Kategori
Uncategorized

Unë dhe Rudina te Amerikanët dhe Taulanti te Begot

Alfred Lela

Biseda me Rudina Hajdarin, deputete demokrate, mbrëmë në pritjen e ambasadës amerikane, me rastin e marrjes së detyrës nga zv/Ambasadorja, Leyla Moses, nuk mund të mos hapej mbi fushën gri të tematikës politike. Nëpër fjalë u mpiks ideja se kërkohet një ‘ngjarje e madhe politike’, një big bang, që do ta shpërthejë malin memec, poshtë të cilit shtrihet magma e fjetur e një vullkani.

Po cila është ajo ngjarje në kërkim të një terranove politike? Kjo dilemë vlente mbrëmë, me një birrë amerikane në dorë, në një kënd të Tiranës, aq të qetë sa të dukej vetja se të kishin hedhur në Georgetown, sa ç’vlen edhe sot.

Sidomos sot e në vazhdim.

Nuk jam në gjendje, apo nuk është rasti ndoshta, të flasim për këtë ngjarje, pa shprehur në fillim arsyet që çojnë në domosdoshmërinë e saj. Çfarë e ka bërë (im)perpetuum mobile gjendjen, saqë edhe po të zbresësh interesin politik të Rudinës dhe vokacionin ideologjik të autorit të këtyre radhëve, sërish mbetet imperativi i daljes nga mosngjarja. Na e pohon këtë, në mënyrë të fortë dhe të paanshme, deputeti i shumicës socialiste, Taulant Balla. I vënë në cep të ringut prej disa ditësh nga opozita e cila, sipas të dhënave zotëron edhe materiale të tjera për të njëjtin rast, Balla e ka pranuar sot, më në fund në një konferencë shtypi ‘lidhjen familjare’ me një biznesmen, të akuzuar, ndër të tjera, si anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjës.

I cytur nga këmbëngulja e akuzatorëve nga foltorja e selisë blu, kryetari i grupit parlamentar socialist, pohoi se opozita duhet të ngrejë akuza, dhe jo të bëjë pyetje. Sot ishte vetë që, me pohimin e bërë e varrosi nevojën e pyetjeve, duke ngritur lart relievin e akuzave kundër tij.

Në rrethana të tilla, ‘ngjarja e madhe’, të cilën e yshtnim unë dhe Rudina, qoftë edhe duke e kërkuar mes veti, ngjan thuajse një naivitet. Ç’nevojitet një ‘shpërthim’ i tillë kur java politike është e mbushur plot me skandale që fillojnë me deputetin Çyrbja të Rilindjes dhe mbyllen me deputetin Balla të PS? Ky i fundit është edhe një prej hierarkëve të lartë të shumicës, praktikisht nr. 2 i Edi Ramës.

Është pikërisht lehtësia e padurueshme me të cilën shumica qeverisëse i trajton bëmat e vetes që e thërret në skenë nevojën e këtij big bangu. Nuk ka një reflektim serioz, edhe pse Partia Socialiste ka humbur jo pak në hemorragjinë e shkaktuar nga i ashtuquajturi dekriminalizim. Disa deputetë dhe kryetarë bashkish, ranë para presave të këtj mekanizmi, por atë që mori periferia në kanalizimet e ‘ujrave të zeza’ e ktheu lart qendra. Rilindja e Edi Ramës është, me sa duket, vazhdim i filozofisë së viteve të tij si kryebashkiak. Një estetizim pa etikë. Prish bregun e Lanës dhe ndërto Komunën e Parisit. “Përcill’ Mark Frrokun (i cili ishte të paktën vetë i fortë) dhe fut Çyrbjen dhe lejtnantë të tjerë të të fortëve.

Cila është pra, ngjarja e madhe politike: nga vjen, kush e prodhon? Në këtë pikë, le të pajtohemi për të mos u pajtuar.

Lulzim Basha, lideri i opozitës, e lyp nëpërmjet një kronike të përditëshme mbushur me beteja të pafundme, me qëllim rraskapitjen e kundërshtarit dhe, rrjedhimisht, fitoren në zgjedhjet parlamentare të radhës. Kjo, me sa duket, është strategjia, pa përjashtuar as taktikën afatmesme të asaj që ai quan ‘qeveri e konsensusit kombëtar pa Edi Ramën dhe Fatmir Xhafajn’.

Sali Berisha, e kërkon këtë qëllim nëpërmjet mjeteve të atij që ai quan ‘revolucion demokratik’. Intekektualët Artan Fuga dhe Mark Marku e kërkonin para pak javësh, me anë të një letre të hapur botuar në të përditshmen Panorama, si një bashkim apartiak i elitave të shoqërisë. Një ‘parti’ intelektuale, le të themi.

Për t’u kthyer te mbrëmja amerikane në ‘Georgetown’-in poshtë Nënë Shqipëri; te biseda me Rudinën; te Don Lu që mund të ikë në shtator, por mund të jetë këtu edhe një vit si Alex Arvizu; te Leyla Moses, me atë mbiemër hebraik që evokon shpresën biblike; te shqiptarët, thuajse të dëshpëruar, që shpresojnë se Washington-i mund ta thyejë këtë akullnajë, që e ka zënë poshtë perpetuumin politik; te kjo dhe ajo tjetra; e kështu me radhë…

Të gjitha janë variabla, por shqiptarët janë në gjumë ose në ikje e sipër. Edhe kur thonë ‘opozita nuk frymëzon’, e pranojnë këtë letargji apo këtë mërgatë. Sepse, opozicioni nuk është një ndërtesë, një sigël, një njeri.

Sa kohë kështu do të jemi, Edi, Taulanti dhe Ergysi, do të dalin dhe me lehtësi do të na i paraqesin shkeljet e tyre si ‘ëndrra të një nate vere’.

Lini një koment