Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim,
s’janë siç kanë qenë,
vetëm lëkura patatesh
(si të shkulura në tortura), gjak domatesh të prishura,

lëvozhga vezësh e thonj, qepë e lotë të tharë, këpucë
të pakalbura ende, potkonj, mace që s’kuptohet a janë
gjallë, copa gazetash – ngjarjet e botës të flakura
në kazanët anash rrugëve si mërzi
e madhe, kërcënuese…
Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim
dhe janë shtuar bashkë me lirinë, ngjyra-ngjyra si letra
çokollatash vezulluese, si idetë, si fundi i një ëndrre
në mëngjes, fotografi lakuriq artistësh,
të ndaluara më parë
të gjitha, gjëegjëza ambalazhesh, modë, lule të thara,
mbeturina bananesh si hëna të shtrembëruara,
dekorata, gëzhoja, kuti të bukura pijesh të jashtme,
e jashtmja e brendshme,
kapakët e shqyer të librave të diktatorit, koka e tij
e statujtë, pis, buzëqeshja e thyer, poemat për të,
një gjysmë magnetofoni, plehra të shtrenjta, kënga
ende dëgjohet, e ngjirur, kolltukë më tej, televizor,
skelet veture përsipër si një tërmet. Ja, ca furça
të reja dhëmbësh si picirrukë përrallash të pa mbaruara.
Pirgjet me plehra vazhdojnë jashtë radhëve
të kazanëve të mëdhenj,
pasqyra ku fërgëllojnë ballkone pallatesh të larta, po qielli
prapë është larg, larg dhe i pastër ende, veçse
nja dy heronj se ku janë zhgërryer, punë korrupsioni,
pranga të ndryshkura…
Kalojmë anash plehrave, mespërmes plehrave,
sa shumë, edhe në biseda, gjithandej, çfarë plehërash, –
plehra në kujtesë, në qëndrim, në karrierë,
plehra, plehra, plehra.
Dhe ato të rrugës ndonjëherë janë
më pak të shëmtuara, të dëmshme më pak.
Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim! Pse vetëm ato…