Kategori
Uncategorized

Robin Hudi shqiptar,Ndue Nufi.

I lindur në Mzi (Vilzë) në Kaçinar të Mirditës rreth viteve 1918-1920 në një familje të varfër ishte fëmija i dytë pas një vajze. Fati i keq e ndoqi që në ngjizje sepse disa muaj para se të lindej i vdes babai.

Rreth moshës 9 vjeçare e ëma i jep të birit “patllaken” që e kishte mbajtur i ati. Ende pa mbushur 14 vjeç i vdes dhe e ëma. Fatkeqësia nuk ju nda dhe tek motra e cila duke prerë dru në mal rrëzohet dhe disa gurë të mëdhenj i dërmojnë kockën e këmbës. Pa asnjë ndihmë mjekësore, në varfëri ajo mbeti pothuaj uloke duke qëndruar gjithë kohën e vetme në shtëpi. Për jetimët kujdeseshin me aq sa mundeshin të afërmit e tyre dhe ata të varfër.

Ndueja e kalonte kohën në fshatin e vogël sëbashku me kushërinjtë dhe shokët moshatarë, shpesh herë duke garuar në qitje me patllake ku siç thuhej gurin sa një vezë e ndante në mes.

Një ditë dikush hyn fshehurazi në shtëpi dhe i përdhunon motrën. Ndueja e mësoi vonë këtë ndodhi. Tashmë, ndërtesa psikologjike e tij u shkund nga themelet, ishte një “koritje” e tmerrshme; në lojë hyri nderi i tij, i shtëpisë, i fisit e deri diku dhe i fshatit. I egërsuar menjëherë njofton pleqësinë e fshatit, i bën me dije se motrën uloke dikush e kishte shnderuar dhe prej saj kërkonte emrin e përdhunuesit. Motra e ndjeu rrezikun dhe hezitonte të fliste për të shmangur çdo sherr.

Ndueja nxorri revolen dhe e plagosi motrën në shpatull, njëkohësisht i premtoi ta çonte në Shkodër për mjekim nëse do të tregonte emrin e përdhunuesit. Në këto rrethana motra tregon emrin e horrit por sërish nuk shpëtoi nga vrasja në sy të pleqësisë. Në atë kohë kjo vrasje dhe me kanun nuk justifikohej pasi dihej pamundësia fizike e vajzës për tu mbrojtur.

Tanimë për pesëmbëdhjetëvjeçarin fillon jeta e vështirë e malit me të vetmin qëllim; të vriste përdhunuesin i cili i përkiste një familjeje me influencë dhe e lidhur ngushtë me qeverisjen e mbretit Zog. Dhe një ditë Ndueja vrau vëllanë e përdhunuesit. Xhandarmëria e ndiqte këmba këmbës e për këtë arsye djaloshi jetonte pyjeve, strehohej e furnizohej nga miqtë e të njohurit e tij të cilët ishin po aq të varfër si vetë ai.

Një natë u strehua tek një kushëri i tij i cili jetonte diku ndërmjet Blinishtit dhe Troshanit të Lezhës. I zoti i shtëpisë i thotë se ishte më mirë që pas darkës të fshihej te “ksolla e berreve” pasi në skaj të fshatit ishte posta e xhandarmërisë. Ndueja pranon. Befas në mesnatë xhandarët ushtrojnë kontroll në banesë dhe më pas drejtohen nga hauri i bagëtive. I zoti i shtëpisë duke e ndjerë rrezikun i porosit xhandarët të kenë kujdes se atje brenda “ka një qen të egër që damton”. Duket se kaçaku përgjumësh e dëgjoi bisedën jashtë kasolles sepse siç tregonte vetë, në mes të natës dikush i shfaqet në ëndërr duke i bërtitur me forcë; ”çohu”.

Me intuitën që e karakterizonte sapo hap sytë dallon te porta a kasolles një siluetë njeriu me pushkën e drejtuar mbi të. Instiktivisht shtrin dorën për të kapur pushkën e mbështetur pranë vetes por xhandari qëlloi i pari dhe e plagosi pikërisht në llërën e dorës së djathtë. Në moment kujtohet për patllaken në brez, e nxjerr me dorën e majtë dhe vret xhandarin. Kërcet batareja. Ndueja i plagosur thërret nëse kishte ndonjë mirditor në rrethim; dikush i përgjigjet dhe Ndueja i kërkoi besën sipas zakonit. Të shtënat pushuan, djaloshi u dorëzua në besë megjithëse thuhej se xhandari mirditor që e mori nën besë ishte në armiqësi familjare me të.

…Në spital mjeku i preu dorën deri në kyç. Plumbi nuk i kishte prekur kockën por siç u kuptua më pas, mjeku ishte paguar për këtë veprim.Nga spitali përfundon në burg i dënuar 100 vite. Në qeli dy të burgosur e rrahin keqas. Në këto kushte Ndueja siguron një lugë me bisht të gjatë dhe disa netë rresht pa u ndjerë mprehu bishtin e saj në gurët e murit. Gjeti rastin e volitshëm kur ata flinin të shkujdesur dhe i vret. Ridënohet edhe 200 vite burg. Im atë në atë kohë ishte “rrogjtar” (shërbëtor) në një familje pasanikësh në Shkodër dhe e ka takuar bashkëfshatarin e tij në burg. Ndueja i thonte me shaka se nga 500 vjet jetë 300 do ti kalonte në burg.

Në prill 1939 me pushtimin italian bashkë me të burgosurit e tjerë shpërthen burgun e i rikthehet jetës së kaçakut duke vrarë në fillim mjekun që i preu dorën. Tanimë i lirë, më i rritur e me famë vazhdon jetën e komitit, por jo vetëm. Ndjekësit e tij besnikë deri në vdekje ishin të rinj disa prej të cilëve kishin zgjedhur jetën e malit pikërisht për shkak të hasmërive familjare. Streha e tij ishte mali, pylli dhe kasollet e bashkëfshatarëve, ndërkohë që u bë i tmerrshëm duke plaçkitur në dyqanet e tregtarëve kryesisht në Shkodër e më pak në Lezhë.

Pasanikëve u “çonte fjalë” për atë që kërkonte dhe askush nuk e kundërshtonte. Djali jetim pa shtëpi, pa familje nuk kishte aspak lakmi, nuk mbante asgjë për vete, plaçkën grabitur e shpërndante për ndjekësit e tij dhe të varfërit. Si njeri që fliste veçse me armë tërhoqi vëmendjen e komunistëve shkodranë Zef Malaj dhe Tuk Jakova të cilët bënë përpjekje për ta afruar në shërbim të kauzës së tyre. Në një takim me Tukun, Ndue Nufi e pyet se a kishte të drejtë të plaçkiste e tu jepte shokëve pjesë por Tuku i përgjigjet se komunistët nuk janë plaçkitës. Thuhej se Ndue Nufi ishte kundër pjesëmarrjes së femrave në luftë pasi i konsideronte qenjë të dobta, ndoshta nisur dhe nga ngjarja me të motrën e tij. Refuzoi bashkëpunimin me komunistët shkodranë por të njëjtën përgjigje i dha Kapidanit të Mirditës i cili u përpoq ta afrojë duke i ofruar gradën “Major”. Përgjigja ishte se ndihej më mirë “Gjeneral në male”.Vitet kalonin dhe bëmat e tij shtoheshin e rrëfeheshin gojë pas goje. Në Shkodër para një “dugaje” të mbyllur ndaloi para një turme të madhe njerëzisht të cilët kishin zbritur nga rrethinat për të blerë kripë.

Pasi i pyeti u tha se kripa nuk sillej nga Italia por nga Durrësi, shpërtheu dyqanin e shpërndau kripën falas. Në mëngjesin e acartë të 18 dhjetorit 1943 mblodhi në Vaun e Dejës rreth 100 djem të rinj mirditorë të cilët ishin të gatshëm ta ndiqnin besnikërisht deri në vdekje për në Shkodër. Por Ndue Nufi vendosi të marrë me vete vetëm 7 djem beqarë; Prengë Kalorin, Ndue Mark Bardhin, Preng Pacin, Ndue Mark Kolën, Gjon Lekën nga Simoni Ndue Nikollin. I fundit ishte Ndue Kolë Gjoka i martuar por që nuk u nda nga grupi pasi ngiste makinën. Për ta larguar nga grupi e urdhëroi të ngarkonte makinën me plaçkë dhe të nisej për Mirditë. Rrugës shoferi u ndesh me një togë ushtarësh gjermanë ku mbeti i vrarë.

Ndërkohë Ndue Nufi me të tjerët shkon për të hapur burgun, liron disa të burgosur dhe mësyn në një “dugajë” për të plaçkitur. Pronari lokalit e njohu menjëherë dhe nuk rezistoi. Por sapo Ndueja me shokë u largua, ai me një telefon që kishte nën banak lajmëroi xhandarmërinë se sapo ishte plaçkitur nga një cub. Xhandarët nga ana e tyre njoftuan menjëherë komandën gjermane të sapovendosur në Shkodër se disa komunistë të rrezikshëm po qarkullonin nëpër qytet.Në rrugë situata dukej e qetë, dikush e përshëndet Ndue Nufin, i jep të njohur dhe me këmbëngulje e fton te “Kafja e madhe”. Ky ishte momenti fatal për kaçakun pasi pranoi të ulet ndërkohë nazistët gjermanë bashkë xhandarët po krijonin perimetrin e rrethimit.

Ndue Nufi e nuhati rrezikun, doli nga ana e pasme e “Kafes së Madhe” dhe u drejtua me shpejtësi tek sarajet e Gjomarkajve ku kërkoi ndihmë për ta nxjerrë nga Shkodra bashkë me shokët. Kapidani kundër traditës refuzoi ta ndihmojë duke i kujtuar faktin se dhe ai e kishte refuzuar dikur bashkëpunimin me të. Prej aty përmes plumbave të armëve të xhandarëve e gjermanëve duke lënë disa shokë të vrarë i drejtohet ndërtesës së legatës Apostolike të Vatikanit. I kërkoi priftit të largohej prej andej sepse do të luftonte dhe u ngjit me shpejtësi në katin e dytë të ndërtesës.

Gjermanët për momentin ndaluan zjarrin sepse kaçaku vetë i dytë ishte futur në një banesë që konsiderohej i shenjtë. Thuhet se njoftuan Vatikanin dhe rifilluan të shtënat dhe me top nga Kalaja pasi krismat e tij dëgjoheshin në mbarë Shkodrën. Banorët që jetonin pranë spitalit tregonin se atje kishin transportuar mjaft të vrarë e të plagosur.

Beteja zgjati disa orë. Ndueja kur e pa se po i mbaronte municioni urdhëron shokun e mbetur gjallë të dilte në dritare me shami të bardhë. Tjetri doli duke thirrur se po dorëzohej pasi Ndue Nufi ishte vrarë. Mbi të u zbrazën disa armë njëherësh. Pak çaste më pas një grup i madh xhandarësh dhe gjermanësh mësynë portën dhe tentuan të ngjiten në katin e dytë por Ndue Nufi lëshoi mbi ta disa granata rresht duke i asgjësuar të gjithë. Askush nuk pati mundësinë të tërhiqej. Kur nuk kishte më asnjë shpresë shpëtimi ngriti këmishën lart dhe qëlloi veten me pistoletë në gjoks. Disa të moshuar këtë version e tregojnë disi ndryshe. Sipas tyre Ndueja u shfaq në dritare dhe thirri me sa forcë kishte se atë nuk e vriste kush; ngriti këmishën e qëlloi veten me revole.

Ra errësira dhe specialistët xhenjerë kontrolluan imtësisht për granata të paplasura në oborrin e ndërtesës. Xhandarët duke besuar se Ndue Nufi mbante flori të fshehur në trup e kontrolluan imtësisht kufomën madje një prej tyre deshi ta qëllonte për së vdekuri por kapiteni gjerman pjesëmarrës në operacion kur mësoi se nuk kishte përballë një komunist por një grabitës nuk e lejoi dëmtimin mëtejshëm të kufomës.

Mëngjesin e datës 19 dhjetor Ndue Nufin me shtatë besnikët e tij të vrarë pasi i ekspozuan para popullit i groposën në zallin e lumit Kir. Kështu përfundoi historia e një kaçaku që mori famë të jashtëzakonshme pothuaj në gjithë veriun Shqipërisë.

Ja si shkruan Kolë Shtjefni në librin “Mirdita doke dhe zakone” botuar në 1998 në faqe 127-128;

Mrika e Gjon Markut vajton Ndue Nufin i cili bashke me 6 shokë të tij mirditas vinë në Shkodër dhe këtu prej xhandarmërisë që donin me i arrestua si komitë, tentoj me shkue te shtëpia e Kapidan Gjonit e me pështue, por ky nuk i len mbrendë. Tue pa veten ngushtë hyjnë në shtëpinë e delegatit apostolik me zori dhe aty rrethohen prej xhandarësh dhe gjermanësh. Kjo ndodhë mbasi kapitulloi Italija dhe hynë gjermanët në Shkodër.

(nga Skender Doda).

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s