Kategori
Uncategorized

Dhjetor ‘90, mision i (pa)mbaruar

1922202_10152066109443742_1456347288_n

Nga : Mimoza KOÇIU*
*Ish-studente e Dhjetorit ‘90

Eshtë bërë traditë tashmë që çdo fillim dhjetori intensifikohen përpjekjet për të rikthyer emocionet e Lëvizjes Studentore.

Fatmirësisht, kujtimet që përcjellin ish-dhjetoristët studentë a intelektualë të kohës nuk mungojnë duke na rikthyer me copëza kujtimesh në ato ditë sa të paharrueshme, ku impulset e spontaniteti i moshës kapërcente çdo ndjesi për racionalitet e kujdes ndaj një sistemi të provuar se jetët njerëzore nuk ishin aspak kapitali më i çmuar.Shpesh në biseda me bashkëstudentë të asaj periudhe, teksa rikthejmë në kujtesë në mënyrë të veçantë fragmentet e braktisjes masive të mësimit, të vrapimit nga sytë këmbët kur forcat e policisë u urdhëruan të ndërhynin me shkopinj gome më 9 dhjetor pasi bllokuan marshimin e studentëve te Liceu Artistik, familjet tiranase në pallatet me tulla silikate pas godinës së Ambasadës Amerikane, që na hapën dyert për t’iu shmangur policëve që na ndoqën deri në Qytetin Studenti; të ndjerin Azem Hajdari, përherë në krye të studentëve, që e ndiqnin policët deri nëpër dhomat e kateve të sipërme të Godinës 15, teksa ne studentet e Godinës 16, përballë saj, e ndiqnim gjithë skenën me ankth, si një film aksion.

Ato ditë nuk kishte aspak vend për protagonizma, por veç për mbështetje e solidaritet studentor, miqësor, vëllazëror.

Secili nga studentët e Dhjetorit ‘90 ishte një hero që theu mitin e pathyeshmërisë së një sistemi komunist që lulëzonte në injorancën e të qenit shkëmb graniti, pavarësisht tronditjeve të forta që po lëkundnin shtetet e tjera të Lindjes komuniste. Studentët shqiptarë të Dhjetorit ‘90 arritën të realizonin ndryshimin e sistemit në mënyrë paqësore, sepse ditën të orientonin kërkesat e tyre ekonomike fillimisht në kërkesa të qarta politike, për një Shqipëri pluraliste e si gjithë Europa. Prandaj kujtimet e dëshmitë e asaj periudhe, të ilustruara me pamjet e kohës, ku protagonistët e fiksuar në celuloid fatmirësisht as zhduken, as mohohen, ia vlen të lexohen e rilexohen, sidomos nga ata që nuk e kanë përjetuar atë periudhë.

Më shumë duhet të lexohen nga ish-studentët, dikur idealistë të barabartë, ndërsa sot protagonistë të jetës publike e politike me bindje e pikëpamje të ndryshme, për të bërë një bilanc të ëndrrave e aspiratave të Dhjetorit ‘90 me realitetin e sotëm shqiptar.Kjo pasi dy dekada pas Lëvizjes që solli përmbysjen e një sistemi diktatorial e shënoi ndarjen e dy epokave diametralisht të kundërta, është koha të kapërcehet “gara” se kush ka qenë i pari e kush i fundit në Lëvizjen e Dhjetorit.

Të gjithë kanë qenë në shesh, mbase jo me të njëjtat ideale, por fizikisht kanë qenë aty, djemtë e vajzat studente, pedagogë, intelektualë e punëtorë. Pamjet e sheshit të Qytetit Studenti, të kryqëzimit te Liceu apo në qendër të Tiranës, me thirrjet buçitëse “Liri, demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, bënë shumë shpejt xhiron e botës, si dëshmi se studentët shqiptarë u bënë promotorë të ndryshimit të paimagjinueshëm për një vend aq të izoluar, ndërsa qytetarët e Tiranës e mbarë Shqipërisë iu bashkuan me të njëjtin qëllim, si dikur në kohët e rilindësve, ku liria dhe atdheu ishin mbi të gjitha, të ndërgjegjësuar nga kjo Lëvizje, se kishte ardhur moment për ndryshimin e shumëpritur.

Momentet kulmore, si takimi me Ramiz Alinë, greva e urisë për heqjen e emrit të diktatorit nga Universiteti Shtetëror e rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, mbeten po aq të pashlyeshme nga kujtesa, ashtu si dhe dhimbja për vrasjet e dy prej simboleve të atij dhjetori:

Azem Hajdari e Arben Broci.Kujtimet se si u soll njëri apo tjetri protagonist janë të panevojshme, por edhe të rrezikshme, sepse tentojnë të matin kontribute, të cilat ishin të dukshme, ashtu si edhe vullneti i studentëve për ta realizuar ndryshimin me të njëjtën forcë vullneti si në vendet e tjera komuniste. Fatkeqësisht edhe protagonistë të nderuar të asaj periudhe ngecen sot në “rrjetën” e kësaj përpjekjeje a “gare” për ta zgjidhur nyjën gordiane të Dhjetorit ‘90 (personalisht mendoj se është herët dhe e pamundur, për shkak edhe të heshtjes së vullnetshme të disa prej protagonistëve).
Mendoj se është momenti që të kapërcehen komplekset e kësaj gare të pakuptimtë e të shkruhet e flitet për atë që u arrit pas ndryshimit të sistemit.

Lëvizja Studentore pati në themel idealet e pastra për ta ndryshuar Shqipërinë dhe energjitë e 18-22-vjeçarëve, u bashkuan me ato të pjekurisë së intelektualëve për të shembur diktaturën gati 50-vjeçare e sjellë demokracinë.

Një pjesë jo e vogël e ish-studentëve të dikurshëm janë angazhuar sistematikisht në jetën publike e politike të vendit, duke pasur edhe mundësinë fizike për të dhënë kontribut, tashmë në kushte krejt të ndryshme nga ato të Dhjetorit ‘90, për ta realizuar “Shqipërinë si gjithë Europa”. E sotmja nuk është ende Shqipëria që ëndërruan vajzat e djemtë dhjetoristë. Ndryshimet janë të pamohueshme, pasi Shqipëria është vend i NATO-s, shqiptarët mund të lëvizin lirshëm në hapësirën “Shengen” dhe së shpejti do të jenë një hap më shumë drejt aspiratës së anëtarësimit në BE.

Por, nga ana tjetër, sa ç’janë entuziazmuese ndryshimet në ekonomi, infrastrukturë e hapësirat e individit për t’u përmirësuar, në të njëjtin nivel është zhgënjyes ritmi i ngadaltë i ndryshimeve apo edhe cilësia e tyre. Kjo ka bërë që të mbetemi prej dy dekadash një demokraci ende në tranzicion, që siç na përsëritet nëpër raportet e ndërkombëtarëve, ka nevojë të konsolidojë së pari kulturën e të bërit politikë.

Pasi përplasjet e ngërçet e njëpasnjëshme politike njëzetvjeçare, të cilat pasi arrijnë pikën e të pakthyeshmes, çuditërisht shuhen brenda natës me marrëveshjen e radhës mes partive politike e për të ristartuar menjëherë me betejën më të parë zgjedhore. Promovimi i individëve sipas besnikërisë ndaj njëshit në parti (e çimentuar mirë edhe në ligjin aktual zgjedhor), e jo sipas vlerave e kontributit që mbart, janë vetëm një pjesë e realitetit gri të Shqipërisë së sotme, në përpjekje për t’u bërë si gjithë

Europa, por që është ende larg idealeve të studentëve të Dhjetorit, një pjesë e mirë e të cilëve kanë kontributin e tyre “të çmuar” në këtë realitet.Ja përse në këtë 8 dhjetor, duke përshëndetur të gjithë djemtë e vajzat studente që iniciuan atë Lëvizje për të cilën brezat në vazhdimësi do t’u jenë përjetë mirënjohës, do t’i ftoja që të shpluhuronin kujtimet e Dhjetorit ‘90, dëshirat e aspiratat e asaj periudhe të paharruar që patëm privilegjin të përjetonin.

Tek ato kujtime çdo 18-22-vjeçar i dikurshëm mund të gjejë energjinë për të realizuar atë ëndërr që nisi në atë dhjetor të ftohtë, jo vetëm për vete, por edhe për fëmijët tanë, për këtë brez të ri që po rritet me mungesa serioze të formimit e përgatitjes intelektuale, me prirje abuzive për përfitime pa mund e pa meritë. Në Dhjetorin e ‘90-s, pavarësisht nivelit individual të ndërgjegjësimit për atë se ku po shkohej, mbetej vullneti i përbashkët për faktin se nuk kishte më kthim pas.

E njëjta siguri për t’u bërë të ngjashëm me Europën është edhe sot. Aktorët pothuaj janë të njëjtë. Duhet vetëm vazhduar misioni i nisur 23 vjet më parë.

Nga : Mimoza KOÇIU*
*Ish-studente e Dhjetorit ‘90

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s