Kategori
Uncategorized

Staravecka: Si i pushkatuam 111 karabinierë me urdhër të Mugoshës.

TIRANE- Xhelal Staravecka, pas dezertimit të tij nga Ushtria N.Çl. shpërndau një varg traktresh, ku bënte thirrje për të hapur sytë e për të mos i besuar Partisë Komuniste, pasi drejtuesit e saj vetëm mbillnin vrasje, maskra e terror.

Një prej trakteve të tij, trakti me numër 5 të cilin Balli Kombëtar e shpërndau nën thirrjen “Shqipëriua e shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve”, po e sjellim të plotë si më poshtë. Në këtë trakt Staravecka rrëfen se si kanë vrarë dy xhandarë edhe pse për të cilët kishin dhënë fjalën se nuk do ti preknin, e po ashtu ai tregon se si kanë ekzekutuar 111 karabinierë italianë, edhe pse ishin nën mbrojtjen e aleatëve, vetëm e vetëm për t’ju marrë rrobat e trupit.

Ai tregon se si urdhërin e kishte dhënë Dushan Mugosha, dhe se i kishte porositur që ti vrisnin të gjithë e të mos linin asnjë të gjallë pasi urdhëri ishte shumë konspirativ e s’duhej të merrej vesh nga askush. Staravecka tregon me detaje edhe momentet e ekzekutimit, ku thotë se pasi i ndanë në grupe e i zhveshën lakuriq i vranë të gjithë, madje dëshmon se 17 prej tyre i ka vrarë ai vetë më dorën e tij, ndërsa shfajësohet se urdhërin e Mugoshës nuk guxonte askush ta diskutonte vetëm zbatohej…

Ndërsa rrëfen këto masakra Staravecka bën thirrje që shqiptarët të hapin sytë e të mos i besojnë Partisë Komuniste që udhëhiqet nga Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, dhe se masakrat e tyre dhe të kriminelëve që kishin mbledhur përreth ishin të pafund e nga më të tmerrshmet.

Dokumenti i plotë

Shqipërija e Shqipëtarëvet
Vdekje Trathtarëvet

Trakt i 5-të i Xhelal Staraveckës

Vazhdon Terrori!

Po ribotojmë traktin e pestë të Xhelal Staraveckës i cili na tregon këtë radhë se si vriten xhandarët shqyptarë për t’ju marrë rrobat dhe këpucët! Oh, të mjerë Shqyptarë! Oh, e mjera Shqipni!

Ditët kalonin dhe terrori bëhesh më i math. Viktima të pa fajshme kalonin nën zjarrin e armëve t’ona. Çdo Partizan nga neve ishte bërë bish’ e tërbuar dhe s’ngopesh me gjak të njeriut dhe sidomos të Shqiptarve që të derthte orë e çast kush më shumë. Kur vinte darka në çdo grup partizan ndigjohesh kallximi mbi kasapllëket që kishin kryer atë ditë; njeri thoshte: “i rashë kështu me thikë”, tjetri “e preva kështu”, një grup më tej: “i torturova kështu” e ku të di unë sa e sa kallxime rreth aksionash mbi vrasjen e zhdukjen e Shqiptarve fakir fukarenj qi i kapnin në çdo vënd. Ishte puna që kjo brigatë të kishte brënda prej të parit deri te i fundit kasape popullit Shqiptar; dhe me të vërtetë kur vrisnim ndonjë fatkeq as dora na dridhesh as fytyra na ndronesh.

Vaj hallit ku po shkonim. Dushani ………………………………………….. të të cilve ndodhej vetë.
Të nesërmen e ditës të 13 t’eksekutuarvet dhe të torturuarve nga Tirana po në katundin Fravesh i shoqëruar vjen një Kapiten Pustina, nga Dibra, që kishte 2 xhandarë me vehte. Ishja tok me Dushanin kur i prunë; ai porsa i pa, bëri një nënqeshje ironike dhe sytë e tij filluan të xixillojshin, ja përngjante një tigri që i tulitur në pusi pret me pa durim gjahun që i afrohet për t’i u derdhur e t’a coptojë. I thashë: “Këtë kapiten e njoh, është nga Dibra, është njeri me taraf dhe në qoftë se neve do t’a eksekutojmë do të na prishet puna se ka lidhje gjaku me Haxhi Lleshin.

Dushani është shumë i hollë, atje ku i prishet puna s’ka dert sepse devijon, që devijimi në Parti është i dëmshëm; por mbasi Partija është në duart e tija kush do t’i thotë se ç’bëre? Pa afruar mirë të shoqëruarit, Dushani më thotë: “jam dakort me mendimin t’ënd për oficerin, por xhandarët do të na i veshin dy Partizanë!

Xhandarët fatkeq do të kalonin atje ku shkuan shokët e tyre të më parshëm. Njeri ishte nga Martaneshi dhe tjetri nga Mirdita. U afruan, na përshëndetën alla Partizançe, dhe neve i ulëm; i pyetëm se nga vinin e ku shkonin, kapiteni mori fjalën: “Kam katër muaj i aratisur, shkova në Tiranë i fshehur dhe kur dolla mora 2 xhandarë që të më nxirnin nga Tirana se kishnja frikë mga Gjermanët. Sa po dolla pak lark periferisë së Tiranës, Partizanët më arestuan dhe më shoqëruan deri këtu”. I mbajtëm atë natë aty, të nesërmen kapitenin me gjithë një civil që kishte pas, e nisëm në drejtim të Dibrës, i cili na luti që xhandarët të lihen të lirë, mbasi e kishin shoqëruar atë; i dhamë fjalën të shkojë i qetë dhe sa po kaloj bregun xhandarve u hodhëm kllapat në duar.

Gjykoheni sa poshtërsi pa fund; xhandarët i vramë pse ata ishin fatkeq, s’kishin ndonjë farë tarafi që neve të kishim ndonjë farë frike, ndërsa kapiteni, pse ishte njeri me taraf nuk na i mbajti t’a vrisnim. Kuptojeni vetë se mëshirë nuk ka te Dushani dhe Partija e tij; ka vetëm frikë dhe kjo vërtetohet në kaq raste: kemi vrarë ata që kemi qënë të sigurtë se nuk na hedhin litar ndër këmbë; dhe s’kemi mundur të vrisnim ata që kanë qënë përgjegjës dhe pengimtarë të politikës t’onë Dushaniane.

Shëmbull: Ali Këlcyrën e kapëm jo për syt’ e bukur por për t’a vramë, nuk na i mbante t’a vrisnim pse qe një krahinë e tërë që u mobilizua dhe neve Dushanistët shpejt e shpejt përpara kërcënimit e liruam; jo për zëmrën e butë t’onën por për karakterin dhe pa shkrypolin që tek ne qëndrojnë.

Ç’kërkoni prej nesh? Jemi pritaxhinj, jemi kompllotista, kriminela deri në thonjët e këmbëvet, besa me neve s’ka të bëj aspak, bukshkelës deri në kulm, trathëtarë pa kufi. Quo vadis ti o Shqipëri me neve, vaj halli se ku do të shkonje, varre në çdo vënd, gërmadha në çdo kënd, mjerim e zi, vuajtje pa kufi. Oh! Ç’barbarizëm kemi bërë e do të bënim. Zgjohu o popull, hiqe perdenë që të kemi vënë, shikona lakuriq ashtu si jemi dhe bëna gjyq ashtu si të kemi thënë. Një varr i hapur, një plagë e pa mbyllur eksiston sot. Ngreu, ngreu nga gjumi ti o Toskëri, del nga errësira dhe kërko Liri. Thyej prangat e hekurta, zhduki gjakatarët që nesër të gjeç prehje e qetsi.

Mbas kësaj dite, u nisëm për në Labinot, atje ku është çerdhja e klyshve Dushanit e Meladinit qi natë e ditë me konferenca e mitinge pregatitshin varrin e Shqipërisë. Qëndra e Brigatës për një kohë të shkurtër qe në Labinot. Çdo njëri prej nesh bënte teza e hipoteza se ç’drejtim do mernim; me mënd nuk gjëndesh; e di vetëm Dushani. Unë e kisha gjetur: domosdo do shkonim në Toskëri pse nga Dibra ishte mbjellë urof. Atë natë kemi ngrënë mirë dhe shumë mirë, domosdo nga bagëtitë e Dumres të konfiskuara në luftën e gjakshme të Belçit.

Partizanët thojshin: “Sikur të mos kishte ndollur Balli neve sharuam për të ngrënë”. Ishte e vërtetë, ishim që të gjithë elementa të grumbulluar në atë Brigatë që o me vdekje o grabitje me forcë, e kishim kaluar kohën t’onë. Ishim të gjithë të hurit e të litarit, të thikës e të hanxharit; mjerë atij që i kishte rënë llotua të bënte kundra nesh. Ishte mezi i natës e sado i lodhur gjumë s’më zinte; ishja, sikur jam, akoma i tronditur thekkë nga skenë e tmershme që luhesh në fatin e Kombit t’onë.

Jo vetëm populli por edhe qentë po na urrenin, veç nga frika s’thonin fjalë. Shqipërisë i qe destinuar të kalojë një periudhë nga ato të mesjetës. Çudi pse të jem edhe unë një nga aktorët e kësaj drame tragjike? S’është faji i im, rash viktim i punës e i politikës t’ime, u bëra skllav e nuk shlirohesha dot. Kishja hyrë në një burg të thellë e të errët dhe asnjë dorë e mbinatyrshme nuk do më shëronte e të më nxirte nga këto vuajtje e mjerime. Besomëni në keni ndërgjegje me vehte; donja të shpërthenja, por terrori më kishte tulitur, donja të shfrenja po ishnja i kapitur. Ah dynja mizore, tmerr e trathti, o jetë e zezë që na solle në këtë katandí!

Më thirrën në këtë mesnatë nga gjumi që nuk më kishte zënë dhe më thanë: “Ngreu se të duan në Shtab”. U ngrita, shkoj në një shtëpi pa dritë dhe kur kapërxeva pragun njoha Dushanin me që sytë i shndritnin. Ishja i trëmbur e të më besoni, jo nga vdekja por nga terrori. Më thanë: “Xhelal në Orrejë të Çermenikës janë 111 karabinjerë italianë, mer Batalionin t’ënd, shko atje: vrai se kemi nevojë për petkat e tyre për veshjen e Partizanëve.

Ruaj mos të shpëtoj ndonjë pse është konspirative, e na del sekreti në shesh se Italianët sot janë miqtë e aleatëve e protestojnë kontra nesh, aq më tepër po të kuptohet kjo Balli mer një armë në dor për të na luftuar”. Ç’far del nga goja e Dushanit s’ka diskutim. Mar batalionin, shkoj në Orenjë që qëndrojn e Bat. Çermenikës e të Brigatës II që është në formim e sipër, në një pyll rrëzë një shkëmbi. Të nesërmen të 111 Karabinjerët bashkë me Kolonel Gamuçin në krye dhe oficera të tjerë i mora duke ju thënë se do t’i çoj në Burrel. Mbas 2 orë udhëtimi, karabinjerët i lidha, i ndava në 5 grupe dhe mbasi i çvesha lakuriq i pushkatova. 17 i kam vrarë vet.

Dhe në i vrava mirë bëra; pse i vrava me ndjenjë të pastërt duke marë hakrat e keqbërjeve të tyre gjat kohës të qëndrimit në Shqipri; po ata faqe zes që më nisën për një krim të këtillë më thanë vrai për rrobat. Ç’far masakre, pë të veshur një njeri, vrasin një njeri, ç’far poshtërsije, a keni pa ndonjë herë? Kjo është Partija Komuniste e Dushanit, e Meladinit dhe të këlyshëve të tyre. Ç’farë Komunista të poshtërt, neve që e shtojmë dashamirsinë dhe dhëmbsurinë e njërzimit më tej kufirit t’onë; vrasim për opinga e kuti duhani njers.

Ky është terori që s’e ka parë ndonjë herë historija; ky është barbarizma që s’ka barazim as në të kaluarën. Në këtë gjëndje ndodhemi sot që na luan mëndja, Ah, të mallkuar qofshin ata Shqiptarë partizanë që ndjekin akoma gjurmat e politikës Dushanit me shokë. Thyeni, thyeni prangat; mjaft me krime e trathtira. Gjak e gjak e nuk u ngoptmerr e terror mbuallët; pemën që e vutë nuk e korrët; nëm e mallkim paçin për jetë.

Vllazër Shqiptarë! Ja pasqyra e Partisë Komuniste. Dushan, Meladini, ja terrori; si do vejë halli i ynë?
Bij të mirë të Shqipërisë kanë hyrë në kët burg të thellë e s’dalin dot.

Fatkeqët ranë në grackën e Dushanit e Milaidinit e s’dalin dot dhe s’ka dorë të ngrërë atë pllakë që ka rënë mbi kurrizin e tyre. Haj, haj, dynja, bëjmë kaq krime e poshtërsira jasht vullnetit t’onë!
Por deri kur? Besa, një ditë do t’i shqyejmë ato dyert mizore t’atij burgu të ndërtuara me gjak e tmerr nga duartë trathëtore që na mbushën plot vrer. Një ditë do të dalim nga ky burg i tmeruar, e Botës do t’i kallxojmë gjithë çka kemi punuar.

Na mbyti barbarija, sharroi Shqipnija, po zhduket njerzija, na humbi vllazërija.
POSHT TERRORI
RROFTË BASHKIMI

Shqipëri e Lirë 27 Nanduer 1943

XHELAL STARAVECKA d. v.

TMERR E TERROR! Dridhet nana, dridhet foshnja në bark të nënës!
Ç’pritni ma o Shqiptarë të Shkretë? Pse nuk rrokni armët? Kur do të bindeni se barbari kërkon të shkallmojë themelet e Atdheut?
Koha ma s’pret! Duhet veprue nji orë e ma parë që të rrojë Shqypnija me Shqyptarët!

Balli Kombëtar
Xhelal Staravecka

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s