Kryeministri Edi Rama tallet me qytetarët dhe fermerët korçarë, duke u premtuar “marrëzitë e radhës”. Kështu është shprehur kreu i Partisë Demokratike në Korçë, Andrea Mano.
“Kryeministri Rama erdhi si turist për Weekendin e radhës, vizitoi Korçën dhe premtoi marrëzitë e radhës, tek një popull që rraskapitet nga dita në ditë nga kriza historike e Rilindjes”, tha Mano.
Kreu i PD-së, Korçë e ka quajtur pistën e patinazhit të promovuar nga kryeministri Rama, një objekt të pavend dhe më i shëmtuari i qytetit.
“Kur më shumë se 50 për qind e banorëve të rrethit tonë jetojnë në kufijtë e mbijetesës nga skamja dhe kur papunësia ka arritur nivel marramendës, rilindësi Rama tallet dhe ironizon korçarët me vizitën në pistën e patinazhit dhe kullën e vrojtimit, ndoshta objekti më i pavend dhe më i shëmtuar i qytetit të Korçës. Zoti Rama kur i shantazhove me buzëqeshjen e vrazhdë banorët e Maliqit për faturat e energjisë.
–Pse nuk fole për falimentimin e fermerëve të zonës që po i mbyt me taksa dhe monopolet e klientelës qeverisëse?
–Pse nuk shkove të takosh fermerët e zonës dhe tu thuaje se pse çmimet e prodhimeve të tyre janë përgjysmuar, madje janë nën koston e tyre?
–Pse nuk shkove tu thuaje se pse prodhimet e tyre nuk po shiten këtë vit?
–Pse nuk shkove tu thuaje se çfarë do të bëhet me prodhimet e tyre që po kalben dita –ditës?
–Pse nuk i sqaron fermerët dhe blegtorët për mashtrimet që u bëre për Rilindje të bujqësisë dhe të ekonomisë së rajonit??”, është shprehur kreu i PD-së, Korçë.
Më tej Mano, tha se skamja po gjunjëzon korçarët, ndërkohë që shumë prej tyre janë hequr nga ndihma ekonomike.
“Pse nuk fole zoti Rama për skamjen që po gjunjëzon të madh e të vogël, të rinj të papunë, pensionistë në pikë të hallit, gra kryefamiljarë, e burra të sëmurë që ti i ke zhdukur emrat nga lista e ndihmës sociale? Kur dimri i varfërisë, i errësirës, i acarit ka pllakosur qytetin e komunat per shkak te faturave të papërballueshme të energjisë, dhe mungesës së druve, ti zoti kryeministër së bashku me kryetarin e Bashkisë flisni për argëtim luksoz, madje ftoni turiste për pushime elitare në Korçë”, tha Mano.