Kategori
Uncategorized

koha e spiuneve.

images

Rastësia e takimit me një punonjës policie, më ka dhënë një mesazh të frikshëm, por edhe të habitshëm, sa e kam dëgjuar me shumë vëmendje bisedën me te.
“Sapo u ndava nga një qytetar, tha ai, për shkak të njohjes që kam me të – dhe më hutoi me fjalët që më tha. Ai ishte nja 70 vjeç dhe me një nxitim dhe shqetësim më kërkoi ta dëgjoja, vazhdonte të fliste me një lloj çudie polici i shtetit, duke shtuar se çfarë i kishte thënë qytetari. Dëgjo, më tha qytetari, aty te kthesa e filan ndërtese, një qytetar (më tha edhe emrin) po prish një mur se kushedi se çfarë do të ndërtojë, ndaj shko dhe pezulloje. Po gjithashtu, vazhdoi me një lloj egërsie qytetari i moshuar, edhe në rrugicën tjetër një qytetar po hap një dritare, ndërsa në afërsi tek tregu fshatar, më duket se një tjetër po suvaton shtëpinë nga jashtë. Dhe të gjithë i ke nga ata të Saliut ndaj merrjua shpirtin”. U habita pa masë, kur qytetari më tha se “po nuk vajte ti, do të shkoj unë tek drejtori i policisë. Nuk u ndjeva mirë për zellin e një qytetari që më solli ndërmend një kohë që edhe unë si polic e kam urryer simptomat e tij po na rikthehen si pa dashur, pikërisht nga njerëz të tillë që e ushqyen me këtë lloj mënyre sjelljeje, që mund të jetë gjithçka, por shërbim ndaj shtetit nuk është, aq më tepër në një sistem demokratik”.
Ky ishte rrëfimi i policit që kishte një mërzitje të madhe për faktin se nuk i pëlqeu kjo lloj sjelljeje qytetare që troç do të thotë spiunllëk pa para si në kohën e diktaturës, që sot përkthehet në raportim. E qetësova punonjësin e policisë me mendjen se më kishte dhënë një mesazh të madh me tregimin e tij se në Shqipëri “nuk kemi parë gjë akoma” siç e ka thënë Kryeministri ynë Edi Rama. I thashë të gjorit polic se ka edhe më të mëdhaja nga këto që rrëfeve ti, i thashë unë me qetësi dhe u ndamë si miq, por në mendje m’u kujtuan shumë e shumë raste të tilla, por jo vetëm për ndërtime të këtij niveli që janë të rëndomta dhe që nuk prishin asnjë punë shtetit, por janë investime të lehta qytetare në shërbim të familjes. Ndërsa për ndërtimet pa leje në tokën e privatëve që u është hapur drita jeshile për legalizime, as Kryeministri, as drejtori i ALUIZN-it, as edhe ndonjë ministër, pale kryebashkiak nuk po e sheh të udhës për të ndalur paligjshmërinë, pale më pas kur flitet për pallatet shumëkatëshe që ende vazhdojnë dhe investitorët mund të shkelin çdo kondicion, por që askush nuk i penalizon, se ato janë të miqve të pushtetarëve të sotëm.
Nëse një qytetar do të duhej të shkonte e të merrte leje për një restaurim të thjeshtë, do t’i mërzitej puna kaq shumë sa ai do të mallkonte veten që nisi këtë punë. Jo se nuk ta japin, por do bëhen aq shumë letra dhe do të hedhin firmë kaq shumë njerëz sa qytetarit do t’i duhen një shumë e madhe lekësh, që mund t’ia kalojë parave që do të duhen për restaurimin. Po çfarë është ky fenomen që po na duket sikur bëjmë shtet dhe po bëjmë diktaturë, po na rikthehen ata spiunët e lagjeve, të cepave të pallateve, të atyre që të nxinin jetën dhe që për një fjalë goje përfundoje në agjitacion e propagandë.
Në një kohë kur shteti ynë ka kaq shumë probleme të mëdha me trafikantët e drogës dhe me avionët e transportit të hashashit, shteti nuk u shqetësoka për këtë, se duket që e drejton vetë, por na u merrka me një dritare apo një mur që restauron një qytetar. Është një marramendje e çuditshme që lidhet me sjelljen e një kryeministri apo një kryebashkiaku, të një ministri apo drejtori policie. Në sinkron, këta shtetarë po kërkojnë t’i “hedhin trutë e gomarit”, si thuhet fjala popullit, ashtu si bëri diktatori i 45 viteve të sistemit komunist.
Ndoshta është për t’u rrëfyer ajo fabula, kur një kryebashkiak i ri i tha kafshëve të pyllit se, pylli ku ata kishin lindur dhe strehuar do të prishej dhe në mes të këtyre kafshëve hyri një shqetësim i madh. Vajti luani, vajti elefanti, vajti tigri, vajti ariu, që të ankoheshin tek kryebashkiaku që donte të bënte këtë punë, por asnjëri nuk arriti ta bindte kryetarin të hiqte dorë nga vendimi. Më në fund vajti edhe gomari që i bëri për të qeshur të gjithë dhe çuditërisht u kthye me sukses se kishte marrë aprovimin se pylli nuk do të prishej. E pyetën gomarin se si mundi ta arrinte këtë gjë. Ai u përgjegj “po aty ishin të gjithë shokët e mi dhe ne merremi vesh mes nesh me gjuhën tonë”. Nuk ka nevojë për komente.
Ajo që po shihet tashmë rrugëve të qyteteve shqiptare janë tatimorët që kanë piketuar gjobat për lokalet e demokratëve kohë pas kohe dhe që me blloqe në duar pa asnjë arsye fillojnë kontrollet dhe menjëherë presin gjobat pa pyetur se për çfarë dhe pa folur as me pronarin e lokalit apo të dyqanit. Ka një lloj planifikimi të qartë për të gjobitur këdo që në listat e tatimorëve janë të piketuar si mbështetës të opozitës. Bile lidhjet telefonike me shefat e gjobave për të marrë udhëzime para një rasti, janë tashmë kërkesa që po bie në sy të qytetarëve që heshtin se do gjejnë belanë.
Ndërtimet pa leje të punonjësv të bashkisë apo të të fortëve në çdo qytet janë të paprekshme dhe as që mund të shkohet nëpërmend të vihen gjoba për mosprerjen e faturave tatimore. Kontrolle bëhen kudo, por gjoba vendosen aty ku janë emrat e shënuara më parë nga shefat që flasin në emër të informalitet dhe bëjnë informalitet në emër të shtetit.
Kryeministri flet për ujin e pijshëm, por në Elbasan atë nuk e paguajnë ose e paguajnë sa një çezmë shhtëpie edhe lokalet me pishina dhe për çudinë më të madhe, drejtori i Ujësjellësit në Elbasan është një i tillë që ka një kompleks pishinash, ashtu siç ka qenë edhe ish-drejtori i këtij ujësjellësi, siç të thonë miqtë e tyre si për të treguar se kush guxon të shkojë tek ata, pale t’u vendosë gjoba. Si duhet kuptuar kjo si shtet apo shteti i të fortëve që s’të çon në diktaturë?
Gjithçka po bëhet me dy standarde dhe me sjellje harbute për të bërë shtetin si në diktaturë, se këtë e mbështet dhe e filozofon Kryeministri që nuk dihet e paguan taksën e shtëpisë së tij, nuk dihet se sa është fatura për pagesën e ujit të pijshëm apo të energjisë elektrike, i shkon apo nuk i shkon fatura Kryeministrit për të gjitha shërbimet që bëhen në shtëpinë e tij. Nuk po flasim për paratë se ku i gjeti Kryeministri që në deklarimin e pasurisë së tij ka vetëm 3 mijë euro. Kuptohet që jo. Po ministrat e këtij Kryeministri a kanë deklaruar pasuritë e vërteta, po miqtë që e sponsporizojnë Kryeministrin?
A nuk vepronin kështu anëtarët e byrosë politike dhe ministrat e qeverisjes së diktaturës që po imiton Kryeministri aktual i shqiptarëve?

Pirro GUREMANI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s