Kategori
Uncategorized

Drame emigrantesh.

 JAKUP.B. GJOÇA…
” Sot në darkë largohem përgjithmonë. Po munde, takohemi te autobuzi në orën 17. Gëzimi.”
Mesazhin në telefonin tim e pashë vonë, ngaqë e kisha harruar celularin në makinë. Dhe ora është 15.30. E para që më shkoi ndërmend, ishte të merrja telefon Gëzimin. Por e kotë. Telefoni i tij është i mbyllur. Po të shkoja në shtëpi, e të ndërrohesha, nuk do të mundja të arrija orën e takimit. “… largohem përgjithmonë…”. Lexoja për të sajtën herë mesazhin, duke dashur që të mos i besoja gërmave, fjalëve e fjalisë. Dhe përpiqesha që në lëmshin e togfjalëve të shpjegoja edhe largësinë ndërkohore- ndoshta shumëmujore- të mostakimit, të mosbisedimit, të mosmësimit të të rejave të mikut tim, Gëzimit. Sa dola nga shkallët e metrosë, përballë, në shkallët e hyrjes të pallatit, pashë Gëzimin. Kokëulët, dhe përbri një valixhe. Që të më dëshmonte largimin e tij.
-Çfarë është ky largimi yt i përgjithmontë – e pyeta zëlartë, sikur të doja më shumë që ta zgjoja nga dërmitja.
Gëzimi ngriti sytë, më pa dhe nuk shprehu asgjë. As një ndjenjë. Largoi më tutje valixhen dhe më tha me një zë të dobët.
-Ulu.
-Ç’të ulem?
-Në këmbë do të më dëgjosh?
-Ulemi diku. Hajde të ikim këtej.
-Jo, jo. Më mirë këtu. Ja shikoj njerëzit që hyjnë e dalin nga shkallët e metrosë dhe më vjen mirë.
-Çthua?
-I shikon? Të gjithë nxitojnë. Diku duan të shkojnë. Dikush i pret. E, ndërsa unë, nuk di ku të shkoj. E mua askush më nuk ka kush të më presë.
Mora valixhen e tij dhe hodha hapat nga rruga për në qendër. Nuk ktheva kokën, për të parë nëse Gëzimi më ndiqte.
Veçse ndjeva hapat e tij.
Në një lokal të veçuar, ndalëm. U ulëm në një cep, që të ishim sa më të larguar nga klientë të tjerë.
Gëzimi nuk pranoi të pinte si çdo herë birrë. Preferoi një neskafe.
-Me këtë vapë, çuditem që nuk kërkove birrë.- unë doja të shkëputja sadopak Gëzimin nga mërzitja.
-Të falenderoj që erdhe. Je i vetmi që mund të më përcjellësh.
– Çthua? Nuk më flet hapur. Ku ke humbur kaq kohë? Të kam kërkuar edhe në telefon, por asnjëherë nuk ma ngrite. Dhe unë kujtova ndoshta ke ndonjë qejfmbetje nga unë.
-I humba të gjitha. Të gjithë e të gjitha.
-….sytë Gëzimi m’i vidhte dhe zëri ishte i mekur. Nuk doja ta pyesja. Më dukej sikur do ta gërmoja dhe do t’i shkaktoja edhe më shumë dhimbje.
– Më ndoqi nga shtëpia. Edhe fëmijët nuk më kanë më nevojë tashmë. – Gëzimi fshiu me dorë sytë.
Nuk e di përse nuk ndjeva suprizën e të papriturës. Jo se e prisja këtë. Jo. Jo.
Përvoja e hidhur e mërgimit, më ka mësuar që tashmë të mos habitem, të çuditem për asgjë që mund të ndodhë në sekondën, minutën, orën, ditën që vjen.
Ndaj edhe heshta. Braktisjen ndaj njeriut unë e pashë, e ndjeva dhe e pësova për njeriun tim më të dashur…Te ajo braktisje kuptova, mësova që çdo lidhje njerëzish ka këmbë druri. Edhe lidhja bashkëshortore nuk është përjashtim, përkundrazi. Është një zakonshmëri.
Që çdo lagështi i kalb këmbët e drurit dhe njeriu i pambështetë rrëzohet edhe nga një erë vjeshte, sikurse rrëzohen gjethet e verdha, të cilat kanë humbur klorofilin.
Bashkëshortja braktis “njeriun e jetës”, sa mëson që ai nuk mund të çohet më në këmbë….Nuk ka as durimin që të presë. Të paktën “Ikjen” fizike.
-Zana ma bëri jetën varr. Çdo ditë sherr. Edhe në sy të fëmijëve. Sa edhe fëmijët ma thanë. “Ty nuk punon. Përse të të ushqejë mami? Përse nuk ikën nga shtëpia?”.
Kësaj here unë u mundova që ti fshihja shikimin tim Gëzimit. E kaluara ime, ajo e kaluar që unë mundohesha ta strukja në skëterrën e harresës time erdhi dhe më rëndoi në sy, sa ndjeva turbullimin e sendeve që shikoja.
-Më dëgjon?- Gëzimi kapi dorën time, si për të më sjellë në vete.
E pashë në sy. Qesha, ashtu pavetëdije. Pa kuptim. Si i kapur në faj? Apo, për t’i provuar që e ndiqja fjalën e tij?
-Çdo të bësh tani?
-Tani?…Ku ta di.
– Largimi është zgjidhja jote?
-I papunë jam këtu. Çtë bëj?
-Sa kohë je i papunë?
-Mbi një vit e gjysëm.
-Zana punon?
-Kjo është e keqja ime. Që ajo punon, e më thotë përditë që nuk më ka më nevojë. I jam barrë, më ushqen ajo. Këtë më thotë përditë.
-E kam të vështirë të them diçka. Më njeh, i urrej moralizimet boshe. Po të gjykosh se mund të të ndihmoj, më ke pranë.
-Që erdhe tani, më ndihmove. Nuk dua të ndjej që më kanë braktisë të gjithë.
U çova. I rraha shpatullën me dashamirësi.
-Nuk besoj në ndarjet. Ndaj edhe nuk dua të jem te autobuzi e të të shikoj përtej xhamit të autobuzit.
U largova. Siç ndahemi me shokun, me mikun, pa ceremoninë e përcjelljes, me shpresën se e nesërmja do të jetë sërish një pritje.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s