Kategori
Uncategorized

Urim Gjata: Si përfundoi në burgun e Qaf Barit Petrit Bazelli, nipi i atdhetarit Pasho Kolanecit.

zemrashqiptare.net

Wednesday, 26.11.2008, 02:06 PM

Nga Urim GJATA*

Pas shtypjes me dhunë. vrasje të revoltës më 20 maj 1984 në kampin-burg të Qaf Barit filluan torturat çnjerëzore ndaj të burgosurve.

Ditën e tretë pas revoltës në kampin famëkeq të Qaf Barit do te ishte më e zezë për të dënuarit e ndërgjegjes të cilët i kishin lidhur këmbë e duar.

Kishin dhe disa ditë pa bukë dhe ujë, por ata ishin krenar për revoltën.

I rreshtuan me forcë para kampit ku xhelatët i çuan një nga një tek hetuesit, shefat sigurimi dhe policë të cilët kishin mbërritur nga Tirana.

Spiunët, qoftë dhe dikush “bashkvuajtës” i të dënuarve, këta njerëz të ndyrë dhe egërsira jepnin informatat se kush ishin organizatorët të cilët duheshin të shkonin për pushkatim.

Këta të dënuar ishin njerëz të pa fajshëm, që kërkonin demokraci në vendin e tyre dhe tashmë ishin bërë heronj në mbrojtje të demokracisë.

Çdo xhelat kur dilte nga dhomat e torturave u dalloheshin qartë në veshjet njolla gjaku.

Ato njolla gjaku kishin dalë nga plagët e të burgosurve që torturoheshin barbarisht.

Shpesh herë dëgjohej zëri i shefit famëkeq të xhelatëve Edmond Caja i cili jepte urdhra për tu goditur më rëndë të burgosurit që të nënshtroheshin, të bëhej mësim për të tjerët që kishin ndërmend të ngriheshin në revoltë.

Por të burgosurit qëndronin krenar, nuk nxirrnin zë edhe pse goditeshin pa mëshirë me shkopa gome.

Pas çdo goditje dëgjoheshin të qeshurat e kolegut xhelat që godiste fort, fort pa shpirt njeriut.

Në një çast nga rreshti i të burgosurve dëgjohet një zë, Poshtë komunizmi, rroftë flamuri kuq e zi pa yllin sllav,Rroftë Shqipëri dhe Kosova.

Papritur xhelatët u turrën drejt tij.

Ishte zëri i një të burgosuri nga Kosova të cilin e morën zvarrë duke e goditur me shkelma dhe grushta. Drejtori i operacionit Edmond Caja bërtiti duke thënë:

Silleni këtu zagarin ti tregoj diktaturën proletariate.

Pas pak një djalë trim Petrit Bazelli i përgjigjet: – ja ku më keni dhe mua, më merrni shpirtin sepse të tjerat mi keni marrë me kohë.

Në krah mbante shokun e tij të gjakosur Anastas Dhamon që ishte nga Pogradeci të cilit sapo ia kishin shkulur mustaqet me pinca.

Çfarë kafshërie!

Përball tyre qëndroni hetuesit, ndoshta ndonjëri prej tyre ishte ai që jua kishte qëndisur dosjen dhe i kishte dërguar pa faj në burgun famkeq.

Ishin futur në burg të rinj duke u shkatërruar jeta, ëndrrat rinore.

Jeta për ta tashmë nuk kishte më kuptim përveç luftës për demokraci dhe liri, por kjo përpjekje do tu kushtonte edhe jetën ndoshta. Ata e provuan para pak ditësh me revoltë paqësore, por që ishte shtypur barbarisht nga policia, ushtria dhe grupet speciale të ardhur nga Tirana.

Petrit Bazelli i cili ishte dënuar me 25 vite burg ishte një djalë i ri, i pashëm që vinte nga një familje e madhe kombëtare.

Ai ishte nipi i Pasho Kolanecit luftëtarit dhe komandantit të çetës së Gorës.

Ishte nipi i njërit prej drejtuesve të lëvizjes nacionaliste Shqiptare, një patriot dhe mik i Mitat Frashërit, Abas Ermenjit,Hysni Lepenicës, Safet Butkës dhe Maliq Dusharit.

Këta ishin nga ata burra që gjithë jetën punuan dhe luftuan për vendin Shqipërinë.

Ata drejtuan me sukses shumë beteja kundër italianëve në Skrapar, Mallakastër, Berat dhe Pogradec. Por regjimi komunist Pasho Kolanecin e dënoi me vdekje ndërsa nipin tjetër kushëririn e Petritit Asim Bazellin e dënuan me 25 vjet burg.

Petriti mbasi mbaroi shkollën e mesme me rezultate te shkëlqyera caktohet mësues në zonat e thella në Moglicë deri në vitin 1975, kur pa pritur pushohet nga puna pa asnjë arsyetim.

Ai i mërzitur kthehet në fshatin e tij të lindjes.

Me shumë mundime arrin të fillojë punë në Kombinatin e sheqerit në Maliq. Por dora e gjatë e Sigurimit të Shtetit Komunist nuk ju nda as në Kombinat.

Në dhjetor 1980 ai pa pritur arrestohet në akuzën për agjitacion dhe propagandë kundër kujt regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Në të vërtet Petrit Bazelli nuk kishte forca për ta rrëzuar diktatorin me bashkëpunëtorët e tij të shumtë, por sistemi komunist i trembej intelektit të tij, i trembej prejardhjes së tij familjare sepse ishte pasardhës i një fisi shumë të nderuar dhe të njohur në gjithë zonën e Korçës.

Fisi i tij kishte nxjerrë burra patriote që kishin luftuar kundër çdo përdhosës të tokës shqiptare.

Pas arrestimit Petritin me e mbajtën të varur me kokë poshtë, shpeshherë i vini kunja druri në thonjë për të bërë që ai të pranonte akuzat e rreme të ngritura për agjitacion. Torturuasit edhe pse përdorën shumë metoda çnjerëzore nuk arritën ta mposhtnin Petrit Bazellin.

Më në fund vendosën ta dënojnë ashtu si dënonin njerëzit e shkolluar, intelektualët që nuk pajtoheshin me sistemin komunistë donin që edhe Shqipëria të kishte demokraci si shumë vende të përparuara të botës së qytetëruar.

Kështu përfundoji në burg të Qaf Barit Petritit Bazelli, një djalë i ri me ëndrra të pa realizuara, ndër to dëshira për të dhënë mësim dhe edukuar brezat e ardhshëm të kombit shqiptar.

Era e demokracisë do të vinte në Shqipëri në vitet 1990 dhe si shumë të burgosur të tjerë politikë edhe Petriti doli nga burgu i diktaturës.

Ai tashmë ishte një burrë i fort, ishte rritur por ëndrrën për arsim nuk e kishin fshirë torturat çnjerëzore të sistemit komunist të Enver Hoxhës.

Petrit Bazelli arriti me shumë sakrifica të vazhdonte Universitetin në degën e Juridikut për Drejtësi dhe ta mbaronte me sukses. Kjo është njëra nga mijëra historitë e të burgosurve politik që diktatura komuniste i burgosi pa akuza, por me shkakun se ata dëshironin lirinë e fjalës, lirinë e të drejtave të njeriut.

*Nënkryetar i Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Greqi.

Lini një koment