Kategori
Uncategorized

JO KOMUNISTË POR ENVERISTË.

Sot është e çuditshme se viktima dhe xhelati bëjnë bajram e pashkë bashkë, hanë e pinë bashkë dhe janë krushq mes tyre.

Komunisti i thjeshte i një katundi të humbur, a i një miniere që luftonte me vdekjen në galeritë e thellësive, nuk ka asnjë lloj mëkati as përgjegjësie se pesë a dhjetë zyrtarë të lartë të rrethit kanë vendosur dhe kanë internuar mijëra njerëz. Fati i Shqiperise nuk ka qene ne dore te anetaresise se partise se punes por ka qene ne dore te Enver Hoxhes dhe klanit te tij. Sot është e çuditshme se viktima dhe xhelati bëjnë bajram e pashkë bashkë, hanë e pinë bashkë dhe janë krushq mes tyre.

nga REXHEP SHAHU

Të shash komunistët, të përdorësh vend e pa vend, mëngjes, drekë e darkë fjalën komunist, për fyerje, tallje, përbuzje, hakmarrje, në mënyrë të paqëllimshme kemi forcuar unitetin e atyre që i thërrasim komunisteve.

Në fakt janë një grup jo i vogël ish anëtarë të Partisë së Punës të Shqipërisë që e kanë harruar se kanë qenë komunistë, ose nuk e kanë përfilluar faktin e te qenit komunist se nuk u ka hyrë në punë as atëhere kur kanë qenë në listat e komunistëve, thjeshtë se kanë qenë të parëndësishm, të papërfillshëm, kanë qenë statistikë.

Duke i sharë e anatemuar me fjalë, ne ndihmojmë e i nxisim që ata të bëhen e të ndjehën bashkë sepse ndjehen të sulmuar e të përbuzur me pa të drejtë për madhësinë e komunistizimit të tyre, ndjehen të etiketuar për keq.

Unë nuk kam asnjë problem edhe nëse keqkuptohem nga miqtë për këto që po shkruaj. Sepse kam mësuar dhe sot e di me siguri se sa herë përdoret për keq e për etiketim të së keqes në bllok fjala komunist, komunistët, sikur ata janë kriminelët në bllok, ne vetem forcojmë radhët e tyre dhe i detyrojmë ku janë e ku s’janë të bëhën bashkë edhe pse nuk e kanë patur ndoshta ndër mend, të ngrihen edhe nga varri të bëhën bashkë. Detyrojmë fëmijët e familjarët e farefisin e tyre të reagojnë në përkrahje të tyre, të bëhën bashkë kundër atyre që përdorin fjalën komunist për sharje e përbuzje, si përsonifikim të së keqes, edhe pa të keq në bllok për etiketim të së keqës.

Kështu i shërbehet ndarjes e jo afrimit të shoqërisë, të njerzve. I shërbehet ndarjes në miq e armiq, në kundërshtarë për vdekje që urrehen, kështu i shërbehet urrejtjes, jo pajtimit jo paqes. Komunisti i thjeshte i një katundi të humbur, a i një miniere që luftonte me vdekjen në galeritë e thellësive, nuk ka asnjë lloj mëkati as përgjegjësie se pesë a dhjetë zyrtarë të lartë të rrethit kanë vendosur dhe kanë internuar mijëra njerëz. Fati i Shqiperise nuk ka qene ne dore te anetaresise se partise se punes por ka qene ne dore te Enver Hoxhes dhe klanit te tij. Sot është e çuditshme se viktima dhe xhelati bëjnë bajram e pashkë bashkë, hanë e pinë bashkë dhe janë krushq mes tyre.

Të shash komunistët si e keqja e këtij vendi nuk e kemi përcaktuar realisht të keqen, nuk e kemi gjetur fiks të keqen e të këqijtë, nuk i kemi rrethuar as izoluar as i kemi karantinuar.

Dihet se kanë qenë mbi 100 mijë komunistë në Shqipëri, anëtarë të Partisë komuniste ose Partisë së punës te Shqipërisë.

Pothuaj rrallë ndonje familje nuk ka patur komunistë ose ka shpëtuar pa u “infektuar” me komunistë ose në familje, ose në miqësi, ose ku ka marrë nuset ose ku ka martuar vajzat, ose tek dajtë, ose tek hallat a tezet a baxhanakët, baxheshat, krushqitë apo kumbaritë. Nuk mund të thotë askush se Shqipëria ka qenë me zona të pastra pa komunistë, pasi ka qenë strategji e partisë të shtrihet si rrjet merimange.

Por komunistët kryesorë të vendit në masë, ata që ndoshta edhe nuk e kanë ditur çfarë është komunisti, që as i ka pyetur kush as i ka dëgjuar kush, kanë qenë analfabetë, kanë qenë bujq, blegtorë, mjelësa a mjelëse, barinj, minatorë, metalurgë, sharrtarë, montatorë, muratorë etj. Edhe nëse kanë ngritur duart i kanë ngritur ose për inate katundi e fisi që i nxiste partia ose se urdhëroheshin ti ngrinin duart se ashtu thoshte sekretari. Por asnjëherë politikat nuk i bënë komunistët e thjeshtë që ishin për tu mëshiruar shpesh herë…

Dikush i interesuar nga Sigurimi i shtetit në mënyrë të përsosur ka organizuar nxitje të të përndjekurve e të dënuarave që të shajnë komunistët por “të mos merren me shokët e udhëheqjes, të mos merren me shokun Ramiz…”

Dhe e verteta është kjo, me libër shtëpie ne shajmë komunistët, por Ramiz Alinë e ruajmë, atë edhe e paraqesim të butë, për të themi se nuk e lanë por ai do e bënte demokracinë funksionale, ai e solli pa gjak demokracinë, po të donte ai do shkonte gjaku në gju… I dëgjon ngado këto biseda e fjalë të “pafajshme”.

Harrojmë se para se të ketë demokratë, socialistë, ballistë, zogistë, fashisë etj, etj., ka njerëz të mirë e jo të mirë, njerëz me dinjitet e pa dinjitet. Harrojmë me qëllim se para se të ketë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, ka punëtorë të sigurimit të shtetit që ngritën sistemin dhe i përdorën si kavie e mashë bashkëpunëtorët edhe duke i poshtrue e përdhunue…

Pjesa dërmuese e komunistëve kanë qenë të tillë që janë përdorë mizorisht nga partia që ata të kryenin me kënaqësi punët më të rënda dhe si shpërblim poshtrues të merrnin po-në e partisë, dakortësinë e saj për kandidat partie apo anëtar partie, të merrnin fjalën e mirë nga shokët e partisë dhe me këto frymëzime partie që ishin droga më e fortë që nxisnin të rij e të reja të bënin punët më të rënda të vendit, me norma të rritura si kaviet nën vëzhgim, ata kënqëshin se ishin komunistë.

Shumicës së komunistëve të arave, minierave, fabrikave, galerive as u ka hyrë ndonjëherë në punë të qenit komunist sepse privilegjet e kohës i merrnin zyrtarët e partisë ose fëmijët e zyrtarëve.

Tani në kohën tonë, tri dekada pas shtetit të komunistëve, ne me lehtësinë më të madhe etiketojmë me fjalën komunist në mënyrë përbuzëse, akuzuese e sharëse gjithë komunistët.

Por nuk ka bujk, blegtor, minator, metalurg, sharretar, nuk ka familje e fëmijë të këtyre që u vjen mirë apo të ndjehen krenarë që dëgjojnë të flitet me përbuzje për njerzit e tyre që vertetë e kanë patur emrin në listat e komunistëve por vetem kaq, se ata nuk kanë vendosë asgjë as sa milingonat për fatet e politikën e vendit. Por as edhe nuk kanë ndjerë ndonjë krenari pse kanë qenë komunistë se nuk u ka hyrë në punë ajo gjë as për tu ndjerë krenarë atje ku varfëria i bëntë barabar të gjithë dhe luksi i vetëm ishte kush i hidhte pak më shumë sheqer sipër bukës së mykur të misrit që gatuante kooperativa dhe që kishte raste që nuk e shponte as plumbi i pistoletës së kryetarit apo sekretarit të byrosë së partisë të kooperativës.

Atëhere duke i sharë e duke e përdorë në mënyrë përbuzëse fjalën komunist, ne fitojmë inatet e tyre, përbuzjen, urrejtjen e pasardhësve të komunistëve dhe ata instiktivisht bëhen bashkë kundër nesh dhe pastaj i konsideron kontigjent të sajin Partia socialiste.

Ky ka qenë një kurth që i është ngritë gjithmonë Partisë Demokratike dhe shoqatave të përndjekurve politikë përmes Sigurimit të shtetit dhe që i ka dëmtuar gjithonë duke iu larguar e distancuar njerëz të thjeshtë të vendit që nuk durojnë të jetojnë nën breshërinë e asnjë akuze kur ndjehen jo të fajshëm dhe që as duhet të mbajnë përgjegjësi për prindërit e tyre. Prindërit mbajnë përgjegjësi për fëmijët por fëmijët nuk mbajnë përgjegjësi për prindërit. Prindërit komunistë janë harruar kur kanë vdekur, e bijtë e tyre ende etiketohen në bllok, komunistë…

Nuk është meritë as aftësi as mençuri, as politikë që të largosh njerëz të pafajshëm dhe të përbuzësh mundësinë për simpatinë e tyre dhe të refuzosh votën e tyre për shkak të këtyre fyerjeve.

Unë di plot njerëz që janë gati të marrin hak me votë kundër Partisë Socialiste kur u kujtohen talljet ndaj familjarëve të tyre, shfrytëzimet e prindërve të tyre e hipokrizitë e saj dhe të eksponentëve të saj që zotërojnë në këtë parti që kur ajo ishte Parti e punës apo Parti komuniste. Por këto njerëz stepen e largohen sapo dëgjojnë eksponentë të PD që i shajnë me libër shtëpie komunistët në bllok.

Këtë urrejtje me fjalë kundër gjithë komunistëve në bllok e kanë hartuar e përsosë si strategji e praktikë ekspërtë të sigurimit të shtetit dhe e kanë bërë ndoshta padashje strategji të tyre disa tip shoqatash të të përndjekurve politikë që jetojnë në samarin e urrejtjes se ndryshe ngordhin dhe këkojnë e mendojnë se duhen ndërruar portat me regjimin komunist, të ikin komunistët e të vijnë të burgosurit prej komunistëve të cilët duhet të bëjnë, sipas këtyre shoqatave, atë që bënë komunistët ndaj tyre, të marrin hak me burgime e dhunime…

Duke sharë komunistët e thjeshtë që në zona e rajone të ndryshme, në ndërmarrje të ndryshme janë skllavëruar më shumë se të tjerët në frontet më të vështira e punët më të rënda duke u shpërblyer me teserë partie, ne lëmë mënjanë “të lirë”, “të pacënuar”, të pa etiketuar bllokmenët, enveristët, zullumçarët, zyrtarët e komunizmit që komandonin gjithçka në ndërmarrje, rrethe, kooperativa, instruktorët zulmëmëdhej të komiteteve të partisë që bënin dënimë e demaskime e linçime publike kundër njerëzve në ara e ndërmarrje vetëm nga devocioni që kishin për partinë, ne i lëmë të qetë anëtarët e komitetit qëndror, zyrtarët komunistë që kanë patur në dorë fatet e vendit, ekonominë e vendit, që kanë dënuar, internuar, që kanë ngritur sistemin e dënimit linçimit e përbuzjes, diferencimit që edhe sot me veprimet e mos veprimet e tyre i sherbejnë komunizmit dhe ëndërrojnë të kthehet sistemi një partiak, që shpesh edhe sot i kemi në krye të punëve delikate, ende edhe sot e gjithë ditën ne i duartrokasim dhe shumë të përndjekur politkë që nuk shaluan kurrë urrjetjen brohorasin e duatrokasin për eksponëntë komunistë që ndërruan kalë, nga shoqatat e Enverit, në institucionet e shtetit demokratik. Eksponentë të tillë të pacipë të komunizmit që i bëjnë edhe moral kësaj shoqërie sot, që japin mësime morali, arrijnë të tolerohen dhe mashtrojnë edhe të përndjekurit politkë, u marrin lekë për sponsorizime të përndjekurve politkë. Ata që janë rritë apo mplakë në burgjet e diktaturës komuniste ose kampeve të internimit a përqëndrimit të Lushnjes a Fierit arrijnë të financojë a sponsorizojnë kujtimet apo botimet e librave të zyrtarëve të lartë të partisë së punës. Kjo mendoj se është e patolerueshme, është makabritet.

Nuk e di a munda të jem i qartë. Nëse në bllok do të shahen komunistët e jo enveristët që kanë patur e kanë në dorë sot shumëçka, atëhere do t’i ndihmojmë të bëhen bllok gjithë fëmijët dhe pasardhësit e tyre sepse pjesa më e madhe e tyre shahen me të padrejtë dhe sharjet e akuzat tona në bllok i detyrojnë ata të neveriten dhe padashjen e tyre hyjnë nën strehë të partisë socialiste që mjeshtërisht i manipulon edhe duke mos i dashtë.

Shpresoj se miqtë e mi nuk i shajnë në mënyrë të qëllimshme komunistët në bllok, sic don Partia socialiste dhe sic ka porositë ajo, “që të nxiten demokratët të shajnë e urrejnë komunistët që këta të afrohen me partinë…”

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s