Kategori
Uncategorized

Korça ka mësuar nga e kaluara.

Nga Vepror Hasani/
Seç zuri një shi-o, zuri një qamet, medet, moj Korçë, medet

Përmes Korçës kalonte një lumë. Ata që zbrisnin nga malet e Moravës e quanin “lumi i Moravës”, sepse buronte prej prej andej. Ata që vinin nga fshatrat përreth Mborjes e njihnin si “lumi i Mborjes”, sepse lumi kalonte edhe aty. Banorët e Korçës e kishin pagëzuar me emrin “lumi i Korçës”, sepse nuk mund ta quanin ndryshe. Megjithatë për shumë kohë e vite lumi mbajti emrin e tij të dikurshëm, “lumi i Moravës”.Ai hynte në Korçë diku aty ku ndodhet sot fabrika e birrës, te vendi që njihet me emrin “çezma e Shetros”. Pikërisht aty, disi pranë apo larg, gjendej një mulli. Mulliri ndante Korçën me Mborjen. Lumi zbriste tatëpjetë dhe hynte mes pazarit, dilte nga qyteti dhe derdhej në kënetën e Maliqit shumë afër me fshatin Sovjan. Të dy anët e qytetit bashkoheshin nga një urë e madhe e gurtë. Përgjatë lumit kishte edhe ura më të vogla. Në verë ishte gjithnjë i thatë, i heshtur krejtësisht si një lumë i vdekur, por në vjeshtë e ndryshonte tërësisht pamjen. Fillonte e mbushej me ujë, rridhte rrëmbyeshëm e bëhej i frikshëm, si një qenie e çuditshme që ngrihej nga varri. Tentonte vazhdimisht të dilte nga shtrati dhe të përhapej në qytet si të donte. Ai do të përbytte dy herë pazarin e Korçës.

Përmbytja
Ishte viti 1929. Nuk dihet cili muaji i vjeshtës apo i dimrit ishte. Në atë kohë Korça kishte tri gazeta: gazetën “Gjorixha” me drejtor Sami Beun, gazetën “Lidia” me drejtor Mihal Gramenon dhe gazetën “Pellasgo” me drejtor Kostandin Skënderi. Ndoshta do të ketë mbetur diçka e shkruar në faqet e tyre. Në kujtimet e njerëzve ai vit ka mbetur i paharruar. Kishte ditë që lumi turfullonte si i çmendur. Sillte shumë ujë dhe nuk ngopej. Po mblidhte gjithë rrëket e malit të Moravës. Diçka e keqe kishte për të ndodhur. “Bënte shumë ftohtë”, kujtojnë më të moshuarit. “Shiu që binte nuk kishte të ndalur”, tregonin pleqtë. Oshëtima e rrjedhës përhapej ditë e natë nëpër qytet, si ulërima e një përbindëshi të plagosur keqazi. Pritej se çfarë do të ndodhte. Më e parashikueshmja ishte se ai mund të rrëmbente pazarin e ta çonte në kënetën e Maliqit. Ashtu ndodhi. Uji doli nga shtrati dhe hyri në pazar. Nuk kishte njeri që mund t’i dilte përpara. Nuk kishte asnjë mënyrë për ta ndalur. Uji përpinte gjithçka. Tmerrin e tregojnë vargjet e një kënge të vjetër: “Seç zuri një shi-o, zuri një qamet,/ medet, moj Korçë, medet…”. Medet oiii. Në shtëpitë e tregtarve kishte pllakosur trishtimi. Gratë vajtonin dhe i luteshin Zotit. Argjendarët vraponin drejt dyqaneve dhe qëndronin të stepur. Lumi i Korçës ishte bërë det. Terzinjtë, këpucarët, qyrkxhinjtë, shajakxhinjtë shinin se si malli i tyre herë zhytej në brendësi të ujit, herë dilte mbi sipërfaqe si për të kërkuar ndihmë. Medet, moj Korçë, medet! Deri atë ditë, por edhe disa vjet më pas pazari kishte qenë tregu më me emër në të gjithë vendin. Të shtunave bëhej gjithnjë pazari i madh, ose siç quhej ndryshe “panair”. Vinin aty nga nahija e Kosturit, nga Naselishti, nga Opari, nga Gora, nga Mokra, nga Kolonja e Leskoviku, nga Pogradeci, nga Prespa, nga Devolli, nga Përmeti e rrethe të tjera. Sillnin dhe blinin prodhime leshi, stofra dhe mbulesa, velenxa dhe qilima, duhan dhe pije, dyllë, qirinj etj Tregtarët e Korçës sillnin mallra nga jashtë vendit sheqer, kafe, prodhime xhami dhe majolike, kadife, pëlhura dhe stofra të shtrenjta, ora, stoli prej ari dhe argjendi, mëndafsh të qendisur në ar dhe argjend, veshje për nuse e dhëndurë. Ndaj edhe në një këngë thuhet: “Me shëndet rrobet, rrobet e Korçës,/ more vëlla, vëllai i motrës./ Tëndet i ke apo të botës,/ more vëlla, vëllai i motrës/ timet i kam dhe jo të botës,/ i kam prerë në pazar të Korçës…”. Tashmë gjithçka ishte varrosur nën llumin e ujit.
O Zot!
Ç’të ishte vallë kjo që po ndodhte me Korçën? Vetëm 107 vjet më parë, më 19 qershor të vitit 1822, kishte ndodhur një gjëmë e tillë. Një zjarr i madh dogji gjithë pazarin. E ktheu në shkrumb e hi. Tregtarët suleshin drejt flakëve dhe ktheheshin mbrapsht të dëshpëruar. Për vite të tëra me radhë nuk e harruan dot atë që kishte ngjarë. Vitet ikin dhe dhimbja filloi të zëvëndësohej me ngritjen e dyqaneve të reja. Ndoshta një tmerr i tillë nuk kishte mundësi të shfaqej përsëri. Jo, do të ishte e pamundur! E keqja u shfaq përsëri pas 33 vjetësh. Tmerri u afrua me të njëjtën fytyrë të frikshme. Ishte viti 1858 kur një zjarr tjetër po kaq i madh dogji përsëri gjithë pazarin. Dëmi u llogarit në 500 mijë lira angleze. Do të digjej vallë përsëri? Tashmë asgjë nuk mund të ishte e pabesueshme, por një djegie e tretë nuk mendohej kursesi. Ndodhi më e pabesueshmja. Kur nga djegia e dytë kishin kaluar vetëm 21 vjet, zjarri tretë erdhi sërish i fuqishëm. Ishte 13 gushti i vitit 1879. Kronikat thonë se kishte kaluar mesnata. Qyteti i Korçës ishte ende në gjumë, por do të ngrihej i llahtarisur. “Po digjet pazari i Korçës!”, ishte thirrja e rojeve të dyqaneve, e njerëzve që atë natë kushedi përse kishin mbetur zgjuar. Pazari ishte mbuluar sërish nga flakët. U dogjën pothujase 600 dyqane, mbetën apo nuk mbetën në këmbë 100 dyqane. Dëmi shkoi në 20 mijë lira. Të gjitha këto njerëzit do ti kujtonin ditën e përmbytjes së madhe. Vargjet e këngës së vjetër thonë: “O ky lum i Mborjes, mbushur mu si det,/ medet, moj Korçë, medet…”

Uji deri te penxheret
Thonë që lumi u kthye në një përbindësh. Mori gjithçka me vete. Dallgët e lumit mbuluan edhe urën e madhe prej guri që bashkonte të dy anët e qytetit. Uji kishte hyrë edhe në rrugët e Korçës. Gjithçka i ngjante një deti që kishte shpërthyer aty dhe nuk gjente dot një shteg për të shkuar tutje. Kështu e thotë edhe kënga e vjetër : “Dolli bulevardit gjer në penxheret,/ medet, moj Korçë medet…”. Tregtarët nuk mundën të shpëtonin asgjë. “Seç mbyti dyqanet mbyti kafenet,/ medet, moj Korçë, medet…”, vijon kënga e vjetër më tej. . . Nuk ishte hera e parë që ndodhte kështu. Lumi i Mborjes e kishte përmbytur pazarin e Korçës edhe më parë. Kishte qenë viti 1907. Edhe atë radhë lumi kishte qenë po kaq i pamëshirshëm. Një vit më vonë nga përmbytja e dytë (1929), në vitin 1930 Korça u trondit nga tërmeti. Përsëri u këndua një këngë tjetër: ” Nuk ishte mjaft lumi, na dhe një tërmet, medet, moj Korça Medet…

ura

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s