Kategori
Uncategorized

Pashë njat’ Zot, or shoku sekretar! Po a edhe me ngranë mut mor, u dashka triska e Frontit?!

TRISKA E FRONTIT

Agron Tufa /

Mbas dy burgjeve or burra, për rrafsh 23 vjet kokërr m’kokërr – po fliste e rrëkëllente tespihet një plak thatan me kësulë në konakun ku hymë (ne zumë vendet pa bëza) – Muratin nuk e kthyen…

Nuk e kthyen në katundin e vet ku kishte shpi, nji copë tokë, njerëz e farefis, po i dhanë pil n’internim, në nji katund të Lushnjës. Nuk u kthye ma… nuk di si u vendue atje me familjet e persekutueme, herë në nji kazermë, herë në do farë magazinash, barakash… Yhaa! 30 vjet e kusur… por po ta kishe pa atëhere, kishe me thanë se aj grusht burrë nuk e kap motmotin qetër.

Ai pak shtat njeriu, dukej sikur u kishte hapë vend mbrenda vetes të gjitha sëmundjeve të burgjeve e kampeve ku kishte bujtë. Me e pa, ishte njisoj si me kqyrë nji frut të rrudhun, të bremë e të ngranë përmbrenda prej krymash… Po kush i din punët e Zotit, se kur ia fik njeriut flakën e kandilit… Se kishte me rrnue kaq gjatë, as unë, as tjetërkush, e as ai vetë, s’kishte me zanë besë!

Ata që e kishin njohë Muratin para burgut, thonë se kishte kuvet, sa me ua kacafytë me dy arusha mali e me i vu përfund… Po unë kam njohë, si duket, hijen e tij… Hijen e një burri sa bishti i shatit. Hijen e nji burri që, dita me ditë, hollohej e sosej mbas bishtit të shatit, prej kur niste me da drita dheun, deri kur e mblote nata prapë.

Po e kujtojsha me vete e qe, m’ra n’mend nji kohë e ligë n’internim, kur edhe Murati, rahmet gjettë i lumi, e ka pas nji shpresë; at’ shpresë matte e çmatte gjithë kohën e lume.
Na e muarrëm vesh shpresën e Muratit, ditën kur doli në pension njëfarë Pilo… Pilo Korroveshi… Murati ia kishte pas vu synin atij vendi pune dhe mendonte me vete, se kur të dilte në pension Pilo, kryesia e kooperativës – tue e pa si shnetin e tij të lig, ashtu dhe duzinën e smundjeve që kishte mbledhë burgjeve, – karrocën e Pilos do t’ia linin atij. Tan ditën e lume Pilo Korroveshi transportonte… si me e thanë, bre burra, se nuk përmendet… me nder jush… jashtëqitje, fekale si i thonë. Po, por fekalen e mbante karroca me rrota dhe e tërhiqte kali! Murati kishte ba mend me shpëtu prej bishtit të shatit, që po ia hante kapak e përditë atë shkop hije që i kishte mbetë. Mandej nuk i kishte sajue krejt kot llogaritë: me atë karrocë dhe atë punë, Pilo merrte pare ma shumë se të gjithë punonjësit e asaj kooperative: kokërr më kokërr – 250 lekë! Kshtu de, Pilo doli në pension, dhe menjëherë Murati ngarendi me paraqitë kërkesën në zyrat e Kryesisë së Kooperativës.
Ditën e mbledhjes e thirrën Muratin. Mbledhja mbrenda, Murati jashtë. Priste. Dikur e thirrën dhe hyn Murati në sallë. Hala pa iu mësue sytë prej dritës së fortë t’qershorit, pa i dallue mirë fytyrat e mbledhuna rreth tavolinës së presidiumit me beze t’kuqe, dikush i briti fort:

  • Murat Sina! Ju na keni dërguar një kërkesë për të marrë karrocën e Pilo Korroveshit, kështu?
  • Siurdhëroni, – përgjigjet Murati në tym, tue e kullue kadalë shikimin e tue i ra thartë prej presidiumit të mbledhun në atë sallë: nuk mungonte asnjë prej “Komitetit Qëndror të Kooperativës”, siç na tha ai vetë, ma vonë.
    -Ju elementët e klasave të përmbysura, në vend që të edukoheni nëpërmjet punës, kërkoni qoshe të ngrohta, si e si për t’iu shmangur ballafaqimit me të! Këtu ju kanë sjellë në internim, që të edukoheni nëpërmjet punës, të ndërroni mentalitet, e jo të bëni karrierë!
  • Për çfarë karriere e ke fjalën or shoku sekretar!? Të gjithë e dinë që jam i smut… që jam i kputun fuqish…
    Të gjitha kokat filluan me pëshpëritë në veshin e njeni-tjetrit. Sekretari i partisë, në qendër të tavolinës gjatoshe, ndigjonte herë pëshprimat që i vinte kah e majta, herë ato që ia sillnin shokët kah e djathta. Tundtte kryet, diç zhgarraviste, e Murat Sina kishte mbetë aty, pa luejtë vendit para tyne, si një kërcu i përzhitun kaherë prej rrufesë. Ma në fund sekretari i drejtohet Muratit:
  • E shqyrtuam kërkesën tuaj dhe vendimi i shokëve është, se juve, një ish-të pandehuri, të dënuar nga drejtësia popullore, tani – të internuar, – nuk mundemi në asnjë mënyrë t’jua besojmë një punë e detyrë të tillë. Përmbi të gjitha, ju nuk keni as triskë Fronti!
  • As triskë Fronti! – përsëdyti zymtë kryetari i Këshillit.
    Gjatë qëndroi para tyne Murat Sina, heshtun e me shpresë se mos ndonjeni ndryshonte mendim, por kur e pa se Kryetari i Frontit po ia bënte me trinën e dorës gjestin dëbues – çka donte me thanë “Ik, thyej qafën!”, atëherë, para se me u largue, Murati ia shprazi gjithë habinë e vet sekretarit të Partisë:
  • Pashë njat’ Zot, or shoku sekretar! Po a edhe me ngranë mut mor, u dashka triska e Frontit?!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s