– Dëshmorët na i vrau i huaji. Martirët i vramë ne!
– Dëshmorët kanë prej dekadash një ditë të veten, një prestigj familjar të njohur nga shteti (është familje dëshmorin ai!), kanë prej dekadash në bulevard që quhet si ata, kanë një varrezë monumentale në një nga kodrat më të bukura të Tiranës e për ata që s’patën dot një varr, kanë një monument mu në qendër të Tiranës.
Martirët i torturuam, i thyem këmbësh e duarsh në sy të nënës si Lazer Shantojën, i pushkatuam të lidhur varg me zinxhirë ata që zgjodhën të mbronin lirinë, i hodhëm në gropa pa varr o madje i zhvarrosëm e i tretëm lumejve si Fishtën.
Familjet e tyre njohën në rastin më të mirë barakat e kampit të Tepelenës apo Savrit e në rastin më të keq përshitjen e fishekut në lule të jetës. Martirët i kemi pa varr sot e gjithë ditën. I vetmi varr që ata kanë është ndërgjegja jonë, e cila ende nuk ka thënë: Ndjesë!!!! Unë lyp ndjesë!!!
Ndaj nuk ka aspak pse me rend për me barazu qokën.
Mirë do ishte të kishte secili njē vend. Veçse të vetmit ende pa vend janë Martirët e Lirise që i vramë ne; Dëshmorët e Çlirimit që na i vrau dushmani, i kemi me varre, me libra (Yjet e Pashuar), me filma, me emra shkollash e me emra rrugësh, e me bulevard.
Mos i shndërroni zellshëm edhe në Dëshmorët e Kombit të Bulevardit! Lereni ndërgjegjen kombëtare të ndjejë sëmbim për çka ende nuk ka shly! Është mënyra e vetme për me gjetë paqe!
L.Shmaku/