Kategori
Uncategorized

Jo izolim ju lutem, ne jemi suedezë -Është çështje lirie, jo epidemiologjie

Ne nuk duam të kujtojmë vitin 2020 si kohën kur i shkaktuam një dëm të pariparueshëm lirive tona- ose kur i humbëm plotësisht ato.

Nga Fredrik Erixon, Spectator

Jam i lumtur të them se këto frikëra nuk janë materializuar. Por presioni ndaj Suedisë nuk është zhdukur. Ne nuk kemi bërë kthesë. Jemi të kujdesshëm dhe qëndrojmë më shumë në shtëpi. Por shkolla dhe dyqanet janë të hapura. Ndryshe nga disa vende në kontinent, askush nuk na kërkon letrat kur lëvizim nëpër qytete. Policia nuk na ndalon që të na pyesë se përse po qëndrojmë kaq shumë jashtë, madje na inkurajon ta bëjmë këtë. Askush nuk na sheh çantat e pazarit për të parë nëse kemi blerë vetëm gjëra thelbësore.

Agjencia shtetërore e shëndetit publik dhe ‘epidemiologu i shtetit’, Anders Tegnell kanë ruajtur qetësinë dhe nuk rekomandojnë sërish një izolim. Ata janë duke u kritikuar nga modeluesit shkencorë, por agjencia po i qëndron modelit të saj. Qeveria sërish ndjek këshillën e agjencisë dhe asnjë parti në opozitë nuk kërkon izolimin. Madje, sondazhet tregojnë se suedezët janë thellësisht në favor të qasjes liberale ndaj pandemisë.

Por përse nuk po ndryshon qasje Suedia në luftën kundër pandemisë? “Djalli në botë vjen gjithmonë nga injoranca,” shkruante Albert Kamy në librin ‘Murtaja’- që pëshkruan vuajtjet njerëzore kur një sëmundje përhapet në shoqëri.

Suedia nuk ka deklaruar fitoren, madje është larg. Pandemia është akoma në ditët e para dhe askush nuk e di se si do përhapet virusi pasi të hiqen kufizimet dhe se cila do jetë vdekshmëria kur kjo të mbarojë. Suedia akoma nuk e di sa i madh është ajsbergu i saj- sesa njerëz e kanë pasur virusin me simptoma të buta ose pa simptoma. Do mbetet e paqartë edhe për disa javë nëse pjesë të Suedisë, veçanërisht Stokholmi, kanë krijuar njëfarë shkalle të imunitetit të tufës.

Një studim i fundit nga Karolinska sugjeron se 11 përqind e njerëzve në Stokholm kanë zhvilluar antitrupa kundër virusit. Profesor Jan Albert, që zhvilloi testimet, tha se shifra mund të jetë më e lartë. Profesori Tim Britton ka kryer një studim dhe sugjeron se mes 25 dhe 40 përqind e popullsisë në Stokholm kanë kaluar virusin dhe rajoni do arrijë imunitetin e tufës në fund të majit.

Këto rezultate janë shpresëdhënëse, edhe pse janë akoma vëzhgime. Ato nuk do e ndryshojnë politikën e Suedisë. Në fakt, të gjithë paqartësitë e të ardhmes së kësaj pandemie janë një motivim për qasjen liberale të Suedisë. Ne kemi në plan që të vazhdojmë distancimin social për një kohë të gjatë dhe ky distancim nuk funksionon nëse është më i ashpër se sa është nevoja.

Vende si Austria dhe Danimarka kanë nisur të lehtësojnë izolimin, por virusi po përhapet në vendet e tyre, edhe pse në një shkallë më të ulët. Pasi të hiqen kufizimet, ato mund të rivendosen nëse ka një tjetër shpërthim të ri. Asnjë vend në Europë nuk e di se si do funksionojë politika e testimit, gjurmimit dhe zbulimit në një shkallë të madhe. Ne nuk e dimë as kur do jetë gati vaksina. Për një kohë, duket se baza e mbrojtjes kundër virusit do jetë distancomi social. Autoritetet suedeze propozuan një qasje liberale bazuar te përgjegjësia personale për shkak se mund të tolerohet për më gjatë dhe ka efekt në rrafshimin e kurbës.

Por ka edhe një tjetër arsye. Politikat e izolimit cenojnë liritë bazë njerëzore. Në Suedi këto liri janë të paprekura. Politikat e izolimit kanë pasoja të thella në shëndetin publik. Dhe ato dëmtojnë rëndë ekonominë. Suedia nuk bën përjashtim. Ekonomia po bie si një gur. Në qytetin ku jetoj unë, në Uppsala, njoftimet për falimentim janë bërë të zakonshme.

Megjithatë ne jemi prapë shumë larg rënies ekonomike të shumë prej vendeve në izolim. Në fakt, situata ekonomike suedeze duket thellësisht pozitive krahasuar me raportimet dhe skenarët e vendeve të tjera.

Kështu që po: ekonomia duhet të faktorizohet në një përgjigje të balancuar pandemike. Asnjë vend nuk mund të mbajë politika shtypëse nëse ato sjellin pasoja katastrofike për ekonominë. Shumë vende po marrin hua për të paguar njerëzit që nuk po punojnë dhe për të ndihmuar bizneset që janë në prag të falimentimit. Por kjo nuk është një mundësi e pakufizuar. Borxhi i akumuluar tani do paguhet më vonë. Mund të shpresojmë te një rimëkëmbje e shpejtë ekonomike, por shanset janë që ajo të jetë e ngadaltë dhe se do duhen vite për të rindërtuar prodhimin kombëtar. Dhe ne e dimë tashmë se çfarë do të thotë kjo: papunësi e lartë, njerëz më të varfër dhe më pak shpenzime. Suedia nuk do kursehet nga kjo, por ekonomia jonë nuk do jetë shkatërruar si të tjerat.

Kështu që Suedia nuk po zgjedh bllokimin. As skuadra e Tegnell nuk është në panik. Shumica e njerëzve mendojnë se Suedia zgjodhi një poltiikë të ekuilibruar dhe efektive, dhe se tendencat aktuale e mbështesin këtë pikëpamje. Të gjithë janë të mërzitur për pakujdesinë e treguar ndaj azileve të të moshuarve- pasi një pjesë e madhe e vdekjeve janë banorë të këtyre shtëpive. Disa thonë se planet e urgjencës ishin të dobëta dhe rezervat mjekësore ishin të vogla. Njerëzit do mbajnë përgjegjësi. Disa ‘koka do priten’. Supozimi im është se nuk do jetë ajo e Tegnell.

Kush do e kishte menduar se Suedia do përfundonte si vendi i vetëm në Europë ku mund të dalësh për një birrë? Me normalitetin tonë, krejt papritur jemi bërë një vend ekzotik. Të tjera vende po mbyllin qytetet, shkollat dhe ekonomitë, por jeta në qoshen tonë të botës është për habi e zakonshme. Fundjavën e fundit shkova në palestër, u takova me miq dhe u ulëm në diellin e pranverës në kafenetë me verandë.

Miqtë e mi të huaj janë të habitur. Ata nuk mund ta kuptojnë se ka akoma njerëz që shijojnë frytet e civilizimit, sikur reagimi ndatyror ndaj pandemisë të ishte përqafimi i totalitarizmit. Dhe ata kanë një tjetër pyetje munduese: Si vallë Suedia përfundoi të jetë bastioni i vetëm i lirisë? Si arriti ky vend i konformistëve me sjellje të butë që të rebelohet kundër kulturës së izolimit?

Në të shkuarën, shumica e suedezëve ndjeheshin rehat me një shtet-dado që na jepte urdhra- duke na treguar edhe sa feta bukë duhet të hanim në ditë, fjala bie.

Ne shqetësohemi jo pak për Covid-19. Shumë njerëz punojnë nga shtëpitë. Restorantet janë të hapura, por nuk ziejnë nga njerëzit. Mbajtja e distancës prej dy metrash nëpër stacionet e autobusëve është diçka që suedezët e bënin shumë mirë edhe përpara krizës: ne nuk kemi nevojë për inkurajim tani. Ne jemi të kujdesshëm. Por qasja jonë ndaj luftës kundër pandemisë nis nga diçka më themelore: në një demokraci liberale, duhet të bindësh dhe jo të komandosh njerëzit. Nëse e humb këtë parim, do të humbasësh edhe shpirtin.

Stefan Loefven, kryeministri socialist i qendrës së majtë, ka hedhur poshtë zërat për një izolim, duke thënë se “ne nuk mund të ndalojmë gjithçka”. Ai nuk është një besimtar i parimeve libertariane dhe mund të sjellë masa më të rrepta. Por deri tani ai ka thënë se “të gjithë ne, si individë, duhet të marrim përgjegjësitë” dhe të mos presim që qeveria të na kyçë.

Dhe në qendër të debatit tonë është Anders Tegnell, epidemiologu shtetëror, dhe Johan Gieseck- një epidemiolog i famshëm, që ka fituar vëmendjen e publikut me sjelljen e tij. Të dy këshillojnë të bëhet kujdes – dhe sensin e përbashkët. Ashtu si në Britani, shumë shkencëtarë i kanë bërë thirrje qeverisë që të mbyllë shkollat dhe të imponojë shtetrrethim. Për dallim nga Britania, autoritetet janë përgjigjur me qetësi duke shpjeguar se si kjo nuk ndihmon në të vërtetë. Ata publikojnë modelet e tyre se si përhapet virusi. Ato tregojnë edhe sa njerëz do kenë nevojë për shtrim në spital: sistemi thonë ata, mund ta përballojë. Dhe kur pyeten, ata thonë se nuk mendojnë se Imperial College ka bërë një model më të mirë.

Ndoshta Tegnell dhe ekipi i tij mund të rezultojnë gabim. Por thelbi i tyre është se njerëzit meritojnë politika që funksionojnë për më shumë se një muaj. Menaxhimi i virusit duket një lojë e gjatë, dhe teksa imuniteti i masës nuk është një strategji suedeze, ndoshta mund të përfundojmë aty. Teoria e izolimit, në fund të fundit, është thellësisht joliberale dhe deri më tani, e paprovuar. Nuk është Suedia që po bën një eksperiment masiv. Të gjithë të tjerët po e bëjnë këtë.

Këshilla kryesore e Tegnell, e përsëritur dhjetë herë në ditë, është: tregohuni të ndjeshëm. Qëndroni në shtëpi nëse ndjeheni të sëmurë. Oh, dhe lani duart. Por individët, kompanitë, shkollat dhe të tjerët e kanë vetë në dorë se cilat masa përkujdesi do marrin.

Eksperimenti suedez ka të bëjë me parimin, jo me epidemiologjinë. Është e vërtetë që ndoshta jemi më pak të rrezikuar për shkak të numrit të lartë të familjeve me një person dhe numrit të ulët të duhanpirësve. Mbyllja e shkolave do të ketë një ndikim më të madh në një vend ku thuajse të gjithë mamatë janë mama që punojnë. Por sinqerisht, të gjitha këto shpjegime nuk shkojnë te thelbi: po, ne jemi ndryshe nga Spanja dhe Italia, por jo nga Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia. Suedia thjesht ka vendosur që të marrë masa që nuk e shkatërrojnë shoqërinë e lirë.

A nuk është pyetja e vërtetë pse vendet e tjera nuk po bëjnë të njëjtën gjë? Viktor Orban sapo ka rrëmbyer fuqinë e parlamentit të Hungarisë dhe mund ta drejtojë vendin me dekret- për një kohë të pacaktuar. Protestat janë të pakëta, për shkak se Boris Johson, Emmanuel Macron dhe Angela Merkel kanë pezulluar liritë dhe të drejtat themelore në vendet e tyre. Po, unë e di se ata janë të ndryshëm nga Orban, por ai do të pyeste: sa të ndryshëm? A nuk po i ndjekin dronët e policisë njerëzit edhe në Angli nëse dalin shëtitje?

Është hera e parë në jetën time si i rritur, kur është e mundur të imagjinosh totalitarizmin në Perëndim. Po kaq e frikshme është forca e panikut totalitar. Ka një intolerancë në ritje; dhe siç e ka shkruar Orwell- njerëzit e censurojnë veten për shkak të situatës së rrezikshme… dhe se ndershmëria intelektuale është një formë e egoizmit antisocial.

Ka shumë ekspertë në epidemiologji dhe virologji që janë shumë kritikë ndaj strategjisë së izolimit. Disa janë gati që të flasin publikisht. Ka ekspertë të shëndetit publik që argumentojnë se metodat e shtypjes do të vrasin më shumë njerëz se vetë virusi. Por ata kanë frikë që të flasin qartë për shkak të frikës nga turma e mediave sociale. Shumë ekonomistë mendojnë se është çmenduri që të mbyllet prodhimi i tërë kombëtar. Por ata e fshehin mesazhin e tyre sepse mendime të tilla kërcënojnë gjendjen e kohezionit kombëtar.

Edhe sa kohë do të rezistojë Suedia? Është e paqartë. Ne mund të presim që shifrat tona të vdekjeve nga Covid-19 të rriten më shpejt se te fqinjët tanë- sërish ende brenda kufijve të një gripi të keq dimëror, por këto grafikë mund të trembin njerëzit. Një e pesta e popullsisë dëshiron që ne të bëhemi si pjesa tjetër e Europës, me një mbyllje totale. Por shumica dërrmuese, tani për tani, duan që Suedia të ruajë qetësinë e saj. Ne nuk duam të kujtojmë vitin 2020 si kohën kur i shkaktuam një dëm të pariparueshëm lirive tona- ose kur i humbëm plotësisht ato.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s