga ato të dhurimeve fetare, në mënyrë që ju mund të paguheni nga Perëndia dhe lavdia prej njerëzve.
I jam i detyruar dhe i lutem Perëndisë se Shenjtë që bekon të gjitha gjërat, për të bekuar fshatin tuaj dhe shkollat tuaja, fëmijët tuaj, dhe të bëhen të denjë për të jetuar mirë dhe te kënaqshëm për Perëndinë këtu (në tokë), dhe për tu vënë
ju në parajsë, të gëzohemi dhe të ngazëllojmë dhe të lavdërohemi me Trininë e Shenjtë.
I emëruar, me pëlqimin e të gjithë, prifterinjve, z Mihal, administrues i besuar, dhe të gjithë fshatit si ibesuar dhe ndihmësit e tij, dhe veçanërisht z Zaho, priftit Spiro, dhe Z. ILia Dhimitri për të qeverisur Shkollat dhe si Zoti ti ndriçoj ato.
Kryemurgu Kosma
i cili lutet për ju
gusht 1779 “
Këtë letër na e mundësoi studiuesi Etnor Canaj, i cili e ka parë të arsyeshme ta argumentojë historikisht, duke vënë theksin në praninë e një dokumenti tashme dhe jo manipulim dhe se nuk ekziston asnjë dokument tjetër që të vërtetojë të kundërtën e kësaj.
Përgatiti: V.M
Ndajeni këtë me të tjerët: