Kategori
Uncategorized

“Fllaauu..eec, yyshhh ër dreq”

“O Llazi, po ça e rreh kot kalin, s’e sheh që po ngordh nga pa-ngrënia? Ku ka fuqi ai i shkreti..” “Ka, ka. Po ma bën me hile, se s’do të eci.” “O Llazi i kanë dalë brinjët. Mos e rrih, po jepi ndonjë gjë për të ngrënë.” “Ka ngrënë, ka ngënë. Po thjesht po ma bën me hile. Yshshssh..” “Ore, ça ka ngrënë thua ti? Ai mezi mbahet në këmbë. Do të të ngordhë kali fare. Mos i bjer, po jepi për të ngrënë..” “S’e ka tek buka, po është përtac, prandaj s’ecën. Po ma bën me hile.”

Fllaauuu me kamzhik… Kali rrëzohet dhe ngordh. Ashtu siç pritej..

Kjo është analogjia e aksionit anti-informalitet dhe kjo foto që ia vodha me leje me shkrim Urim Bajramit, është mishërimi më i mirë i analogjisë.

Nuk e kuptojnë, ose thjesht janë të ligj me shpirt, saqë s’duan ta pranojnë.

Muaji Gusht ishte muaji i madhërishëm i aksionit anti-informalitet. Pam-pum, bym, bam-bum biribam-biribum. Noizy modh me pak fjalë.

Kap e mbyll, bëj rrezil në media, fut në burg e nxirr nga burgu. Luftë e madhe jo shaka.

Dhe pikërisht, në këtë muaj, kur natyrisht ti pret që të ardhurat e shtetit nga taksat e mbledhura të kene bërë namin, dalin të dhënat e Ministrisë së Financave që thonë që tatimet kanë mbledhur të ardhura nga TVSH 11 milionë USD më pak (ose 1/3 më pak) nga ç’mblodhën në Gusht 2018, kur s’kishte aksion anti-informalitet.

Në Gusht 2018, pa aksion, u mblodhën 33 milionë USD TVSH nga tatimet. Në Gusht 2019, me aksion, u mblodhën 22 milionë USD TVSH nga tatimet.

Po ky paradoks s’përbën më çudi. Gropa më e madhe në mos-realizimin e të ardhurave në buxhet, i takon vitit 2015 me rreth 300 milionë Euro. Dhe e dini çfarë? -Dhe atë vit patëm një super aksion anti-informalitet.

Aksioni anti-informalitet bëhet për të mbledhur të ardhura për buxhetin. S’e kuptojnë që lekët që iu mungojnë në buxhet, kur mungesa kap përmasa të tilla kaq të mëdha tip 32%, nuk mund të vijnë sepse po ua vjedhin këta me dyqane e hotele. Nuk e kuptojnë që kaq shumë devijancë nuk mund të vijë vetëm nga evazioni. Devijim në këto përmasa do të thotë që është ekonomia që po shkon për pambuk.

O Llazi, është ekonomia, o Llazii.

E ke lënë kalin pa ngrënë. Mos i bjer kot me kamzhik, se thjesht sa do ta ngordhësh fare. Jepi ndonjë gjë për të ngrënë.

Bëj ndonjë gjë që njerëzit mos ikin, bizneset mos mbyllen…apo largëqoftë të vijë ndonjë investitor i huaj. Shpenzoji lekët e buxhetit që të rritet ekonomia, jo të të fryhet xhepi ty. Hap ndonjë hapësirë për investim se i kanë bllokuar të gjitha këta shokë e tu. Hap ndonjë vend pune (në Shqipëri, jo në Gjermani).

Uleni çik dozën e korrupsionit se e keni dorën e rëndë, plumb. I mbytët njerëzit. Mos vidhni çdo gjë, leni të hanë ndonjë gjë dhe 3 milionë të tjerët, se po i bie sheqeri ekonomisë, o Llaziii…

Leji këto aksionet, se s’po ndërton brezare, po shkatërron një komb, o Llazii

Lini një koment