Kategori
Uncategorized

Perla e Lasgush Poradecit, “Vallja e yjeve”.

Yjtë-e ndezur si fingjill,

Që vërtiten palë-palë,

Prej mosgjëje zunë fill

Plot me jetë-e mall të valë.

Zunë fill me dashuri

Që kur bota zu të ngjizet,

Pa sikush për shok të ti

Përvëlohet edhe ndizet.

Ndizet ças edhe për ças,

E si kurrë s’ka të shuar,

Pa pushim i vete pas

Me një sulm të llaftaruar.

E si kurrë nuku mund

Ylli yllin që t’a kapë

Rrotull qiejve pa fund

Venë-e-vinë-e-venë prapë…

…………………………………

Do të venë fluturim

Kudo janë-e kudo s’janë,

Nëpër qjell që s’ka mbarim,

As fillim, as fund, as anë.

Kur mi të, kur nënë të,

Kur me hire-e kur pa hire,

Do përajnë gjithënjë

Hapësirë…shkretëtire…

Ata ikin varg-e-varg

Me një etje të pashuar:

Sesà fellë-e sesà larg

Shoq me shoq u pat larguar!…

Kùsh j-u fali-aq dëshërim,

Dh’aqë zjarr e aqë flakë,

Dh’i gatoj me aq durim

Yjtë-e lum e varfanjakë?

Se do një, si për çudi,

Ku prej syresh rreh të ftohet,

Shoq i vet, nga mall’i ti,

Më me zjarr zë përvëlohet…

Dh’i vjen qark më me vërtik

E me dhembje më të nxehtë,

E si ik…si gjithë ik…

E pushton me zjarr të vetë:

Sa më pak e shmbëllen:

Aq më shumë-e ndjek dëshira…

Pa nga malli që s’e gjen,

Dridhet gjithë hapësira.

…Kur po ja! Se që përtej

Ndriten erërat nga pakë:

Yll-i çdukur nëpër qiej

Vetëtiu e mori flakë:

J-a pat shtënë me një ças,

Mun në mes në kraharuar,

Shoq’ i vet q’i sillej pàs

Me një sulm të llaftaruar;

Q’e kish flakën mun në gji,

Q’e zhuritte dashurija,

që çkëlqente me zili

Rrotull rrezeve të tija.

Yll i mjerë e yll i lum!

Yll i lum e yll i mjerë!

Sapo drita t’u përgjum,

Sheh një shoq nëpër skëterë;

Ay vin… e gjith vin…,

Gjith më pranë…

-e gjith më pranë..

.- Sesà ndrin e vetëtin!…

Sesà ndjen një gas pa anë!…

Sesa ndritesh përsëri!

Sesì ndizesh përsëpari!

Sesì djek me dashuri

Posi yll margaritari!…

Dashuri! Heu! Mall i ri!

Dashuri! këng’ e durimit!

Ti liri! Ti robëri!

Ti valim i shkrepëtimit!

Lini një koment