Kategori
Uncategorized

Stigma e një loje të vjetër

Tregimet e fundit të Spartak Brahos me UDB dhe Berishës janë përsëritje e akuzave të vjetra që sillen e risillen me shpresën e efektit provokativ të stigmës UDB. Sidomos tani kur u kuptua nga të gjithë se këtu VJEDHIN të gjithë. Se Hajnia është pasuri kombëtare e patjetërsueshme. Është hajmalia e fundit për lebrozët e këtij shekulli që në fund të fundit njësoj si dikur, shpresohet se do të rimistifikojnë një rol që nuk mund të ecë më.Cili konspiracion i Berishës mund të konkurojë vallë banditizmin e dekonspiruar të një elite që trashëgon të gjithë instinktet e një grupimi që krimin e ktheu në mjetin më efikas politik?

Një herë në 4 vjet në mediat shqiptare rrëfehet një histori me UDB.  Po flasim mediat kryesore që i kthejnë udhën kombit që ndodh të trulloset.  Kësaj radhe – si zakonisht – me dosjen e UDB-së u shfaq Spartak Braho, refruar në media për një libër të tijin. Njeriu kyç i këtyre rrëfenjave dihet: Sali Berisha. Agjent i regjur i shërbimit famëkeq jugosllav. Akuza ngjit. Është vetë termi UDB që ka sajuar një rol për veten në ligjërimin politik të Shqipërisë që qëndron si kryemedalja e së keqes e ku para saj edhe akuza Sigurims tingëllon si titull i ndonjë tregim për revistën “Yllkat”.

Akuza ka një traditë të gjatë që është ngulitur nga regjimi i Enver Hoxhës dhe ky personalisht duke kanalizuar për interesa politike dhe arsye objektive paradigmën antisllave shqiptare në drejtimin e një dueli policor dhe spiunazhi që luan rolin e një muri të domosdoshëm mes të dy anëve. Spiunimi është dredhia anonime dhe e kudondodhur, të cilës i jepet pasaporta: UDB.

Kush mund ta harrojë gjithë atë repertor unik të kohës së regjimit të Hoxhës që me kalimin e viteve zbulonte agjentë dhe spiunë, sabotatorë dhe subversivë, përherë duke e lëmuar emocionalisht akuzën, duke ia hequr thepat e patetizmit të fillimit e për ta bërë përherë si një recitim cerebral. E thatë në tekst, e shkruar, me sigla dhe vula, akuza vetë stimulonte ndjenjën e luftës që bazhdon me beteja të fituara. Jo më nga çunakë të hedhur në zjarrin përvëlues të luftës për liri, që gdhiheshin gëmushave kundër bandave diversioniste, por nga ustallarë që kuptuan se spiuni është një dosje e përpiluar saktë. Ose bindshëm.

Kaq funksional ishte ky regjim sugjestionues saqë sadoqë u përsërit pambarim në 50 vjet, sërish mbeti epigramatik si një psikoterapi politike që mbajti në këmbë në kushte operative një shtet të tërë.

Por teska fama e UDB-së rritej e ajo mistifikohej, agjentët binin në burg, asgjësoheshin dhe kapeshin, veprat pas tyre as nuk i mban mend kush. Një sabotim atje, një bandë më tej, një infiltrim në ushtri, një tentativë ndikimi gjetkë, penetrimi në parti, këto ngjajnë si kleçka që vërtet duhen mbajtur nën mbikëqyrje dhe luftuar, por ato nuk e vënë në diskutim një shtet.

Ndaj edhe fabula e poliagjentit Mehmet Shehu është Tabloja e domosdshme Sinoptike, është ajo që konvertoi luftën me revizionizmin titist dhe manifestimet e veta tinzare në spiunazh, në një konspiracion kolosal të ngjashëm me tradhëtinë e Judës apostullit ndaj Krishtit. Kaq mjafton për narrativën e një njeriu që pretendon detyra misionare si Enver Hoxha.

Është regjia e dikurshme që vazhdon të funksionojë mirë në skenën politike shqiptare me skenarin dhe dialogun e dikurshëm ajo që luan ende sot si shkolla e vjetër ku ushtrohen skenaristë të rinj. Kuptohet, kjo që shohim sot është një karikaturë e asaj të djeshmes, sepse sot lufta që pretendon ky skript nuk mund të barzvlerësohet me luftën psikologjike që në këtë front nuk ekziston më, por sërish ajo është një tentativë për t’i dhënë një adresë të keqes. Për ta akuzuar kundërshtarin si shkatërrimtar, pastaj për ta shpjeguar shkatërimtarin si të pagdhendur, për ta gjetur çelësin e suksesit të tij te UDB-shizmi dhe për të ndërtuar kështu një kod të ri interpretimi të tranzicionit me dy faqe: njëra që prish sepse në një anë është Saliu me lukuninë e tij dhe nga ana tjetër ata që ndërtojnë dhe selisin mëmëdhenë. Si dhe për ta ndërmjetësuar rmarrëdhënien me një pjesë të kombit shqiptar përmes dosjeve të Tiranës.

Për ta bindur njerëzinë në këtë tregim Berishës si njeriu i konfliktit iu dha patenta e UDB, ndoshta me numër serial 01, çka vetiu na bën të kuptojmë edhe diçka tjetër: për një kategori të politikës në Shqipërinë e pas ’90-ës kjo është një mënyrë për ta konservuar regjimin e dikurshëm në suazën e një përballjeje me botën sllave, me armikun e përhershëm, për ta interpretuar tranzicionin si vazhdimësi të një lufte që ka përherë të njëjtët në anën e mirë dhe për të mos lejuar që debati i brendshëm mes shqiptarëve të pranojë tematizimin e disa çështjeve që duhen parë ndryshe dhe sidomos jo nën frymën e një monopoli.

Kjo lojë ka rrënjë psikologjike të thella dhe këtë mund ta shohim qartë te karta e ndërkëmbyeshme e armikut që befas bëhet mik e pastaj sërish armik, gjithnjë në mëshirën e asaj që Kisha e kohës sonë, Media dhe instrumentet e saj, shpallin si model dhe kundërmodel.

Tregimet e fundit të Spartak Brahos me UDB dhe Berishës janë përsëritje e akuzave të vjetra që sillen e risillen me shpresën e efektit provokativ të stigmës UDB. Sidomos tani kur u kuptua nga të gjithë se këtu VJEDHIN të gjithë. Se Hajnia është pasuri kombëtare e patjetërsueshme. Është hajmalia e fundit për lebrozët e këtij shekulli që në fund të fundit njësoj si dikur, shpresohet se do të rimistifikojnë një rol që nuk mund të ecë më.Cili konspiracion i Berishës mund të konkurojë vallë banditizmin e dekonspiruar të një elite që trashëgon të gjithë instinktet e një grupimi që krimin e ktheu në mjetin më efikas politik?

Skerdilajd Zaimi

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s