Kategori
Uncategorized

Mallkimi i nënës

Albert Avduli/


Ajo ditë gdhiu me një rrebesh që s’kujtohej në mote nga pleqtë.
Dukej se çatitë me pllaka të gurta do të dorëzoheshin nga çasti në çast.
Qielli nxinte dhe shfrynte inatin e kushedi sa shekujve.
Njerëzit luteshin, por dukej se Perëndinë e kish zënë gjum i rëndë.
Në të vërtetë, zgjuar ishte, por ne nuk e njihnim Atë.
Na kishin mësuar ta mohonim e ta fyenim.
Dua të mbetem me idenë se po flinte, jo se po na ndëshkonte.
Teksa dremiste pranë oxhakut të tij, filloi të gërhinte.
Portat e qiellit i kish harruar hapët dhe ai po shkarkonte çdo rezervë të lëngëshme.
Po kalonte mesdita, kur shkrepi një rrufe dhe menjëherë e pasoi një bubullimë shurdhuese.
Mbas kësaj pritej që furia e shiut të shtohej. Çuditërisht shiu u rrallua.
Gjëmimi, duket se ja nxori gjumin të plotfuqishmit dhe Ai vrapoi të mbyllte digën e përroit ajror.
Krisma e rrufesë e verboi dritën e mëmës flakëritëse dhe e shurdhoi bubullimën që udhëtonte mbas lokomotivës gjarpëruese.
Rrufeja zbrazi diku afër sepse jehona e saj u përplas mbi përroin e guvave dhe fshikulloi muret e gurta të lagjes.
Im atë u çua vrik në këmbë. Shtyjti duhanin që po grinte dhe hodhi një pelerinë të zezë mbi supe.
Diku e bëri hatanë -tha – dhe doli si të ishte zjarrfikës.
Mbas pak u kthye i vrejtur e i lagur. Pelerinën e kishte në dorë dhe e vuri mbi një trung në avlli.
Ullirin e bletës kishte goditur. E kish këputur në mes.
Kaq tha dhe u ul të grinte melhemin e tij, duhanin e fortë gjethe vogël.
Ishte ulliri më i madh në bahçen tonë. Ende nuk e di pse quhej i bletës.
Ullinjtë i kishte pronësuar kooperativa, por ne dhe mullënjat nuk mbeteshim pa ngrënë nga ajo pemë e sojshme.
E kishim si lopë të gjelbër. Mblidhnim, mbushnim xhepat dhe i zbraznim në disa qypa balte të bukur.
Ishte marrëveshje e pashkruar dhe mirëbesimi në lagje që nga ullinjtë e oborrit të merej diçka.
Oh ç’vaj që kullonte kur shtypej.
Ishte ai lëng i artë që na forcoi kockat dhe imunitetin.
Nëna doli te shkallët dhe e mallkoi qiellin në mënyrë të çuditëshme.
Drejtoi fytyrën lart sikur donte të shiheshin sy më sy dhe lëshoi nëmën:
U thafsh ti që do t’më thash fëmijët për pikën e vajit !
Dhe qielli u ça e retë u shpërndanë menjëherë.
Shiut i mbeti uji në grykë e pikë nuk lëshoi atë ditë e dy muaj rresht.
Ishte vjeshta më e thatë që mbaj mend nga fëmijëria.
Fuqia e shpirtit të nënës që mahnit dhe Perëndinë.

shënim: këtë episod ma rrëfeu para pak ditësh një shoku im nga Vlora

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s