Kategori
Uncategorized

Dokumentet e CIA, ja kush ishin spiunët e Sigurimit në jug të Shqipërisë, jetesa në vitin 1951 ishte e mjerueshme, regjimi frikë për arratisje jashtë vendit.

Në vitin 1951 regjimi komunist nisi të blindonte kufijtë e Shqipërisë për të ndaluar arratisjen e shqiptarëve. CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente sa i takon vendi tonë dhe në një prej tyre tregohet situata e brendshme. Aty tregohen disa prej spiunëve të Sigurimit të Shtetit në Konispol që mbronin kufijtë. Po ashtu tregohen dëshmi nga qytetarë të ndryshëm që tregojnë mjerimin e regjimit komunist.

Maj 1952

Shënime të përgjithshme mbi kushtet në Shqipëri

Zenel Merxhani nga fshati Konispol, thotë se në kampin e Tepelenës të gjithë të burgosurit janë liruar. Në Beden të Kavajës dhe në fshatin Lekaj gjatë verës së vitit 1951, Zeneli thotë se 880 njerëz që punonin në kanale janë arrestuar. Peneli thotë se i ka parë ata personalisht duke udhëtuar me tren. Muharrem Mulaj dhe Kadri Petriti deklarojnë se në fshatin Arantas në Mallakastër janë grumbulluar të gjitha familjet anti-komuniste dhe reaksionare të rajoneve të ndryshme të Shqipërisë. Ato janë vendosur në disa shtëpi të vjetra dhe lejohen të punojnë në ndërmarrjet e rajonit të Fierit, por nuk lejohen të dalin nga ky rajon. Familjet në fjalë janë të shumta dhe në kushte të tmerrshme, fëmijët e tyre lypin në rrugët e Mallakastrës, ndërsa natën kthehen në shtëpi. Dy njerëz kanë folur me dikë që ka të afërm në fshat, i cili quhet Asllan Çaushllija, nga fshati Çaushli i Maliqit. Në fshatin e Konispolit, Avni Malo dhe nëna e tij rrihnin çdo ditë gruan e ish … pasi burri i saj nuk dëshiron të bëhet agjent i Sigurimit si ata. Kryetari i komitetit të rajonit të Kolonjës, Mitraq Vodica, i cili më parë punonte në rrobaqepësi, urdhëron vartësit e tij se në rast se një familje ka të dënuar për politikë, nuk lejohet të qajnë në shtëpitë e tyre. Nëse këto urdhra nuk zbatohet atëherë ata do të vuajnë pasojat. Sipas një ligji të ri, qeveria komuniste e Tiranës deklaron se të gjithë ata që nuk sillen siç duhet në burg, do t’i zgjaten dënimet dyfish. Kadri Petriti dhe Eqerem Faredin frashri, të cilët ishin dënuar me pesë vjet burg në Korçë dhe sipas dispozitave do të liroheshin në 1952, tashmë do të lirohen në 1957. Eqerem Frashëri i ka përçmuar gjithmonë komunistët dhe në burg nuk është vënë në shërbim të shefit të burgut apo të Sigurimit për të spiunuar ndaj shokëve. Gjatë Luftës Eqeremi megjithëse shumë i ri ka luftuar për Ballin Kombëtar, dhe është arrestuar për rezistencën e tij. Me ligjin e ri të burgut, komunistët reduktojnë me tre ditë në muaj dënimin për ata që bashkëpunojnë. Kjo është bërë me qëllim shfrytëzimi. Më 15 prill 1952 Zenel Shaban Merxhani arriti në kampin e refugjatëve në Lavrion të Greqisë, nga fshati i Konispolit. Ai ësht ënjë fshatar 53 vjeçar, dhe ka kaluar kufirin në Verne më 17 mars. Mbi situatën në Shqipëri Merxhani deklaroi: Familjet më të besuara në fshatin e Konispol janë ato të Mustafa Dajlani, Tefik Musa dhe Musaj. Një muaj e gjysmë më parë në Konispol, Skernder Plaku, Muço Kareci dhe Sulo Dajlani u arrestuan me pretekstin se ishin takuar me Sali Djalanin ( i cili është në Greqi) në një kohë kur Saliu aktualisht jeton në Siros.

Rezistenca

Pesëdhjetë ditë më parë një kompani këmbësorie erdhi në Konispol dhe u vendos në shtëpitë e Nimet Malo, i cili është tashmë në Greqi, të Xhafer Sulo, Qasim Hodo dej Avni Malos. Kompania kishte 100 njerëz dhe 10 mushka. Agjentët e sigurimit në Konispol janë Izet Osmani, Kadri Rakipi, Hajri Mane, Seit Kurrizo. Komandanti i sigurisë së Konispolit është Seit Kurrizo nga fshati i Vervë. Janë pesëmbëdhjetë policë në komandën e sigurisë, të gjithë të veshur me rroba civile. Në urën e Bogazit ka një postbllok me gjashtë policë dhe një rreshter. Përveç kontrollit të njerëzve ata ruajnë urën edhe natën. Në rrugën Konispol-Sarandë ka një tjetër postbllok në fshatin Hoxhe dhe një në urën e Bistricës, ku kontrollohen udhëtarët. Vështirësitë e udhëtimit mbeten të njëjta, njerëzit duhet të presin me javë të tëra për të marrë bileta në agjencitë e udhëtimit. Letërnjoftimet nuk kanë ndryshuar.

Kushtet e jetesës

Veshjet dhe ushqimi janë të racionuar. Në kooperativën e Konispol ka shumë pak artikuj dhe shumicën e kohës ato mungojnë. Duke punuar për rreth tre muaj në hekurudhën e Rrogozhinës si punëtor, nganjëherë shkoja në Kavajë ku mësova se misri shitej me 70 lekë për kg, një dele shitej 3500 lekë dhe një litër qumësht, 50 lekë. Shteti e blen qumështin nga fshatarët për 25 lekë litri.

Rojet dhe arratisjet

Njëfarë Hasan Bello u largua për në Kavajë prej ndjekjes nga komunistët. Edhe unë u largova pasi nuk kam anëtarë familjeje në Shqipëri. Kur isha aty humba letërnjoftimin dhe bëra një deklaratë në degën civile të Kavajës dhe u ktheva në Konispol. Teksa prisja rastin për t’u arratisur, më 16 mars shkova në një dasmë në fshatin Ninat. Nga aty në ora pesë pasdite shkova në një vend të quajtur Shedelli në fshatin Vervë dhe kalova kufirin. Më pas u dorëzova te autoritetet greke në Pleshavicë. Në vendin që përmenda ka një pyll, aty pashë që kishte mina po kalova nga një gur te tjetri dhe shpëtova. Nuk pashë askënd gjatë arratisjes time. Autoritetet greke më sollën në Lavrion. Shënim: Personi i mësipërm është fshatar dhe nuk është i aftë të japë informacione të sakta, prandaj iu bënë vetëm pyetje të përgjithshme.

Marrje në pyetje e Xhevdet Malo

Refugjati Xhevdet Malo nga Konispoli është ish-punonjës i zyrës së postës në Konispol, dhe raporton si më poshtë: Në 1951 një person në Gjirokastër mori një pako me rroba nga i vëllai në Amerikë me vlerë 20 dollarë, por autoritetet ngarkuan taksë 250 dollarë për të paguar. Prandaj personi i përmendur i dërgon letër vëllait për t’i kërkuar shumën e taksës doganore. Natyrisht që i vëllai u habit shumë nga kërkesa dhe i dërgoi letër mësuesit të fshatit për ta pyetur nëse i vëllai ndihej mirë me shëndetin mendor, pasi i kishte kërkuar 250 dollarë për të marrë pakon dhe 200 dollarë për të blerë një gomar. Ai thoshte se nuk mund t’i besonte këto prandaj mendonte se mund të jetë çmendur. Kur mori letrën mësuesi ia tregoi të vëllait dhe më pas iu përgjigj se i vëllai ishte në shëndet të mirë por ishte situata në vend që është çmendur dhe kërkesat ishin të vërteta. Në 1951 Ahmet Abazi nga fshati Janjar-Konispol mori një pako me rroba nga babai i tij në Amerikë me vlerë 14 dollarë, por qeveria i vuri një taksë dogane prej 350 dollarë. Ai nuk e mori kurrë pakon. Refugjati Muharrem Mullaj nga fshati i Flloqit raporton: Arqile Gostivishti ka humbur një këmbë prej torturave nga seksioni i Sigurimit në Korçë. Thuhet se bijtë e familjeve kulake përveç shërbimit të detyruar ushtarak prej 2 vjetësh, duhet të kryejë dhe 2 vjet të tjera punë të detyruar. Në 1951 përveç detyrimeve zyrtare të fshatarëve ndaj shtetit, komunistët kërkonin dhe sasi gruri që nuk përfshiheshin në letrat e detyrimeve. Autoritetet i caktojnë çdo fshati një sasi prodhimi sipas planit, e cila ndahet sipas fshatarëve nga këshilli i fshatit. Masa të ashpra merreshin ndaj atyre që nuk bindeshin. Në 1951 u vetëmbyt në lumin e Tiranës njëfarë Bajram Kuci, nga fshati Zhulat e Gjirokastrës, i cili ishte internuar bashkë me të gjithë familjen në kampin e punës së Kamzës. Për varrosjen e tij autoritetet nuk dhanë as arkivol.

Jeta në kampe

Edibe Yze, i cili ka qenë prej disa vitesh në kampin e internimit të Kamzës dhe u la i lirë në fund të vitit 1950, tregon se në verën e 1950 në kamp kanë vdekur dhjetra fëmijë nga mungesa e ushqimit, e kujdesit mjekësor dhe kushtet e rënda. Ai mban mend emrat e disa prej tyre: bija e Osman Pajakut nga Pogradeci, biri i Qamil Collakut nga Bilishti, bija e Sabri Labinotit nga Korça, bija e Rrapo Selca nga Gora e Korçës, biri i Dragoricës nga Korça, bija e Shero Tresovës nga Tresova e Korçës, biri i Batire Oshafit nga Pogradeci, bija e Tosun Hoxhallarit nga Tresova, biri Kajam Cerasa nga Pogradeci, dy vajza të vogla nga Halarupi dhe një djalë i vogël kanë vdekur në të njëjtën ditë; një djalë nga Pogradeci dhe tre fëmijë të tjerë nga një fshat, Nizam Qazimi nga një tjetër fshat, nëna e Kajim Cerava e përmendur më sipër, gruaja e vjetër Brakollari nga Dushari i Oparit, dhe Ligor Gjata nga Bilishti. Pas shumë torturash vdiq në stacionin e policisë së Bilishtit Isa Bilishti. Kadri Pjetri i ardhur këtu në 16 mars 1952, raporton se në burgun e Korçës ka vdekur nga vuajtjet Bektash Panariti nga Panariti i Korçës. Refugjati 45 vjeçar Mefail Totolaku i lindur dhe banor në fshatin Tren të Bilishtit, u intervistua më 6 dhjetor 1951 dhe deklaron sa më poshtë: Në rajonin tonë nuk ka rezistencë të organizuar. Krerët komunistë të partisë në Bilisht janë Emin Kaçani kryetar i Komitetit, Thimi Domoshti nga fshati Hoçisht, Koçi Sinika agjitator i partisë, Sadik Progeri dhe sekretari i partisë Ligor Berberi. Njerëzit në rajonin tonë janë në dijeni të aktivitetit të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë dhe kanë vënë të gjitha shpresat të çlirimi prej tyre. Banorët preferojnë fuqitë perëndimore dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara. Jugosllavia urrehet nga masat atje pasi ka regjim komunist dhe mban yllin e kuq. Njerëzit gjithashtu e konsiderojnë Jugosllavinë përgjegjëse për vuajtjet tona. Askush nuk beson se Greqia do të pushtojë rajonet tona pasi fuqitë perëndimore nuk do ta lejojnë. Njerëzit e urrejnë Rusinë dhe rusët. Ata besojnë se Kremlini ka skllavëruar vendin, ka hequr pavarësinë e tij dhe po bën që njerëzit të vuajnë për bukë. Italia konsiderohet si armik. Për sa kohë që fqinjët hedhin sytë nga Shqipëria ne nuk do i konsiderojmë miq. Është e vërtetë që disa komunistë të fshatit janë më të mirë se të tjerët. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë për përçarje në parti. Në rajonin e Bilishtit di që shtëpitë më të sigurta nga komunistët janë ato të Ismail Kape, Ramadan Mehmeti, Haki Mydini, Arif Ramadani, Refat Madani, Estref Madani, Reshit Ganiu, Zeqir Bektashi, Foti Jorgji, nga fshati Tren. Kohët e fundit në lokalitetin tim nuk ka pasur arrestime dhe as largime në mal. Unë personalisht nuk kam parë gjurmë të Komitetit Shqipëria e Lirë, por kushëriri im Nazif Kape më ka thënë se ka parë një trakt të lëshuar me aeroplan nga Komiteti, ku i kërkohej njerëzve të bënin durim pasi Shqipëria do të çlirohet me ndihmën e fuqive të mëdha. Efektivët e Sigurimit në zonën tonë janë Zenel Rexhepi, Resul Zhyleku, Sotir Kolezi, Enver Kape, të cilët mbajnë rroba civile. Në zonë nuk ka batalion ndjekjeje. Nuk mund të them gjë për radiot. Kam dëgjuar njerëz që thonë se dëgjojnë “Zërin e Amerikës” por nuk kam kontaktuar ndonjëherë me njerëz që dëgjojnë radion.

Udhëtimi

Në Shqipëri nuk ka makina private. Kamionët e vjetër që ekzistojnë nuk janë të mjaftueshëm për nevojat e vendit, njerëzit presin me javë të tëra për bileta udhëtimi. Për të shkuar në Berat unë kam pritur katër ditë në Korçë dhe pasi i kam dhënë ryshfet shoferit ai vendosi të mos më merrte. E njëjta gjë ndodhi në Berat, dhe në vende të tjera. Për të udhëtuar njerëzit duhet të kenë me vete letërnjoftimin e gjendjes civile, pasi gjatë udhëtimit dokumentet kontrollohen nga policia. Për të udhëtuar deri në Korçë kam paguar 160 lekë.

Kushtet e jetesës

Ushqimi dhe rrobat janë të racionuara. Produktet e racioneve janë të vështira për t’u gjetur. Anëtarët e partisë mundë të gjejnë të gjitha produktet më thjeshtë pasi i marrin nga dyqanet dhe magazinat. Në dyqane të veçanta shiten mallra të tregut të zi. Ka një kooperativë në lokalitetin e Proger ku fshatarët marrin mallra me këmbime por shumë herë kooperativa mbetet një muaj pa produkte ushqimore. Në fshatin tonë, nga 130 familje, 70 kanë hyrë në kooperativë. Shumica e tyre nuk donin të merrnin pjesë por u detyruan pasi nuk plotësonin dot detyrimet ndaj shtetit. Sipas rregullave të kooperativës anëtarëve të saj nuk i jepej misër derisa të plotësonin detyrimet e tyre ndaj shtetit. Prandaj fshatarët janë të pakënaqur por nuk mund të dalin nga kooperativa pasi i merren bagëtitë, ndërsa mjetet e punës i dorëzuan në kooperativë kur hynë. Shumë anëtarë sabotojnë punën duke prishur veglat ose duke punuar keq. Ata që zbulohen përjashtohen nga kooperativa për disa muaj. Sistemi i kolektivizimit të detyruar është i urryer nga të gjithë. Marrje në pyetje e Xhevdet Malo, bir i Omer e Qazime Malo, i lindur dhe rezident në Konispol. Ai është 25 vjeç, ka arsim elementar dhe ka qenë punonjës i administratës. Duke qenë anti-komunist ai u përjashtua nga puna në postë në Konispol më 25 maj 1951. Ai deklaron sa më poshtë: “Nuk kam dëgjuar ndonjëherë për organizata anti-qeveritare, përveç personave individualë që në një mënyrë apo në një tjetër janë kundër regjimit. Në Konispol drejtuesit kryesorë komunistë janë sekretari i partisë Jonuz Tartari, kryetari Ali Xhelo, Feim Ali Menko, Vangjel Mane e Nuredin Basho. Në Konispol ka rreth 50 anëtarë partie, të cilët urrehen nga populli. Ditën e Bajramit 1951 komunisti Laze Badeja qëlloi me domate në publik myftiun musliman Hafuz Fuat për ta tallur”. Njerëzit kanë dëgjuar për Komitetin Shqipëria e Lirë dhe shpreson të çlirimi i tyre. Si Hasan Dosti dhe Abaz Kupi janë të njohur në zonë, por njerëzit nuk dinë shumë për të tjerët pasi fletushkat e lëshuara nuk e përmendin përbërjen e komitetit. Ata janë përmendur në transmetimet radio por fshatarët nuk kanë pasur rast për t’i dëgjuar. Njerëzit kanë besim te anglo-amerikanët dhe shpresojnë të çlirimi prej tyre. Në lidhje me Jugosllavinë mund të them me siguri se askund në Shqipëri nuk gjen simpati për të dhe askush nuk e dëshiron çlirimin prej saj. Përkundrazi ata e mbajnë Jugosllavinë përgjegjëse për të gjitha fatkeqësitë e vendit dhe e urrejnë thuajse sa dhe regjimin e Enver Hoxhës. Në lidhje me Greqinë njerëzit shikojnë me armiqësi pretendimet e saj për Vorio-Epirin dhe nuk presin ndihmë prej saj për sa kohë që nuk heq dorë nga pretendimet. Jam i sigurt se në rast se Greqia pushton Shqipërinë në rajo0nin tonë do të luftohet deri në fund. 95 për qind e popullit kanë gjithashtu urrejtje ndaj Rusisë pasi e konsiderojnë si shkaktare të vuajtjeve dhe gjakderdhjes në vend.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s