RRËNJA DHE TRUNGU I FAMILJES MUJE NË ÇEGRAN !

Kur je larg njerëzve dhe vendit që ke dashur më shumë, ndien më shumë mallë dhe obligim për ta. Edhe unë tashmë, i burgosur në kazamatet e Zenicës në Bosne dhe i dënuar në process të montuar, prej disa vitesh gjendem larg vendlindjes dhe njerëzve të mi të dashur, shumëherë kujtime të shumta vinë e më mbulojnë për ato që më mungojnë aq shumë. Nganjëherë mendimet vijnë si vale deti, duke u gërshetuar edhe me ato gjëra që kanë të bëjnë me pasardhësit tanë, për trungun, rrënjën dhe gjenezën e fisit tim Muje, të vendlindjes sime Çegranit si vendbanim që ka historinë e vetë, legjendat dhe gojëdhënat e saj në shekuj. Për vendin e të parëve dhe të bashkfshatrëve të mi, duke u lënë këto shënime breznive të reja që vijnë dhe të cilët janë daktis në shtigje gurbeti nëpër meridianet e shteteve të Europës Perënfimore, bile edhe andej detit në Amerikë! Dhe pyes me vete: vallë, do të jenë ata në gjendje të njohin mirë prejardhjen dhe origjinën e të parëve të tyre kudo që ata të jenë? A do të kenë interesim të mjaftueshëm t’ua transmetojnë të dhënat për origjinën e fisit apo llagëpit që ata i takojnë (në se për vete do ta kenë të qartë), t’ua spjegojnë fëmijëve, nipërve dhe stërnipërve , mbesave dhe stërmbesave, pasardhësve të tyre. A do të kenë ata njohuri dhe të njohin njerëzit që i kanë kushërinjë të tyre, ose të kujtojnë emrat e xhaxhallarëve të tyre të ndonji brezi më të largët, edhe kur ata mund të kenë qenë kushërinj të brezit të parë ose të dytë nga gjyshi e stërgjyshi i tyre. Sigurisht, këtë e them nga fakti, duke menduar shpeshherë se mos kjo mund të ndodhë edhe tek pasardhësit tanë, aq më tepër në kushtet e një emigracioni të madh që ka përfshirë jo vetëm Çegranin dhe fshatrat për rreth, por gjetiu trojet tona ku jetojnë shqiptarët hallexhinj dhe të vuajtur, duke mbajt në shpinë plagët shekullore të gurbetit si një gur i rëndë Sizifi . Duke u nisur nga këto ide dhe mendime, që kur isha në qelitë skëterë të burgjeve jugosllave në Bosne, ndërmora me vetën time këtë nismë që sapo të dilja në dritë të diellit, të bëja hulumtime, duke grumbulluar të dhënat kryesore për gjenezën e fisit tim dhe të mahallave të Çegranit në veçanti.
Nuk kam të dhëna të mjaftueshme për të paraqitur një material më voluminous dhe plotësisht të saktë e pa gabime,por po përpiqem të shpalos kujtesën time rreth atyre gjërave që unë kam dëgjuar nga goja e më të moshuarve rreth trungut dhe origjinës së fisit, apo formimin e fshatit si vendbanim, duke anketuar e konsultuar më të moshuarit e fshatit si Ramadan Islamin, Baki Lokun, haxhi Sadin Polin, Shemë Biçakun, Qemal Ametin, Kasam hxhi Las Hasipin, haxhi Shaban Beshirin, Amet dhe Xhemail Emshiun, Sefë Peçin, gjyshi im haxhi Neim Sulë Muja, haxhi Rushan e haxhi Rauf Rexhepin, Ismet Lapen, Elmaz Metën, Ipë Durmish Likën,Jusuf Brahimin, haxhi Hisni Rufatin, Remzi Komen, haxhi Sadin Dervishin dhe shumë të tjerë. Rrëfimet e tyre ishin të gjata, interesante dhe të thukëta, në pjesë të madhe të bazuara nga gojëdhënat e përcjella brez pas brezi… Po ashtu po u drejtohem kujtimeve të mia të moshës së fëmijërisë e rinisë sime të hershme, të bisedave me gjyshen time, madje bisedat tek stanet me hallën Shaje etj. Jam i sigurtë se po të kisha ndërmarrë këtë nismë këtu e 35 vite më parë, do të kisha pasur më shumë mundësi për të shfrytëzuar të dhëna gojore me shumë vlerë e më të sakta të grumbulluara edhe nga pleqë të tjerë të cilët unë i mbaj mend edhe sot. Këtë libër ua kushtoj si testament fëmijëve të mi, nipërve dhe stërnipërve, mbesave dhe stërmbesave të gjakut tim dhe më gjërë breznive të reja të fshatit ku u linda. Përgjithësisht, gjithë atyre që janë të etur për të ditur diçka më shumë rreth origjinës së fisit të tyre, duke qënë i mendimit, dhe jam i lumtur që arrita të bëj një punë të frytshme, duke i nxjerr gjërat në dritë të diellit dhe mos mbeten të mbuluara me pluhurin e harresës.
Sepse, RRËNJËT DHE RRUGËTIMET E FISIT janë të lashta dhe ikin tutje në thellësitë e shekujve me Gurin e Sizifit mbi shpinë.
…Njerëzit janë mësuar prej shekujsh me hartat dhe leximin e tyre, harta shtetesh dhe popujsh, harta historike … Erdhën dhe vajtën regjime e sisteme qeverishë, ishin gotët, ilirët, erdhën dhe shkuan sulltanë e mbretëri, krajla e sisteme komuniste, gjithëfarësh. Dhe, me shtimin e dijenive, njerëzit mësojnë se ka harta të vjetra dhe të reja, në të cilat disa nga emërtimet mungojnë ose janë zëvendësuar me të tjera. Kjo është e njohur dhe e shpjegueshme, si pasoje e zhvillimeve të historisë, kryesisht, të luftërave dhe shpërnguljeve. Kur viset e populluara zbrazen nga gjindja e vet njerëzore, letërsia dhe arti janë të fundit që i braktisin. Mund të thyhen ushtritë, të tërhiqen rojet e fisit, të heshtë diplomacia, arti nuk bindet. Ai kthehet e rikthehet atje, të logu i vjetër. Atje ku ndodhi shkulja, këputja mizore, krimi. Atje ku të tjerët i ndal shenja e kufirit të ri, traktatet ose rendi i ri i botës…. Çamëria bën pjesë në një nga hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen.
Gjeneza dhe origjina e fisit Muje ka histori të lashtë !… Pohimet e gojdhënave të pleqëve, nga të cilët janë mblredhur fakte dhe janë bërë hulumtime, studime e logjike të shendoshe , shprehin qartë e saktë dhe bukur të vërtetën historike se në “lisin fisnor” shumë shekullor të Mujeve që nga rrënjet tek trungu, degët dhe degëzat e tij gjithmonë ka rrjedhur gjak i paster shqiptar, dhe këtë me xhelozi e ruajni fisi mbarë me tradita , vese e zakone, kulturën dhe folklorin e tyre, me dasma e festa motmoti, por që kurrë nuk martohen mes vejti, edhepse tanimë janë të shpërdarë breza mjaft të largët të fisit prej stërniprish e stërmbesash…! Nga gojëdhëna, legjenda dhe rrëfime të ndryshme nga pleqët të përcjellura brez pas brezi sipas traditës gojore thuhet se Mujet e kanë prejardhjen nga trungu i fisit Proj të Çamërisë. Lidhur me këtë mund të bëjmë një vështrim edhe nga pikëpamja e pemës gjenealogjike të këtij fisi, cili nis të veçohet gati 6 shekuj më parë.
…Diku buzë Fushës së Pollogut, bri ograjeve dhe Vardarit lakadredhës, rrëzë Malit të Thatë ku duken disa kodra që zbresin si suka shullerësh gjer poshtë në brezin e gjërë të ledinave, gjendet Çegrani, një fshat tanimë mjaft madh dhe numëron afro 2000 shtëpi me banorë të pastër të etnisë shqiptare.Fshati ka formën e zgjatur dhe me shtëpi të bardha të stilit modern… I ndodhur pothuajse në distancë të barabartë nga dy anët e rrugës kryesore që kalon për mes fshatit, duke e ndarë në dy pjesë, në dy krah, e që kufizojnë në anën jugore me fshatin Forinë, nja 6 km në verilindje të Gostivarit… Në veri kufizohet me pllaja rudine dhe fshatin Vollkovi, banorët e të cilit janë të krishterë. Nga perëndimi duken të larta kurora të bukura të malit Sharr, dhe në horizont duket se me ato maja puthet qielli i hapur… 
*
Çështja e gjenezës dhe prejarrdhjes së fisit, formimit të patronimeve (mbiemrave dhe emrave) familjarë ose të mahallave në Çegran në shekuj… Dhe, të shkruash per Etnogjenezen e këtij vendbanimi me histori të lashtë dhe të bujshme , ose të shkruaj për trungun dhe rrënjën e Fisit tim MUJE, nuk është e lehtë ,pasi duhet të “gërmosh” thellë në rrënjët autoktone iliro- shqiptare të origjinës mbi dymijëvjeçare të krahinës famëmadhe të Çamërisë që Perëndia e ka vendosur si një brez të gjërë me pllaja e ara të buta ku rriten ullinj e luledielli, e prej nga i kanë fijet dhe rrënjët trungu I fisit tim, të shpërnguluar nga andej duke ikur nga terori dhe dhuna që u bëhej shqiptarëve në këto treva nga hordhitë gjakatare ruso-greke.
Egzodet ishin të mëdha, shumë fise dhe ordi shqiptare morrën arratinë, disa edhe andej detit duke gjet strehim në shtigjet e Gadishullit Apenin, në Sicili… Duke u kalamendur në ikje me trasta në krah, dhe me djepa fëmijësh nënat duke i mbajtur nën sjetull, pas stuhishë e rrëmetesh të viteve 1446 dhe prej shekujsh, ikën edhe fisi im, me rrënjë came, duke u vendosur kështu në anët e Matit dhe Lurës… Aty jetuan afro tre shekuj, dhe më pas, nga dindjet dhe egzode të tjera që u bën ndaj shqiptarëve të krahinave, ikin edhe nga një hakmarrje gjaku, duke u vendosur në rrënzat e Malit të Thatë buzë Vardarit lakadredhës ku tej shtrihet Fusha e Pollogut , pamëdyshje, tokë pjellore…e Shqipërisë Etnike!
*
…Këtej gjendet gjeneza dhe fijet e TRUNGUT të fisit tim Muje me RRËNJË nga Çamëria !
… Kanë jetuar disa qindra katunde si një degë ulliri, si një luledielli, por që në historinë e shekujve Çamëria njihet si vend i shtrejtë dhe me një demografi të zhvilluar shqiptare, mjerisht shumë të vuajtur, jeta e tyre ka qënë shumë tragjike që nga kohërat para dhe pas pushtimit osman, këtu pikërisht zulmadh tregohet faktori grek që bënë një gjenocid të paparë, duke bërë hata mbi afro 160 fshatra, ose siç i quajnë atje: Katunde , në zonën e Epirit, të Thrakës, në ishujt e Korfuzit, Speca, Peloponez, etj.
Por…Këtu struket një histori e gjatë dhe me rrënjë të thella në themelet e mbetura gërmadha prej guri dhe varre të djegura, përçka duhet të shkruajnë edhe historianët, shkrimtarët dhe studjues europian e botëror…! …Në vitin 1444 dokumentet venedikase flasin për një rimëkëmbje ekonomike shqiptare në Epir. Nga portet Epirote të Frarit, Pargës e Gumenicës, Artës etj. niseshin drejt Venedikut e Raguzës nisnin sasira të mëdha gruri e drithëra buke, sasi të grumbulluara me tonelata luledielli për vaj… Në vitin 1555 , kohë kur është botuar ,,Meshari,, i Gjon Buzukut,Belon du Mans vizitoi vendet e Epirit dhe konstatoi popullsinë shqiptare të atij vendi, si popull autokton me tradita dhe kulturë, me rrënjë dhe histori të bujshme. Gjenerali i njohur turk Piri Reisi, i shek. XV duke përshkruar bregdetin e Jonit, pohon qartë se popullsia e viseve të Pargës ku ai u ndal posaçërisht, ishte shqiptare… Historia dhe historian të shquar të Europës dhe Perandorive të mëdha kanë konstatuar se përkatësia etnike e shqiptarëve në Çamëri e gjen pasqyrimin e vet në Defterin e hollësishëm osman të sanxhakut të Delvinës, të vitit 1583, ku janë regjistruar emrat e kryefamiljarëve të qendrave të banuara, qyteteve e fshatrave. Duke shfletuar fletët e këtij defteri vihet re se shumë kryefamiljarë mbajnë emra të krishterë të fushës onomastike shqiptare, shiko “Studime historike “, Tiranë, 1991, nr.3-4). Sidoqoftë, prania në regjistrat osmane e emrave karakteristikë dhe ekskluzivisht shqiptarë, vërteton konkluzionin e përgjithshëm se popullsia e Çamërisë i përkiste etnisë shqiptare… … Sipas Regjistrimit të Delvinës dhe i Janinës i vitit 1583) del se shtrirja e popullsisë shqiptare në hapësirët e Çamërisë, egzistojnë në shekuj toponime shqiptare të cilat i hasim gjithandej në krahinën e Artës, Paramithisë, të Sulit, të Gumenicës e të Pargës. Ledhës etj. Gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin se elementi fjalëformues lidhen si tipike në shumë fshatra të Çamërisë, e që kanë qënë të rujatura brez pas brezi në shekuj , janë ruajtur toponime malesh, prenjsh, fushash, luginash e arash si toponime të pastra shqipe si p.sh. ““Lisi i Lorit”, “Proi i Thellë”, “Palo Vreshtat”, “Gropa e Madhe”, “Bira e Vllahut”, “Drenova i Bardhë”, “Bota e Bardhë”, “Burimet”, “Bregu i Angjelit”, “Mulliri i Fikut”, “Shegëza”, “Kodrëza e Vidhit” etj.
* 
Historia njerëzore që me krijimin e saj e në vazhdim, deri në ditët tona është e mbushur me ngjarje nga më të ndryshme.Luftrat, përleshjet, grindjet me njeri tjetrin, kanë bërë që popujt përveç vrasjeve, terrorizmave, burgosjeve, etj, të shoqërohen edhe me zhvendosje nga vendbanimi, nga treva, teritori e të shkojnë në zona apo vise të tjera. Dhe, sipas rrëfimeve dhe gojdhënave nga stërgjyshërit e pleqëve tanë të fisit Muje , të përcjellura brez pas breqi, fisi im me trung dhe rrënjë vijnë nga tokat e Çamërisë që nga viti 1611, kur mbetën gjallë nga masakrat tinëzare të përgatitura nga peshkopit grekofashist , Dionisit, dhe i cili dogji shumë shtëpia e xhamia në disa fshatra të kësaj ane. Por, shpejt e humbi betejën,nga Asllan Pasha, u arratis dhe u fsheh në shpellën e ,,Jani Prodromit,,. Ushtria e Asllan Pashait pas një kohr të shkurtër e zunë rob kriminelin dhe e dogjën në zjarr. Trupin e tij të djegur pashai e dërgoi në Stamboll….Tanimë edhe fisi im në krye me Xheladin Gjin Mujën, që vinin nga babai i krishterë, i cili kishte kohë që kishte kaluar në fenë myslimane dhe jetonin në qetësinë e tyre në një fshat me pllaja të buta dhe ara të mbjellura me ullinj e luledielli në afërsitë e Artës, duke mbjelluar arat e tyre pjellore dhe në shekuj kishin mbet gjallë nën mbrojtjen e shqiptarit të këtyre anëve, Asllan Pashës.
Kështu edhe jeta ecte si uji i lumit i cili përshkonte lakadredhas trojet e Çamërisë, duke kaluar edhe një kohë gati prej një shekulli, sërish shpërthim vullkani të masakrave të tmerrshme, të cilat nisin që nga viti 1711 dhe ndaj çamëve zgjasin gati dyqind vite me rradhë, në kohë dhe hapësira të ndryshme të tokës çame , krime nga më të ndryshmet ,djegje dhe vrasje , dyndje massive, ikje nga frika e thikave të gjata të ortodoksve gjakatar grek gjer në masakrën e Filatit , e popullata came ,duke ikur nga zullumet para vdekjes, lënë shtëpi, vatra, kulla e varre të djegura dhe fushat, gryka e lugina, pellgje e ledina plotë me kufoma … 
Si shekuj më parë, njashtu edhe më 1881 trupat greke pushtuan trevat e Çamërisë së jugut dhe Artën. Bandat e andartëve, të armatosur nga qeveria greke dhe të frymëzuar nga kisha ortodokse, ushtruan terror të egër dhe të paparë mbi popullsinë e pambrijtur çame muslimane. Në Prevezë dhe rrethinat e saj u masakruan mbi 160 çamër muslimanë, midis tyre edhe myftiu i Prevezës. Qëllimi i qeverisë greke ishte largimi i çamëve muslimanë nga trojet e tyre etnike.
Me zemër të plagosur dhe trup të sakatosur, u largua nga Çamëria e tij e shkrumbuar edhe Xheladin Gjin Muja, bashkë me vllaun e tij Mujdinin, në moshë, gati të thyer, të ndjekur këmba–këmbës nga xhandarët grekë të armatosur me thika të gjata dhe bajoneta, me shpresë që të mbeten gjallë, natën me hënë vere, mbledhin plaçkat, gratë dhe fëmijët, me Gurin e Sizifit mbi shpinë, dhe nisen me karvanin e tyre, siç thotë populli: kah sytë andej këmbët…!
“ Pleqët tanë, i mbaj mend rrëfimet e tyre, por nuk mundeshin të thonin me saktësi se si dhe kur u nis kryeplaku i fisit me emrin Xheladin Gjin Muja, duke ngarkuar mushka e kuaj me gra e fëmijë të vëndosur në kosha thuprrash, por duke lënë pas varre të djegura dhe plangun e shtëpisë, duke u ec grykave e shtigjeve të gjata nga anët e Çamërisë, andej pas pasmaleve të Bistricës, në drejtim kah ecte dielli… Kështu kanë ec, biro, të parët tanë”- më tregonte gjyshi im, haxhi Neimi kur unë kisha nis të mësoja në Normalen e Shkupit. Dhe, sipas rrëfimit të tij, të parët e familjes sime të madhe Muje, do të thoshte se pëfundimisht qenkan vendosur diku në rrënzat e një kodrine të Matit ku sot gjenden vetë themele të rrënuara të fshati Sejdoll.
Të gjitha këto përçojnë me lashtësinë e prejardhjes dhe formimit të patronimeve (mbiemrit dhe emrit ) familjar të fisit Muje dhe Çegranit si vendbanim…
Sipas rrëfimeve dhe gojëdhënave të pleqve të cilat janë bart dhe përcjellë brez pas brezi, thuhet se stërgjyshi apo i pari i fisit Muje u vendos në këto pllaja buzë Vardarit dhe burimeve që sot i quajm ,,Uji i katundit,, dhe aty, fillimisht ndërtuan dy vëllrzërit nga një shtëpi dhe mulli prej guri ! Dhe, kështu nisi aty të rrotullohet RROTA E MADHE E JETËS ! Origjina, dihet , gjithënjë, sipas gojëdhënave, dhe se kanë qënë me rrënjë dhe prejardhje nga fisi Proj nga Çamëria të shpërngulur në pllajat e anëve të Matit dhe Lurës , dhe se, më pas, duke ikur për për shkak të një hakmarrjeje dhe nga zollumet sllave, nga andej janë vendos në brigjet e Vardarit ku sot gjendet Çegrani…

Dy vëllezërit : Xheladin dhe Mujdinini- Muja, bën nga tre djem, prej të cilëve nga një djalë , sipas Ligjit të Portës, vajtën nizam të Turkut ose në betejat e Jemenit, prej nga nuk u kthyen më. Fshati ku ata nisën jetë , u quajt Sejdoll, sipas emrit të Sejdës, në kujtim të gjyshit të tyre, i cili ka vdek gjatë një udhëtimi për në Siri. Por, me vdekjen e plakut , Xheladinit, ai varroset rënzë një kodre me pllaja të gjata në afërsi të Sejdollit. Gjersa, tanimë, Mujdini, vllau i Xhelës, duke qenë njashtu në moshë të thyer , detyrat , obligimet dhe udhëheqjen në familje, ia dorëzon djalit të tij, dhe i vetmi në fis me emrin AHMET, të cilit i lindin tre djem: Rexha, Mujdini, ( që sipas emrit të babait, fisi e thirrnin: DINA), dhe i treti: Abazi. Nga këta tre vëllezër shumohet fisi Muje dhe krijohen mahalla të mëdha nga ky trung, siç do të sqarojmë më vonë.
*
Sot nga emrat e tre djemëve ( dhe trashigimtarëve) të llagëpit Muje janë shumuar dhe kanë lindur vëllazëri e breza të moçëm e të rinj ,të cilat shkurtimisht po i paraqesim si më poshtë :
Nga trungu i moçëm i dy vëllezërve Xheladinit dhe Mujdinit, mbetet i vetmi trashëgimtar nga ky i fundit dhe quhet AHMET. Nga Ahmeti lindin tre djem:Rexha, Dina dhe Abazi.
1.Nga Rexha plaku i Muje, lindet Merseli.Ky bën tre djem: Rexhën (emër në kujtim të babait), Mera dhe Islami. Rexha i ri, ka lind: Sulë Mujën dhe Xhelën. Ky i fundit njashtu nuk ka pas djal , pos tri vajzave:Ferizaten, Meribanen dhe Shajen. Për të mos iu fik oxhaku, kur martohet Shaja, lind fëmijën e parë djalë me emrin Baftjar dhe ia jep nënës së saj ,,bir më shtëpi,,! Kurse brezat dhe vëllazëria që lindin të Sulë Mujës, sot janë shtuar aq shumë sa që janë krijuar mahalla të tëra, që mund t’i shikoni sipas skicës së ,,Trungut,,!
2.DINA lind djem: Mosën (ose Musën), Mustafën dhe Azizin. Ky i fundit ka qënë officer me gradë në ushtrinë e Mehmet Pashë Derallës dhe i kanë thënë: Aziz bylykbashi!
Nga Mosa lindet vetëm një mashkull në vatër me emrin Lita, i cili martohet mjaft i ri dhe nga kjo martesë bën tre djem: Vehapin, Abdylin dhe Rasimin. Edhe nga këta shtohet fisi dhe mahalla e Mujeve i degës tjetër. Kurse nga vllau tjetër Mustafa, lindet vetëm një djal dhe i njohur në fis si Haxhi Demku, i cili ka lënë nam. Nga ky lindin katër djem: Rizai, Ibrahimi, Mustafa dhe Meka. Edhe këtyre brez pas brezi u lindin nipëri e mbesa.Kurse nga Aziz bylykbashi, si degë e tretë dhe pasardhësa të DINËS, lindin dy djem: Avziu dhe Rufati. Edhe bijtë e tyre shumohen një mahallë e madhe.
3.Abaz hoxha, si krah i tretë nga oxhaku i Ahmetit plak, lind dy djem: Dervishin dhe Lutën. Kjo mahallë, në shenj të plakut të tyre Abaz hoxhës e marrin emrin: ,,Hoxhallare,,! Por, që janë nga trungu dhe fisi Muje.
*
Çegrani si vendbanim është i vendosur në anën lindore të Pollogut bri Vardarit lakadredhës, nja 5-6 km në verilindje të Gostivarit, rrëzë Mali të Thatë , në pjesën e Maqedonisë Perëndimore, kah kalon edhe autostrada që lidh Shkup- Tetovë- Gostivar- Kërçovë- Strugë dhe Ohër me Qafë Thënë. Dhe një krah i rrugës që çon në relación nga Gostivari- Mavrovë për gjatë grykave të Radikës dhe del në Dibër e Peshkopi, ose aty, gjithandej duhet të lidhet me “Rrugën e Arbërit,, ¡
*
Sipas gojëdhënës për emrin e këtij fshati, në vendin ku gjendet sot Çegrani, ka ekzistuar si një katund i vogël prej dymbëdhjetë shtëpishë, me 2-3 mahalla të ardhur nga anët e Lumës, por që historikisht kanë datuar, sipas defterëve osman që nga 1464, kur edhe përmendet ku fshat për here të parë. Me vendosjen e fisit dhe të gjaku të quajtur MUJE, kryeplak katundi emrohet i brii i Mujdinit plak, Ahmeti. Hoxha i fshatit si imam, të cilin e zëvendëson Hamid Efendia ishte i ardhur nga Tetova, i kishte lut dhe duke i bindur të parët e mahhallave, kishin ndëmarrë që një sipërfaqe të gjërë të ,,Kojrijes,, ku kishte drunj pylli, dushk, ah, mullezë, krekë etj. të mbroheshin nga vetë ata dhe vendi të quhej ,,vakuf,,. Kështu kishin vepruar edhe me një sipërfaqe toke për varreza, që sot quhen ,,varrezat e mesme,,! Dhe andej më poshtë ku fisi Muje kishte një copë tokë, e dhuroi për ndërtimin e xhamisë. Më pas, për nevojat e domosdoshme të banorëve, në rudinat e atij vendbanimi u përdorën si troje për varreza. Duke bërë kështu, fillimisht, për tri mahalla nga një palë varre, sa i ka sot Çegrani. Kjo histori i përket shek. XVI-XVII, gjë e cila tregon se para kësaj kohe, nuk kemi asnjë mbiemër-patronim të konfirmuar në këtë zonë. Kjo e dhënë na detyron të pranojmë se mbiemri i parë i konfirmuar në bazë të të dhënave të deritanishme në Çegran janë familja MUJE, duke u rradhitur madje edhe Liket, Balliset, Loket, Zhupanet, Biçaket, Sallaket dhe kështu me rradhë.. (Këtu, sa për të kuptuar thelbin e kësaj çështjeje, po përmendi se historia e popullit shqiptar njeh fenomenin e familjeve të mëdha të cilat brez pas brezi kanë transmetuar, bujarinë, trimërinë, urtinë, mirësinë, atdhedashurinë, duke luftuar gjithnjë me pushkë në dorë dhe mendje të shëndoshë në mbrojtje të interesave të shenjta të atdheut. Herë pas here, në historinë e çdo mahalle të Çegranit, fati e sjell që të provohet forca morale dhe vendosmëria e mbijetesës së tyre. Këto karakteristika i gjejmë këtu, të ruajtura si traditë shekullore, për çka do të qasemi edhe më tej në trajtimin e këtyre aspekteve) !




(Vijon)
3 replies on “RRËNJA DHE TRUNGU I FAMILJES MUJE NË ÇEGRAN !”
Shumë jeni të respektuar !
PëlqejeniPëlqejeni
Ndaj atdhetareve shqiptarë të gjithë kemi dtyrime i nderuar Nafi.
PëlqejeniPëlqejeni
Respekte dhe suksese4 , mik Gjata !
PëlqejeniPëlqejeni