Albert Avduli/

Shqipëria e vërtetë nuk është ajo çfarë na dëftejnë televizionet.
Shqipërinë nuk mund ta bëjnë dritë disa llampa në qendër të qytetit.
Unë dua ta shoh diell, por zymtësia është kaq e dendur.
Shqipëria është shumë më e drobitur nga sa e shohin optimistët.
Shqiptarët janë më të komplikuar nga sa i shqyrtojnë analistët.
Ne, populli, jemi shumë të duruar vërtetë, por jo deri sa t’na quani të marrë.
Tek e fundit, ne, populli, ende mendojmë.
Ne e dimë dhe e ndjejmë se ju, kur bëni një punë me paret e buxhetit të shtetit(tonat), një pjesë e madhe e tyre zhduket magjishëm.
Ne e dimë se, aq sa kushton shtëpia jonë, vlen sahati dorës tuaj.
Sigurisht, ne jemi të qartë se, xhupi i ministrit kushton sa pensioni vjetor i dy prindërve të kujtdo.
Po, aq sa e blen bluzën kryetari i bashkisë, ne, populli, mund të mbulojmë shpenzimet e dy muajve në familje.

Ju kujtoni se, ne nuk e dimë që fëmijët tuaj shkollohen në kolegje dhe universitetet më të shtrenjta në Evropë, botë, apo në Tiranë ?
Ata vetë na e dëshmojnë nëpërmjet ditarit instagram-or.
Ju (baballarucët e kombit), vetë na rrëfeni pjatat me haviar dhe mendoni se ne, populli, harrojmë që me raste blejmë peshk rezervati ?
Ahaa, ju mendoni se ne, populli, pimë ndonjë gotë raki se, nuk jemi aq të rafinuar sa të shijojmë verën barolo ?
Ju mendoni se, duke bërë me fjongo dhe drita një pemë plastike në qëndër të qytetit na zbukuroni jetën ?

Mendoni keq pra…
Një popull i varfër mund të durojë gjatë, por një popull i përçmuar mund të urrejë gjatë, mund të hakmerret shpejt.
