Nga Kastriot Dervishi/
Më 31 mars 1991 u zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri.
Nga Kuvendi paraardhës këtë herë ishin zgjedhur vetëm 19 deputetë ose 7.6 % e numrit të përgjithshëm të tyre. Zgjedhjet i dhanë këto rezultate për Kuvendin Popullor, i cili përbëhej nga 250 deputetë:
-Partia e Punës: 169 deputetë ose 67,6%
-Partia Demokratike: 75 deputetë ose 30 %
-Organizata “Omonia”: 5 deputetë ose 2 %
-Komiteti i Veteranëve: 1 deputet ose 0.4 %

Partia Demokratike fitoi mandatet e pothuajse gjithë qyteteve të mëdha të vendit. Kuvendi Popullor çeli punimet e tij më 15.4.1991 me fjalën e deputetit më të moshuar, Adil Çarçani, i cili e mbylli kështu fjalimin e tij: “Rroftë populli heroik shqiptar”. Kryetarë të grupeve kuvendore ishin Ismail Lleshi për Partinë e Punës dhe Neritan Ceka për Partinë Demokratike.
Kjo legjislaturë që i mbylli punimet më 4.2.1992 sepse u shpërnda para kohe, rrëzoi kushtetutën staliniste të vitit 1976 dhe miratoi Dispozitat Kryesore Kushtetuese.