Një biografi e Ridvan Bodes, njeriut që mban rekordin si Ministri i Financave i cili qëndroi më tepër në detyrë pas vitit 1990 (3)
Me Kuvendin e PD-së që u mbajt në tetor 1997, Berisha, i cili u rikthye në postin e kryetarit të partisë pas pesë viteve, ndërtoi ekipin me të cilin do të punonte në opozitën e gjatë dhe të vështirë që e priste pas humbjes së zgjedhjeve të qershorit 1997. Në këtë Kuvend u prit me habi rishfaqja e Bodes dhe zgjedhja e tij në Këshillin Kombëtar dhe në Kryesinë e partisë. Por habia u bë më e madhe kur Këshilli Kombëtar, në mbledhjen e vet të parë pas Kuvendit, e zgjodhi Ridvan Boden sekretar të përgjithshëm të partisë, çka sipas statutit të partisë ishte posti nr. 2 në parti pas kryetarit. Të gjithëve në PD iu dukej një mister se përse Berisha vendosi që ta riciklonte politikisht Boden dhe ta katapultonte në lidershipin e ri të PD-së, së riorganizuar. Në debatet e zjarrta që bëheshin në kafeteritë e shumta që ishin në atë kohë rrotull selisë së PD-së, të pakënaqurit nga Berisha thoshin se Bode, si ish-ministër i financave në kohën e pikut të piramidave dinte shumë gjëra dhe Berishës i konvenonte që këtë njeri ta kishte pranë, që ai mos të fliste për gjëra që Berisha nuk do të donte që të bëheshin publike. Por nëse do të kishte qenë kështu, Berisha do ta kishte bërë Boden deputet nga lista shumëemërore në zgjedhjet e qershorit 1997. Në çdo rast, kjo teori nuk e shpjegonte megjithatë ngjitjen e Bodes kaq lart në hierarkinë e PD-së. Kjo mund të shpjegohet vetëm me atë se Berisha, paslargimit nga pushteti në vitin 1997, do të ishte ende edhe për një kohë të gjatë në marrëdhënie të këqija me SHBA-të, marrëdhënie të cilat nuk u përmirësuan deri në vitin 2004. Për këtë arsye Berishës u afrua më shumë me Francën. Me Boden si nr. 2 në PD Berisha i jepte një sinjal të qartë Parisit.
Në skemën «gjeopolitike» brendashqiptare të Berishës, Bode në lidershipin e PD-së duhej të përfaqësonte Shqipërinë e Jugut dhe posaçërisht Shqipërinë Juglindore, me Korçën si kryeqendër të saj. Me sa duket Berisha, i cili atëhere ishte në një raport të vështirë me Vlorën, nuk parapëlqeu që të zgjidhte në vend të Bodes një njeri me origjinë nga pjesa jugperëndimore e Shqipërisë së Jugut, posaçërisht nga Vlora, duke menduar se kishte më tepër gjasa që të fitonte mbështetje më të fortë në jugperëndim të Shqipërisë Jugore. Por problemi qendronte se Bode ishte me origjinë nga pjesa skajore e Shqipërisë Jugperëndimore, nga një fshat i Devollit, çka vëshirë se do ta bënte Boden që ai të shihej nga Korça dhe zonat përreth si përfaqësues i tyre. Dhe Bode nuk e arriti dot kurrë reputacionin e të qenit përfaqësues i zonës së gjerë prej nga ku e kishte origjinën. Në skemën e Berishës, Bode, i cili është me origjinë muslimane, duhej të përfaqësonte muslimanët e Shqipërisë së Jugut, ndërsa nënkryetari i PD, Genc Pollo duhej të përfaqësonte kristianët ortodoksë të Shqipërisë së Jugut dhe kristianët ortodoksë në përgjithësi.
Ridvan Bode do të zgjidhej në postin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së pesë herë rresht, në 1997, 1999, 2001, 2005, 2009. Kur Bode u bë nr. 2 në PD mund të supozohej se ai do të ishte një shënjestër e parapëlqyer për propagandën e së majtës, për të provuar se në krye të PD-së vazhdonin të ishin përgjegjësit për skemat piramidale, por nuk ndodhi kështu. Emri i Ridvan Bodes shfaqej shumë rrallë në faqen e parë të «Zërit të Popullit» aq sa mos të krijohej dyshimi se përse PS nuk e sulmonte këtë njeri.
PD, në periudhën e parë të opozitës së saj, në vitet 1997-2000, kaloi shumë momente dramatike, që ishin veçanërisht dy ditët kur partia kryesore e opozitës u rrethua nga forca të armatosura, në 12 shtator 1998 dhe 28 nëntor 2000. Në të dy këto ditë dramatike për PD-në, Bode, nr. 2 i partisë dhe bashkëpunëtori me i ngushtë i kryetarit, sipas Statutit të partisë, nuk ishte pranë Berishës. Kur Berisha u ndalua nga Policia e Shtetit në 28 nëntor 2000, në krah të tij nuk ishte Bode. Merret vesh, Bode kujdesej që të ishte larg Berishës në momentet më të rrezikshme.
Kur në në 1999, në PD doli fraksioni i ashtuquajtur i reformatorëve, me në krye Genc Pollon, në 1999, Bode mbajti anën e Berishës. Sigurisht që ky qëndrim i Bodes erdhi jo nga ndonjë ndjenjë besnikërie, por nga fakti se Bode, për shkak të së kaluarës së vet si «ministër i piramidave», nuk shihte tjetër mundësi për të mbetur në politikë, përveçse duke qenë pas Berishës. Bode, duke mbajtur stigmën e piramidave financiare, ishte i padëshirueshëm për çdo lëvizje nismëtare për një lidership të ri në PD. Në takimet konfidenciale me të huajt, Bode thoshte se e gjithë përgjegjësia për firmat piramidale ishte e Berishës dhe se ai vetë (Bode) kishte qenë për mbylljen e tyre. Por Bode harronte të thoshte se se megjithatë edhe ai vetë (Bode) nuk kishte qenë kundër përfitimeve që pati prej skemave piramidale.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 Berisha e përdori Boden si rrufepritëse. Në atë kohë, Berisha, i gjendur para kërkesa ngulmuese të mediave se kush do të ishte kandidati për kryeministër i koalicionit opozitar (PD dhe partitë aleate) nëse ai i fitonte zgjedhjet, duke qenë se e majta e kishte paraqitur kryeministrin në detyrë Meta, si personin i cili do të drejtonte qeverinë edhe pas zgjedhjeve, Berisha bëri një truk duke paraqitur Ridvan Boden si «kandidati për kryeministër i opozitës». Me këtë kllounadë Berisha e bëri të qartë se ai jo vetëm që nuk shpresonte që opozita t’ i fitonte zgjedhjet, por as donte që opozita të paraqitej para elektoratit sikur kërkonte seriozisht që t’ i fitonte zgjedhjet. Nuk mund të shihej ndryshe veçse si kllounadë që fushatën elektorale të opozitës e drejtonte Berisha, premtimet i bënte ai, ndërsa si kandidat për kryeministër paraqitej Bode. Është e vërtetë se edhe tek e majta si kandidat për kryeministër nuk kishte dalë kryetari i PS Nano, por Ilir Meta, por kjo kishte ndodhur si rezultat i konflikteve të brendshme në këtë parti dhe Nano do të kërkonte që ta merrte postin e kryeministrit pas zgjedhjeve.
Ndërsa Berishën asgjë nuk e pengonte për të dalë si kandidat për kryeministër para zgjedhjeve, duke i bërë premtimet të besueshme, pasi ai që i bënte paraqitej si njeriu që do të merrte përgjegjësinë për t’ i realizuar. Sigurisht që Berisha nuk donte të dilte si kandidat për kryeministër, se donte që ta shkarkonte mbi Boden përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve. Bode humbi madje edhe në zonën e vet elektorale në Devoll, humbje për të cilën akuzoi publikisht kryeministrin Meta, sikur ky përdori dhunë për mos të lejuar që, sipas fjalëve të Bodes, «kryeministri i opozitës» të fitonte në zonën e vet elektorale. Me sa duket Bode e kishte marrë shumë seriozisht këtë shakanë e Berishës të shpalljes së tij si kandidati për kryeministër i opozitës. Në fakt PD edhe mund të kishte fituar në Devoll sikur atje mos të kishte kandiduar Boden. Devollinjtë ende nuk kishin harruar se në fushatën e zgjedhjeve të vitit 1996, në të cilat Bode ishte kandidat për deputet i PD-së në Devoll, ai ishte pyetur në çdo fshat që kishte shkuar për fatin e kompanive huamarrëse. Në atë kohë PS hapte fjalë se PD do t‘ i mbyllte kompanitë huamarrëse pas zgjedhjeve. Bode u tha zgjedhësve që t‘ i depozitonin pa frikë paratë në kompanitë huamarrëse, se atje i kishin të sigurta, falë Qeverisë së PD e cila kishte marrë të gjitha masat që kompanitë huamarrëse ta kryenin aktivitetin e tyre. Por disa muaj pas zgjedhjeve Bode u tha publikisht gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm devollinjve se paratë e tyre të depozituara në kompanitë huamarrëse nuk qenë aspak të sigurta.
Gjatë kohës që PD ishte në opozitë, Bode nuk u trajtua keq nga socialistët. Kur në një debat televiziv në vitin 2006, Bode që ishte bërë përsëri Ministër i Financave në vitin 2005, u akuzua nga deputetë socialistë, të cilët i thanë se ai kishte emëruar kushëririn e vet të parë drejtor të doganës së Qaf-Thanës, këta nuk thanë se se ky njeri (i famshmi Jaçe Hysolli) kishte qenë në punë në sistemin doganor, madje në një rol drejtues edhe gjatë kohës që socialistët kishin qenë në pushtet. Gjatë kohës që PS ishte në pushtet (1997-2005) bizneset që Bode hapi që në kohën kur PD kishte qenë herën e parë në pushtet, me anë të njerëzve të vet të afërm, ecën mirë dhe nuk u shqetësuan nga socialistët. Me sa duket kjo është arsyeja që kur Bode u bë përsëri Ministër i Financave në 2005, ai vazhdoi të mbante në punë në Ministrinë e Financave, në rangun e drejtorit të drejtorisë kunatin e Erion Braçes, si shembulli më spikatës i ruajtjes prej tij të nepotizmit socialist në administratë.
Në kohën që PD ishte në opozitë, në vitet 1997-2005, Bode, ndonëse kishte punë të shumta partiake, rifilloi edhe karrierën e vet «akademike», si mësimdhënës universitar. Por Bode nuk shkoi në Universitetin Bujqësor të Kamzës ku kishte diplomuar dhe kishte punuar pedagog dikur, por në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Në vitin 2002, Bode, në moshën 43 vjeç, u bë pedagog i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Tiranës. Nëse Bode kishte pasur ndërmend të rikthehej të jepte mësim në Universitet, përse ai nuk doktoroi gjatë kësaj kohe? Përse nuk foli asgjë për këtë PS që në atë kohë ishte në pushtet? Në moshën që kishte Bode askush nuk mund të bëhej pedagog pa pasur gradën shkencore «Doktor». Për më tepër që Bode kishte diplomuar si financier agrar.
Në jetëshkrimin e vet zyrtar Bode nuk e tregonte se ç’ lëndë ka dhënë ai në Fakultetin Ekonomik. Ç’ mund t’ u mësonte studentëve të këtij fakulteti ky ekonomist agrar, i specializuar për mbajtjen e llogarive të kooperativave bujqësore komuniste? Mbetet mister se ç’ nevojë kishte fakulteti ekonomik për këtë ekonomist agrar me një specialitet të dyshimtë në Francë dhe përse ky njeri nuk shkoi të jepte mësim në Universitetin Bujqësor, ku edhe i takonte ta bënte këtë gjë. Por këto ishin kortezi që Bodes ia bënin miqtë e vet socialistë. Ndërsa Bodes kjo gjë i duhej për të pasuruar CV e vet akademike, që të rriste profilin e vet «akademik», me mendimin për t’ u rikthyer në postin e ministrit të financave kur PD të rikthehej në pushtet. Edhe pasi Bode nisi të japë mësim në Fakultetin Ekonomik, ai nuk punoi për të marrë doktoraturën, dhe madje nuk ka doktoruar as sot e kësaj dite.
Që të majtët e trajtonin me një kujdes të veçantë Boden, kjo gjë kuptohet edhe nga ato që shkruan Edi Rama në librin e vet «Kurban», ku rrëfen një episod në kohën që ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, por PD ishte ende në opozitë, pra midis viteve 2000-2004. Rama shkruan:
«Dikush një ditë më pyeti se pse duhet të luftonte ai kur ishte i papunë dhe ‘bukën time’, kështu tha, e ha vëllai i Ridvan Bodes në bashki. As e dija që vëllai i ofiqarit të lartë të Saliut, me të cilin s’ kam asnjë njohje e për të cilin nuk ushqej së largo asnjë respekt, përderisa ia njoh karrierën politike të filluar si anëtar i shoqatës së vullnetarëve të Enverit kur Shqipëria ishte ngritur në këmbë për të rrëzuar monumentin e diktatorit komunist, më pas si ministër të piramidave dhe, së fundmi, si ministër të një kolapsi financiar që po i afrohet vendit tonë në këto kohë si një furtunë e pashmangshme alla greke, ndërkohë që ky birboja vazhdon jo vetëm t’ i bindet me përulësinë e një skllavi politikës antikombëtare të Saliut me financat dhe ekonominë e vendit, po edhe të bëjë avokatin e kësaj politike me vetësigurinë e një provinciali kokorroç. ‘E di ti, e di’, më tha ankuesi në fjalë, ‘që e ke aty vëllain e Ridvanit se të ushqen breshkat në zyrë!’ Histori më vete ajo e dy breshkave që ndanë me mua zyrën e kryetarit të bashkisë, ngase një mik i huaj, artist, jo mjek në fakt, më pat thënë se prania e breshkës në mjedisin ku rri është një ndihmë e vyer për një astmatik dhe për mua që vuaj qysh në fëmijëri nga astma bronkiale, po edhe më tërheqin bestytnitë e çuditshme të kësaj natyre, ky m’ u bë sebepi i kësaj bashkëjetese me dy breshkat që i mora me vete në makinë një natë teksa mundoheshin të kapërcenin rrezikun e rrugës para Pallatit të Brigadave, po burrin e urtë rreth të pesëdhjetave a diçka më shumë që hynte në zyrën time për t’ u sjellë ushqimin, punonjës në Kopshtin Zoologjik, të cilit i dija vetëm emrin e ia çmoja një mirësjellje të pashtirur, si mund ta largoja nga puna se kishte vëlla ministrin e Saliut? Madje në kohën e kësaj ankese i vëllai s’ qe as ministër, se partia e tij ishte ende në opozitë».(Edi Rama, «Kurban», Botime «Dudaj», Tiranë 2011, f. 183-184)
Në të vërtetë Edi Rama, kur u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk la njeriu pa larguar nga puna, nga ata që kishte nën varësinë e tij dhe të cilët ishin punësuar nga paraardhësit e tij të PD-së. Rama e mbajti vëllain e Ridvanit për shkak se e dinte që Ridvani kishte lidhje speciale me Francën nga ku Rama erdhi në Shqipëri në 1998 për të nisur karrierën e tij politike. Vëllai i Ridvan Bodes ishte veteriner dhe se ai kishte dhe të tjerë në Kopshtin Zoologjik. Përse duhej që pikërisht vëllai i Ridvan Bodes të shkonte çdo ditë në zyrën e Edi Ramës për të ushqente breshkat që ky i fundit i mbante privatisht. Kuptohet se Edi Rama e bënte këtë, që t‘ i tregonte Ambasadës Franceze afërsinë e tij me Ridvan Boden. Kur i mësoi Edi Rama ato bëma të Ridvan Bode, nr. 2 në PD dhe dy herë Ministër i Financave, të cilat ia thotë atij vetëm në këtë libër të botuar në nëntor 2011, kur Bode tashmë kishte qenë Ministër i Financave që prej gjashtë viteve? Merret vesh, Edi Rama i thotë këto fjalë për Ridvan Boden vetëm atëherë kur dukej qartë se kishte ardhur koha që ai dhe Berisha të largoheshin nga pushteti. Në bazë të fjalëve që Edi Rama ka thënë më lart për Ridvan Boden, sot që Rama është në pushtet, ky i fundit duhet të kishte qenë i pari ish-ministër i Qeverisë «Berisha» që do të kallzohej penalisht në Prokurori për bëmat e tij, por ja që nuk ndodhi kështu.
Në zgjedhjet e vitit 2005, ndonëse pritej fitorja e PD-së në Devoll, Bode refuzoi të kandidojë atje. Mënyra se si e kishin pritur në Devoll në zgjedhjet e vitit 2001, kishte lënë gjurmë të thella në kujtesën e Bodes, prandaj ky këtë herë kandidoi në qytetin e Korçës, ku fitoi falë autoritetit të PD-së. Pas ardhjes së PD-së në pushtet, në vitin 2005, askush nuk e priste që Berisha ta bënte Boden Ministër të Financave. Kur kjo gjë ndodhi ishte një shenjë se Berisha nuk kishte ardhur me mendjen për të qeverisur seriozisht. Kur Berisha prezantoi kabinetin e tij qeveritar në vitin 2005, Boden e paraqiti si një njeri që kishte ardhur nga bota akademike. Por Berisha nuk shpjegoi se përse Bode ky i ardhur nga bota akademike, nuk kishte doktoruar deri më atëherë. Bode ishte i vetmi njeri që kishte qenë ministër në qeverinë e fundit të PD-së, e cila u rrëzua në 1997, dhe që rikthehej në qeverinë e re të PD-së, si ministër. Kjo kishte një domethënie të madhe aq më tepër, që Bode kishte qenë ministri i lidhur drejtpërdrejt me krizën financiare që shkaktoi rënien e qeverisë së PD-së në 1997 dhe largimin e kësaj partie nga pushteti. Ishte një paradoks i madh pra, simbolikën e të cilit Berisha e ruan për vete, që i vetmi njeri i cili rikthehej në qeverinë e re nga ajo qeveri ishte pikërisht Bode.
Berisha, në fushatën zgjedhore të vitit 2005 iu premtoi përsëri shqiptarëve “ridvanin” (parajsën) dhe kur erdhi në pushtet i dha përsëri Ridvanit portofolin e financave. Ministër Ridvani këtë herë nuk solli dot as një “ridvan” (parajsë) iluzore si atë të herës së parë kur PD ishte në pushtet, me piramidat financiare, por solli vetëm “ferrin” ekonomik. Natyrisht, për vete dhe për klanin e tij e gjeti përsëri “ridvanin” (parajsën), duke siguruar fitime abuzive, me të gjitha mënyrat.
Me të ardhur herën e dytë në pushtet Bode nisi të ndërtojë një perandori financiare personale. Kushëririn e tij të parë, Jaçe Hysollin, e emëroi drejtor të Doganës së Qafë-Thanës, dhe më pas e dërgoi në Portin e Durrësit. Shefin e shtabit të tij elektoral në zgjedhjet e vitit 2005, në Korçë e emëroi drejtor të Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Drejtor të Doganës së Tiranës emëroi një shokun e tij të shkollës nga koha kur kishte qenë student në Kamzë. Kunati i Ridvanit, burri i motrës së tij, sipas këshillës së Ministrit të Financave krijoi një agjenci doganore, degët e së cilët u përhapën në të gjitha doganat e Shqipërisë. Të gjithë ata që kalonin mallra në dogana e dinin se nëse veprimet administrative i kryenin në këtë agjenci, atëherë do ta kishin shumë të lehtë kalimin në doganat shtetërore. Kështu, agjencia doganore e kunatit të Vanit të Thesit u bë një dubluese e sistemit doganor shtetëror, në mënyrë që Vani ta mbushte dy herë thesin, një herë nga dogana e tij private dhe një herë nga ajo shtetërore. Nga të gjithë këta, Vani i Thesit priste që t’ ia mbushnin çdo muaj thesin me para. Paratë i donte në kartmonedha 500 euroshe. Dhe task-forca personale që kishte emëruar Vani i Thesit në Drejtorinë e Doganave dhe në atë të Tatimeve, pasi merrnin paratë që kishin nxjerrë në mënyrë abuzive, i kthenin në karmonedha 5000 lekëshe të reja, dhe pastaj këto i bënin kartmonedha 500 euroshe se me të tilla donte Vani që t‘ i mbushej thesi. Aq shumë u përsërit kjo punë sa pothuajse i zhdukën krejt kartmonedhat 500 euroshe nga tregu valutor, si ai formal, ashtu dhe ai informal.
Pjesa tjetër e perandorisë financiare të Ridavanit kishte të bënte me marrëdhëniet speciale të tij me biznismenin Samir Mane. Qëkurse Ridvan Bode u bë Ministër i Financave nisën të lulëzojnë si kurrë më parë bizniset e Samir Manes. Që nga ajo kjo ai nisi të hapë qendrat tregtare gjigande dhe të marrë koncesione nga më të ndryshmet. Me Samir Manen Vani i Thesit bëri atë gjë që kishte bërë me agjencinë doganore të kunatit, pra dublimin e shtetit. Si të mos mjaftonte që Samir Mane nxirrte të ardhura të mëdha nga kontrabanda që i mundësonte Ridvani në dogana dhe nga evazioni fiskal, Vani i Thesit i dha atij dhe shumë koncesione, disa drejtpërdrejt dhe të tjerat nëpërmjet kompanive që kishte krijuar Samir Mane jashtë vendit. Kështu, Samir Mane mori të drejtën e koncesionit për pullat fiskale, për kasat fiskale dhe mirëmbajtjen e tyre etj. Si shpërblim, Samir Mane i dha Bodes aksione te TEG (qendra e madhe tregtare), si dhe i ndërtoi një vilë të madhe në lagjen luksoze rezidenciale pranë TEG, të njohur si “Rolling Hills”. Bode, deri në momentet e fundit kur ishte ministër, punoi për Samir Manen. Në verën e vitit 2013, pas zgjedhjeve, me urdhër të Bodes, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve iu bllokoi llogaritë bankare qindra biznismenëve, duke iu vënë gjoba, gjoja për parregullsi, por qëllimi i vërtetë ishte që të mblidheshin para të cilat iu dhanë Samir Manes për rimbursim TVSH-je.
Është një ironi shumë e madhe që Qeveria “Berisha” pati për tetë vite Ministër të Financave një njeri emri i të cilit do të thotë “parajsë”. Ky ishte një humor i zi i Berishës me shqiptarët. Dy herë ministri i financave me emrin që do të thotë “parajsë”, por që u ka sjellë shqiptarëve ferrin, u larguaditë nga pushteti, duke lënë pas një borxh publik të rritur dhe çmime të larta. Sa për “parajsën” (ridvanin) ai e ka gjetur për vete dhe do të shkojë ta shijojë nëpër botë. Kuptohet në rast se nuk e bëjnë të përgjigjet për bëmat e tij, gjë që këtu nuk po ndodh.
Në postin e ministrit të financave Bode, i cili gjatë kohës që PD ishte në opozitë, e kishte zakon që t’ u bënte militantëve demokratë premtime nga më fantastiket për vende pune, u bë një nga ministrat që u bë i paaritshëm për t’ u takuar nga militantët. Bode, që kur u bë ministër, edhe pse mbante postin nr. 2 në hierarkinë partiake, nuk shkelte më në selinë e PD-së pothuajse fare. Praktikisht PD kishte mbetur pa sekretar të përgjithshëm, që është administrator i partisë. Si ministër Bode ndoqi një politikë kontradiktore, nga njëra duke futur njerëzit e vet të afërm dhe shokët në poste të rëndësishme në administratë, ndërsa nga ana tjetër duke refuzuar të gjithë militantët e PD-së që i kërkonin vende pune. Gjithashtu Bode u bë një nga ministrat që kundërshtonte më fort largimet nga puna në dikastere dhe në ministrinë e Bodes u bënë vetëm disa «krasitje» dekorative. Më kot militantët e PD-së tregoninë modelin e socialistëve të cilët kur erdhën në pushtet në 1997, pa pyetur për ligje bënë spastrime totale në administratë. Ministri Bode nuk kishte veshë për t’ i dëgjuar këto gjëra. Bode, kur ishte nr. 2 në parti dhe ministër, gjendej në situatën paradoksale që kishte frikë të shkonte në selinë e partisë së tij, përveç rasteve kur atje ishte Berisha, pasi një herë mezi mundi të shpëtonte nga duart e disa militantëve, vetëm me ndihmën e rojeve të veta.
I rikthyer në postin e ministrit të financave Bode nuk e përgënjeshtroi famën e vet të «ministrit të piramidave», duke e shndrruar ekonominë shqiptare në një «megapiramidë», që i zbrazi xhepat e shqiptarëve të thjeshtë. Bode mburrej se ai kishte luftuar me sukses evazionin fiskal duke rritur të ardhurat nga tatimet dhe doganat, si dhe duke i sjellë të ardhura shtesë buxhetit të shtetit. Por kostoja e këtij suksesi paradoksalisht ra mbi shqiptarët e thjeshtë, pasi rritja e të ardhura nga tatimet, e bërë në mungesë të eliminimit të monopoleve në tregtinë me shumicë (një premtim elektoral ky i PD-së), bëri që biznesi i madh t’ i kompensonte paratë që i paguante për shlyerjen e detyrimeve fiskale, me të ardhurat nga rritja e çmimeve, të cilët monopolistët i kontrollojnë lehtësisht. Dhe çmimet kanë vazhduar që të rriten edhe gjatë kohës që PD ishte në pushtet. Natyrisht që kjo megapiramidë e ndërtuar nga ministri Bode nuk mund të mbijetonte gjatë dhe ajo u rrënua me pasoja edhe për treguesit makroekonomikë.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2007 Ridvan Bode ishte një nga ministrat që humbi në bashkinë ku ishte ngarkuar nga PD të punonte për zgjedhjet, bashkinë e Korçës, ku Bode ishte zgjedhur deputet. Thuhet se kur Bode i telefonoi Berishës për t’ i thënë se e kishin humbur Korçën, ky i tha: Ridvan, mos u kthe në Tiranë, shko në Rakickë!
Në Korçë qarkullonte një anekdotë se sikur mos e kishte ndaluar Berisha Boden që të shkonte në Bilisht, kryeqendrën e Devollit, PD do të kishte humbur edhe atje. Këto ishin simptoma të faktit se Bode nuk e shihnin më si një lider përfaqësues as në zonën e ngushtë dhe as në zonënn e gjerë që ai supozohej të përfaqësonte në lidershipin e PD-së, pra as në Devoll, as në Korçë dhe as në Shqipërinë Juglindore në përgjithësi.
Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007 kur u mor vesh se Berisha do të bënte ndryshime në qeveri, si reflektim për humbjen në zgjedhjet vendore, të gjithë prisnin që nga Qeveria të largohej Bode. Por nuk ndodhi kështu, Bode mbeti në qeveri. Bode ishte i vetmi njeri në PD që mbajti gjatë tetë viteve portofolin ministror të cilin e mori në 2005, atë të Financave. Gjithashtu Bode ishte një nga tre ministrat që hynë në Qeverinë “Berisha” në 2005, dhe të cilët ishin anëtarë të kësaj qeveria gjatë tetë viteve sa kohë Berisha ishte kryeministër. Dy të tjerët ishin Genc Ruli dhe Sokol Olldashi./Kastriot Myftaraj

One reply on “Bode i telefonoi Berishës për t’ i thënë se e kishin humbur Korçën, ky i tha: Ridvan, mos u kthe në Tiranë, shko në Rakickë!”
I could not resist commenting. Exceptionally well written!|
PëlqejeniPëlqejeni