Kategori
Uncategorized

EDUKIMI I FËMIJËVE NË PËRDORIMIN KRITIK TË MEDIAVE, NJË EMERGJENCË SOCIALE.

    

Nga Dr. Albano ZHAPAJ

 Sot familjet shqiptare gëzojnë mundësi praktikisht të pakufizuara për informacion, edukim, pasurim kulturor, madje edhe për sa i përket mundësive të rritjes shpirtërore, pra mundësi shumë herë më të madha sesa mund të kishin familjet e 10-15 viteve më parë. Televizioni, gazetat, revistat, rrjetet sociale dhe gazetat e pafundme online (që shumë herë e teprojnë me banalitetet që shkruajnë) janë në gjendje të sigurojnë shumë informacione, madje edhe në kohë reale. Sigurisht që në këtë masë të madhe informacioni, është e vështirë për fëmijët dhe të rinjtë të zgjedhin lajmet thelbësore, ato objektive dhe të paanshme, por edhe për vetë prindërit është problematik fakti se si mund të veprojnë përballë bombardimit mediatik që këto media u bëjnë fëmijëve të tyre.

 

Familja shqiptare e “zhytur” në problemin e varësisë nga interneti

 

Familja shqiptare gjendet sot e zhytur në këtë problem dhe është e vetëdijshme që e vetme nuk ja del dot në edukimin e fëmijës dhe për këtë arsye i ka drejtuar sytë nga shteti, shoqëria, nga arsimi. Edukimi i një fëmije dihet se është rezultat i faktorëve subjektivë, trashëgimi gjenetike, edukim familjar dhe impenjim individual, por edhe i ndikimeve mjedisore, të cilat kanë forcuar fort ndikimin e tyre mbi fëmijët, kjo falë zhvillimeve teknologjike dhe përhapjes së telefonave androidë.  Nga edukimi familjar dhe arsimor varet kryesisht zhvillimi fizik i fëmijës, aftësitë shqisore, gjuha e folur, mendimi, por edhe drejtimi i fëmijës. Realiteti në të cilin jetojnë përditësinë fëmijët shqiptarë dhe në cilin mendohet se maturohen në aspektin pedagogjik janë familja, shkolla, qendrat kulturore, qendrat sportive, qendrat argëtuese, shoqatat etj., dhe këtë çdo familje shqiptare arrin dhe e percepton si një sferë ose mjedis edukativ apo arsimor.

 

Ndërkohë jemi të vetëdijshëm se fëmijët tanë kalojnë një kohë të gjatë edhe në sferat ose mjediset  jashtëshkollore, si lagje, traditat lokale, hapësirat publike të argëtimit, mediat e ndryshme, dhe sidomos televizori, i cili në të shumtën e kohës ndahet me përdorimin e telefonit, që tashmë është bërë pjesë e pandarë e fëmijëve, së bashku me telekomandën e televizorit. Tradicionalisht jemi të prirur ende të besojmë se tek edukimi i fëmijëve tanë duhet të mbizotërojë më tepër influenca e sferave apo mjediseve arsimore, por në fakt realiteti po na tregon se sferat jashtëshkollore, sidomos për sa i përket përdorimit të aparateve telefonike të teknologjive të fundit, janë më të forta.

Edukimi i fëmijëve të sotëm, emergjencë jo vetëm familjare.

 

Të ndodhur përballë kësaj situate problematike të edukimit të fëmijëve të sotëm, është emergjencë jo vetëm familjare, por edhe sociale  edukimi i  fëmijëve në përdorimin kritik të mediave televizive apo rrjeteve sociale, pasi shkëputja e fëmijëve prej tyre tashmë është një mision i pamundur, dhe kush prind e ka provuar, ka kuptuar se shpesh herë ka qenë e kotë.

Prindërit janë personat e parë të shqetësuar, por janë edhe të parët që kanë të drejtën dhe detyrën për të parandaluar apo edhe shpjeguar, por vetëm sipas atyre kritereve të racionalitetit dhe të ekuilibrit që mund përballen në ndërgjegjen morale e që formohen dalëngadalë tek fëmijët, pasojat e bombardimit mediatik dhe informativ që marrin fëmijët gjatë pëdorimit të telefonave apo përpara televizorit.  Ajo që e formon fëmijën në familje, nuk është aq shumë mësimi verbal, se sa  atmosfera që ai merr si shembull aty, pra prania dhe sjellja e prindërve, vëllezërve dhe motrave, të cilët si më të rritur shpesh, në vetë të parë, japin shembullin e keq të përdorimit të tepruar të telefonit apo televizorit. Marrëdhëniet dhe komunikimi i pjesëtarëve të familjes në jetën shtëpiake është e rëndësishme pasi rregullon impulset e fëmijëve dhe edukon personalitetin në një harmoni dhe integrim të plotë, nëse familja është e strukturuar fortësisht dhe e shëndetshme moralisht. Anasjelltas, kur ajo nuk është e bashkuar dhe i mungon komunikimi apo etika sociale, kur i shpërdoron orët e lira të jetesës familjare duke abuzuar me internetin dhe televizorin,  fëmijët rriten me frymën që aty brenda fitojnë, të aftë të kalojnë orë të tëra përballë televizorit apo internetit, duke rrezikuar të jetë i paaftë për të fituar një karakter të fortë dhe të integrohet në mënyrë efikase në shoqëri.

 

Shembulli prindëror si formë e rëndësishme edukimi.

 

Duke qenë se nuk ua ndalojmë dot fëmijëve as internetin dhe as televizorin, minimalisht duhet që edukimi ndaj medias të jetë njëkohësisht pozitiv dhe kritik. Duke i vënë fëmijët përballë asaj që është e shkëlqyer estetikisht dhe moralisht, ata ndihmohen të zhvillojnë opinionin e vet, maturinë dhe aftësinë për të arsyetuar. Edhe këtu, është e rëndësishme që fëmijët të njohin vlerën e shembullit prindëror, ku vetë prindi të gjejë kohën për të lexuar dhe për t`ia ofruar si alternativë më të vlefshme fëmijës bukurinë e leximit të librave, letërsisë për fëmijë, arteve të bukura, dhe pse jo muzikës. Të edukosh fëmijën të njohë të mirën dhe të bukurën brenda një oqeani informativ të medias dhe rrjeteve sociale, është po aq bukur sa edhe e nevojshme, pasi, frymëzon dhe gjallëron zemrat dhe mendjet e fëmijëve, ndërsa dihet se shëmtia dhe vulgariteti kanë një impakt të dëshpëruar ndaj qëndrimeve dhe sjelljeve të fëmijëve.

 

Çdo prirje për të prodhuar programe,  përfshirë ketu filmat e animuar dhe video-lojërat,  e cila në emër të argëtimit lartëson dhunën, pasqyron sjellje antishoqërore apo volgarizon seksualitetin e njeriut, nuk prodhon gjë tjetër përveç se “shthurje”, aq më tepër kur këto programe u drejtohen fëmijëve dhe adoleshentëve. Ndoshta fjala “shthurje” tingëllon pak  ashpër, por për fat të keq është e vetmja që qëllon në shenje, siç e di shumë mirë kush nga familjariteti i tepruar me televizionin dhe internetin ka parë pasojat e papëlqyera të fëmijëve të vet.

Disa sugjerime praktike të edukimit praktik të fëmijës së varur nga media dhe interneti.

Duke qenë se “parandalimi” jep fryte më të mira se “ndrydhja”, prindërit (dhe gjyshërit, nëse janë të pranishëm dhe pranojnë të jenë të përfshire) duhet të lejojnë, të favorizojnë dhe të  propozojnë ato aktivitete që janë të ndryshme ndaj abuzimit të TV; lojëra televizive të llojeve të ndryshme, përdorimi i gjerë i materialeve dhe të zonave ku luajnë, dialogë dhe biseda, vizatime dhe ndërtime, zgjidhja e çështjeve në mënyrë të përbashkët, marrëdhënieve ngulmuese me familjet e tjera (miq, të afërmit, fqinjë). “Abuzimi – sipas një parimi të vjetër – nuk e përjashton përdorimin.” Kjo vlen logjikisht edhe për televizionin. Nuk bëhet fjalë për ta eliminuar plotësisht nga jeta individuale dhe familjare, por për të shijuar atë në mënyrat dhe kohërat më të përshtatshme për temperamentin e moshës së subjektit, për situatat, për rrethanat. T´i vendosësh kufij përdorimit të TV do të thotë të përshtatësh rregulla, mundësisht të “propozuara”, por edhe të “imponuara”, nëse do të ishte e nevojshme. Rregulli i parë dhe më efektiv është ajo e shembullit të mirë të prindërve. Nëse ata nuk e paravendosin TV përpara dialogut dhe marrëdhënieve brenda familjes, në qoftë se nuk magjepsen nga “filmat” dhe reklamat, nëse ata tregojnë aftësi kritike përballë të gjitha mesazheve të ekranit të vogël, praktikisht u mësojnë fëmijët një të vërtetë themelore: Të mos bëhesh i varur nga televizioni, është e mundur dhe e bukur.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: