Kategori
Uncategorized

SHBA, ambasadorja dhe ‘Peshqit e mëdhenj’ në qeveri!

Nga Poli Hoxha

“Ambasadore, kemi dëgjuar për shumë kohë që ata që konsiderohen peshqit e mëdhenj do të kapen dhe do dalin para gjykatës. Deri tani, asnjë peshk i madh nuk po shkon në gjykatë dhe peshqit e mëdhenj që ishin në burg po dalin, për shkak të vendimeve të fundit të gjykatave. Çfarë ndodhi me peshqit e mëdhenj?!”

Kjo është pyetja që drejtuesi i “Opinion”, Blendi Fevziu i bëri në emisionin e tij ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Kurse përgjigjja ishte:

“Blendi, ndonjëherë kam përshtypjen që këto shprehje përdoren si shpërqendrim. Ajo ku do të përqendrohem unë janë faktet. Për tepër kohë, njerëzit e pushtetshëm në Shqipëri kanë funksionuar me pandëshkueshmëri. Kjo kohë po i afrohet fundit”.

Për ata që nuk e kanë memorien shumë funksionale, kujtojmë se termin “peshq të mëdhenj” të korrupsionit qeveritar dhe të krimit të organizuar e ka futur i pari në terminologjinë politiko-juridiko-mediatike shqiptare, paraardhësi i zonjës Kim, ambasadori Donald Lu.

Deri në ditën e tij të fundit si ambasador në Shqipëri, ai do të mbahet mend si diplomati që “i kishte vënë shpatullat” Reformës në Drejtësi dhe që deklaronte shpesh edhe me afate kohore, se menjëherë pas ngritjes së SPAK do të shihnim “peshq të mëdhenj” në rrjetën e drejtësisë së re.

Kanë kaluar shumë kohë që atëherë. Lu iku në Kirgistan; erdhi Kim që u shfaq fillimisht po njësoj entuziaste; u ngrit SPAK dhe së fundmi edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, por ashtu siç thotë me të drejtë Fevziu në pyetjen e tij retorike; jo vetëm që nuk kemi prapa hekurave “peshq të mëdhenj”, por edhe ata që kanë qenë në qeli si koka të krimit në vend, po dalin të lirë një nga një.

Në përgjigjen e vet për temën e preferuar (pandëshkueshmërinë në fakt) të shqiptarëve, “peshqit e mëdhenj”, ambasadorja Kim thotë tekstualisht se, “këto shprehje po përdoren si shpërqendrim”.

Edhe pse nuk ia përmend emrin homologut të saj, ky deklarim është një përgënjeshtrim dhe atakim i pastër ndaj zotit Lu.

Ishte pikërisht ai që për të mbajtur lart optimizmin dhe besimin e shqiptarët për Reformën në Drejtësi, premtonte “peshq të mëdhenj” të pushtetit dhe politikës. Në fund të fundit, thelbi i kësaj reforme dhe sidomos SPAK është pikërisht ndëshkimi i “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit, të cilët njëkohësisht janë të lidhur ngushtë me “të mëdhenjtë” e krimit të organizuar.

Atëherë, ndoshta ishte vërtet shumë shpejt për të parë rrjetat dhe gjahun brenda tyre. Por ja ku jemi po njësoj, edhe sot pas 4 vitesh nga nisja e Reformës dhe kompletimit të SPAK, i cili po merret me “cironka të ngordhura” si rasti skandaloz i komisionierëve zgjedhor në Shijak, të vdekur prej kohësh.

Kur ambasadori Lu përmendte SPAK e “peshq të mëdhenj”, nuk harronte të theksonte se fliste në emër të SHBA. Edhe ambasadorja Kim, po njësoj sot.

Askush nuk e diskuton në Shqipëri këtë, edhe pse qëndrimet e ambasadës në Tiranë kur vjen puna për korrupsionin e lartë shtetëror nuk rezonojnë shpesh me raportet e forta të Departamentit të Shtetit, pra me SHBA-në zyrtare.

Për shembull; SHBA zyrtare në emër të së cilës flet ambasadorja e ka shpallur Vangjush Dakon “non grata” dhe në listën e saj të zezë, kurse Edi Rama e mban anëtar të kryesisë së partisë që ka pushtetin në Shqipëri.

Ose zonja Kim nuk e di këtë fakt, ose nuk i ‘bën përshtypje’ ky karshillëk që kryeministri Rama i bën Departamentit të Shtetit dhe taksapaguesve amerikanë.

Dako ose është “peshk i madh korrupsioni” siç thotë SHBA zyrtare, ose është “shpërqendrim” për SPAK. Arsye të mesme nuk ka!

Por vazhdojmë. Ambasadori Lu në emër të SHBA u shpërndante premtime shqiptarëve me afate kohore, të cilat tashmë i përkasin kohës së shkuar të pakryer. Edhe ambasadorja Lu në fillimet e saj, kishte të njëjtin entuziazëm dhe fliste në kohën e ardhme dëshirore.

Sot jemi në të tashmen dhe krye-diplomatja e SHBA në Tiranë nuk është më e para, për sa i përket entuziazmit për reformën në përgjithësi dhe SPAK në veçanti.

“Peshqit e mëdhenj” për SHBA-në e Kim nuk janë më ‘premtim’ si ai i SHBA-së së Lu, por vetëm ‘shpërqendrim’!

Shpërqendrim i SPAK ndaj kujt dhe për çfarë?!

Sepse deri më tani siç e thamë edhe më lart, vetëm me “cironkat” është marrë. Siç bëri së fundmi edhe me arrestimet në OSHEE, e cila është shndërruar prej kohësh në portofolin më të madh korruptiv të Edi Ramës e Vangjush Dakos, ashtu pa bujë dhe butë e butë.

Pra rrjeta e SPAK kapi më në fund ca zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kësaj kompanie miliardëshe që është shtetërore, por funksionon si private. Por për të mos “shpërqendruar veten”, nuk u mor fare me peshkaqenin në krye të saj, fuqiplotin dhe të paprekshmin Ardian Çela.

Të paktën ta kishin thërritur për ta pyetur, sepse në atë kompani as detergjentët nuk tenderohen pa dijeninë e tij dhe madje duhet të blihen nga ‘fituesi’ pasi ka dorëzuar “30%” në magazinën që do ai, e jo më kur bëhet fjalë për një tender 1.2 milion euro!

Ambasadorja Kim në përgjigjen që i dha Fevziut për “peshqit e mëdhenj” lëshoi edhe një parullë populiste, e cila kapërcente edhe oqeanet.

Kur ju parashtrua konstatimi dhe u pyet, “se në fillim, kishte shumë shpresa kur u krijua SPAK; se ai do të luftonte korrupsionin dhe implikime të tjera të zyrtarëve të lartë, por njerëzit tani ndihen sikur SPAK nuk është ku duhet. Është e vërtetë? A besoni ju tek SPAK?”, ajo u përgjigj:

“Unë besoj tek SPAK. Taksapaguesit amerikanë besojnë tek SPAK. Kemi investuar sasi të stërmëdha kontributesh për t’u siguruar që SPAK të ngrihet dhe të funksionojë”.

Në fakt çështja emergjente sot është, se sa besojnë ende shqiptarët te SPAK dhe jo populli amerikan. Edhe vetë zonja ambasadore e di shumë mirë që taksapaguesit e vendit të vet, nuk e dinë fare që kjo strukturë ekziston diku mijëra kilometra, larg zyrave ku derdhin taksat e tyre.

SPAK është ngritur vërtet me kontributin e madh të miqve amerikanë e madje edhe me taksat e tyre, por misioni, pritshmëria ndaj tij është që të ndëshkojë ata që vjedhin në mënyrën më flagrante, me guxim të çartur dhe madje me skema korruptive të trasha e të qepura keq, paratë e taksapaguesve shqiptarë!

Kemi 4 vite që dëgjojmë nga Rama dhe disa diplomatë në Tiranë, (këta të fundit me spond), se opozita nuk e do reformën dhe ka frikë nga SPAK.

Por ja ku jemi: kreu i opozitës Lulzim Basha gdhihet e ngryset duke inkurajuar, ndihmuar dhe kërkuar nga SPAK që të flasë një fjalë për skandalin e paprecedentë të inceneratorëve. Të paktën të thotë se po hetojnë me seriozitet, se kanë ngritur një grup të posaçëm prokurorësh, etj, etj.

Por çfarë po ndodh. Basha që “ka frikë” flet dhe furnizon SPAK me dokumente dhe dosje të skandalit, kurse “dashnori i madh” i tij Edi Rama çon veten dhe partinë te vendi i krimit në Elbasan, për t’i vënë gjoksin aferës dhe për t’i dërguar një mesazh omerte SPAK-ut.

Këtë skemë korruptive 400 milion euro e ka denoncuar së pari në SPAK shoqëria civile, nëpërmjet “Nisma Thurrje”. Pastaj ka vazhduar PD, me fakte dhe dokumente. E ka investiguar edhe një medie ndërkombëtare, e cila mbështetet shpesh financiarisht edhe nga SHBA, BIRN.

Pra nuk ka vend për politizim të çështjes siç po tenton që të bëjë Edi Rama, por si fillim, vetëm për identifikim të “peshqve të mëdhenj” nga SPAK.

Ndoshta historia korruptive nuk është kaq e rëndë sa pretendon Basha, por asgjë nuk e pengon SPAK që të thërrasë pas disa muajve që kur u bë denoncimi i parë nga “Nisma”, e të marrë në pyetje të gjithë protagonistët ministra e ish-ministra me në krye Ramën, të cilët po dalin çdo natë nëpër studio për tu përgjëruar se nuk kanë hedhur firma gjëkundi.

Ose të paktën thërrasin e të pyesin 23-vjeçaren, të cilës i kanë vënë emrin në letrat e kësaj afere gjigante. Ose të pyesin shkrimtaren Flutura Açka, e cila zbuloi rastësisht se “guaska” që do të vjelë nga taksapaguesit shqiptarë plot 400 milion euro, nuk ka denjuar as të hapë një zyrë të thjeshtë me një sekretare në Amsterdam, por rezulton me adresën e banesës së një çifti pleqsh holandez.

Të paktën SPAK-u, “tmerri” i korrupsionit të lartë, të na sqarojë se nga i buron guximi për tu tallur dhe poshtëruar shtetin dhe inteligjencën e shqiptarëve, organizatës së Ramës, Ahmetajt, Klodian Mërtirit e kompani?!

Ndaj nga ambasadorja Kim pritej që ndërkohë që ky skandal po qelb qeverinë dhe po habit të madh e të vogël, të deklaronte të paktën se duhej ndarë “shapi nga sheqeri” për këtë çështje.

Të kërkonte, edhe në emër të taksave të amerikanëve, që të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi kjo çështje e cila po trazon fortë publikun. Sepse nuk mund të kapërcehet më me batutat-cicërima të kryeministrit, kundër Bashës. As me filmat 3D ku duken pleq e fëmijë, të cilët do të pushojnë në parqe me bar e pemë mbi fushat e plehrave që kushtojnë, vetëm njëri, 1.2 milion euro!

Sepse mbi të gjitha zonja ambasadore, duket qartë se mënyra se si do të trajtohet kjo aferë që është në fakt edhe modeli tipik i skemës 8 vjeçare për të grabitur miliarda nëpërmjet PPP-ve, përfaqëson edhe pikën e fundit në gotën e besimit apo mosbesimit, ndaj reformës dhe SPAK!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s